| E diele, 19.10.2025, 07:00 PM |
NËNË TEREZA – KJO HUMANISTE E NDËRGJEGJES NJERËZORE
(Me
rastin e 22 vjetorit të lumturimit të Shën Terezës)
Nga
Ilir Çumani
Në
vitin 1979, e gjithë bota u përul me veneracion të thellë para një gruaje të
imët e shëndetlig, ajo vinte si një pranverë e heshtur që lulëzonte në mes të
një bote të ftohtë.
Trupi
i saj ishte i vogël, por kraharori i saj mbante një energji të fuqishme, një
rrjedhë të pafund dhembshurie që përshkonte çdo zemër njerëzore.
Ajo
grua nuk kishte pushtet, as pasuri, as vokacion politik, por mbante në vetvete
një forcë më të madhe se çdo titull apo fron — një fuqi që ngjall shpresë dhe
ngroh shpirtin e lodhur.
Asokohe,
sytë dhe mendjet e burrave më të pushtetshëm të botës, por edhe të njerëzve më
të zakonshëm, ishin të drejtuara nga një çast i heshtur dhe i madh: Nënë Tereza
nderohej me Çmimin Nobel për Paqen.
Jo
për fjalët e saj, por për veprën madhështore që fliste vetë, një poezi e gjallë
e veprimit: dashurinë për njeriun, për të varfrin, për jetimët, për të
moshuarit e braktisur, për të sëmurët dhe të harruarit.
Ajo
bëri që dhimbja të gjejë prehje, një dorë që përkëdhel dhe një strehë të
thjeshtë ku shpresa mund të ripushtohej.
Ajo
nuk ngriti ura betoni, por ura të padukshme që lidhin zemrat dhe shpirtin e
njeriut me njeriun.
Nuk
ndërtoi gradaçela luksi, por strehëza të thjeshta ku jeta mund të rikuperonte
frymën e humbur.
Nuk
mbajti ligjërata për dashurinë, sepse ajo ishte vetë dashuria në veprim — një
premtim që mbahet në çdo përqafim, në çdo dorë që jep shpresë.
Nënë
Tereza ishte me origjinë shqiptare, dhe këtë fakt e mbante me krenari të
heshtur, si një gur i çmuar i fshehur në zemër.
Me
rrënjët e saj të forta, ajo dëshmoi se nga një popull i vogël mund të lindë një
shpirt i madh, një fuqi që ndryshon botën.
Ajo
i dha botës atë pjesë të bukur të humanizmit që shqiptarët e mbajnë të
rrënjosur brez pas brezi — filozofinë e bashkëjetesës dhe harmonisë, dashurinë
për tjetrin, për të pamundurin, për njeriun në nevojë.
Në
shoqëritë ku shpesh mungon ndjeshmëria, Nënë Tereza na kujton se pa drejtësi
sociale nuk ka paqe; pa paqe nuk ka lumturi të përbashkët, dhe çdo njeri
meriton një vend në tryezën e dinjitetit, një vend ku shpresa dhe dashuria janë
ushqim për shpirtin.
Në
botën e sotme, ku egoizmi shpesh mbizotëron mbi dhembshurinë, fjala e saj
mbetet profeci:
“Nëse
gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash ata.”
Një
fjalë e vogël, por e fortë dhe i rëndë si një shkëmb, që na kujton se dashuria
nuk është luks, por detyrë, dhe vetëm zemrat e hapura mund të ndërtojnë një
botë më të mirë.
Nënë
Tereza nuk është vetëm një simbol i mirësisë, por më së shumti një testament
shpirtëror që flet për jetën e përjetshme të dhembshurisë.
Dashuria
e saj nuk ishte luks shpirtëror, por revolucioni më i madh i njerëzimit, një
thirrje për çdo shoqëri që dëshiron të mbetet njerëzore, një kujtesë se zemra
mund të bëjë atë që pushteti, pasuria dhe titulli nuk mundin kurrë ta bëjnë: të
ndryshojë botën.
Tiranë - 18 tetor, 2025