E premte, 26.09.2025, 04:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Doli nga shtypi romani më i ri “45 letra për Martinën” i autores Sabile Keçmezi-Basha

E enjte, 25.09.2025, 06:59 PM


DOLI NGA SHTYPI ROMANI MË I RI “45 LETRA PËR MARTINËN” (NJË BIOGRAFI ROMANORE PËR BABANË TIM), I AUTORES SABILE KEÇMEZI-BASHA

Njoftojmë lexuesit se dje, doli nga shtypi libri më i ri i autores së mirënjohur dhe njëherësh ndër zërat më frytdhënës të letërsisë kosovare, Sabile Keçmezi-Basha: “45 LETRA PËR MARTINËN” (Një biografi romanore për babanë tim). Ky botim nuk është vetëm një libër në kuptimin e zakonshëm të fjalës, ai është një urë e padukshme që lidh kohët, një rrëfim i gërshetuar mes kujtesës personale dhe historisë kolektive.

Në faqet e tij, lexuesi nuk gjen vetëm fjalë, por shpirtra të gjallë, ndjenja që udhëtojnë përmes letrave, duke bartur me vete dhimbjen, krenarinë, mallin dhe dashurinë. Është një dëshmi se letërsia, përtej artit, bëhet kujtesë dhe amanet, bëhet thirrje për ta mbajtur gjallë lidhjen mes brezave.

Ky libër është një biografi romanore, por njëkohësisht është edhe një bekim i kujtesës, ku figura e babait shndërrohet në simbol të një brezi të tërë, i cili me sakrificë dhe dinjitet i hapi udhën brezave që vijnë. Përmes penës së autores, kujtimi merr trajtë artistike dhe shndërrohet në një testament shpirtëror, që flet jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen.

Në këtë udhë të shenjtë të fjalës së shkruar, ndjejmë detyrimin e bukur të falënderimit. Mirënjohja më e thellë shkon për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me mbështetjen e saj bujare bëri të mundur që ky libër të marrë frymë e jetë në duart e lexuesve. Pa këtë përkrahje, fjala do të kishte mbetur ende e fshehur mes dorëshkrimeve, pa mundur të shndërrohej në dëshmi të gjallë të kujtesës.

Një falënderim të posaçëm e meriton editori Ramadan Mehmeti, i cili me durim dhe përkushtim u bë urë mes idesë dhe realizimit, si dhe redaktori Prend Buzhala, që me profesionalizëm dhe dashuri për tekstin i dha librit frymën e tij më të plotë. Falë punës së tyre të përbashkët, ky botim nuk është vetëm një libër, por një vepër e cila shkëlqen si në përmbajtje, ashtu edhe në formatin e saj estetik e teknik.

Ky është çasti kur fjala e shkruar shndërrohet në art të përbashkët – art i autores, i botuesit, i redaktorit, i mbështetësve institucionalë – dhe të gjithëve që besuan se kujtesa e një brezi meriton të ruhet me dinjitetin më të lartë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx