E merkure, 15.10.2025, 02:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Anila Toto– një zë i fuqishëm poetik në letërsinë femërore shqiptare

E marte, 14.10.2025, 06:54 PM


ANILA TOTO NGA VLORA - NJË ZË I FUQISHËM POETIK NË LETËRSINË FEMËRORE SHQIPTARE

Nga Albert HABAZAJ

Profil i autores

Anila Toto është një poete qytetare me pretendime të larta. Me dy fjalë mund ta profilizoja kështu: Toto është poete e perceptimit dhe imazhit poetik, e frymës së lirisë dhe e emancipimit qytetar të femrës vlonjate dhe, parë në këtë rrafsh, të femrës shqiptare, duke e marrë fillesën nga vetvetja, tek familja, në kuptimin e ngushtë të saj, tek vatra e ngrohtë dhe e shëndetshme familjare, duke të futur natyrshëm në kuptimin universal.

Ka lindur më 12 Qershor 1973 në qytetin e Vlorës në një familje të njohur atdhetare e me dashuri për dijen, artin, kulturën. Studimet i nisi më 1991 në degën “Veterinari”, por u detyrua t’i ndërpresë e më pas të studiojë në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Dega Mësuesi, ku kreu dhe Masterin po në këtë degë. Është mësuese në Shkollën Jopublike “Elita” të Vlorës dhe vazhdon studimet e thelluara për gradën shkencore “Master i Shkencave” për letërsi në auditoret e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Pasioni dhe dashuria e saj më e madhe është poezia, arti, letërsia. Ndërkohë, ajo respekton me seriozitet ekonominë e fjalës dhe vlerëson shumë fjalën artistike, poezinë elitare.

Ka botuar shumë pak, vetëm tre libra: Magjia e Dritës” (2011), si dhe dy shqip - anglisht: “Nga vise të bukura shpirti...” = “From beautiful areas of the soul...” (2020) dhe Frymë” = “The Spirit” (2025)

Ka fituar Çmimin “At Gjergj Fishta” në 150 vjetorin e lindjes së tij; Çmimin e Parë nga Klubi “Petro Marko”, 2014 në konkursin nga të gjitha trevat e Shqipërisë; Çmimin e Tretë në Konkursin poetik në 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë; Çmimin e Tretë në Konkursin poetik mbarëkombëtar në Durrës; Çmimin e Parë në Festivalin e Fëmijëve “Trinkle Trinkle” më vitin 2022 dhe 2023 përkatësisht me këngët “Të mbaj në duar”, dhe “Zëri i Jetës”. Ka fituar gjithashtu disa çmime të treta.

Toto është përfshirë në disa antologji poetike, gjithashtu është bashkëredaktore me poetët Enrieta Sina dhe Albert Habazaj në përmbledhjen poetike (antologjinë) “Frymëzim mbi dallgë: vargje nga poetë të Vlorës në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të Atdheut” (2024) etj.

Është fatmirësi jo vetëm për Anilën, për poezinë e qytetit të Vlorës, por edhe për letërsinë femërore shqiptare që parathënien e vëllimit poetik “Nga vise të bukura shpirti” ia ka thurur liriku i madh i poemave Bardhyl Londo i paharrueshëm. Që në fillim ai shprehet: “Ka  një  poezi  Anila  Toto, kushtuar  atit    saj    shtrenjtë, e  cila  fillon  me  vargun  brilant  ti  vije  nga  vise    bukura  shpirti”.  kur  e  kam  lexuar  për  herë    parë  goditja  ishte  tamam  si  një  vetëtimë    bie, ndriçon, shkëlqen  dhe    tërheq  vëmendjen  sepse  ajo  shkarkohet    një  qiell  dhe  horizont    pastër  dhe    kaltër  kur  ti  nuk  e  prisje  fare... Poezia  e  Anila  Totos    kujton, në  kuptimin      mirë    fjalës, Diogjenin  e  famshëm    kërkonte  me  një  kandil    mes    ditës, pikërisht  njeriun”. Ndoshta më mirë se ai, as ne nuk shprehemi.

Të gjithë e pranojmë që Anila Toto është një poetet e njohur në qytetin e Vlorës, ndërkohë që unë pa drojë mund të shprehem se autorja është dhe një zë i fuqishëm poetik në letërsinë femërore shqiptare. Ajo shkruan poezi të mira, që mbarëpëlqehen në qytet, jo vetëm nga shoqëria jonë letrare, nga nxënësit, studentët e qytetarët, por vjershërimi i Totos ka tërhequr edhe vëmendjen e metropolit letrar të Tiranës.

Përse pëlqehet poezia e Anilës?

Së pari, Anila është njeri me pastërti e përsosmëri morale. Sa kushton, sidomos sot, të jesh  njeri. Të jesh qytetar, të jetosh qytetarisht në tërësinë kuptimore dhe universale të fjalës është vlerë e lartë qytetare, është virtyt njerëzor, ardhur nga tradita më e mirë familjare e të parëve tanë. Dhe Anila është e mrekullueshme si njeri, e drejtë, serioze, e ndershme, e thjeshtë, e qeshur, e matur, e pjekur, e dashur, e qetë, por kur e kupton që ia ke me hile - të piu e zeza!... (Jo në kuptimin se do të bëjë hatanë, por thjesht të shpërfill pamëshirshëm). Ajo është qytetare e denjë, rrjedh nga një familje me kulturë atdhetare dhe artistike, me edukatë familjare dhe sjellje shembullore. Anila i jep hijeshi qytetarisë dhe i bën nder, se është e virtytshme. Si e tillë, ajo i shpreh mirënjohjen së pari babait e nuk ia harron kurrë të mirat.

Së dyti, ajo është mësuese dhe misionare, me përvojë në arsim, e aftë, e durueshme, si një nënë e dytë jo vetëm me nxënësit e klasës së saj, por të mbarë shkollës “Elite” dhe të qytetit, sepse njeh mirë pedagogjinë dhe psikologjinë e fëmijëve dhe të prindërve të tyre, që përbën një motiv më shumë për ta shquar Nilën si mësuese e dalluar. Ajo punon dhe nuk di të mburret, as të duket.

Së treti, ajo është lexuese e vëmendshme e librit të zgjedhur shqip dhe të huaj, të letërsisë së vjetër dhe asaj bashkëkohore.

Nuk është domosdoshmërisht e thënë që duhet të kesh këto tri cilësi për të qenë poet, por në rastin e Nilës kemi tri gurra të kulluara që çojnë ujë të pastër e të freskët në Liqenin e Luleve Poetike të Anila Totos.

UDHËTIM NËPËR LËNDINËN E LIRIKAVE TË ANILËS

Vëllimi i parë me poezi “Magjia e dritës”

... Fillova të hedh në letër disa mendime të mia për Anila Toton, por ende pa lexuar 3 librat - vëllime me poezi të saj, edhe pse e kisha të qartë profilin dinjitoz të saj, pasi e njoh autoritetin e  saj letrar, ngaqë kam lexuar shpesh tufëza poetike nga ajo në gazeta letrare, në portale, revista e antologji.

Pasi i lexova librin e parë, vërejta që shumë nga shënimet dhe mbresat e mia e gjenin veten nëpër vargjet poetike të autores. Realisht, më erdhi mirë që e njihja botën qytetare dhe letrare të autores.

Trinia e dinjitetit fisnik të poezisë së lartë të autores vlonjate Anila Mjergullosh Toto është: shpirti, bukuria, drita. Bulëzimet e kësaj trinie të shenjtë u shfaqën që në libërthin e parë “Magjia e dritës”, Vlorë: Pavarësia; 2011, me 77 poezi në 77 faqe. Në ballinë ka pikturën romantike të realizuar piktori Arben Toto (vëllai i autores që sot dritëron me yjet...).

Vëreni me ç’përkushtim të ngrohtë mirënjohës e çel librin e parë Nila: “Ka qenë e bukur fëmijëria ime, duke pasur pranë një njeri me zemër dhe aq botë të madhe shpirtërore sa vëllai im ... Arben Toto. Ai mundi të shprehet me pikturën e tij, unë me poezitë e mia. Falënderoj xhaxhanë tim shkrimtarin Luan Toto, që më ndihmoi të marr nxitjen e parë drejt krijimit të librit”.

Poezia e autores është tërësisht lirike, ku shquhen të gjitha ngjyrat dhe nuancat e lirizmit të lëndinave të bukura të frymëzimit të Totos. “Lulet ngadalësojnë tharjen/ Mos të thahen ëndrrat” - shkruan autorja tek poezia “Pas ikjes”. Nga shqetësimet qytetare, tek poetja gjumi është arratisur jo për faj të saj, prandaj shkruan: “Adresa ime është e thjeshtë/ në derë shkruhet “PAGJUMËSI”.

Aftësia poetike e Totos është ndjesore, realiste, me një botë poetike, që po ta shtrydhësh, kullon dhembje, pezm, zymti, veçse buzëqesh përmes hijes së trishtimit, se ka besim te “magjia e dritës”.

Mjeshtërsia krijuese e autores i tejkalon përmasat gjeografike të Vlorës dhe të vendit, sepse përballja me veset e trazimet njerëzore deri në tejlodhje nisin nga uni poetik, nga vetja, madje nga individi i fortë, që s’tërhiqet nga beteja, por s’i përkasin më asaj, rrokin hapësira të tjera pa kufij në rrafshin tematik që kap dhe në lartësinë artistike që rrok: “Iu bë brenga zonjë e derës”. Duke lexuar poezinë “Nëna ime” vetvetiu më erdhi imazhi i kompozimit ikonik “Britma” i piktorit norvegjez Edvard Munch, cilësuar jo si britmë e kohës, por si britma e gjithkohshme e njerëzimit. Më ka drithëruar, më ka tronditur kjo poezi e ndërtuar vetëm me tri strofa katërvargjëshe që mbyllet me distikun: “Plakjen e hershme s’ka më në dorë,/ As lotët posi shira vjeshte”. Unë ndalova gjatë dhe iu riktheva disa herë poezisë “Nëna ime”, që pa drojë e me plot gojën do ta quaja antologjike, tipologjike dhe dua ta them për ju, se Vlora ka e nxjerr talente në çdo kohë a periudhë letrare.

Në këtë rrafsh, Anila shpesh më shfaqet si poete e imazhit, e imazhit të thelluar do ta quaja, ku nëpërmjet krahasimit të zgjatur/ similitudës, na shpërfaq më të plotë përfytyrimin e dhembjes së lodhur: “Nga dhembja e dhembjes ... u ndjeva plakë/ veshur në të zeza si nata e zezë”,.

Anila Toto është poete e kontrasteve të fuqishme, shprehur thjeshtë, rrjedhshëm, me një natyrshmëri të admirueshme dhe një qetësi të qartë të të thururit të së vërtetës prurë lexuesit me art. Seç ka një magji pena e kësaj autoreje që të bën të ndalosh dhe ta lexosh me qetësi e vëmendje poezinë e saj dhe ta përjetosh atë, duke u ndier shpesh herë edhe si pjesëmarrës; “Qesh kur s’jam e lumtur/ qaj kur shikoj diellin...”. Ajo është sfidante letrare, pa kërkuar të duket e tillë. Patjetër që edhe ajo, si çdo grua, si çdo nënë qan e qesh si të gjithë njerëzit, por si një zonjë me karakter të paepur, Anila na jep mesazhin “Dhembjen e mbaj e gëzuar”, që të mos ankohemi vend e pa vend e jo kujtdo.

Autorja e njeh mirë teknikën e ndërtimit të vargëzimit poetik. Ajo e ushtron mirë dhe vargun  e rregullt. Një e veçantë strukturore e saj është se poezitë i ka të shkurtëra. Në poezitë strofike ka vjersha me 1, 2, 3 apo 4 strofa, rrallë gjen me 5 strofa, duke treguar kujdes e nderim për fjalën artistike të shkruar, për ta mirëpërdorur atë, për të kënaqur shijet e lexuesit, jo për ta shpërdoruar atë. Vargun e thyer e përdor me një natyralitet mjeshtëror, ku mendimi poetik bartet në funksion të logjikës letrare të zbukurimit të shpirtit njerëzor, sepse, në fund të fundit, ky është misioni poetik i autores, prandaj ajo shprehet: “Unë linda bashkë me dritën/ me dritën do të vdes”.

Në librin e parë ka një tufë vjershash romantike, që duket se kalojnë lehtë si një fllad, por tregojnë se rrugëtimi letrar nuk është fushë me lule, as cicërimë zogu, as përpëlitje dufesh, por dashuri e mundimshme për poezinë, thyerje kornizash e ikonash të rreme për të dalë me emrin tënd, për të udhëtuar në këmbë e dinjitet në udhën tënde për t’u ngjitur në lartësinë e synimit. Është shumë e çuditshme, serioze, e qëndrueshme në parimet e saj gati si doke e norma kanunore, kur shkruan si burrneshë që, në rast se duhet a e kërkon nevoja (larg qoftë!), siç vetë shkruan: “Më pëlqen të luftoj/ me “armiqtë e denjë” ndaj “vrapojnë kuajt në faqe historie,/ Çojnë amanet, sinjale kushtrimi”, kur “Bukuria u trëmb, u largua/ E bardha dhe drita në greminë” vërviten pamëshirshëm. Unë lexoj dhe lotët shkronjë tek pikëllimi i autores kur vëren e shikon “ura urie” në këtë botë me më shumë vaje se sa këngë, ku fatkeqësisht e pabesueshmërisht “sa të rënda ishin retë”...

Ka një poezi me motive mërgimtare, që dhemb keq : “Një ditë festë, njëqind zi/ Më shumë lotë se sa këngë”. Pikërisht  fuqia artistike e kësaj poezi seç më kujtoi vargjet e Kadaresë “Treqind kryengritje/ Në katërqind vjet”..., edhe pse s’kanë lidhje, as afri me njëra-tjetrën.

Ndoshta në mënyrë spontane, falë intuitës apo kulturës që trashëgon, bart e pasuron, autorja thur ca poezi, në stilin e poezisë poullore me të mirënjohurin 8-rrokësh, që të ngelen në mendje për bukurinë e gjuhës së shkruar, të cilat mund të këndohen edhe si këngë popullore, madje edhe si këngë labe: “Jetë, moj jetë që nuk lodhe/ Më godit me thupra zjarri/ nuk jam djali që mallkove,/ nuk jam as dërrasë varri!”

Anila është luftëtare e pamposhtur ndaj fenomeneve negative me dëm në shoqëri, në shtet, në familje, deri tek indvividi, si pjesë e  së tërës. Atë e shqetësojnë veset individuale e sociale, duke filluar qysh nga “vdekja e tymtë”, se cigarja fiket, por jo trishtimi - shkruan autorja.

Poezia “Përballje” është një tjetër poezi e fuqishme e autores, luftëtares trimëreshë: “Më shumë ujqër se qengja në këtë botë.../ përballem me ujkun, me tehun e syrit,/ (pak gjak nga ujku dhe unë kam) ... deri sa vijmë tek strofa emblematike: “Ballëpërballë zemërimi dhe frika,/ unë nga ujku, por dhe ujku nga unë./ Ai është mjeshtër në kurthe e prita,/ unë në marrëzinë time, furtunë”.

Në çdo pamje ta shikosh këtë poezi, nga të gjitha këndvështrimet e mundshme,  edhe mua më shkakton ndjenjën e kënaqësisë së motivuar e them krenarisht: Sa poezi e bukur thuret në Vlorë! Faleminderit, Anila!

Ka shumë çaste frymëzimi që bulëzojnë ndër vjersha të vogla 1 strofike me 4 vargje apo edhe 2 strofike me 3 vargje (tercinëza) jashtë formatit tradicional të vjershërimit, të freskëta si motiv, elegante si prurje.

Tek letërsia antike, Anila gjen gurrën e pasur për të mbushur gotat e saj të dhembjes apo të mallit, të hidhërimit apo të gëzimit. Kam parasysh një poezinë lirike “Athina në kujtesën time”, që është një elegji e përkryer metaforike për vëllain, që të ngre peshë nga emocionet, prurë me një strukturë identifikuese autoriale (me tri strofa katërvargjëshe që përfundon me një distik), që na mallëngjen me atë përmbajtje të trishtuar, të përvajshme e plot dhembje shpirtërore: “Elegji për birin ngritën valët e detit,/  Atje, ku im vëlla më të lehtë bën gjumin”... Autorja ka shkruar disa herë poezi për vëllain, të cilat janë përkushtuese, shprehin dhembjen e saj si motër, por me elegjinë “Athina...” është sipër për ndjenjën, mendimin dhe figuracionin stilistik. Poezitë kanë një bosht qëndror që i mban në këmbë dhe një lidhje logjike, që karakterizohen nga vetia e koherencës, që më japin shembëlltyrën e valëve koherente (kujtojmë sadopak nga fizika valët që kanë dritë të njëjtë e të vijueshme në të gjitha fazat).

Ja ç’ shkruan autorja në poezinë “Larg nga unë”: “Edhe në iksha s’do të marr/ në ardhsh, s’do më gjesh./ Amanetin tim/ si kornizë varur në mur./ Ai s’di të qesh,/s’di të qaj,/ s’di të ndjej,/ flet me heshtjen si gur.../ Larg,/ o shpirtnatë/ larg nga unë!” dhe poezinë vijuese  e nis me vargun bukurisht fatal: “Krenari e mbetur shterpë...”. Ç’varg! Goditje me vargun e parë. Ka qëlluar në shenjë egoizmin e pamotivuar, mburrjet boshe, delirin e madhështisë pa këmbë në tokë.

Vëllimi i dytë poetik, që ka 76 faqe me gjithë përmbajtjen, përfshi dhe parathënien e poetit Bardhyl Londo, ndër më kryesorët të Shqipërisë së viteve 1980, është me 29 poezi në dy gjuhë: shqip-anglisht: “Nga vise të bukura shpirti”...= “From beautiful areas of the soul”, Vlorë, Triptik, 2020 është përkthyer në anglisht nga ing. Laureta Petoshati, gazetare, poete e shkrimtare dhe ka redaktore mësuesen e njohur të gjuhës dhe letërsisë Lejla Gorishti.

Anila Toto ndihet tashtmë më e sigurt në udhëtimin serioz të botës botimore nisur 9 vjet më parë (2011). Atë nuk e trembin sfidat, por, sikurse e përmend qysh në “raundin e parë” te “Magjia e dritës”, edhe “armiqtë” i do të denjë, përndryshe i shpërfill dhe ata...

Pas disa sprovash në vjersha të tjera, tek poezia “Biri im” autorja ka arritur që merakun e nënës dhe nervin poetik ta harmonizojë me ndjeshmëri të lartë dhe finesë artistike jo vetëm nëpërmjet mjeteve të jashtme teknike (metaforat, ritmin e vargut, tingullin e fjalëve etj.) realizimin poetik me mesazh për familjen, fëmijët, brezat: “Duaje veten bir..., se është kohë e ligë/ duaje jetën bir... e do jem fatlume!” Ç’sentencë! Kjo poezi është një manual edukimi për çdo djalë nëne, në rrafshin e përvojës jetësore, dashurisë prindërore dhe mirësinë e trashëguar tek feks si stafetë qytetarie. “Biri im” është një këshillimor edukimi, një poezie vlefshme morale, pa rënë një varg e gërmë në moralizime. Vetëm një grua serioze, veç një nënë e devotshme e poete e dinjitetshme do e di të shkruaj kaq bukur, kaq mirë  e dobi individuale, familjare e shoqërore.

Përsëri tek poezia vijuese “Vëllait tim” kam ndjerë një kënaqësi artistike të rrallë nga përshkrimi artistik i hidhërimit aq pikëllues, ngaqë e vlerësoj si një nga poezitë më të arrira që kam lexuar, ndër më të bukurat në ligjërimin elegjiak. Ka aq dhembje motre e lulëzim figurash stilistike, saqë ndihesh ballëlart kë ke mike të penës. Ja poezia: “Vëlla, ka kohë që ke një heshtje të bukur/ Një heshtje vigane/ Një heshtje magjike/ Nga ato që të mbyllin/ Në njëqind çmendina./ Por të heshtin në çastet tragjike./ Ke një heshtje të butë/ Një heshtje që të vë në lojë/ Një heshtje që vëllazërisht të puth/ E pastaj do të më dëbojë./ Një heshtje parajse/ Një heshtje të hidhur/ Një udhë ku dy botët/ I mban lidhur/ Një heshtje të dashur/ Një heshtje mizore/ Hakmarrje e pashpallur,/ Ose.../ Dashuri hyjnore!”

Furtuna” është një tjetër poezi e shkurtër, vetëm me dy strofa katërvargjëshe të lira, të  cilën autorja e mbyll me vargun “Furtuna nuk kanë shtëpi”, që më kujton në një tjetër pamje e përmasë Petro Markon me vjershëzën: “Ditën që linda unë,/ planeti ish në furtunë!/ Ditën që rrojta unë/, planeti ish në furtunë!/ Ditën që vdiqa unë,/ planetin e lashë në furtunë”. Kaq është poezia e Rebelit të Lirisë së Fjalës, po brenda saj çdo njeri gjen jetën e vet, dhembjet e dhembjet e veta. Këto gëzime e dhembje ka në përmasat e horizonteve dhe të mjediseve ku ai lind, jeton e vdes. Dhe “Furtura” e Totos është një poezi e shkëlqyer, përfaqësuese për poetin dhe njeriun e ndershëm. Më tej ka çaste lirike e lirika të mira, ku ndihet pjekuria artistike dhe zë vendin e saj në vargje meditimi filozofik dhe, patjetër, filozofia e dashurisë është në terrenin e saj. Poezia e Anilës me temë dashurinë është realiste, tokësore, e përditësuar, larg romantizmave pompoze, jo pak herë qesharake e të lodhura. “Dashuria ime/ në epokën tonë/ s’ka luftëra të mëdha,/ as trima që vdesin për mua me shpatë./ Na lidh më shumë bashkë/ rutina e ditës/ ose.../ na shtyn larg”. Një poezi reflektuese, shkruar erërave të ftohta të zhgënjimit dhe hipokrizisë është ajo me titullin pohues “E di”. Vetmia, zhgënjimi, trishtimi sikur hedhkan rrënjë tek njeriu i drejtë dhe opoeti i mirë. Kështu ndosh me ne, kështu dhe me Nilën ndodh. Vetëm Ati nuk e zhgënjeu kurrë. Një tjetër poezi për të ndjerin Mjegullosh është ajo ku poetja - bijë shkruan “Im At’ vinte nga vise të bukura shpirti”. Kemi të bëjmë me një poezi fisnikërisht të dhembshur, me dy strofa katërvargjëshe, ku ravijëzohet 13 - rrokëshi, (edhe pse Anila nuk i mban në “rresht” rrokjet). Nuk do të merrem me të, sepse dëshiroj ta shijojmë bashkarisht atë që ka shkruar liriku i njohur shqiptar Bardhyl Londo për poezinë “Nga vise të bukura shpirti...”, që ka dhe shumë meritë letrare, saqë ka arritur të bëhet titulli i këtij vëllimi poetik.

Siç e vërejmë poezi pas poezie, edhe në këtë vëllim, autorja rishfaqet si sfidante e atë nuk e trembin sfidat. Kë të përmend, kë të veçoj nga poezitë e këtij vëllim serioz, vijues në rritje, në ngjitje poetike krahasuar me vëllimin e parë. Mua më gjeti si tek ajo kënga: “Kë të marr e kë të lë”, se ky vëllim ka shumë poezi të bukura dhe , së pari, na vjen në dy gjuhë, në gjuhën e mëmës - shqipen e shkruar me dashuri e art nga autorja dhe në gjuhën e parë të botës, në anglisht, përkthyer me përgjegjësi e po aq art nga ing. Laureta Petoshati, shkrimtare, poete e gazetare e ditur e guximtare.

Humanizmi poetik arrin në lartësi gati të paimagjinueshme altruizmi, që buron vetëm nga një shpirt i bukur, ku fjala e dinjitetit qytetar të femrës së emancipuar buron me dëlirësi: “Asgjë të keqe nuk mbaj më në shpirt/ Edhe armiqtë e mundshëm i kam falur,/ Kam falur dhembjet që më dënuan liritë/ braktisjet dhe kthimet përfundimisht i kam falur”.

Te poezia “Lermë” shikoj një ndjesi zemërate, revoltë të shqetësuar në shpirt ndaj bezdisjeve meskine nga kushdo qoftë, që ajo nuk i duron, se s’i ngre dot, pasi nuk janë për të.

Anila Toto është zëri përfaqësues i gruas në këtë shoqëri në dukje qytetare, por aq të egër në thelb. Dhe në poezi është pena luftarake e poetes pararojë. “Ç’të tremb motër/ Përse dukesh kaq e etur, kaq luftëtare/Kë do të bësh të lumtur në botë/ E vetja s’të dhimbset fare?”. Ajo disa herë e ka trajtuar gruan, figurën e saj, rolin dhe vendin në shoqëri, gëzimet e zhgënjimet, asnjëherë parë njësoj, por nga këndvështrime të ndryshme me gjetje interesante. E kam fjalën për poezinë “Grua”, që vjen me një ndërtim stilistik nëpërmjet shkallëzimit.

Mbaj mend që dikur është botuar një antologji poetike për gruan, por nëse do të përgatitej një antologji poetike e plotë për gruan, janë disa nga poezitë e Totos që mund të përfshihen.

Në poezinë e Totos, shkallëzimi, antiteza dhe kontrasti ndihen si në shtëpinë e tyre, sidomos tek “Mos u çudit”, “Qytet antik”, “Për hir të fëmijës”, “Errësirë”, “Një ditë”, “Mëngjesi i brishtë” etj. Ndërkohë nuk mund të kalosh këtë libër, pa shijuar vargje të tilla me karakter dramatik si “Nëpër salla të nderit ndihemi të vegjël/ (Edhe pse na pushton çdo çast krenaria),/ I duam sukseset e bujshme të heshtura...”. Vuajmë kështu nga deliri i madhëstisë?! I krenarisë boshe?! E pra, këto çaste që na marrin frymën e lirë e na gufosin jetën, autorja i trajton si ngjarje të rënda e tronditëse, ndaj në poezi ndihet dukshëm pasqyrimi sa artistik aq reflektues i realitetit tonë me kollare bufonësh.

Vargje të tilla si “Për hir të fëmijës/ vetes luftë i hap”, apo “Ftohtë,/ Natë dhe bota ishte mbuluar/ nga dëbora e ngrirë/ që natën ndrin./ Unë me pak qymyr të zi në për duar/ Oxhakut të vjetër po ndizja vetminë”, ose “Një nënë e butë dhe e përkushtuar/ Një femër e fortë që s’ka të ndalur/ Një grua!” janë gjurmëlënëse deri në sakrifikim për identitetin qytetar dhe universal të femrës, të gruas, të nënës në këtë botë. Një model është vetë Anila e Poezisë. Vëreni ç’përmasë i jep lirisë dhe misionit të humanizmit me bujarinë e vargut të bukur autorja: “Gjysma e  lirisë për ëndrrën dhe trupin/ Gjysma për t’u falur edhe të tjerëve”.

Deri më sot nuk kam lexuar ndonjë poezi me titullin “Kam shkelur ligjin” me 12 vargje, jo më tepër. Po e rishkruaj vjershën e Nilës:

Kam shkelur ligjin?!

Po punë e madhe!

Unë prap’ jam njeri i ndershëm

Ky lloj ligji më shkel përditë

Më godet e më shkelmon pa frikë e mëshirë

E më ka nxirë jetën!

Kam shkelur ligjin?!

Ai ligj më shpërbën përditë

E s’më lë të rri në këmbë

Më lëndon krenarinë e liritë,

Më thyen nofulla e këmbë

Derisa më poshtëron ... të gjithën”.

Në të vërtet, në përditshmërinë e jetës, Anila Toto është në këmbë e qëndron si mali përballë furtunës. Por ajo në këtë poezi sintetike është mundimi i saj sfilitës për të qenë në këmbë, është mundimi brengosës i simotrave të saj vlonjate e shqiptare, është vuajtja hidhërake e shoqërisë shqiptare. Veç një poete qytetare - luftëtare e paepeur e lirisë guxon të thurë poezi kaq të bukura e të guximshme si kjo, që mëlartcituam.

Një tjetër poezi Made in Anila Toto është edhe ajo me titullin trishtues, por ëndërrimtarisht shumë, shumë të bukur: “Dua të vdes në nëj fushë me lule”. Kjo është pak më e gjatë se ajo e “ligjit”, ngaqë ka 3 strofa 4 vargjëshe, thurur në varg të lirë, të thyer por që, pa e shpërfillur rimën, strukturalisht mbyllen me elegancën e asonancës, që i shkon më për shtat natyrës së saj rebele: “Dua të vdes në nëj fushë me lule/ Në fazën e lulëzimit./ Kështu dhe unë të ndihem bukur/ E të pranoj largimin/ Dua të vdes në një fushë me lule/ Larg nga njerëzimi/ Kështu që të mos ketë lot e lutje/ Por vesë e gjelbërim/ Dua të vdes në një fushë me lule/ (Si lule e kam zemrën)/ Kështu që çfarëdo të ndodhë më tutje/ Të dua edhe jetën!”.

Ç’lulëzim human shikoj e ndjej në këtë poezi me reminishencë fataliteti në lartësinë rrëfimtare dhe ndjesore! Është një poezi tjetër lirike, që më ka tërhequr vëmendjen dhe është përfaqësuese për Nilën. Një poezi që më shëmbëllen me heronjtë romantikë, me trimat e lirisë në kohë tragjike, rrethuar nga njerëz me vese, ligësi e hipokrizi, ndaj shprehet autorja: “Dua të vdes në një fushë me lule/ Larg nga njerëzimi...”. Motivi i saj gri është i  njëjtë me një poezi timen, por ndjesia poetike, po ashtu kuptohet këndvështrimet janë të ndryshme dhe krejtësisht origjinale me mesazhe të larta, të bukura për jetën e njeriut në këtë rruzull të galaktikës sonë. Ç’rastësi mrekullisht e papritur! Nuk ia kemi lexuar njëri - tjetrit poezitë më parë. Ja poezia ime me titull “Vetmia”, botuar në vëllimin me poezi “Nata me hënë” Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 23: “Qysh kur u çmend njerëzimi/ Në burg e futi Drejtësinë,/ I lumturuar nga pikëllimi/ U dashurova me Vetminë./ Varfëria, si vjeshtë varfanjake/ Vyshket, venitet, vetëm vdes,/ Unë, me dufet rebelake,/ I them Botës: Mirëmëngjesi!” Kaq është poezia. Dy strofa katërvargjëshe.

Vëllimi i tretë poetik: Frymë” = “The Spirit”, Vlorë, Triptik, 2025, dy gjuhësh: shqip -anglisht, me 168 faqe, ka të njëjtin staf realizues për botim, por është më i ploti, më domethënësi dhe me kulturë poetike, është një përmbledhje poetike, një antologji me 67 poezi të zgjedhura të Anila Totos. Bëj çudi me këtë poete... Sa e kujdesshme! Sa e panxitueshme!

Ky vëllim është ndërtuar me dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga 29 poezitë e vëllimit të dytë “Nga vise të bukura shpirti ... = From beautiful areas of the soul...”, patjetër dhe me parathënien e Londos,  ndërsa pjesa e dytë (sigurisht në dy gjuhë dhe kjo) titullohet “Jam e trishtë = I am sad ”, së cilës përkthyesja, gazetarja dhe shkrimtarja ing. Laureta Petoshati i ka bërë tekstin shtesë, si quhet parathënia në bibliotekonomi dhe ka 38 poezi. Edhe këtu zotëron poezia e shkurtër, madje me 2 distikë, 1 strofë me 4 vargje 6 apo 4-5 rroksh...

Duke shfletuar librin, mbajta sytë në vjershëzën “Miqësisht”:

Fola me detin sot. I shkova pranë.

Folëm gjatë e u bëmë miq përsëri.

Nuk pranonte e gufonte ndër dallgë

Unë flisja për ty, ai... për vten e tij”.

Ç’metaforë detare në dy distikë nga bija e detit të Vlorës!

Fryma” ka frymë të pastër poetike, poezi filozofike, edhe romatike, ka motive, me ide, ku gjen edhe poezi romantike, madje dhe poezi të mira dashurore, sepse dashuria nuk njeh stinë e moshë, por ka veçansitë e saj për çdo grupmoshë. Moshës së mesme prindërore, pra të qenit prind të bën të thurësh vargje të tilla:“...Sot duke adhuruar heshturazi sytë e fëmijvë/ I rikthehemi atij gushti e mbytemi atij deti...” si te poezia me titull “Ad’

Disa poezi të autores na duken si piktura romantike me ngjyrën e shiut; sikurse gjen dhe motivin simbolik dy kuptimor (stina - dashuria).

Pa treguar që është vlonjate, autorja kuptohet si e tillë që në vargun e dytë të poezisë me 4 distikë “Shira vjeshte”, se në Vlorë “të therin thellë kockat deri në eshtër”. E gjithë poezia është peizazh i gjallë poetik i altruizmit të Totos.

Në shumë poezi duket sikur ka mbirë trishtimi, sikurse vërejmë një zhgënjim të pashmangshëm ndaj përbetimeve të rreme miqësore, madje pa maska fare.

E vërteta” është poezi kuptimore, që shpreh filozofinë e jetës, përvojën e saj, të plasariturat njerëzore në shkallëzimet e interesave meskine të anonimëve të dëmshëm si karkaleci në bujqësi. Ky është realiteti i hidhur, por ja, që e jetojmë dhe kuptojmë që në këtë jetë nuk të braktis kurrë vetëm trinia e shenjtëruar: “familja, të vërtetat, vetvetja

E nisa nga fundi këtë vëllim për t’u rikthyer në fillim. Mbeta gjatë, shumë gjatë e disa herë iu ktheva poezisë “Nëna ime”. Moj Anila! Po më mbushe sytë me lot me këtë reliev të gjallë poetik. Po kjo poezi është edhe për nënën time, edhe për nënat e miqve të mi e mikeshave të mia, që më kanë folur me aq dashuri, krenari e dhembshuri për shenjtoren e jetës sonë. Është një poezi e gjatë, ndoshta ndër më të gjatat që ke thurur, por është e meritueshme për nënën. Nuk kemi të bëjmë me një kompozim në pikturë për nënën, por një kompozim në vargje aq të ngrohta e të dridhshme, aq të ëmbla e thurur me filigran dashurie. Thjesht - mrekullisht mallëngyese...  Më ka marrë malli për tim Atë”. Poezia është vetëm një frymë shklëqimtare e dashurisë së bijës për atin:

Më ka marrë malli

për tim Atë.

