E diele, 12.10.2025, 06:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Kafene 'Fjala e ngrohtë'

E premte, 10.10.2025, 06:50 PM


Kafene "Fjala e ngrohtë"

Nga Shyqyri Fejzo

Në brigjet e bukura të lumit alpin të Valamarës, ku uji i ftohtë përdridhet ndër shkëmbinj e i bën lahutë erës, pastaj  lumi  urtësohet e zbutet fare kur ujrat e tij kalojnë dhe në remat e koritat e dy mullinjve, Në bregun përballë veshur me shelgje, ushi e disa pemë të tjera pranë këtij lumi, pikërisht aty Zikja me të birin kishin ngritur një bar- bufe të vogël. Njerëzit aty provuan dhe shijuan çfarë prodhonte Zikja në arat, në kopësht në stallën e deleve në kosheret e bletëve dhe në kotecin e pulave. Dikur, s'kishte vend bosh në lokal, tani mezi mbusheshin tri tavolina. Po Zikja, kokëfortë si Valamara vetë, s'u dorëzua: ndryshoi emrin, në "Bufe - Fjalë të ngrohta", sillte çdo ditë tri gazeta për klientët, të cilët nisën të riktheheshin, sidomos "pleqtë shakaxhinj" siç i quante fshati: të cilët i gëzoheshin në ditët e ftohta dhe një zjarri të hapur në oxhak, flasin gjithë ditën, qeshin me njëri-tjetrin, por as vetë s'e dinë se çfarë kanë thënë dje.

Fjala nxirte fjalën atë ditë në klubin e Zikes. Një natë më parë u derdh shiu në grykë të gjymit. Gjithëshka në natyrë mori pamje të re. Edhe ferra dhe shkoza dukej sikur gëzonin e qeshnin.

-Po na thuaj ndonjë gjë më tepër o mësues. Se, ju e shkoni fjalën, siç sit Zenepja ime miellin në sitë të mirë-tha Zikja pa harruar të mbyllë paq syrin e majtë. Dhe mësuesi nuk vonoi të thotë :

-Këtu e kam dëgjuar ore shokë e miq. "E keqja kur lëshon frerin/Shkon e ze për fyti nderin".Po a dini çfarë kemi ne sot?A i futim një diskutim shpërdorimit gjuhës shqipe në të folur.  Sejcili, të shprehet lirisht çfarë mendon.-tha pensionisti ish mësues Nasi, mbasi  e uli ndonjë gisht në gotë pijen që kishte porositur.

-Ti ke të drejtë o mësues. –E merr fjalën ish bariu i dhive, Afëzi, tashmë pensionist mbi shtatëdhjet vjeçar.

-Po. Afëzi të flasë se këta barinjtë kur flasin i vënë jastëk fjalës. I kanë ca të kursyera ato të shkreta fjalë, po të sakta, se në atë klimë e ushqim bio, a si ithonë dhe atë ajer mali, doemos, nuk ka mendje shterpë.-u hodh Zeneli.

- Saktësinë e fjalës dhe rolin e saj, Zeneli e ka provuar në pazar si matrapaz që ka qënë...-ndërhyri Seferi ish kryependar i kooperativës por që njëherë 'ra keq nga fiku" dhe e pati paguar me nja gjashtë muaj burg. Menjëherë Zeneli ia preu thekun e mendimit duke thënë: koregjoje atë të matrapazit, "si tregëtar i ndershëm që kam qënë".Se të them për ty si burgaxhi kur e dimë sa pak ke qënë dhe për çfarë ke qënë, me siguri nuk të pëlqen, apo jo o ish polici Jorgji? Gjindja sa vinte po ngarkohej, por Afëzi, ish bariu i dhive, që dinte si kthehen e kur kthehen dhitë, që i përtypte mirë fjalët dhe ulte zjarrin që merrnin gjakrat nderhyn ne kohe.

"Eh, dynjaja. Në atë kohë kush kishte më shumë zile, ai dëgjohej- foli Zeneli nga tavolina fqinjë. Po Afëzi rrallë mbante pluhur mbi kurriz.

-Ti je i njohur jo vetëm në këtë fshat, po në tërë nahijen se pesë  5 dhive u varje 6 zile.-ja kthen Afëzi. –Puliti pak sytë dhe vazhdoi me zë më të lartë.

- Për atë kohë që thua zotrote, nuk e lashë  që capi i huj të përcitë dhitë e tufës teme, o bedatë.-

-Prit pak si e the?-ndërhyn mësuesi me një laps e bllok në dorë gati të shënojë çfarë u tha.

-Çfarë hëngre  për mëngjes o Furzuli se nuk po ndihesh fare sot? -Pyeti ish polic Jorgji.

-Kishte bo moma nji burek të dhi krejt në tylyn.-

-Po sille momen tonde guzhiniere këtu tek Zikja të provojmë byrekët e saj- foli Afëzi bariu pensionist. Mirpo Furzuliu ngacmimin  shpesh e çonte tek ish mësuesi i tij.

-E! Unë flas si të më vijë mendimi në moment, se ky mulliri im i sipërm nuk bluan mirë. Apo jo o mësues?
Kur isha i vogël, (se atij i u desh 5 vite të ngrihej në këmbë) më thoshin: do bëhesh burrë. U bëra burrë, po tani m'u bë jeta grua."-Na thuaj të drejtën o mësus. Kur e ke ndjerë nga nxënësit veten ngushtë?

-A Furzuli, Furzuli. Këto i mban mend ti. Se Furzuliun e kam pasur nxënës. Kujtoj se po jepja rezultatet e një diktimi që kishin bërë. Ngrihet ky "trimi" dhe mbaj mend se  tha: "Për disa fjalë që kanë brenda atë bashkëtingëlloren bashkëlidhëse "rr" a si e the ti o mësues, unë kam mosmarrveshje. "U err", "derr" ferrë" "sterrë" "skëterrë"horr" "morr" etj. Këto vetëm të këqia sjellin. Kot e mbajnë një "r"tepër në kurriz.-

-Po hoqe një "r" si bëhet pastaj ta zemë arra- ara,;'rruaj- ruaj;'derri-deri''morr-mor' A e shikoni si u katandisën duke ndryshuar krejt kuptimi. Po ku bindej Furzuliu. Ja si thot sot. Po nuk ka gjë.Të gjithë e dinë se nuk bëhet trari teligë. Kështu është edhe me trurin- thotë mësuesi.

-Ore shokë e miq. E dini se dhe mua po më pëlqen  shumë ky muhabeti i sotëm? Pse ta bëjmë larg e larg. A doni të bashkojmë tavolinat pranë zjarrit dhe tu gostit falas me nga një dopje?-foli Zikja, pronar i lokalit.

-Rakija nuk pihet pa meze.- ndërhyn ish polici.

-Jam i sigurtë se dhe meze do porositni ju-flet Zikja duke lëvizur tavolina e karrike.

-Fjala, ka thënë ai i lashti është e para.-e merr fjalën ish polici. Një shef i jonë heret na thoshte ne të rinjve:

" E thotë mirë një fjalë vendi /Kafshon gjuha më shumë se dhëmbi." Këtë unë e mbaj mend dhe e rectoja sa herë kapja ndonjë të pa bindur.

-Ne flasim edhe me doganë edhe pa zap e stap. Njëditzaj tek Veseli u bë një gosti e madhe- fillon te tjerre thekun e tregimit Zeneli. Kishin ardhur dhe katër miq nga Mokra. Po ato që ndodhën dhe u folën sikur ishin organizuar me regjisor. Veseli atë natë e bëri nga ato gosti që vërtet  të luante qeni i kallajnxhiut. Krushku i Veselit ju e dini, është ca i bezdisur në pije. Bënte, ç'bënte dhe i drejtohej kryemikut:"Ha,më qafsh!" "Pije me fund vetëm këtë shëndet".A,a,a! Ky shëndet duhet pirë me fund, se plaka për të cilën  është ngritur shëndeti, këto ditë mbush qindin. I biri po kërkon të blejë një dash për ditlindjen e saj.- Pas pak e lut përsëri atë mokrarin.-nuk po ha më qafsh..."- O zoti krushk.! Merr fjalën mokrari.-Andej nga po vi unë ne themi: "kalit që e fut në lumë mos i fishkëlle të pijë ujë..."Veç të qeshurave, e shpërblyen me një gotë raki jashtë dollisë këtë mendim të bukur të tij. Por nuk qe e thene që betejën e fjalës së mençur ta fitonin mokrarët. Krushku i Veselit ju qep  tjetrit nga miqtë. "Nuk ke ngrënë sonte. Të lutem, më qafsh, mos je i uritur?,,

-Ore miq. Ju betohem kam ngrënë e kam pirë sa nuk kam ku ta çoj akoma..Ju betohem për këtë bukë që po hamë sonte dhe atë që do marrim me vete nesër, kam ngrënë dhe nuk kam fare uri."

-Me këtë thënie të saktë e mbyllët gjithë atë muhabet?-pyeti një  nga miqtë.

-Jo, qoftë kësmet. Të fortën përsëri e bëri  Veseli. I biri i tij nuk ishte kur filloi muhabeti. Ai nuk tregoi pse erdhi kaq vonë. I ati çakërrqejf nga pija e dollisë së parë, apo për mburrje gjasme ja cfarë djali kam, i thotë:

-"Merre gotën e rakisë dhe" i shaj" një për një këta miqtë."- Ashtu bëri i biri. E mbushi me okllai plot e për plot gotën dhe i drejtohet kryemikut."Gëzuar o kryemik. Ju lumshin ato shpirte këmbësh që ju sollën me gjithë kokë këtu. A e ke nënën?

-Po, po. Shëndoshë e mirë është dhe ju bën të fala." shkarkoi drutë e tij kryemiku. Të gjithë menduan se i riu do të pijë ndonjë shëndet për nënën e tij.  Atëhere çuni i Veselit u kollit dhe i thotë me zë të lartë.

-"Të bëfsha nënën."-Ngrihet Veseli duke ju marrë këmbët. Ulet me vështirësi në vatër, kap mashën e gjatë dhe i turret djalit. Si e kapi mirë e gjithë inat për krahu niset ta nxjerrë jashtë.

"-Ç'pate o ba? A më  the ti shaj? Dhe unë atë po bëja. Ai duhej sharë nga gruaja e vajzat, që janë më të reja, po unë i zura radhë...

Ndërkohë, njerëzit rreth sofrës me zë të ulët ja lanë fajin telefonit që po i shkallon të rinjtë.

–Çdo shtëpi e ka nga një ose më shumë fëmijë të tillë gas për derë është kjo sot- foli kryemiku duke u lëpirë. Po Xhemua që noton edhe në një pikë ujë, pati një mendim tjetër."Gozhda thonë, del me gozhdë. Unë them që  Veseli të mos turpërohet. Do t'u tregoj një ndodhi me këto banalet që e kalon këtë të sotmen. Kunati im ka marrë një të flamosur Lap-topi. Ja solli çuni nga emigracioni. U mundua e po mundohet kunati ta mësojë, po ëhë! Vetë e thotë se "nuk mësohen kuajt revan në pleqëri." Unë shkova në Velipojë të bënim disa ditë plazh. Ishte vërtet bukur në Velipojë. Ishin të gjitha kushtet, përfshi dhe internetin. Na erdhi nga kunati një mesazh i lemerisur. Nuk po i bie 'Përmidis pazarit të Durrësit" si thotë ajo kënga e bukur e ta tregoj tëpkë si shkruante. Po ndalem për çfarë "e qante Minushin" kunati. Ai u ankua se në tasjerën e lap-topit është bërë një gabim i madh në projektin dhe zbatim. "Ju e dini se shkronja i është më përpara se shkronja O. Unë kur ju nisa mesazhin kisha ndërmend të shkruaj "Qofshi mirë".Por në vend të O-se shkrova i dhe këtë e mori ferra uratën."

Pjesmarrësit në gosti, me të qeshurën e tyre gurgulluese e "mjekuan"edhe stresin  e Veseslit. Këto lloj ngjasimesh nuk kanë fund kur gjuha shqipe përdoret pa kujdes. Ka tregime me mullixhiun, me shitësin e piperit, me kallajxhiun,me bariun e dhive."

-Aty një ditzaj në një lagje afër fshatit tim, bëhej një dasëm. E merr fjalën ish kryependari i kooperativës. Një i ri virtyoz i binte gajdes atje ku rrinin burrat e të rinjtë. Luante dyshemeja e kërciste tavani nga valle e gajdes e cila i ngriti të gjithë në kërcim. Gratë, të cilat ishin në dhomën ngjitur dërguan gruan më xhevaptare të ftonte gajdexhiun në dhomën e tyre.

-"O gajdexhi të lumshin ato duar e gishta. Me që e ke të fryrë, hajde andej nga ne gratë dhe bjeri asaj më të mirës."

-Nga ky lloj ka ndodhur në nahije, po ca heret nis biseden Zikja, i zoti i lokalit. Në atë kohë kur bëhej dasëm, disa ditë përpara, kur ishte hapur dasma, njerzia shkonin për muhabet e   aheng. Konaku ishte mbushur plot me gra, vajza e nuse. Këngët e vallet e tyre ndiqnin njëra tjetrën. Ja.Ngrihet në valle dyshe grash një dyzetvjeçare, mamaja e Aqifit,  me një nuse të re. E qau vallen e Kolonjës. Kur  mbaruan, urimin e bëri një grua tjetër,"më  e mençura e fshatit"

-Ju lumtë goja e këmbët. N' Aqiftë së shpejti." Nga ana tjetër ja kthen një tjetër "më e mençur".

-Të na marrë të keqen. Se s'kemi burrat tanë ne po të na vijë Aqifi?

Ish mësuesi qeshte dhe mendohej.

-Mos e vra shumë mendjen o mësues. Ti e the vetë atë fjalën kur po pinim kafe, se: "E keqja kur lëshon frerin/shkon e ze për fyti nderin". Tha si mendueshëm ish bariu i dhive. Heshtën të gjithë dhe po prisnin përgjigjen e mësuesit.

-Ti Afëz njihesh në fshat dhe në nahije që i ve gjithnjë  jastëk fjalës. Vendi dhe populli sot ka aq probleme sa njeriu i gjorë nuk di  nga ta kapë më parë.

Fjalet "kopile" janë "muçobe" i ri për gjuhën shqipe.

-Na çudite o mësues. Për njerëz kopilë e politikanë kopilë kemi dëgjuar, për fjalë kopile sot po dëgjojmë...

"-Fjalët kopile"edhe unë i kam dëgjuar nga një Profesor-dr. i ndier në vendin tonë, kur shkroi "Fjalët "kopile" fjalor i të shkolluarve të pakënduar." "Agravoj"kur kemi në shqip rëndoj, thelloj, përfundoj. "suport"kur kemi në shqip:ndihmë, mbështetje, përkrahje. "shokoj": Kur kemi në shqip goditje, tronditje.etj. "Të kënduarit i përdorin këto fjalë për snobizëm apo për tu hequr si të ditur.

Në situata të tilla kuptohet qartë që e ardhmja e vendit duhet të nise, jo nga godinat e reja e të matet me ato, por nga vlerësim i arsimit e mësuesit dhe  fryma e re e dashurisë dhe respektit të njeriut për njeriun."

Do të kishim vazhduar më gjatë muhabetin, si e kishim nisur ne atë ditë. Por kur kishim arritur kulmin e mendimeve pa zap e pa stap erdhi çupa e kovaçit e thiri të atin të vijë të hajë bukë se kishin dhe një mik për drekë. Ikja e kovaçit, duket se ai kishte qënë gur i themelit të kësaj "kalaje muhabeti".Pas pesë minutash klubi i Zikes u boshatis për atë ditë.

Shyqyri Fejzo-Hamburg-Gjerman-Tetor 2025.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx