| E marte, 14.10.2025, 06:54 PM |
ANILA TOTO NGA VLORA -
NJË ZË I FUQISHËM POETIK NË LETËRSINË FEMËRORE SHQIPTARE
Nga
Albert HABAZAJ
Profil i autores
Anila Toto është një poete qytetare me pretendime të larta. Me dy fjalë
mund ta profilizoja kështu: Toto është poete e perceptimit dhe imazhit poetik,
e frymës së lirisë dhe e emancipimit qytetar të femrës vlonjate dhe, parë në këtë
rrafsh, të femrës shqiptare, duke e marrë fillesën nga vetvetja, tek familja, në kuptimin e ngushtë të
saj, tek vatra e ngrohtë dhe e shëndetshme familjare, duke të futur natyrshëm në kuptimin universal.
Ka lindur më 12
Qershor 1973 në qytetin e Vlorës në një familje të njohur atdhetare e me
dashuri për dijen, artin, kulturën. Studimet i nisi më 1991 në degën
“Veterinari”, por u detyrua t’i ndërpresë e më pas të studiojë në Universitetin
“Ismail Qemali”, Vlorë, Dega Mësuesi, ku kreu dhe Masterin po në këtë degë. Është
mësuese në Shkollën Jopublike “Elita” të Vlorës dhe vazhdon studimet e
thelluara për gradën shkencore “Master i Shkencave” për letërsi në auditoret e
Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
Pasioni dhe
dashuria e saj më e madhe është poezia, arti, letërsia. Ndërkohë, ajo respekton
me seriozitet ekonominë e fjalës dhe vlerëson shumë fjalën artistike, poezinë
elitare.
Ka botuar shumë
pak, vetëm tre libra: “Magjia e Dritës” (2011), si dhe dy shqip
- anglisht: “Nga vise të bukura shpirti...”
= “From beautiful areas of the soul...”
(2020) dhe “Frymë” = “The Spirit”
(2025)
Ka fituar Çmimin “At Gjergj Fishta” në 150 vjetorin e lindjes së tij;
Çmimin e Parë nga Klubi “Petro Marko”, 2014 në konkursin nga të gjitha trevat e
Shqipërisë; Çmimin e Tretë në Konkursin poetik në 100-Vjetorin e
Pavarësisë së Shqipërisë; Çmimin e Tretë në Konkursin poetik mbarëkombëtar në
Durrës; Çmimin e Parë në Festivalin e Fëmijëve “Trinkle Trinkle” më vitin 2022 dhe
2023 përkatësisht me këngët “Të mbaj në
duar”, dhe “Zëri i Jetës”. Ka
fituar gjithashtu disa çmime të treta.
Toto është përfshirë
në disa antologji poetike, gjithashtu është bashkëredaktore me poetët Enrieta
Sina dhe Albert Habazaj në përmbledhjen poetike (antologjinë) “Frymëzim mbi dallgë: vargje nga poetë të
Vlorës në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të Atdheut” (2024) etj.
Është fatmirësi jo
vetëm për Anilën, për poezinë e qytetit të Vlorës, por edhe për letërsinë
femërore shqiptare që parathënien e vëllimit poetik “Nga vise të bukura shpirti” ia ka thurur liriku i madh i poemave
Bardhyl Londo i paharrueshëm. Që në fillim ai shprehet: “Ka një poezi
Anila Toto, kushtuar atit
të saj të
shtrenjtë, e cila fillon
me vargun brilant
“ti vije
nga vise të
bukura shpirti”. Që
kur e kam
lexuar për herë
të parë goditja
ishte tamam si
një vetëtimë që
bie, ndriçon, shkëlqen dhe të
tërheq vëmendjen sepse
ajo shkarkohet në
një qiell dhe
horizont të pastër
dhe të kaltër
kur ti nuk
e prisje fare... Poezia e
Anila Totos të
kujton, në kuptimin më
të mirë të
fjalës, Diogjenin e famshëm
që kërkonte me
një kandil në
mes të ditës, pikërisht njeriun”. Ndoshta më mirë se ai, as ne
nuk shprehemi.
Të gjithë e
pranojmë që Anila Toto është një poetet e njohur në qytetin e Vlorës, ndërkohë
që unë pa drojë mund të shprehem se autorja është dhe një zë i fuqishëm poetik
në letërsinë femërore shqiptare. Ajo shkruan poezi të mira, që mbarëpëlqehen në
qytet, jo vetëm nga shoqëria jonë letrare, nga nxënësit, studentët e qytetarët,
por vjershërimi i Totos ka tërhequr edhe vëmendjen e metropolit letrar të Tiranës.
Përse pëlqehet
poezia e Anilës?
Së pari, Anila është njeri me pastërti e përsosmëri
morale. Sa kushton, sidomos sot, të jesh
njeri. Të jesh qytetar, të jetosh qytetarisht në tërësinë kuptimore dhe
universale të fjalës është vlerë e lartë qytetare, është virtyt njerëzor,
ardhur nga tradita më e mirë familjare e të parëve tanë. Dhe Anila është e
mrekullueshme si njeri, e drejtë, serioze, e ndershme, e thjeshtë, e qeshur, e
matur, e pjekur, e dashur, e qetë, por kur e kupton që ia ke me hile - të piu e
zeza!... (Jo në kuptimin se do të bëjë hatanë, por thjesht të shpërfill
pamëshirshëm). Ajo është qytetare e denjë, rrjedh nga një familje me kulturë
atdhetare dhe artistike, me edukatë familjare dhe sjellje shembullore. Anila i
jep hijeshi qytetarisë dhe i bën nder, se është e virtytshme. Si e tillë, ajo i
shpreh mirënjohjen së pari babait e nuk ia harron kurrë të mirat.
Së dyti, ajo është mësuese dhe misionare, me përvojë
në arsim, e aftë, e durueshme, si një nënë e dytë jo vetëm me nxënësit e klasës
së saj, por të mbarë shkollës “Elite” dhe të qytetit, sepse njeh mirë
pedagogjinë dhe psikologjinë e fëmijëve dhe të prindërve të tyre, që përbën një
motiv më shumë për ta shquar Nilën si mësuese e dalluar. Ajo punon dhe nuk di
të mburret, as të duket.
Së treti, ajo është lexuese e vëmendshme e librit
të zgjedhur shqip dhe të huaj, të letërsisë së vjetër dhe asaj bashkëkohore.
Nuk është
domosdoshmërisht e thënë që duhet të kesh këto tri cilësi për të qenë poet, por
në rastin e Nilës kemi tri gurra të kulluara që çojnë ujë të pastër e të freskët
në Liqenin e Luleve Poetike të Anila Totos.
UDHËTIM NËPËR LËNDINËN E LIRIKAVE TË
ANILËS
Vëllimi i parë me poezi “Magjia e dritës”
... Fillova të
hedh në letër disa mendime të mia për Anila Toton, por ende pa lexuar 3 librat -
vëllime me poezi të saj, edhe pse e kisha të qartë profilin dinjitoz të saj,
pasi e njoh autoritetin e saj letrar,
ngaqë kam lexuar shpesh tufëza poetike nga ajo në gazeta letrare, në portale,
revista e antologji.
Pasi i lexova
librin e parë, vërejta që shumë nga shënimet dhe mbresat e mia e gjenin veten
nëpër vargjet poetike të autores. Realisht, më erdhi mirë që e njihja botën
qytetare dhe letrare të autores.
Trinia e
dinjitetit fisnik të poezisë së lartë të autores vlonjate Anila Mjergullosh
Toto është: shpirti, bukuria, drita. Bulëzimet e kësaj trinie të shenjtë u
shfaqën që në libërthin e parë “Magjia e
dritës”, Vlorë: Pavarësia; 2011, me 77 poezi në 77 faqe. Në ballinë ka
pikturën romantike të realizuar piktori Arben Toto (vëllai i autores që sot
dritëron me yjet...).
Vëreni me
ç’përkushtim të ngrohtë mirënjohës e çel librin e parë Nila: “Ka qenë e bukur
fëmijëria ime, duke pasur pranë një njeri me zemër dhe aq botë të madhe
shpirtërore sa vëllai im ... Arben Toto. Ai mundi të shprehet me pikturën e
tij, unë me poezitë e mia. Falënderoj xhaxhanë tim shkrimtarin Luan Toto, që më
ndihmoi të marr nxitjen e parë drejt krijimit të librit”.
Poezia e autores është
tërësisht lirike, ku shquhen të gjitha ngjyrat dhe nuancat e lirizmit të lëndinave
të bukura të frymëzimit të Totos. “Lulet
ngadalësojnë tharjen/ Mos të thahen ëndrrat” - shkruan autorja tek poezia “Pas ikjes”. Nga shqetësimet qytetare,
tek poetja gjumi është arratisur jo për faj të saj, prandaj shkruan: “Adresa ime është e thjeshtë/ në derë
shkruhet “PAGJUMËSI”.
Aftësia poetike e
Totos është ndjesore, realiste, me një botë poetike, që po ta shtrydhësh,
kullon dhembje, pezm, zymti, veçse buzëqesh përmes hijes së trishtimit, se ka
besim te “magjia e dritës”.
Mjeshtërsia
krijuese e autores i tejkalon përmasat gjeografike të Vlorës dhe të vendit,
sepse përballja me veset e trazimet njerëzore deri në tejlodhje nisin nga uni
poetik, nga vetja, madje nga individi i fortë, që s’tërhiqet nga beteja, por
s’i përkasin më asaj, rrokin hapësira të tjera pa kufij në rrafshin tematik që
kap dhe në lartësinë artistike që rrok: “Iu
bë brenga zonjë e derës”. Duke lexuar poezinë “Nëna ime” vetvetiu më erdhi imazhi i kompozimit ikonik “Britma” i
piktorit norvegjez Edvard Munch, cilësuar jo si britmë e kohës, por si britma e
gjithkohshme e njerëzimit. Më ka drithëruar, më ka tronditur kjo poezi e ndërtuar
vetëm me tri strofa katërvargjëshe që mbyllet me distikun: “Plakjen e hershme s’ka më në dorë,/ As lotët
posi shira vjeshte”. Unë ndalova gjatë dhe iu riktheva disa herë poezisë “Nëna
ime”, që pa drojë e me plot gojën do ta quaja antologjike, tipologjike dhe dua
ta them për ju, se Vlora ka e nxjerr talente në çdo kohë a periudhë letrare.
Në këtë rrafsh,
Anila shpesh më shfaqet si poete e imazhit, e imazhit të thelluar do ta quaja,
ku nëpërmjet krahasimit të zgjatur/ similitudës, na shpërfaq më të plotë përfytyrimin
e dhembjes së lodhur: “Nga dhembja e
dhembjes ... u ndjeva plakë/ veshur në të zeza si nata e zezë”,.
Anila Toto është
poete e kontrasteve të fuqishme, shprehur thjeshtë, rrjedhshëm, me një natyrshmëri
të admirueshme dhe një qetësi të qartë të të thururit të së vërtetës prurë
lexuesit me art. Seç ka një magji pena e kësaj autoreje që të bën të ndalosh
dhe ta lexosh me qetësi e vëmendje poezinë e saj dhe ta përjetosh atë, duke u
ndier shpesh herë edhe si pjesëmarrës; “Qesh
kur s’jam e lumtur/ qaj kur shikoj diellin...”. Ajo është sfidante letrare,
pa kërkuar të duket e tillë. Patjetër që edhe ajo, si çdo grua, si çdo nënë qan
e qesh si të gjithë njerëzit, por si një zonjë me karakter të paepur, Anila na
jep mesazhin “Dhembjen e mbaj e gëzuar”,
që të mos ankohemi vend e pa vend e jo kujtdo.
Autorja e njeh mirë
teknikën e ndërtimit të vargëzimit poetik. Ajo e ushtron mirë dhe vargun e rregullt. Një e veçantë strukturore e saj është
se poezitë i ka të shkurtëra. Në poezitë strofike ka vjersha me 1, 2, 3 apo 4
strofa, rrallë gjen me 5 strofa, duke treguar kujdes e nderim për fjalën
artistike të shkruar, për ta mirëpërdorur atë, për të kënaqur shijet e
lexuesit, jo për ta shpërdoruar atë. Vargun e thyer e përdor me një natyralitet
mjeshtëror, ku mendimi poetik bartet në funksion të logjikës letrare të
zbukurimit të shpirtit njerëzor, sepse, në fund të fundit, ky është misioni
poetik i autores, prandaj ajo shprehet: “Unë
linda bashkë me dritën/ me dritën do të vdes”.
Në librin e parë
ka një tufë vjershash romantike, që duket se kalojnë lehtë si një fllad, por
tregojnë se rrugëtimi letrar nuk është fushë me lule, as cicërimë zogu, as përpëlitje
dufesh, por dashuri e mundimshme për poezinë, thyerje kornizash e ikonash të
rreme për të dalë me emrin tënd, për të udhëtuar në këmbë e dinjitet në udhën tënde
për t’u ngjitur në lartësinë e synimit. Është shumë e çuditshme, serioze, e qëndrueshme
në parimet e saj gati si doke e norma kanunore, kur shkruan si burrneshë që, në
rast se duhet a e kërkon nevoja (larg qoftë!), siç vetë shkruan: “Më pëlqen të luftoj/ me “armiqtë e denjë”
ndaj “vrapojnë kuajt në faqe historie,/
Çojnë amanet, sinjale kushtrimi”, kur “Bukuria
u trëmb, u largua/ E bardha dhe drita
në greminë” vërviten pamëshirshëm. Unë lexoj dhe lotët shkronjë tek pikëllimi
i autores kur vëren e shikon “ura urie”
në këtë botë me më shumë vaje se sa këngë, ku fatkeqësisht e pabesueshmërisht “sa të rënda ishin retë”...
Ka një poezi me
motive mërgimtare, që dhemb keq : “Një
ditë festë, njëqind zi/ Më shumë lotë se sa këngë”. Pikërisht fuqia artistike e kësaj poezi seç më kujtoi
vargjet e Kadaresë “Treqind kryengritje/ Në katërqind vjet”..., edhe pse s’kanë
lidhje, as afri me njëra-tjetrën.
Ndoshta në mënyrë
spontane, falë intuitës apo kulturës që trashëgon, bart e pasuron, autorja thur
ca poezi, në stilin e poezisë poullore me të mirënjohurin 8-rrokësh, që të
ngelen në mendje për bukurinë e gjuhës së shkruar, të cilat mund të këndohen
edhe si këngë popullore, madje edhe si këngë labe: “Jetë, moj jetë që nuk lodhe/ Më godit me thupra zjarri/ nuk jam djali që
mallkove,/ nuk jam as dërrasë varri!”
Anila është luftëtare
e pamposhtur ndaj fenomeneve negative me dëm në shoqëri, në shtet, në familje,
deri tek indvividi, si pjesë e së tërës.
Atë e shqetësojnë veset individuale e sociale, duke filluar qysh nga “vdekja e tymtë”, se cigarja fiket, por
jo trishtimi - shkruan autorja.
Poezia “Përballje” është një tjetër poezi e
fuqishme e autores, luftëtares trimëreshë: “Më
shumë ujqër se qengja në këtë botë.../ përballem me ujkun, me tehun e syrit,/
(pak gjak nga ujku dhe unë kam) ... deri sa vijmë tek strofa emblematike: “Ballëpërballë zemërimi dhe frika,/ unë nga
ujku, por dhe ujku nga unë./ Ai është mjeshtër në kurthe e prita,/ unë në marrëzinë
time, furtunë”.
Në çdo pamje ta
shikosh këtë poezi, nga të gjitha këndvështrimet e mundshme, edhe mua më shkakton ndjenjën e kënaqësisë së
motivuar e them krenarisht: Sa poezi e bukur thuret në Vlorë! Faleminderit,
Anila!
Ka shumë çaste
frymëzimi që bulëzojnë ndër vjersha të vogla 1 strofike me 4 vargje apo edhe 2
strofike me 3 vargje (tercinëza) jashtë formatit tradicional të vjershërimit, të
freskëta si motiv, elegante si prurje.
Tek letërsia
antike, Anila gjen gurrën e pasur për të mbushur gotat e saj të dhembjes apo të
mallit, të hidhërimit apo të gëzimit. Kam parasysh një poezinë lirike “Athina në kujtesën time”, që është një
elegji e përkryer metaforike për vëllain, që të ngre peshë nga emocionet, prurë
me një strukturë identifikuese autoriale (me tri strofa katërvargjëshe që përfundon
me një distik), që na mallëngjen me atë përmbajtje të trishtuar, të përvajshme
e plot dhembje shpirtërore: “Elegji për
birin ngritën valët e detit,/ Atje, ku
im vëlla më të lehtë bën gjumin”... Autorja ka shkruar disa herë poezi për
vëllain, të cilat janë përkushtuese, shprehin dhembjen e saj si motër, por me
elegjinë “Athina...” është sipër për ndjenjën, mendimin dhe figuracionin
stilistik. Poezitë kanë një bosht qëndror që i mban në këmbë dhe një lidhje
logjike, që karakterizohen nga vetia e koherencës, që më japin shembëlltyrën e
valëve koherente (kujtojmë sadopak nga fizika valët që kanë dritë të njëjtë e
të vijueshme në të gjitha fazat).
Ja ç’ shkruan
autorja në poezinë “Larg nga unë”: “Edhe në iksha s’do të marr/ në ardhsh, s’do
më gjesh./ Amanetin tim/ si kornizë varur në mur./ Ai s’di të qesh,/s’di të
qaj,/ s’di të ndjej,/ flet me heshtjen si gur.../ Larg,/ o shpirtnatë/ larg nga
unë!” dhe poezinë vijuese e nis me
vargun bukurisht fatal: “Krenari e mbetur
shterpë...”. Ç’varg! Goditje me vargun e parë. Ka qëlluar në shenjë
egoizmin e pamotivuar, mburrjet boshe, delirin e madhështisë pa këmbë në tokë.
Vëllimi i dytë poetik, që ka 76 faqe me gjithë përmbajtjen,
përfshi dhe parathënien e poetit Bardhyl Londo, ndër më kryesorët të
Shqipërisë së viteve 1980, është me 29 poezi në dy gjuhë: shqip-anglisht: “Nga
vise të bukura shpirti”...= “From
beautiful areas of the soul”, Vlorë, Triptik, 2020 është përkthyer në
anglisht nga ing. Laureta Petoshati, gazetare, poete e shkrimtare dhe ka
redaktore mësuesen e njohur të gjuhës dhe letërsisë Lejla Gorishti.
Anila Toto ndihet
tashtmë më e sigurt në udhëtimin serioz të botës botimore nisur 9 vjet më parë
(2011). Atë nuk e trembin sfidat, por, sikurse e përmend qysh në “raundin e parë”
te “Magjia e dritës”, edhe “armiqtë” i do të denjë, përndryshe i shpërfill dhe
ata...
Pas disa sprovash
në vjersha të tjera, tek poezia “Biri im”
autorja ka arritur që merakun e nënës dhe nervin poetik ta harmonizojë me
ndjeshmëri të lartë dhe finesë artistike jo vetëm nëpërmjet mjeteve të jashtme
teknike (metaforat, ritmin e vargut, tingullin e fjalëve etj.) realizimin
poetik me mesazh për familjen, fëmijët, brezat: “Duaje veten bir..., se është kohë e ligë/ duaje jetën bir... e do jem
fatlume!” Ç’sentencë! Kjo poezi është një manual edukimi për çdo djalë nëne,
në rrafshin e përvojës jetësore, dashurisë prindërore dhe mirësinë e trashëguar
tek feks si stafetë qytetarie. “Biri im”
është një këshillimor edukimi, një poezie vlefshme morale, pa rënë një varg e gërmë
në moralizime. Vetëm një grua serioze, veç një nënë e devotshme e poete e
dinjitetshme do e di të shkruaj kaq bukur, kaq mirë e dobi individuale, familjare e shoqërore.
Përsëri tek poezia
vijuese “Vëllait tim” kam ndjerë një
kënaqësi artistike të rrallë nga përshkrimi artistik i hidhërimit aq pikëllues,
ngaqë e vlerësoj si një nga poezitë më të arrira që kam lexuar, ndër më të
bukurat në ligjërimin elegjiak. Ka aq dhembje motre e lulëzim figurash
stilistike, saqë ndihesh ballëlart kë ke mike të penës. Ja poezia: “Vëlla, ka kohë që ke një heshtje të bukur/
Një heshtje vigane/ Një heshtje magjike/ Nga ato që të mbyllin/ Në njëqind
çmendina./ Por të heshtin në çastet tragjike./ Ke një heshtje të butë/ Një
heshtje që të vë në lojë/ Një heshtje që vëllazërisht të puth/ E pastaj do të më
dëbojë./ Një heshtje parajse/ Një heshtje të hidhur/ Një udhë ku dy botët/ I
mban lidhur/ Një heshtje të dashur/ Një heshtje mizore/ Hakmarrje e
pashpallur,/ Ose.../ Dashuri hyjnore!”
“Furtuna” është një tjetër poezi e shkurtër,
vetëm me dy strofa katërvargjëshe të lira, të
cilën autorja e mbyll me vargun “Furtuna
nuk kanë shtëpi”, që më kujton në një tjetër pamje e përmasë Petro Markon
me vjershëzën: “Ditën që linda unë,/ planeti ish në furtunë!/ Ditën që rrojta
unë/, planeti ish në furtunë!/ Ditën që vdiqa unë,/ planetin e lashë në furtunë”.
Kaq është poezia e Rebelit të Lirisë së
Fjalës, po brenda saj çdo njeri gjen jetën e vet, dhembjet e dhembjet e veta. Këto
gëzime e dhembje ka në përmasat e horizonteve dhe të mjediseve ku ai lind,
jeton e vdes. Dhe “Furtura” e Totos është një poezi e shkëlqyer, përfaqësuese për
poetin dhe njeriun e ndershëm. Më tej ka çaste lirike e lirika të mira, ku
ndihet pjekuria artistike dhe zë vendin e saj në vargje meditimi filozofik dhe,
patjetër, filozofia e dashurisë është në terrenin e saj. Poezia e Anilës me temë
dashurinë është realiste, tokësore, e përditësuar, larg romantizmave pompoze,
jo pak herë qesharake e të lodhura. “Dashuria
ime/ në epokën tonë/ s’ka luftëra të mëdha,/ as trima që vdesin për mua me
shpatë./ Na lidh më shumë bashkë/ rutina e ditës/ ose.../ na shtyn larg”. Një poezi reflektuese, shkruar erërave të
ftohta të zhgënjimit dhe hipokrizisë është ajo me titullin pohues “E di”. Vetmia, zhgënjimi, trishtimi sikur hedhkan rrënjë
tek njeriu i drejtë dhe opoeti i mirë. Kështu ndosh me ne, kështu dhe me Nilën
ndodh. Vetëm Ati nuk e zhgënjeu kurrë. Një tjetër poezi për të ndjerin
Mjegullosh është ajo ku poetja - bijë shkruan “Im At’ vinte nga vise të bukura shpirti”. Kemi të bëjmë me një
poezi fisnikërisht të dhembshur, me dy strofa katërvargjëshe, ku ravijëzohet 13
- rrokëshi, (edhe pse Anila nuk i mban në “rresht” rrokjet). Nuk do të merrem
me të, sepse dëshiroj ta shijojmë bashkarisht atë që ka shkruar liriku i njohur
shqiptar Bardhyl Londo për poezinë “Nga
vise të bukura shpirti...”, që ka dhe shumë meritë letrare, saqë ka arritur
të bëhet titulli i këtij vëllimi poetik.
Siç e vërejmë
poezi pas poezie, edhe në këtë vëllim, autorja rishfaqet si sfidante e atë nuk
e trembin sfidat. Kë të përmend, kë të veçoj nga poezitë e këtij vëllim serioz,
vijues në rritje, në ngjitje poetike krahasuar me vëllimin e parë. Mua më gjeti
si tek ajo kënga: “Kë të marr e kë të lë”, se ky vëllim ka shumë poezi të
bukura dhe , së pari, na vjen në dy gjuhë, në gjuhën e mëmës - shqipen e
shkruar me dashuri e art nga autorja dhe në gjuhën e parë të botës, në
anglisht, përkthyer me përgjegjësi e po aq art nga ing. Laureta Petoshati,
shkrimtare, poete e gazetare e ditur e guximtare.
Humanizmi poetik
arrin në lartësi gati të paimagjinueshme altruizmi, që buron vetëm nga një
shpirt i bukur, ku fjala e dinjitetit qytetar të femrës së emancipuar buron me
dëlirësi: “Asgjë të keqe nuk mbaj më në
shpirt/ Edhe armiqtë e mundshëm i kam falur,/ Kam falur dhembjet që më dënuan
liritë/ braktisjet dhe kthimet përfundimisht i kam falur”.
Te poezia “Lermë” shikoj një ndjesi zemërate,
revoltë të shqetësuar në shpirt ndaj bezdisjeve meskine nga kushdo qoftë, që
ajo nuk i duron, se s’i ngre dot, pasi nuk janë për të.
Anila Toto është zëri
përfaqësues i gruas në këtë shoqëri në dukje qytetare, por aq të egër në thelb.
Dhe në poezi është pena luftarake e poetes pararojë. “Ç’të tremb motër/ Përse dukesh kaq e etur, kaq luftëtare/Kë do të bësh të
lumtur në botë/ E vetja s’të dhimbset fare?”. Ajo disa herë e ka trajtuar
gruan, figurën e saj, rolin dhe vendin në shoqëri, gëzimet e zhgënjimet, asnjëherë
parë njësoj, por nga këndvështrime të ndryshme me gjetje interesante. E kam
fjalën për poezinë “Grua”, që vjen me
një ndërtim stilistik nëpërmjet shkallëzimit.
Mbaj mend që dikur
është botuar një antologji poetike për gruan, por nëse do të përgatitej një
antologji poetike e plotë për gruan, janë disa nga poezitë e Totos që mund të përfshihen.
Në poezinë e
Totos, shkallëzimi, antiteza dhe kontrasti ndihen si në shtëpinë e tyre,
sidomos tek “Mos u çudit”, “Qytet antik”, “Për hir të fëmijës”, “Errësirë”,
“Një ditë”, “Mëngjesi i brishtë” etj. Ndërkohë nuk mund të kalosh këtë libër, pa
shijuar vargje të tilla me karakter dramatik si “Nëpër salla të nderit ndihemi të vegjël/ (Edhe pse na pushton çdo çast
krenaria),/ I duam sukseset e bujshme të heshtura...”. Vuajmë kështu nga
deliri i madhëstisë?! I krenarisë boshe?! E pra, këto çaste që na marrin frymën
e lirë e na gufosin jetën, autorja i trajton si ngjarje të rënda e tronditëse,
ndaj në poezi ndihet dukshëm pasqyrimi sa artistik aq reflektues i realitetit
tonë me kollare bufonësh.
Vargje të tilla si
“Për hir të fëmijës/ vetes luftë i hap”,
apo “Ftohtë,/ Natë dhe bota ishte
mbuluar/ nga dëbora e ngrirë/ që natën ndrin./ Unë me pak qymyr të zi në për
duar/ Oxhakut të vjetër po ndizja vetminë”, ose “Një nënë e butë dhe e përkushtuar/ Një femër e fortë që s’ka të ndalur/
Një grua!” janë gjurmëlënëse deri në sakrifikim për identitetin qytetar dhe universal të femrës,
të gruas, të nënës në këtë botë. Një model është vetë Anila e Poezisë. Vëreni
ç’përmasë i jep lirisë dhe misionit të humanizmit me bujarinë e vargut të bukur
autorja: “Gjysma e lirisë për ëndrrën dhe trupin/ Gjysma për t’u
falur edhe të tjerëve”.
Deri më sot nuk
kam lexuar ndonjë poezi me titullin “Kam
shkelur ligjin” me 12 vargje, jo më tepër. Po e rishkruaj vjershën e Nilës:
“Kam shkelur ligjin?!
Po punë e madhe!
Unë prap’ jam njeri i ndershëm
Ky lloj ligji më shkel përditë
Më godet e më shkelmon pa frikë e mëshirë
E më ka nxirë jetën!
“Kam shkelur ligjin?!
Ai ligj më shpërbën përditë
E s’më lë të rri në këmbë
Më lëndon krenarinë e liritë,
Më thyen nofulla e këmbë
Derisa më poshtëron ... të gjithën”.
Në të vërtet, në përditshmërinë
e jetës, Anila Toto është në këmbë e qëndron si mali përballë furtunës. Por ajo
në këtë poezi sintetike është mundimi i saj sfilitës për të qenë në këmbë, është
mundimi brengosës i simotrave të saj vlonjate e shqiptare, është vuajtja hidhërake
e shoqërisë shqiptare. Veç një poete qytetare - luftëtare e paepeur e lirisë
guxon të thurë poezi kaq të bukura e të guximshme si kjo, që mëlartcituam.
Një tjetër poezi Made in Anila Toto është edhe ajo me
titullin trishtues, por ëndërrimtarisht shumë, shumë të bukur: “Dua të vdes në nëj fushë me lule”. Kjo është
pak më e gjatë se ajo e “ligjit”, ngaqë ka 3 strofa 4 vargjëshe, thurur në varg
të lirë, të thyer por që, pa e shpërfillur rimën, strukturalisht mbyllen me
elegancën e asonancës, që i shkon më për shtat natyrës së saj rebele: “Dua të vdes në nëj fushë me lule/ Në fazën e
lulëzimit./ Kështu dhe unë të ndihem bukur/ E të pranoj largimin/ Dua të vdes
në një fushë me lule/ Larg nga njerëzimi/ Kështu që të mos ketë lot e lutje/
Por vesë e gjelbërim/ Dua të vdes në një fushë me lule/ (Si lule e kam zemrën)/
Kështu që çfarëdo të ndodhë më tutje/ Të dua edhe jetën!”.
Ç’lulëzim human
shikoj e ndjej në këtë poezi me reminishencë fataliteti në lartësinë rrëfimtare dhe ndjesore! Është një poezi tjetër lirike, që më ka tërhequr vëmendjen
dhe është përfaqësuese për Nilën. Një poezi që më shëmbëllen me heronjtë
romantikë, me trimat e lirisë në kohë tragjike, rrethuar nga njerëz me vese,
ligësi e hipokrizi, ndaj shprehet autorja: “Dua
të vdes në një fushë me lule/ Larg nga njerëzimi...”. Motivi i saj gri është
i njëjtë me një poezi timen, por ndjesia
poetike, po ashtu kuptohet këndvështrimet janë të ndryshme dhe krejtësisht
origjinale me mesazhe të larta, të bukura për jetën e njeriut në këtë rruzull të
galaktikës sonë. Ç’rastësi mrekullisht e papritur! Nuk ia kemi lexuar njëri -
tjetrit poezitë më parë. Ja poezia ime me titull “Vetmia”, botuar në vëllimin
me poezi “Nata me hënë” Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 23: “Qysh kur u çmend njerëzimi/ Në burg
e futi Drejtësinë,/ I lumturuar nga pikëllimi/ U dashurova me Vetminë./ Varfëria,
si vjeshtë varfanjake/ Vyshket, venitet, vetëm vdes,/ Unë, me dufet rebelake,/ I
them Botës: Mirëmëngjesi!” Kaq është poezia. Dy strofa katërvargjëshe.
Vëllimi i tretë poetik: Frymë” = “The
Spirit”, Vlorë, Triptik,
2025, dy gjuhësh: shqip -anglisht, me 168 faqe, ka të njëjtin staf realizues për
botim, por është më i ploti, më domethënësi dhe me kulturë poetike, është një përmbledhje
poetike, një antologji me 67 poezi të zgjedhura të Anila Totos. Bëj çudi me këtë
poete... Sa e kujdesshme! Sa e panxitueshme!
Ky vëllim është ndërtuar
me dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga 29 poezitë e vëllimit të dytë “Nga vise të bukura shpirti ... = From beautiful areas of the soul...”, patjetër
dhe me parathënien e Londos, ndërsa
pjesa e dytë (sigurisht në dy gjuhë dhe kjo) titullohet “Jam e trishtë = I am sad ”, së cilës përkthyesja, gazetarja
dhe shkrimtarja ing. Laureta Petoshati i ka bërë tekstin shtesë, si quhet
parathënia në bibliotekonomi dhe ka 38 poezi. Edhe këtu zotëron poezia e shkurtër,
madje me 2 distikë, 1 strofë me 4 vargje 6 apo 4-5 rroksh...
Duke shfletuar
librin, mbajta sytë në vjershëzën “Miqësisht”:
“Fola me detin sot. I shkova pranë.
Folëm gjatë e u bëmë miq përsëri.
Nuk pranonte e gufonte ndër dallgë
Unë flisja për ty, ai... për vten e tij”.
Ç’metaforë detare
në dy distikë nga bija e detit të Vlorës!
“Fryma” ka frymë të pastër poetike, poezi
filozofike, edhe romatike, ka motive, me ide, ku gjen edhe poezi romantike,
madje dhe poezi të mira dashurore, sepse dashuria nuk njeh stinë e moshë, por
ka veçansitë e saj për çdo grupmoshë. Moshës së mesme prindërore, pra të qenit prind
të bën të thurësh vargje të tilla:“...Sot
duke adhuruar heshturazi sytë e fëmijvë/ I rikthehemi atij gushti e mbytemi
atij deti...” si te poezia me titull “Ad’”
Disa poezi të
autores na duken si piktura romantike me ngjyrën e shiut; sikurse gjen dhe
motivin simbolik dy kuptimor (stina - dashuria).
Pa treguar që është
vlonjate, autorja kuptohet si e tillë që në vargun e dytë të poezisë me 4
distikë “Shira vjeshte”, se në Vlorë
“të therin thellë kockat deri në eshtër”. E gjithë poezia është peizazh i gjallë
poetik i altruizmit të Totos.
Në shumë poezi
duket sikur ka mbirë trishtimi, sikurse vërejmë një zhgënjim të pashmangshëm
ndaj përbetimeve të rreme miqësore, madje pa maska fare.
“E vërteta” është poezi kuptimore, që
shpreh filozofinë e jetës, përvojën e saj, të plasariturat njerëzore në shkallëzimet
e interesave meskine të anonimëve të dëmshëm si karkaleci në bujqësi. Ky është
realiteti i hidhur, por ja, që e jetojmë dhe kuptojmë që në këtë jetë nuk të
braktis kurrë vetëm trinia e shenjtëruar: “familja,
të vërtetat, vetvetja”
E nisa nga fundi këtë
vëllim për t’u rikthyer në fillim. Mbeta gjatë, shumë gjatë e disa herë iu
ktheva poezisë “Nëna ime”. Moj Anila!
Po më mbushe sytë me lot me këtë reliev të gjallë poetik. Po kjo poezi është
edhe për nënën time, edhe për nënat e miqve të mi e mikeshave të mia, që më kanë
folur me aq dashuri, krenari e dhembshuri për shenjtoren e jetës sonë. Është një
poezi e gjatë, ndoshta ndër më të gjatat që ke thurur, por është e meritueshme
për nënën. Nuk kemi të bëjmë me një kompozim në pikturë për nënën, por një
kompozim në vargje aq të ngrohta e të dridhshme, aq të ëmbla e thurur me
filigran dashurie. Thjesht - mrekullisht mallëngyese... “Më ka
marrë malli për tim Atë”. Poezia është vetëm një frymë shklëqimtare e
dashurisë së bijës për atin:
“Më ka marrë malli
për tim Atë.
Dhemb ... si burrat
E qaj si gratë!”
Në poezinë bashkëkohore,
nuk gjejmë shumë të tilla, të cilat janë përmendore me floririn e fjalës për babën
e nënën - dy njerëzit tanë më të shtrenjtë e të shenjtë, se na kanë bërë kokën
e na kanë nxjerrë në jetë.
Tek “Mall ... për Benin” - në 4 distikë dhemb
gjaku i shpirtit i motrës për vëllain, i poetes për piktorin...”.
“Kur mendova se e humba” është një poezi
në formë tercine, nga e cila njihemi me imtësi të tilla, se jo çast familjar
është i ëmbël e romantik, se ka edhe zënka e grindje, dëshpërime e vetmi të
padëshiruar. Aparati poetik i Totos e regjistron në vargje edhe këtë gjendje.
“Nga vetmia” është një poezi filozofike,
që del nga vetvetja e rrok përmasa universale, ndërsa tek poezia “Oh, Judë” është një poezi e thellë
sociofilozofike, e veçantë në zhbirimin e saj. Në 2 strofa poezi njihemi me një
mendje të çoroditur, sepse Juda, ky sinonim i tradhëtisë, mik i Satanait e
armik i Perëndisë, është dhe hajdut, dhe djall, dhe i pamoralshëm, dhe i pa
nder, dhe i pa atdhe. Ky është vrojtimi i vëmendshëm i rrethimit hipokrit që përjetojmë,
saqë autoren, si misionare të mirësisë, mirëkuptimit e mirëshkuarjes shoqërore,
e gërryen dyshimi mbi këtë realitet të trishtë me varakë lyer, sepse kohët e
arta nuk qenkërkan në këtë mjedis të deformuar social kështu që “Forma e paqartë e ndërgjegjes,/ përballja me
sfida e zhgënjime!”. Shtroj pyetjen: A ka prindër në këtë rruzull tokësor,
që t’ia vënë fëmijës së tyre emrin Judë?! Jo! (E kam fjalën për prindërit -
prindër, jo për përbindëshit).
Nervozizmi është
një gjendje shpirtërore e shqetësuar e njeriut me ndjeshmëri të lartë dhe poetja
jonë (edhe pse mjaft e vetëpërmbajtuar) në këtë qytet jeton, jo në akuariume
poetike dhe, domosdo, që nuk mund t’i mbyllë sytë para ndodhive të jetës së përditshme,
mungesave, mangësive (kështu e lexoj unë poezinë “S’ka lidhje me ty”).
Në poezinë “Një grua” shohim peizazhin e realitetit
të frikshëm femëror, jo thjesht për të mëshiruar atë grua fatale, që na paraqet
autorja në 4 distikë, por për t’i vënë gishtin kokës njerëzimi, këtij horizontaliteti dhe
vertikaliteti të vetëdijshëm.
Në 4 distikë tek “Një grua në dritare” ndjejmë një puhizë
lirike, që fryn në vargje të çastit e ngrihet horizonteve ku buzëqeshja e femrës
zgjon një galaktikë...
Tek poezia “Jam e trishtë” (titull të cilin mban dhe
pjesa e dytë e “Frymës”), po qëndroj qetësisht dhe pakëz më shumë se tek
simotrat e librit. Kreshnikja e fjalës dhe e veprimit, në fund të fundit, është
një femër, një nënë, një poete, një mësuese që edukon fëmijë të vegjël si një
misionare e madhe, është një njeri prej gjaku e kocke, jo prej strralli a
mermeri. Edhe për atë, luftaraken e ballit të veprimit, ardhka një çast e ajo
kthehet mjelmë të urtë, të brishtë... “Si
uji i një liqeni të heshtur/ jam e trishtë./ E trishtë si akuj të bardhë,/ që
s’thyhen e shkrijnë/ si një mal i madh e i lashtë/ Gjëmon pikëllimi im/ Jam e
trishtë...”. Poezia mbyllen me anaforën: “Yll i vogël i qiellit,/ që fal pakëz dritë/ Jam e trishtë.../ Jam e
trishtë.../ Jam e brishtë...” .
Ashtu siç e
prisja, e shikoj përsëri të ringrihet me “Njerëz
të bukur” në 6 distikë. Autorja, si një kopështare e mirë, dhe ndër dhimbje
di të qesh, dhe në dimrat më të egër mbjell nga një pranverë. Ç’karakter i
pamposhtur! Nuk do ta quaja karakter burrëror, por karakter i fortë i gruas
serioze.
Poezia alegorike “Bie borë” vjen e freskët, e veçantë,
origjinale. Zhgënjimi nga realiteti hidhërak jepet sa me vërtetësi të parë e të
provuar, po aq me elegancë fisnike.
Kur lexoj poezinë
“Veten kam harruar”, thashë me vete:
Ku e gjen forcën kjo grua, që shkruan si zonjë e rëndë e penës: “Duke të dashur ty,... Veten kam harruar”?
Ku është burimi magjik ku mbush frymëzimin kjo poete, e tëra e Dinjitetit Femëror
në këtë shoqëri me fasadë demokratike e parzmore qytetare, por në telb me mentalitet të thepisur
shkëmbor?!...
“Në këtë qytet mungon ti” është një lirikë
trishtimi origjinale, ku dhembja lëndon dhe lulet e qytetit.
Tek “Unë jam poezi dashurie”, vetëm në 2
strofa 4 vargjëshe: “Unë jam thjesht një
poezi/ e thurur në mendjen e tim eti,/ mbi bukurinë e sime mëje/ në çastin e
adhurimit./ Unë jam poezi dashurie/
nga ato që vdesin të mëdha./ Gjithçka nisi nga shpirti i tij,/ e shpirtin tek
unë la”, vërejta 5 elementë:
- ndjenjë të fortë
e të zjarrtë
- mendim të qartë
e të bukur
- logjikë të shëndoshë
me fuqinë e arsyetimit familjar
- vërtetësi jetësore
e artistike
- artin poetik në
formën më të përsosur lakonike.
Te poezia tjetër
alegorike “Dimër” që ka 6 distikë,
nuk kemi të bëjmë me rrëmbime romantike çasti, por patjetër me logjikën e
dashurisë së vërtetë, serioze. Mund të thotë dikush se dashuria është ndjenjë,
ç’punë ka logjika këtu. Ka punë logjika, si s’ka. Jemi qenie të vetëdijshme.
Nuk ka se si të na komandojnë instiktet, si te gjallesat e tjera, që ndjejnë,
por nuk janë në gjendje të mendojnë.
Çelësi i suksesit
letrar të autores është tek shenjtëria që ajo i jep fjalës e i fal vargut, zotërimi
i teknikalitetit strukturor e lëndor dhe mjeshtëria artistike e të shkruarit
poezi. Ajo, në strofën e parë të mbërthen të futesh në botën e saj të larmishme
e të pasur: “Ka rënë dimër në shpirtin
tim/ As malet s’më kanë mbrojtur”. Ajo, në strofën e fundit shpërthen, sa të
bën të ndihesh dhe ti si në botën tënde, të imagjinosh shoqezën tënde apo mikun
e zemrës në krahë e të të duket sikur i ke bërë ti këto vargje: “Ndizëm një zjarr në trurin tim/ të djegim
çfarë ka aty”. Ja pra, ku qëndron kyçi i arritjeve të mbara poetike të
Totos.
“Bregut të detit” ajo përdor metaforën e dallgës për vashën dhe të bregut për djalin, duke e
vizatuar dallgën me tipare njeriu, me veçoritë dalluese të vajzës vlonjate nëpërmjet
shkallëzimeve: e etur, nevrike, shtatlartë dhe i drejtohet me hov: “Dallgë, o moj dallgë që rend me inat/ ëmbëlsoje
bregun siç dinë të bëjnë gratë”.
Tek “Një lule” thjeshtësisht këndshëm një imtësi
e bukur na shfaqet, që nëpërmjet çeljes së lules, ndjejmë frymën e planetit tek
zbukurohet.
Po aq në libër, ndihet
klithma blu e detit të vajzës së bregut, sepse “siç pret Penelopa Odisenë e vet”, sepse detin mban në shpirt...
“Gratë serioze” është një poezi me peshë
të rëndë poetike, që i shkon për shtat të quhet emblema poetike e gruas. Unë e
kam të shkruar në faqen vetiake të Whatsapit tim, kështu që
nuk po e citoj, sespe është e mbarënjohur dhe kam dëshirë të mirë që edhe ju ta
keni në arkivin e visareve shpirtërore të celularit tuaj.
Poetja është edhe
doktoreshë, që, me magjinë artistike të vargut të saj, dhembjet t’i kthejë në
lule...
Libra të tillë, si
“Fryma” e poetes Anila Toto kanë vlerë
jo veç letrare, por shoqërore, sepse përhapin kulturën letrare me poezitë e
shkruara bukur, sepse janë në pararojë të luftës së gjithëjetshme të së mirës
ndaj së keqes, që meritojnë lexim të këndshëm e na japin kënaqësi. Libra të
tillë të rikthejnë besimin se edhe autorët e sotëm bëjnë letërsi të mirë, duke
na dhënë një përmasë të re të dashurisë për librin e printuar, kur po na gufos
vjershërimi dixhtal, sa keq marramendës. Se... të them të vërtetën, shumë
qullufice dalin nga furrat botuese, dhe, detyrimisht humb dashuria për librin.
Lexuesi i kulturuar nuk detyrohet të lexojë; ai s’thotë s’dua të lexoj, por
indiferendshëm largohet nga ti, në kërkim të librit të mirë, të bukur, të
dobishëm.
Pakëz vëmendje! Na
duhet të mos ulim asnjëherë “vigjilencën” poetike, sepse dashur, pa dashur mund
të shkasim në moralizime të bezdishme e të mërzitshme, edhe pse as shkrimtarët
e mëdhenj nuk i kanë shpëtuar. [“Ti meriton”].
Edhe tek Nila, poezitë më të bukura janë ato të jetuarat, të parat, të
prekurat, të ndjerat, jo ato të imagjinuarat, të ëndërruarat, të dëshiruarat...
[“Bijës së munguar”]
Kemi vëne re edhe disa
probleme, që mirë është t’ja themi me dashamirësi njëri-tjetrit, për të
përparuar duke u përmirësuar, sepse kështu i bëjmë mirë shëndetit tonë letrar.
Edhe në vëllimin e parë, edhe në të dytin, edhe në këtë më të plotin - të
tretin, nëpër faqe kalojnë edhe poezi të lehta, veçse dhe ato e kanë një
puhizë, një detaj, një gjetje. Fjala vjen, nuk këshillohet, më saktë nuk
pëlqehet që poezia të mbarojë me folje, përveç rastesh kur ajo ka fuqi
artistike, ku ndihet potenciali stilistik i foljes si metaforë foljore etj. , apo ndonjë fjalëpërdorim
gazetaresk. Mund të shmanget lehtësisht diçka e vetmuar jo poetike, aq më teëpr
nga një poete e talentuar si A. Toto. Edhe poetët më të shquar, nuk i kanë të gjitha poezitë të
shquara. Kështu që edhe tek autorja jonë ka tek - tuk poezi që nuk janë atje
sipër, por spikat dashuria poetike e autores për nivelin artistik, këmbëngulja
dhe vullenti i saj për lartësitë letrare.
Dhe fjalia e
fundit për këtë vështrim mbi poezinë e Anila Totos është: Ndihem fatlum, që
dashuria për librin po rikthehet edhe në Vlorë. Për këtë, edhe përmbledhja
poetike “Frymë = The Spirit” ka
merita të dukshme.
Vlorë, 14.10.2025