Dhemb ... si burrat

E qaj si gratë!”

Në poezinë bashkëkohore, nuk gjejmë shumë të tilla, të cilat janë përmendore me floririn e fjalës për babën e nënën - dy njerëzit tanë më të shtrenjtë e të shenjtë, se na kanë bërë kokën e na kanë nxjerrë në jetë.

Tek “Mall ... për Benin” - në 4 distikë dhemb gjaku i shpirtit i motrës për vëllain, i poetes për piktorin...”.

Kur mendova se e humba” është një poezi në formë tercine, nga e cila njihemi me imtësi të tilla, se jo çast familjar është i ëmbël e romantik, se ka edhe zënka e grindje, dëshpërime e vetmi të padëshiruar. Aparati poetik i Totos e regjistron në vargje edhe këtë gjendje.

Nga vetmia” është një poezi filozofike, që del nga vetvetja e rrok përmasa universale, ndërsa tek poezia “Oh, Judë” është një poezi e thellë sociofilozofike, e veçantë në zhbirimin e saj. Në 2 strofa poezi njihemi me një mendje të çoroditur, sepse Juda, ky sinonim i tradhëtisë, mik i Satanait e armik i Perëndisë, është dhe hajdut, dhe djall, dhe i pamoralshëm, dhe i pa nder, dhe i pa atdhe. Ky është vrojtimi i vëmendshëm i rrethimit hipokrit që përjetojmë, saqë autoren, si misionare të mirësisë, mirëkuptimit e mirëshkuarjes shoqërore, e gërryen dyshimi mbi këtë realitet të trishtë me varakë lyer, sepse kohët e arta nuk qenkërkan në këtë mjedis të deformuar social kështu që “Forma e paqartë e ndërgjegjes,/ përballja me sfida e zhgënjime!”. Shtroj pyetjen: A ka prindër në këtë rruzull tokësor, që t’ia vënë fëmijës së tyre emrin Judë?! Jo! (E kam fjalën për prindërit - prindër, jo për përbindëshit).

Nervozizmi është një gjendje shpirtërore e shqetësuar e njeriut me ndjeshmëri të lartë dhe poetja jonë (edhe pse mjaft e vetëpërmbajtuar) në këtë qytet jeton, jo në akuariume poetike dhe, domosdo, që nuk mund t’i mbyllë sytë para ndodhive të jetës së përditshme, mungesave, mangësive (kështu e lexoj unë poezinë “S’ka lidhje me ty”).

Në poezinë “Një grua” shohim peizazhin e realitetit të frikshëm femëror, jo thjesht për të mëshiruar atë grua fatale, që na paraqet autorja në 4 distikë, por për t’i vënë gishtin kokës  njerëzimi, këtij horizontaliteti dhe vertikaliteti të vetëdijshëm.

Në 4 distikë tek “Një grua në dritare” ndjejmë një puhizë lirike, që fryn në vargje të çastit e ngrihet horizonteve ku buzëqeshja e femrës zgjon një galaktikë...

Tek poezia “Jam e trishtë” (titull të cilin mban dhe pjesa e dytë e “Frymës”), po qëndroj qetësisht dhe pakëz më shumë se tek simotrat e librit. Kreshnikja e fjalës dhe e veprimit, në fund të fundit, është një femër, një nënë, një poete, një mësuese që edukon fëmijë të vegjël si një misionare e madhe, është një njeri prej gjaku e kocke, jo prej strralli a mermeri. Edhe për atë, luftaraken e ballit të veprimit, ardhka një çast e ajo kthehet mjelmë të urtë, të brishtë... “Si uji i një liqeni të heshtur/ jam e trishtë./ E trishtë si akuj të bardhë,/ që s’thyhen e shkrijnë/ si një mal i madh e i lashtë/ Gjëmon pikëllimi im/ Jam e trishtë...”. Poezia mbyllen me anaforën: “Yll i vogël i qiellit,/ që fal pakëz dritë/ Jam e trishtë.../ Jam e trishtë.../ Jam e brishtë...” .

Ashtu siç e prisja, e shikoj përsëri të ringrihet me “Njerëz të bukur” në 6 distikë. Autorja, si një kopështare e mirë, dhe ndër dhimbje di të qesh, dhe në dimrat më të egër mbjell nga një pranverë. Ç’karakter i pamposhtur! Nuk do ta quaja karakter burrëror, por karakter i fortë i gruas serioze.

Poezia alegorike “Bie borë” vjen e freskët, e veçantë, origjinale. Zhgënjimi nga realiteti hidhërak jepet sa me vërtetësi të parë e të provuar, po aq me elegancë fisnike.

Kur lexoj poezinë “Veten kam harruar”, thashë me vete: Ku e gjen forcën kjo grua, që shkruan si zonjë e rëndë e penës: “Duke të dashur ty,... Veten kam harruar”? Ku është burimi magjik ku mbush frymëzimin kjo poete, e tëra e Dinjitetit Femëror në këtë shoqëri me fasadë demokratike e parzmore qytetare, por në telb me mentalitet të thepisur shkëmbor?!...

Në këtë qytet mungon ti” është një lirikë trishtimi origjinale, ku dhembja lëndon dhe lulet e qytetit.

Tek “Unë jam poezi dashurie”, vetëm në 2 strofa 4 vargjëshe: “Unë jam thjesht një poezi/ e thurur në mendjen e tim eti,/ mbi bukurinë e sime mëje/ në çastin e adhurimit./ Unë jam poezi dashurie/ nga ato që vdesin të mëdha./ Gjithçka nisi nga shpirti i tij,/ e shpirtin tek unë la”, vërejta 5 elementë:

- ndjenjë të fortë e të zjarrtë

- mendim të qartë e të bukur

- logjikë të shëndoshë me fuqinë e arsyetimit familjar

- vërtetësi jetësore e artistike

- artin poetik në formën më të përsosur lakonike.

Te poezia tjetër alegorike “Dimër” që ka 6 distikë, nuk kemi të bëjmë me rrëmbime romantike çasti, por patjetër me logjikën e dashurisë së vërtetë, serioze. Mund të thotë dikush se dashuria është ndjenjë, ç’punë ka logjika këtu. Ka punë logjika, si s’ka. Jemi qenie të vetëdijshme. Nuk ka se si të na komandojnë instiktet, si te gjallesat e tjera, që ndjejnë, por nuk janë në gjendje të mendojnë.

Çelësi i suksesit letrar të autores është tek shenjtëria që ajo i jep fjalës e i fal vargut, zotërimi i teknikalitetit strukturor e lëndor dhe mjeshtëria artistike e të shkruarit poezi. Ajo, në strofën e parë të mbërthen të futesh në botën e saj të larmishme e të pasur: “Ka rënë dimër në shpirtin tim/ As malet s’më kanë mbrojtur”. Ajo, në strofën e fundit shpërthen, sa të bën të ndihesh dhe ti si në botën tënde, të imagjinosh shoqezën tënde apo mikun e zemrës në krahë e të të duket sikur i ke bërë ti këto vargje: “Ndizëm një zjarr në trurin tim/ të djegim çfarë ka aty”. Ja pra, ku qëndron kyçi i arritjeve të mbara poetike të Totos.

Bregut të detit” ajo përdor metaforën e dallgës për vashën dhe të bregut për djalin, duke e vizatuar dallgën me tipare njeriu, me veçoritë dalluese të vajzës vlonjate nëpërmjet shkallëzimeve: e etur, nevrike, shtatlartë dhe i drejtohet me hov: “Dallgë, o moj dallgë që rend me inat/ ëmbëlsoje bregun siç dinë të bëjnë gratë”.

Tek “Një lule” thjeshtësisht këndshëm një imtësi e bukur na shfaqet, që nëpërmjet çeljes së lules, ndjejmë frymën e planetit tek zbukurohet.

Po aq në libër, ndihet klithma blu e detit të vajzës së bregut, sepse “siç pret Penelopa Odisenë e vet”, sepse detin mban në shpirt...

Gratë serioze” është një poezi me peshë të rëndë poetike, që i shkon për shtat të quhet emblema poetike e gruas. Unë e kam të shkruar në faqen vetiake të Whatsapit tim,  kështu që nuk po e citoj, sespe është e mbarënjohur dhe kam dëshirë të mirë që edhe ju ta keni në arkivin e visareve shpirtërore të celularit tuaj.

Poetja është edhe doktoreshë, që, me magjinë artistike të vargut të saj, dhembjet t’i kthejë në lule...

Libra të tillë, si “Fryma” e poetes Anila Toto kanë vlerë jo veç letrare, por shoqërore, sepse përhapin kulturën letrare me poezitë e shkruara bukur, sepse janë në pararojë të luftës së gjithëjetshme të së mirës ndaj së keqes, që meritojnë lexim të këndshëm e na japin kënaqësi. Libra të tillë të rikthejnë besimin se edhe autorët e sotëm bëjnë letërsi të mirë, duke na dhënë një përmasë të re të dashurisë për librin e printuar, kur po na gufos vjershërimi dixhtal, sa keq marramendës. Se... të them të vërtetën, shumë qullufice dalin nga furrat botuese, dhe, detyrimisht humb dashuria për librin. Lexuesi i kulturuar nuk detyrohet të lexojë; ai s’thotë s’dua të lexoj, por indiferendshëm largohet nga ti, në kërkim të librit të mirë, të bukur, të dobishëm.

Pakëz vëmendje! Na duhet të mos ulim asnjëherë “vigjilencën” poetike, sepse dashur, pa dashur mund të shkasim në moralizime të bezdishme e të mërzitshme, edhe pse as shkrimtarët e mëdhenj nuk i kanë shpëtuar. [“Ti meriton”]. Edhe tek Nila, poezitë më të bukura janë ato të jetuarat, të parat, të prekurat, të ndjerat, jo ato të imagjinuarat, të ëndërruarat, të dëshiruarat... [“Bijës së munguar”]

Kemi vëne re edhe disa probleme, që mirë është t’ja themi me dashamirësi njëri-tjetrit, për të përparuar duke u përmirësuar, sepse kështu i bëjmë mirë shëndetit tonë letrar. Edhe në vëllimin e parë, edhe në të dytin, edhe në këtë më të plotin - të tretin, nëpër faqe kalojnë edhe poezi të lehta, veçse dhe ato e kanë një puhizë, një detaj, një gjetje. Fjala vjen, nuk këshillohet, më saktë nuk pëlqehet që poezia të mbarojë me folje, përveç rastesh kur ajo ka fuqi artistike, ku ndihet potenciali stilistik i foljes si metaforë foljore etj. , apo ndonjë fjalëpërdorim gazetaresk. Mund të shmanget lehtësisht diçka e vetmuar jo poetike, aq më teëpr nga një poete e talentuar si A. Toto. Edhe poetët më të shquar, nuk i kanë të gjitha poezitë të shquara. Kështu që edhe tek autorja jonë ka tek - tuk poezi që nuk janë atje sipër, por spikat dashuria poetike e autores për nivelin artistik, këmbëngulja dhe vullenti i saj për lartësitë letrare.

Dhe fjalia e fundit për këtë vështrim mbi poezinë e Anila Totos është: Ndihem fatlum, që dashuria për librin po rikthehet edhe në Vlorë. Për këtë, edhe përmbledhja poetike “Frymë = The Spirit” ka merita të dukshme.

Vlorë, 14.10.2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx