Speciale » Basha
Sabile Basha: Gratë Shqiptare – Shtylla të Qëndresës Kombëtare (47)
E hene, 06.10.2025, 07:00 PM
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (47)
GRATË
E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-SË
ZAHIDE
SHABAN GECI – JASHARI
(1924 – 7.3.1998)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Epopeja
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zë një vend qendror dhe të pazëvendësueshëm në
historinë moderne të Kosovës, duke përfaqësuar një nga kulmet më domethënëse
dhe më të ngarkuara me dramë në rrugëtimin e saj kombëtar. Ky moment historik
mishëron në mënyrë të qartë dhe të fuqishme qëndresën heroike të shqiptarëve të
Kosovës, të cilët përballuan me kurajë dhe sakrificë të jashtëzakonshme me një
regjim që synonte nënshtrimin total dhe shuarjen e identitetit të tyre
kombëtar. Përballë një agresioni të planifikuar dhe të ushtruar me mjetet më
brutale, shqiptarët nuk u mjaftuan me heshtje apo përulje, por u ngritën në një
luftë të organizuar që kishte për qëllim jo vetëm mbijetesën fizike, por edhe
ruajtjen e dinjitetit, të kulturës dhe të të drejtës për të vendosur vetë për fatin
e tyre.
Epopeja
e UÇK-së është kësisoj një moment kulmor ku idealet e lirisë, drejtësisë dhe
pavarësisë u vunë mbi gjithçka tjetër, duke shpalosur një unitet të rrallë dhe
një gatishmëri për flijim që e bëjnë këtë periudhë të paharrueshme dhe themelore
në kujtesën historike të kombit. Është një kapitull që nuk mund të lexohet
vetëm si përballje me armë, por si një dëshmi madhështore e shpirtit të
pathyeshëm të një populli që vendosi të marrë fatin në duart e veta, duke
paguar çmimin më të lartë për lirinë dhe për të drejtën për të qenë zot në
vendin e vet. Për këtë arsye, Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet
jo vetëm ngjarje historike, por edhe simbol frymëzimi, një monument moral dhe
politik që i fton brezat e ardhshëm të kujtojnë me nder dhe të mbrojnë me
përkushtim vlerat për të cilat u derdh gjaku i më të mirëve.
Qëndresa
heroike e familjes Jashari në Prekaz, në marsin e vitit 1998, përbën një pikë
kthese të pakrahasueshme në historinë moderne të Kosovës, një moment kulmor që
tejkaloi përmasat e një akti lokal dhe u shndërrua në frymëzim mbarëkombëtar.
Ky akt i jashtëzakonshëm rezistence nuk ishte thjesht një episod i dhunshëm në
kalendarin tragjik të një populli të shtypur. Ai u bë një thirrje e fuqishme
për ndërgjegjësim dhe mobilizim, duke ngjallur një ndjenjë të re uniteti dhe
vendosmërie mes shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë. Në një kohë kur terrori
shtetëror dhe represioni sistematik serb synonin të thyenin vullnetin e
popullit shqiptar dhe të shuanin ëndrrën e tij për liri, kulla e Jasharajve në
Prekaz u shndërrua në një fortesë simbolike të shpirtit të pathyeshëm.
Adem
Jashari, udhëheqësi karizmatik i kësaj rezistence, bashkë me tërë familjen e
tij të madhe, pranoi me vetëdije rrugën e flijimit, duke e vendosur mbi
gjithçka dinjitetin dhe amanetin e lirisë. Ata nuk zgjodhën të dorëzoheshin,
nuk kërkuan mëshirë dhe nuk bënë kompromis, por qëndruan të bashkuar si një
trup i vetëm në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe të idealeve kombëtare.
Sakrifica e tyre, e vulosur me gjakun e burrave, grave dhe fëmijëve të
pafajshëm, nuk mbeti një ngjarje e izoluar. Përkundrazi, ajo u kthye në një
simbol të fuqishëm dhe të përjetshëm të bashkimit, të vendosmërisë dhe të
legjitimitetit moral të luftës për çlirim. Ajo nxiti energjitë e një populli të
tërë, duke e bërë të qartë se liria nuk do të vinte si dhuratë, por duhej
fituar me qëndresë të paepur dhe me sakrifica të mëdha.
Në
këtë mënyrë, Epopeja e Prekazit u bë themeli mbi të cilin u ngritën përpjekjet
e organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u konsolidua projekti
politik për shtetësi dhe pavarësi. Ajo mbetet një testament i gjallë i vlerave
më të larta të popullit shqiptar — i nderit, i trimërisë, i dashurisë për
atdheun dhe i gatishmërisë për të dhënë gjithçka për të drejtën për të jetuar i
lirë. Ky moment i shenjtëruar në kujtesën historike të kombit shqiptar nuk
përfaqëson vetëm flijimin e jashtëzakonshëm dhe të pakthyeshëm të familjes
Jashari, por shpalos në mënyrën më domethënëse përkushtimin e palëkundur të
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të mbarë popullit shqiptar të Kosovës në
rrugëtimin e tyre të vështirë drejt lirisë.
Akti
i qëndresës së Jasharajve nuk mund të kuptohet thjesht si një tragjedi
familjare apo si një shembull i izoluar heroizmi. Përkundrazi, ai u bë
katalizator i një ndërgjegjeje të re kolektive dhe një simbol i pathyeshëm i
aspiratës për çlirim. Në rënien e tyre nuk u fashit shpresa, por u ndez një
dritë që ndriçoi rrugën e përpjekjeve të mëvonshme për liri dhe pavarësi.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, e cila mishëronte aspiratën e një populli të tërë për të
jetuar i lirë dhe i dinjitetshëm, e pa në këtë akt të jashtëzakonshëm një
shembull frymëzimi dhe një porosi morale se liria nuk mund të fitohet pa
sakrifica sublime dhe pa përkushtim të përbashkët. Çdo luftëtar i UÇK-së dhe
çdo qytetar i thjeshtë që mbështeti këtë lëvizje e gjeti veten në atë betim të
heshtur që Jasharët bënë me gjakun e tyre- të mos lejohet kurrë më që pushtimi
dhe dhuna të diktojnë fatin e një populli. Ky kapitull historik është më shumë
se një kujtim i dhimbshëm, ai është themel i vetëdijes sonë kombëtare. Është
dëshmi se përballë një regjimi shtypës dhe të pamëshirshëm, nuk u zgjodh rruga
e nënshtrimit, por ajo e qëndresës aktive dhe e rezistencës së armatosur. Dhe
në këtë akt të përbashkët përkushtimi, ku bashkohen gjaku i dëshmorëve dhe
vendosmëria e gjallë e të mbijetuarve, u shënua rruga drejt një të ardhmeje të
lirë dhe sovrane për Kosovën.
Gratë
trime të familjes Jashari dhe, më gjerë, të gjitha gratë shqiptare nëpër të
gjitha periudhat historike, përfaqësojnë një shtyllë të palëkundur të qëndresës
dhe të sakrificës kombëtare. Ato nuk ishin thjesht dëshmitare të ngjarjeve të
mëdha që përcaktuan fatin e kombit, por pjesëmarrëse aktive, të vetëdijshme dhe
të vendosura në të gjitha betejat për liri dhe dinjitet. Në historinë
shqiptare, figura e gruas është shfaqur vazhdimisht si mbrojtëse e vatrës,
edukatore e brezave dhe luftëtare në kuptimin më të plotë të fjalës. Në kohë të
pushtimeve dhe shtypjes së huaj, ato kanë marrë mbi supe barrën e mbijetesës
dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar, duke u bërë bartëse të gjuhës,
traditës dhe historisë, ndërkohë që shpesh kanë përqafuar edhe armën në dorë
kur rrethanat e kanë kërkuar.
Në
Epopenë e Prekazit, ky rol i grave shqiptare u shfaq në formën më të pastër dhe
më të lartë të përkushtimit. Gratë e familjes Jashari, duke qëndruar krah
burrave të tyre dhe duke refuzuar të dorëzoheshin, dëshmuan jo vetëm për
dashurinë ndaj familjes së tyre, por mbi të gjitha për besnikërinë ndaj idealit
të lirisë. Ato nuk pranuan të largoheshin për të shpëtuar jetën, por zgjodhën
me vetëdije të ndanin fatin e përbashkët të rezistencës dhe të sakrificës. Ky
kontribut i grave në këtë epope nuk mund të matet vetëm me numrin e jetëve të
humbura, por me madhështinë e mesazhit që lanë pas se liria nuk mund të ndahet
në përgjegjësi burrash apo grash, por është një e drejtë dhe një detyrim i
përbashkët. Ato ranë me dinjitet në altarin e lirisë, duke e bërë të qartë se
atdheu kërkon dhe meriton përkushtimin dhe gjakun e të gjithëve, pa dallim
moshe apo gjinie.
Përmes
këtij akti të lavdishëm, ato u bënë jo vetëm heroinat e një beteje të caktuar,
por shembuj të përjetshëm të guximit dhe të dinjitetit për të gjitha gjeneratat
që do të vijnë. Sakrifica e tyre mbetet një testament i shkruar me gjak në
ndërgjegjen kombëtare, një amanet që fton për nderim, kujtesë dhe përkushtim të
vazhdueshëm ndaj vlerave më të larta të lirisë dhe të njerëzisë.
Këtë
hyrje e bëra kështu me të vetmin qëllim, sepse ndjej detyrimin moral dhe
intelektual që të sqaroj metodën dhe synimin e qasjes sime. Në përpjekjen për
të përmbledhur dhe ndriçuar jetët dhe veprën e grave dëshmore të luftës së
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam ndjekur një renditje alfabetike — një
mënyrë e drejtë dhe e barabartë për t’iu dhënë secilës vendin e merituar në kujtesën
tonë historike.
Në
këtë rend alfabetik, nënë Zahidja doli e fundit, por në ndërgjegjen dhe
respektin tonë ajo nuk është e fundit asnjëherë. Pikërisht për të shmangur
keqkuptimin që kjo rastësi alfabetike mund të nënkuptojë, zgjodha që në këtë
pjesë të veçantë, që i kushtohet Epopesë së Prekazit, të sjell në vëmendje të
gjithë të flijuarit — jo vetëm në formë të përgjithshme apo anonime, por me
emër dhe mbiemër. Kjo nuk është një formalitet, por një akt nderimi dhe
respekti, një mënyrë për të shpërblyer me kujtesë atë që ato ofruan me jetë.
Në
vijim, duke u mbështetur te shkrimi i Mehmet Bislimit “Prekazi dhe flakët e
lirisë!”, i publikuar më 4 mars 2025 në radiokosovaelire.com, do të bëj
prezantimin e plotë të këtyre emrave të shenjtëruar. Ata janë anëtarët e
familjes Jashari dhe të familjeve tjera që ranë për të mos vdekur kurrë, duke e
shndërruar emrin e tyre në sinonim të lirisë dhe të qëndresës. Para këtyre
emrave, nuk mund të mos përkulemi me nderim të thellë. Ata nuk janë vetëm
heronjtë tanë kombëtarë, por përfaqësues të atij ideali universal të lirisë që
i bashkon të gjithë ata që besojnë në dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për të
jetuar i lirë. Përballë kësaj sakrifice të pashembullt, çdo njeri liridashës
kudo në botë duhet të ndjejë detyrimin moral për t’u përkulur me respekt, duke
e pranuar se liria ka një çmim dhe se dikush e paguan me gjak që ajo të bëhet
realitet për të gjithë.
Këta
janë heronjtë që, me guximin dhe vendosmërinë e tyre, u bënë mburojë e gjallë e
atdheut, duke vënë trupin dhe gjakun përpara çdo rreziku që kërcënonte pragun e
shtëpisë shqiptare. Në momentet më të errëta dhe më të rënda, ata nuk u
tërhoqën, nuk kërkuan mëshirë, por qëndruan të patundur në bindjen e tyre se
Kosova meritonte të ishte e lirë, e pavarur dhe sovrane. Prandaj, kur përmendim
emrat e tyre, nuk po bëjmë thjesht një akt formal kujtese. Ne po përulemi para
një trashëgimie të shenjtë, po e pranojmë me përulësi dhe respekt borxhin që
kemi ndaj tyre dhe ndaj idealeve për të cilat ranë. Ata janë shembulli më i
lartë i dashurisë për atdheun, modeli më i pastër i përkushtimit dhe i
gatishmërisë për të sakrifikuar gjithçka për lirinë. Këta janë të rënët që
mbrojtën Kosovën e shtrenjtë, duke e shndërruar çdo pëllëmbë të saj në një
dëshmi të pavdekshme të trimërisë, krenarisë dhe të drejtës për të jetuar të
lirë. Kujtimi i tyre mbetet i gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare dhe na fton
që përherë të punojmë dhe të jetojmë në mënyrë që gjaku i tyre të mos shkojë
kurrë dëm.
Shaban
Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Legjendarit
Zahide
Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Legjendarit
Zarife
Jashari (49) gruaja e Rifatit
Hidajete
Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
Valdete
Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
Igball
Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
Igballe
Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
Hamëz
Shaban Jashari (47), strategu i lirisë
Feride
Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
Selvete
Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
Afete
Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
Besim
Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
Lirie
Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
Blerim
Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
Fatime
Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
Blerinë
Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
Adem
Shaban Jashari (42), Komandanti Legjendar
Adile
Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
Fitim
Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
Kushtrim
Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit
Nga
ai tmerr i përgjakshëm dhe i pashoq që përfshiu kullën e Jasharajve, vetëm
njëra prej tyre arriti t’u shpëtonte flakëve të vdekjes – Besarta Jashari. Ajo
ishte atëherë vetëm një fëmijë njëmbëdhjetëvjeçar, në moshën e pafajësisë dhe
të ëndrrave të thjeshta, kur u përball me mizorinë më të madhe që mund të
përjetojë një qenie njerëzore.
Fati
e la të mbijetonte, jo për ta harruar atë plagë të thellë, por për t’u bërë
dëshmitare e gjallë e një prej krimeve më të rënda kundër një familjeje që
kishte zgjedhur qëndresën dhe sakrificën në emër të lirisë. Në sytë e saj të
njomë u pasqyrua ajo tragjedi e përmasave biblike, muret që shembeshin nga
granatat, britmat e familjarëve, tymi mbytës, dhe heshtja e rëndë që mbuloi
gjithçka pas shpërthimeve. Besarta nuk mbeti thjesht një vajzë që i shpëtoi
aksidentalisht vdekjes, por u shndërrua në simbolin e gjallë të kujtesës sonë
kolektive, në dëshminë e pakundërshtueshme të mizorisë që u ushtrua mbi një
familje të tërë. Ajo mbart me vete amanetin e atyre që nuk mundën ta tregojnë
vetë historinë e tyre- të kujtojë, të dëshmojë dhe të mos lejojë që ajo që
ndodhi të fshihet apo të harrohet. Në mbijetesën e saj të brishtë fshihet një
dimension i thellë tragjik dhe njëkohësisht shpresëdhënës që edhe nga rrënojat
e dhimbjes më të madhe, mund të mbijë kujtesa, që nuk vdes shpresa, dhe se çdo
popull që ka të mbijetuarit e tij nuk do të lejojë të shuhet as historia, as e
vërteta.
–
Të rënët tjerë, po atë ditë nga lagja Jashari- Prekaz i Poshtëm janë:
Bahtije
Jashari, Abdullah Jashari, Blerim Jashari, Bujar Jashari, Qazim Jashari, Nazmi
Jashari, Sinan Jashari, Ali Jashari, Beqir Jashari, Halil Jashari, Sherif
Jashari, Elheme Jashari, Murtez Jashari, Faik Jashari, Qerim Jashari, Hamit
Jashari, Kajtaz Jashari, Hamide Jashari, Shahin Jashari, Sadik Jashari, Hafije
Jashari, Hamdi Jashari, Elfije Jashari, Fatime Jashari, Ramiz Jashari, Mihrije Jashari,
Sabrije Jashari, Hanife Jashari, Smajl Jashari, Ukshin Jashari, Hajrije
Jashari, Ajvaz Jashari, Fatime Bazaj, Smajl Bazaj, Salë Jashari, Sadik Kaçkini,
Fatime Gashi, Gazmend Gashi, Makfirete Gashi.
Përkulje
të përjetshme familjes Jashari dhe të gjithë Jasharëve tjerë, toka shqiptare i
mbanë përjetësisht në gjirin e vet. Numri i të rënëve në Lagjen Jashari- Prekaz
i Poshtëm, është 59. Nga ky numër i përgjithshëm, 55 janë nga lagja e Jasharaj,
4 të tjerë kanë qenë mysafir, në mesin e të rënëve në Prekaz të Poshtëm, 35
veta ishin meshkuj dhe 24 femra.
Le
të ndalemi për një çast te figura e Nënë Zahides — një grua e madhe, jo vetëm
për nga mosha apo vendi që zinte në familje, por për nga madhështia e karakterit
dhe roli i saj në historinë e qëndresës shqiptare. Nënë Zahidja nuk ishte
thjesht nëna e tre djemve të saj — Ademit, Hamzës dhe Rifatit — por një nënë që
i lindi, i rriti dhe i formoi me përkushtim të jashtëzakonshëm për të qenë të
denjë dhe të gatshëm t’i dilnin zot atdheut, sidomos në ditët më të vështira të
ekzistencës së tij. Në frymën që ajo u dha, fshihej amaneti i përhershëm i
dashurisë për vendin dhe gatishmëria për flijim në emër të lirisë.
Zahidja
ishte bija e Shaban Gecit nga Llausha e Drenicës, një familje me emër të madh
dhe të nderuar në atë trevë. E lindur në vitin 1924, ajo ishte e vetmja motër
mes katër vëllezërve — Ramadanit, Sinanit, Sokol dhe Osman Gecit — burrave të
njohur për trimëri dhe ndershmëri. Familja Geci njihej në gjithë Drenicën si
një ndër familjet më të shquara për besëmbajtje, guxim dhe për rezistencë të
palëkundur kundër pushtuesve të huaj. Ishte një familje që nuk u përkul kurrë,
duke ruajtur gjithmonë të shenjtëruar nderin dhe fjalën e dhënë.
Babai
i saj, Shaban Geci, përshkruhej si burrë bujar dhe trim — një njeri që jo vetëm
zotëronte forcën fizike dhe guximin, por edhe madhështinë morale për të
ndihmuar dhe për të mbrojtur të tjerët. Në këtë mjedis të pasur me vlera
tradicionale dhe atdhetare u formua Zahidja, duke trashëguar e mishëruar vetitë
më të mira të trungut të saj.
Në
moshën e njomë 17-vjeçare, ajo u martua me Shaban Murat Jasharin, një trim
tjetër të njohur të Prekazit, duke lidhur kështu jo vetëm dy familje të mëdha
dhe të nderuara, por edhe dy trashëgimi të fuqishme të rezistencës dhe të
dinjitetit. Martesa e tyre ishte më shumë se bashkim familjar, ishte një
aleancë e idealeve, e burrërisë dhe e vendosmërisë për të mbrojtur atdheun në
çdo kohë dhe me çdo çmim. Populli ynë me urtësinë e tij të lashtë thotë:
“Dardha bie nën dardhë,” duke nënkuptuar se virtytet dhe karakteri trashëgohen
dhe kultivohen me kujdes në trungun familjar. Kështu ndodhi edhe me këtë
martesë. Zahidja, bijë e një familjeje të njohur për trimëri, për ndershmëri
dhe besë, e kishte të natyrshme të lidhte jetën e saj me një burrë të njëjtë në
vlera, një trim të njohur dhe të respektuar të Prekazit, i ditur jo vetëm për
guximin, por edhe për urtësinë dhe mendimin e pjekur.
Ky
bashkim nuk ishte thjesht një lidhje martesore në kuptimin shoqëror apo
juridik. Ishte një aleancë morale dhe shpirtërore, një bashkim i dy
trashëgimive të ndritura që bashkonin jo vetëm gjakun dhe pasurinë familjare,
por edhe idealet, bindjet dhe amanetet e brezave të mëparshëm. Ata ndërtuan së
bashku një familje ku nderi, fjala e dhënë dhe dashuria për atdheun ishin
shtyllat mbi të cilat ngrihej çdo ditë e jetës. Në këtë mjedis të përshkuar nga
dashuria, respekti dhe përkushtimi i ndërsjellë, nuk kishte si të lindnin
ndryshe bijtë dhe bijat e tyre. Ata trashëguan cilësitë më të mira të prindërve
të tyre, u formuan si njerëz të dashur e të afërt, por edhe si trima dhe të
mençur, të gatshëm të përballen me çdo sfidë që mund të sillte jeta. Ata ishin
vazhdimi i natyrshëm i trungut familjar, dëshmia më e fortë se vlerat e vërteta
nuk zhduken, por përçohen, kultivohen dhe shndërrohen në udhërrëfyes për brezat
që vijnë.
Në
këtë mënyrë, martesa e nënë Zahides me Shaban Jasharin nuk ishte vetëm një
bashkim i dy individëve, por një themel i fortë mbi të cilin u ndërtua një
familje që do të bëhej simbol i rezistencës, i dashurisë për lirinë dhe i
sakrificës për atdheun. Zahidja mbeti përherë një figurë qendrore në edukimin
dhe formimin e djemve të saj, duke u ngulitur atyre ndjenjën e përgjegjësisë,
nderit dhe gatishmërisë për të dhënë jetën në shërbim të lirisë. Në këtë
mënyrë, ajo nuk ishte thjesht nëna e tyre biologjike, por nëna e idealeve të
tyre, burimi i palodhur i forcës dhe i karakterit që i bëri të njohur dhe të
pavdekshëm në historinë e popullit shqiptar.
Nga
martesa e tyre e mbushur me mirëkuptim, dashuri dhe harmoni, Shaban dhe Zahide
Jashari sollën në jetë plot 14 fëmijë — bij dhe bija që do të ishin vazhdimi i
gjakut, i emrit dhe i idealeve të familjes. Mes tyre, u rritën dhe u trashëguan
në jetën e tyre të përditshme e në kujtesën e brezave Hava, Rifati, Zyla, Zoja,
Hamza, Ademi, Qamilja dhe Halimja. Këta fëmijë nuk ishin vetëm pjesëtarë të një
familjeje të madhe, por bartës të një trashëgimie të pasur shpirtërore dhe të
një amaneti të pashkruar për atdhedashuri dhe qëndresë. Nënë Zahidja, në këtë
familje të madhe, ishte më shumë se një nënë në kuptimin biologjik të fjalës.
Ajo ishte qendra morale dhe emocionale, shtylla që mbante të bashkuar gjithë
këtë trung familjar. E përkushtuar dhe e palodhur, ajo nuk i kufizonte
përgjegjësitë e saj vetëm brenda mureve të shtëpisë. Përveç punëve të shumta të
shtëpisë — që në atë kohë dhe në ato kushte ishin të rënda dhe kërkonin mund të
jashtëzakonshëm — ajo i qëndronte gjithmonë pranë bashkëshortit të saj, duke e
ndihmuar dhe mbështetur në të gjitha punët jashtë shtëpisë, në tokë, në bagëti
dhe në gjithçka që kërkonte forca dhe përkushtimi i përditshëm.
E
edukuar me virtytet më të larta të gruas shqiptare — ndershmëri, qëndrueshmëri,
bujari dhe trimëri e heshtur — nënë Zahidja mishëronte figurën arketipe të
gruas malësore, e cila e shihte jetën si shërbim dhe përkujdesje për të tjerët.
Ajo ishte një bashkëshorte e dashur dhe e palodhur, shoqe e vërtetë në të
gjitha sfidat e jetës, duke ndarë jo vetëm gëzimet por edhe barrën e vështirësive
të përditshme me të shoqin. Për fëmijët e saj, ajo ishte më shumë se nënë,
ishte mësuese, udhërrëfyese dhe frymëzim. Ajo kultivoi te bijtë dhe bijat
dashurinë për familjen, nderin dhe atdheun, duke mbjellë tek ta virtyte që do
t’i shoqëronin gjithë jetën. Për nipërit dhe mbesat, ajo ishte shembulli i
gjallë i dashurisë dhe i përkujdesjes pa kushte, një figurë e shenjtë që
mishëronte vazhdimësinë e traditës dhe unitetin familjar.
Në
këtë mënyrë, nënë Zahidja nuk ishte vetëm një nënë e madhe në numër fëmijësh,
por një figurë e madhe në zemër dhe shpirt, një model i pashoq i përkushtimit
dhe i dashurisë që bëri të mundur që familja Jashari të jetë jo vetëm e njohur,
por e pavdekshme në historinë e popullit shqiptar. Së bashku me bashkëshortin e
saj, Shabanin, nënë Zahidja ndërtoi një familje të madhe dhe të begatë në
njerëz — një familje shumëanëtarëshe që nuk ishte vetëm bashkësi gjaku, por një
vatër e vërtetë e edukimit patriotik dhe e ruajtjes së traditës. Ata nuk i
shihnin fëmijët e shumtë si një barrë, por si trashëgimtarë të një amaneti të
shenjtë, të cilëve duhej t’u përcillnin jo vetëm emrin dhe gjakun, por mbi të
gjitha ndjenjën e shenjtë të dashurisë për atdheun.
Në
të gjitha aspektet e jetës, nënë Zahidja ishte e pandashme nga burri i saj. Nuk
kishte ndarje të vërtetë mes punëve të burrit dhe të gruas në shtëpinë e
Jasharajve- të dy bashkë ndanin barrën dhe përgjegjësitë, duke u bërë shembull
i harmonisë dhe i unitetit familjar. Ajo ishte krah i djathtë i Shabanit jo
vetëm në punët e shtëpisë, por edhe në përkushtimin ndaj popullit të tij. Por
përkushtimi më i madh i tyre ishte edukimi i brezit të ri. Ata i mësuan fëmijët
e tyre që mbi çdo interes personal të vendosnin dashurinë për atdheun. Ata e
kuptonin se pa këtë ndjenjë të thellë atdhedashurie, çdo familje, sado e madhe
apo e fortë, do të ishte e paplotë dhe e brishtë përballë sfidave të kohës.
Nënë Zahidja, me butësinë dhe mençurinë e saj të rrallë, kultivoi tek fëmijët
jo vetëm virtyte të zakonshme si ndershmëria dhe respekti, por edhe krenarinë
për traditën e qëndresës. Që në djep, ajo u këndonte ninulla dhe këngë që nuk
ishin thjesht melodi për të qetësuar gjumin, por rrëfime heroizmi. Ato këngë
flisnin për trimat e Drenicës që asnjëherë nuk pranuan të përkulen para
“bajlozit të zi” — metaforë e pushtuesit mizor.
Ajo
u tregonte fëmijëve histori të lavdishme për Shotë e Azem Galicën, për Ahmet
Delinë, për Shaban Polluzhën dhe shumë trima të tjerë që me jetën e tyre kishin
dëshmuar se Drenica nuk njihte dorëzim. Përmes këtyre rrëfimeve, ajo nuk
përçonte vetëm kujtime të së kaluarës, por i nguliste brezit të ri detyrën
morale për ta vazhduar atë traditë të shenjtë të qëndresës dhe të lirisë. Në
këtë mënyrë, nënë Zahidja ishte jo vetëm një nënë dhe bashkëshorte shembullore,
por një edukatore e vërtetë, një trashëguese dhe bartëse e amanetit kombëtar,
që e bëri familjen Jashari një prej simboleve më të ndritura të dashurisë për
atdheun dhe të sakrificës për liri.
Nënë
Zahidja në Prekazin legjendar përjetoi tri rrethimet e kullës së familjes Jashari.
Në rrethimin e parë të kullës së Jasharajve, më 30 dhjetor 1991, nënë Zahidja
ishte aty — një prani e patundur dhe e domosdoshme — për të qëndruar përkrah
bijve të saj, duke u dhënë zemër dhe forcë në një nga ditët më të vështira që
kishte parë familja. Ajo nuk ishte vetëm një vëzhguese pasive e dramës që
zhvillohej, por një pjesëmarrëse aktive, që me fjalë të ngrohta dhe me një
qëndrim të pathyeshëm, ushqente guximin dhe vendosmërinë e të gjithëve që
ndodheshin në atë rrethim. Nënë Zahidja ishte gjithmonë aty ku kërkohej ndihma
— qoftë për të qetësuar, për të inkurajuar, apo për të ndihmuar praktikisht në
gjithçka që duhej bërë. Ajo nuk njihte as frikë, as hezitim për të marrë pjesë
në çdo aspekt të mbrojtjes së familjes dhe të rezistencës. Në momentet kur
bijtë e saj, Hamza dhe Ademi, u detyruan të kalonin në jetën ilegale për t’iu
shmangur ndjekjeve të pushtuesit dhe për të vazhduar organizimin e rezistencës,
Zahidja u bë më e fortë. Ajo u bë mbështetëse dhe ndihmëse e heshtur, duke iu
gjendur pranë me çdo mjet që kishte në dorë, duke e kuptuar plotësisht se rruga
që ata kishin zgjedhur ishte e drejtë, por plot sakrifica.
Gjithashtu,
ajo ishte shtylla e fortë për fëmijët e Rifatit, në kohën kur ky i fundit
ndodhej në mërgim, në Gjermani, duke kërkuar me mund e djersë të mbante gjallë
familjen dhe të kontribuonte për çështjen kombëtare nga larg. Në ato vite të
rënda, kur mungesa e burrit dhe e djemve binte si barrë mbi supet e saj,
Zahidja nuk u përkul. Edukata e saj, e lindur në një familje fisnike dhe e
rritur në traditën e fortë të Llaushës, i kishte dhënë një forcë të veçantë
karakteri. Ajo ishte bijë e një fisi të njohur për dinjitet dhe për besnikëri,
bashkëshorte e një burri trim dhe nënë e djemve që kishin vendosur të mos bënin
kurrë kompromis me pushtuesin. Prandaj ajo qëndronte krenare, jo nga
mendjemadhësia, por nga vetëdija se po bënte pjesën e saj në një histori shumë
më të madhe se jeta e përditshme e një familjeje. Nënë Zahidja e kishte kuptuar
qartë dhe herët se ishte pjesëtare e atyre fijeve të historisë më të re të
kombit shqiptar që fillonin të thureshin me gjakun, mundin dhe sakrificën e
familjes Jashari të Prekazit. Ajo e dinte se po merrte pjesë në ndërtimin e një
amaneti të shenjtë për liri dhe dinjitet, një amanet që do të mbetej përjetë në
ndërgjegjen e popullit shqiptar.
Nënë
e madhe e kombit, nënë Zahidja gëzonte një dashuri dhe respekt të thellë e të
merituar nga të gjithë anëtarët e familjes së saj. Ajo nuk ishte vetëm një
figurë amësie, por vetë zemra dhe shpirti i shtëpisë, një burim i pashtershëm
dashurie, urtësie dhe përkujdesjeje. Bashkëshorti i saj, Shaban Jashari, e
çmonte dhe e respektonte pa masë — jo vetëm si nënë të fëmijëve të tij, por si
shoqe jete dhe aleate të palodhur në çdo sfidë. Marrëdhënia e tyre ishte një
shembull i vërtetë i jetës së përbashkët dhe mirëkuptimi, i ndërtuar mbi
respekt të ndërsjellë dhe mbi besimin e palëkundur te njëri-tjetri. Edhe djemtë
e saj — Rifati, Hamza dhe Ademi — e kishin nënën e tyre jo thjesht për nënë,
por si një zemër që rrihte pandërprerë vetëm për ta. Për ta, ajo ishte siguria
dhe përkujdesja, këshilla e urtë dhe forca morale që u qëndronte gjithmonë
pranë, edhe kur rrethanat bëheshin të errëta dhe kërcënuese. Zemra e saj nuk
njihte dallime, nuk kursente asgjë për të mirën dhe të ardhmen e tyre, dhe ata
e dinin se çdo frymëmarrje e saj ishte e mbushur me dashuri dhe sakrificë për
ta.
Një
dëshmi e qartë e këtij përkushtimi ndodhi më 22 janar të vitit 1998. Ishte ende
errësirë dhe nata po tërhiqej ngadalë për t’i lënë vend mëngjesit, kur ata
ishin mbledhur për të ngrënë syfyrin. Rreth tryezës së thjeshtë e të ngrohtë
familjare ishin nënë Zahidja, bashkëshorti Shabani, i biri Hamza dhe rejat. Ajo
ishte një nga ato çaste intime e të shenjta të familjes, të mbushura me lutje
dhe heshtje përkushtimi. Por kjo qetësi u shkatërrua mizorisht nga breshëritë e
armëve serbe që goditën kullën, duke sjellë terrorin dhe dhunën në pragun e
tyre. Edhe në atë moshë të shtyrë, 74 vjeçe, nënë Zahidja nuk u ligështua e as
nuk u tërhoq. Ajo nuk ishte nga ato që përkuleshin para frikës. Edhe ndërsa
burrat dhe gratë e familjes luftonin të vendosur kundër forcave të policisë
serbe, ajo ishte aty, duke u qëndruar pranë, duke u dhënë zemër dhe kurajë.
Fjalët e saj ishin të qarta, të forta dhe të mbushura me besim: “Duhet luftuar
shkjaun deri sa të çlirohet Kosova.”
Në
ato momente dramatike, ajo nuk ishte thjesht nënë e gjyshe, por një figurë
frymëzuese dhe prijëse morale. Ajo mishëronte shpirtin e pathyeshëm të një
populli që nuk pranonte të nënshtrohej dhe që besonte me gjithë qenien e vet se
liria ishte një e drejtë e shenjtë që duhej fituar me çdo çmim. Me qëndrimin e
saj, nënë Zahidja na lë pas një shembull të rrallë të vendosmërisë, guximit dhe
dashurisë së pamasë për atdheun dhe familjen.
Në
ato orë të rënda dhe vendimtare për historinë më të re të Kosovës — më 5, 6 dhe
7 mars të vitit 1998 — kur Prekazi i Drenicës u shndërrua në skenën e një
rezistence të pashoqe dhe të përgjakshme, nënë Zahide Jashari qëndronte aty,
krah për krah me familjen e saj, e palëkundur dhe e pathyeshme. Ajo nuk e
mendoi as për një çast të largohej apo të ndahej nga djemtë e saj. Përkundrazi,
ajo e kuptonte më mirë se kushdo tjetër se vendi i saj ishte mes tyre, duke
ndarë me ta të njëjtin fat, të njëjtin ideal dhe të njëjtin betim për liri.
Edhe në atë moshë të shtyrë, kur shumë të tjerë do të ishin të ligështuar nga
pesha e viteve dhe frika e natyrshme e jetës, nënë Zahidja mbeti e njëjta grua
trime dhe e pathyeshme. Ajo nuk ishte aty vetëm si një nënë që prekte duart dhe
fytyrat e fëmijëve për t’i qetësuar, por si një mbështetëse aktive, një burim i
pashtershëm kuraje dhe force morale. Fjalët e saj ishin të thjeshta, por të
rënda si gurët e kullës ku ndodheshin. Ajo ua kujtonte me maturi dhe bindje të
gjithë luftëtarëve të familjes se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak dhe
sakrificë.
Në
ato çaste të errëta kur breshëritë e armëve dhe shpërthimet tronditshin
themelet e shtëpisë, ajo i nxiste dhe i përkrahte djemtë, nipat dhe të gjithë
ata që kishin marrë armët, duke u thënë se duhej të qëndronin të patundur deri
në fishekun e fundit. Ajo e dinte që dorëzimi nuk ishte një mundësi — ishte
turp dhe poshtërim për ata që mbanin mbi supe amanetin e një historie të tërë
të qëndresës shqiptare kundër pushtimeve dhe robërisë. Një lumturi e heshtur
dhe e thellë e mbushte zemrën e saj edhe në ato momente tragjike, sepse pa se
vëllai i saj, Osmani, ishte aty me ta, i ardhur enkas për t’i qëndruar pranë
motrës, dhëndrit dhe gjithë nipërve e mbesave të tij. Kjo prani nuk ishte vetëm
simbolike, por dëshmi e lidhjes së gjakut dhe e unitetit familjar, një shprehje
e asaj ndjenje të thellë se në ditët më të vështira, gjaku dhe besa nuk
tradhtojnë kurrë.
Kështu,
nënë Zahidja në ato tri ditë të marsit të vitit 1998 nuk ishte thjesht
dëshmitare e një historie të madhe, por pjesëmarrëse e saj, frymëzuese dhe
bashkëluftëtare. Me vendosmërinë, urtësinë dhe guximin e saj, ajo e përforcoi
moralin e të gjithëve dhe vulosi njëherë e përgjithmonë figurën e saj si nënë e
madhe e rezistencës dhe e lirisë shqiptare. Për tri ditë të gjata dhe të
mbushura me ankth e vendosmëri, nënë Zahide Jashari mbeti e ngujuar në Kullën e
Qëndresës, duke ndarë çdo çast me të dashurit e saj. Ajo nuk e mendoi kurrë
largimin, nuk kërkoi shpëtim për vete, por zgjodhi të qëndronte krah për krah
me familjen, e bashkuar me ta në fatin dhe në betimin e përbashkët për të mos
lejuar që armiku të shkelte pragun e shtëpisë së tyre.
Nënë
Zahidja e njihte mirë natyrën mizore të armikut. E dinte që nuk kishte vend për
mëshirë apo për ndalim të dhunës. Shpirti i saj i nënës, i ushqyer me dashuri,
por edhe i kalitur në vuajtje e mençuri, e ndiente me një parandjenjë të thellë
se po afrohej ora e madhe — ora e lirisë së premtuar, por edhe ora e sakrificës
sublime. Në ato çaste, ajo i lutej me gjithë shpirt Zotit, që t’ia ruante
familjen, t’i mbronte bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat, e të mund t’u
dhuronte atyre të ardhmen që meritonin. Por dita e tretë e rrethimit, dita e
kulmit të heroizmit dhe e tragjedisë, solli me vete goditje të pamëshirshme dhe
të pandërprera nga predhat dhe bombat e armikut. Muret e forta të kullës,
simbol i qëndresës shqiptare, u lëkundën dhe u shkatërruan nën shpërthime të
rënda dhe të përsëritura. Aty ku dikur jehonte fjala e urtë dhe kënga e nënës,
tashmë mbretëronin zjarri dhe shkatërrimi.
Në
atë stuhi shkatërruese, e rrethuar nga të bijtë, nipërit, mbesat dhe gjithë
familja e saj, nënë Zahidja dha frymën e fundit. Ajo ra në altarin e lirisë jo
si një viktimë e zakonshme, por si një heroinë e vërtetë, që në moshën
74-vjeçare mbajti gjallë deri në fund idealin e qëndresës dhe të sakrificës.
Ajo nuk u largua, nuk u përkul, por e mbylli jetën e saj mes atyre që kishte
lindur, rritur dhe edukuar, duke lënë një amanet të shenjtë për brezat që
vijnë.
Lavdi
përjetë nënës heroinë, nënës Zahide Jashari, për gjithçka që dha për lirinë e
Kosovës. Kujtimi i saj do të mbetet i gjallë dhe i shenjtëruar në ndërgjegjen
kombëtare si një simbol i dashurisë së pakufishme për familjen, për atdheun dhe
për lirinë, e si një shembull i pavdekshëm i forcës së gruas shqiptare në faqet
më të lavdishme të historisë sonë.
Literatura:
https://www.epokaere.com/qendresa-e-grave-te-familjes-jashari-1998/
Fehmi Ajvazi, Figura e
Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
Bardh Hamza & Faik
Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
Bedri Tahiri, Adem
Jashari legjendë e legjendave, Prishtinë 2008
Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
Bedri Tahiri, Drenica
djep i trimërisë, Prishtinë 2008
Jakup Krasniqi, Flijimi
për lirinë, Prishtinë, 2011
https://www.radiokosovaelire.com/mehmet-bislimi-prekazi-dhe-flaket-e-lirise/
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10159996081794104&id=133307854103&set=a.10153478970579104
https://www.radiokosovaelire.com/zahide-shaban-geci-jashari-1924-7-3-1998/
https://www.facebook.com/100064316756685/posts/zahide-jashari-n%C3%ABna-e-t%C3%AB-gjith%C3%AB-shqiptar%C3%ABve/995353995951816/
https://www.syri.net/kosova/797366/zbulohet-shtatorja-e-zahide-jasharit-nenes-se-heronjve-adem-e-hamez-jashari-simbol-i-dashurise-dhe-lirise-ne-skenderaj/
https://www.facebook.com/FaleminderitZotQeJamShqiptar/photos/zahide-jashari-nena-e-adem-jasharit-faliminderit-qe-na-dhurove-djem-trima-y/348567328579040/?locale=sq_AL
https://www.kosovarja-ks.com/tag/zahide-jashari/
https://www.visarkryeziu.com/product-page/zahide-jashari-n%C3%ABna-zahide
https://gazetademos.com/nena-zahide-jashari/