E diele, 14.09.2025, 12:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Kush guxon më shumë poeti apo shkrimtari?

E shtune, 13.09.2025, 06:56 PM


Kadri Tarelli shkruan:

Jeta është jetuar, kur ka diçka për të treguar! - Bashkim Kadiu

KUSH GUXON MË SHUMË POETI APO SHKRIMTARI.......?

Viron Kona në librin “Guximi i poetit”, kushtuar veprimtarit Sokol Demaku

Para pak kohësh, miku ynë i vjetër Viron Kona më dhuroi librin e tij më të fundit “Guximi i Poetit”, kushtuar poetit, publicistit dhe përkthyesit shqiptar në Suedi, Sokol Demaku.

E falënderova, njëkohësisht i urova suksese për libra të tillë, ku përshkruhet veprimtaria dhe krijimtaria letrare e mikut tonë të hershëm Sokol Demaku, bir i Drenicës në Dardani, por që jeton, punon dhe krijon prej vitesh në Suedi. Është libri i dytë që i kushtohet Sokol Demakut, pas librit “Kur vjen Sokoli”.

Ky botim “Guximi i Poetit”, është një lloj monografie e ndarë në dy pjesë:

Pjesa e parë: Një paraqitje e shkurtër e veprimtarisë jetësore të Sokolit, si mërgimtar, si mësues dhe më shumë si veprimtar, i cili në kushtet e jetesës dhe mbijetesës gjeti forca dhe mundësi të bëjë diçka më shumë se detyra e mësuesit në shkollën “Fjardingskolan” të qytetit të Borasit.

Si fillim binjakëzim me shkollën publike 9-vjeçare “Demokracia” në Durrës, duke shkëmbyer vizita të ndërsjellta të drejtuesve e më tej të mësuesve, nxënësve, prindërve dhe drejtuesve lokal. Më pas vizita dhe takime në institucionet shtetërore dhe arsimore të Durrësit, si në Bashkinë e qytetit, Drejtorinë Arsimore, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve dhe në disa shkolla 9-vjeçare, publike dhe jo publike të qytetit.

Koha vërtetoi se Sokoli nuk u ndal me kaq, sepse takimet u shtrinë edhe në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit, në Radio Tirana, në disa shkolla të qytetit dhe në panaire librash. Ndërkohë, në qytetin Boras, Sokoli filloi të botojë revistën “Dituria”, më pas emisione shqip në radio, për të arritur në emisione në TV. Synimi ishte për më tej: - Filluan të organizohen festivale poetike me pjesëmarrjen e poetëve nga të gjithë trevat Arbnore, njëkohësisht edhe nga mërgata shqiptare e shpërndarë nëpër botë. Një formë e admirueshme për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, për të mbajtur lidhjet me rrënjët e mëmëdheut, njëkohësisht edhe lidhjet mes bashkëkombësve tanë. Besoj se e gjithë kjo veprimtari nuk është pak për vlerat që krijon dhe rrezaton, ku në zemër të tyre ishte dhe mbetet Sokol Demaku, i papërtuar dhe i kudo ndodhur.

Për këndonjësin të gjitha janë vështrime interesante, ku ka shumë brumë historie, qëndresë dhe frymë atdhetarie, takime pune dhe krijim miqësie mes shqiptarëve me njëri tjetrin, por më shumë të lidhjeve mes dy vendeve, dy popujve që ndodhen larg gjeografikisht, por që e duan dhe vlerësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Mjafton t’i hedhësh një sy të mprehtë gjithë veprimtarisë, duke përfshirë edhe krijimtarinë letrare, i besoj fjalëve të autorit Viron Kona, i cili shprehet:

“Duke parë të gjitha këto punë dhe veprimtari të shumta, secili nga ne, mund të shtrojë pyetjen, që në heshtje duhet t’i përgjigjet po vetë: Ku e gjen Sokoli kohën dhe energjinë, për të përballuar këtë ngarkesë kaq të madhe? Sepse gjithçka përkthehet në kohë, mendim e kulturë, mundim dhe përkushtim, për të nisur e bitisur idetë dhe projektet, sado të thjeshta qofshin ato”.

Në pjesën e dytë, autori përqendrohet në krijimtarinë letrare, si poet, publicist, përkthyes e studiues i vëmendshëm, veçanërisht ndaj temave që prekin çështjen kombëtare shqiptare.

Të them të drejtën, unë Sokolin e kam njohur më së shumti si poet e më pak si prozator. Përmend: “Plagë zemre”, përmbledhje poetike, Lundra ime,...... etj, etj.. Por duke u shtrirë gjerë e gjatë në faqet e këtij libri, po bindem se Sokoli është edhe prozator i mirë. Ndaj po pyes Vironin: Kush guxon më shumë, poeti apo shkrimtari.....? - Thonë se guximtar është poeti, i cili kur frymëzohet flet e qaset me perëndinë. Ndërsa unë gjykoj pak më ndryshe, pasi është romancieri që pasi gjen temën dhe konfliktin, rri me muaj dhe vite duke i përplasur heronjtë, deri në çastin përfundimtar, kur shkruan “Fund”. Mendoj kështu, se në fushën e romanit kërkohet jo vetëm frymëzim dhe dëshirë për të shkruar, por një njohje e realitetit mjedisor dhe ngarkesë të madhe mendore, për t’u shtyrë në botën e intrigave, përplasjeve të personazheve, për të përtypur problemet e kohës, duke arritur në përfundim të kumtit që u duhet përcjellë lexuesit. Njëkohësisht duhet të jesh i besueshëm në ato që thua dhe që shkruan. Po përmend shkurtimisht:

- Një analizë e shkurtër merret me librin “I madhi Castriot, me llagap SKËNDERBEU - Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i Epirit”. Libri mban autorësinë e Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788. Nuk e teproj të them se vetëm ky zbulim, dhe ky përkthim nga suedisht në shqip, do ta vendoste emrin e Sokolit në majën e letrave shqipe. Unë i kushtova një shkrim, që u publikua në disa gazeta dhe portale: Gazeta “Bota sot”. Dardani. 28. 11. 2021, Revista “Dituria”. Suedi. 29. 11. 2021. Gazeta “Dielli” SHBA. 29. 11. 2021, Fjala e lire. Londër. 03. 12. 2021,

Në vazhdim analizohen tre romanet:

a. “Një pyll i çuditshëm”, për të cilin edhe unë kam bërë shkrimin me titull: “Pse na e ndanë qytetin?”, publikuar në: Gazeta “Bota sot”, Dardani. 19. 11. 2022, “Fjala e lire”, Londër. 19. 11. 2022, Gazeta “Ndryshe”. 03. 12. 2022.

b. “Çou Rexho – Çou djalo” dhe

c. “Tri valixhe për nënë e babë”, me autorë Sokol Demaku & Mimoza Dosti. Tematikat janë të ndryshme, por problemet që ngrihen janë të thukta, si në marrëdhëniet mes njerëzve, ashtu edhe në mes shteteve kur kanë probleme fqinjësore. Lexuesi ka mundësi të futet në të fshehtat e ngjarjeve, të shijojë artin e fjalës dhe të ndërthurjeve, po ashtu edhe tronditjen shpirtërore, që ndjen kur ndeshet me ndodhi të trishta deri në tragjedi, siç përshkruhet fundi i romanit “Tri valixhe për nënë e babë”. Ku dërrmohesh kur lexon vetëm nga këto dy rreshta: “Jeta në dukje shkëlqimtare. Ata prindër të mjerë, që kishin shkuar për vizitë te djali i tyre me një valixhe, u kthyen në vendlindje të copëtuar dhe të mbyllur në tri valixhe”. Një tragjedi që dhemb dhe njeriun e shemb, qoftë edhe me zemër shkëmb.

Ajo që më duhet të theksoj, është gjetja dhe kapja e temave nga ngjarjet e sotme, aq sa libri “Tri valixhet.....”, do ta quaja letërsi moderne për kohën që jetojmë, sidomos për mërgimin dhe mërgimtarët tanë që mësyjnë botën, duke menduar se aty është parajsa e vërtetë. Unë dhe lexuesit e përhershëm, po ndeshim gjithnjë e më shpesh me shkrimtarë, të cilët po lëvrojnë këtë temë që ka shumë dhimbje dhe prek jo vetëm individin e familjen, por edhe kombin.

Ç’është e vërteta, një pjesë e të larguarve janë rregulluar disi, por jo të gjithë, pasi ka nga ata që me mendje-shkurtësi futen në veprimtari të dënueshme, ku rreziku është i madh dhe i përhershëm. Kambana tragjike që ka fundi i romanit, japin kumtin e hidhur, të egër deri në shpërfytyrim, por me kuptim pa mëdyshje, si mësim i përhershëm i historisë njerëzore: - “Askush nga këta njerëz nuk ka vdekur nga Zoti, por nga llumi ku janë futur”.

Pak më lart përmenda, se Autori e ndan librin “Guxii i poetit”, në dy pjesë. Unë mendoj se duhesh ndarë në tri pjesë, sepse ai vetë i ka lënë një hapësirë të madhe, ku flasin miqtë, shokët, të njohurit, dashamirët, këtu në Shqipëri, të cilët prej gati 20 vjetësh, e kanë pritur e përcjellë Sokolin, si në Durrës, në Tiranë, Vlorë, Përmet, etj, etj.

Po përpiqem t’i vendos sipas radhës në libër, të cilën Vironi e quan:

“Një buqetë vlerësimesh për Sokol Demakun”.

Merita Kuçi Thartori. Poete e njohur durrsake, me detyrë Drejtore në shkollën publike 9-vjeçare “14 Nëntori”, Durrës. Ajo, pak kohë më parë, në prill 2025, ka qenë e ftuar në Festivalin Poetik që organizohet çdo vit në Boras. Suedi, ku u vlerësua me çmimin “PENA E ARTË”.

Poetja shprehet:

- Sokolin e kishim shpesh të ftuar në shkollën tonë “14 Nëntori”, në Durrës, apo mes miqsh dhe kolegësh të profesionit të mësuesit. E kishim parë të ndjente kaq emocion dhe krenari tek fliste në bisedat tona, mes nxënësve dhe mësuesve, tek shprehej i pa lodhur për punët në emigracion për të mbajtur gjallë gjuhën e nënës, pa lënë mënjanë mirënjohjen për shtetin Suedez dhe njerëzit me të cilët bashkëpunuan.

Ullmar Qvick. Albanolog suedez. Mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

- Sokoli është për t’u lavdëruar për zellin e tij, entuziazmin e zjarrtë, dhe iniciativat e tij të shumta në dobi të marrëdhënieve shqiptaro-suedeze. Ullmari, i cili zotëron shkëlqyeshëm gjuhën shqipe, merr në analizë Romanin “Çohu Rexho – Çou djalo!”. Gjuha e pastër....! Librin e rekomandoj edhe për arsye të përshkrimit të ambientit, me tradita dhe zakone pak të njohura për rininë e sotme Shqiptare. Faqe 265.

Prof. dr. Hektor Veshi. Shkrimtar e studiues. Tiranë. - E pa ndarë dhe intensive shfaqet dashuria e tij për tri “Vatrat”, larg gjeografikisht njëra me tjetrën, por “një” në zemrën e tij: Kosovë - Suedi e Shqipëri. Në “një” i bashkon ai trojet tona.

Delo Isufi. Poet. Tiranë. Pastaj, kur Sokoli largohet, ne lëçisim krijimet e tij. Aty gjejmë shpirtin poetik e atdhetar. Aty jem ne të gjithë. Ky është i mrekullueshmi, miku ynë i mirë, Sokol Demaku.

Avdyl Buçpapaj. Ish drejtor i Shkollës Publike 9-vjeçare “Demokracia” në Durrës, i cili ka qenë dhe mbetet autor i lidhjes dhe bashkëpunimit me Sokolin, me mësuesit, nxënësit e prindërit. Ai guxon kur thotë: – Një Shqiptar që e meriton emrin Sokol!..... Një mësues pasionant, i dashur me nxënësit dhe shumë i respektuar nga ata. Gjithnjë në lëvizje.... gjithnjë me një projekt në dorë...... në drejtimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras, njëkohësisht të Revistës, më tej Radios dhe TV. në gjuhën Shqipe, me të njëjtin emër “Dituria”.

Kadri Tarelli, në rolin e gazetarit. I gjendur kurdoherë pranë, që ka pasqyruar në shtypin e kohës, të gjitha takimet këtu në Durrës, shpesh edhe në Tiranë. Me kënaqësinë e një miku, shprehet: - Sokol Demaku – model i veprimtarit atdhetar, që ngre lart vlerat e shqiptarisë në Suedi. - Si fillim, në krye të shkrimit mendova të vendos titullin “Sokol Demaku “Ambasador” i shqiptarëve në Suedi”. Shpejt ndërrova mendje. Kostumi i “Ambasadorit” është shumë i ngushtë për trupin dhe shpirtin e Sokolit. K. Tarelli. libri ”Misionarë në udhën e dijes”. 2013. Shkrimi: “Sokoli, për çështjen shqiptare, është një “Ambasador” pa “ferman””. Faqe 92.

Muhamet Cenko. – Studiues, Tiranë: - Veprimtaria krijuese e shkrimtarit Sokol Demaku është tepër e gjerë. Ai shkruan e shkruan pa u lodhur, shkruan për atë që njeh e për atë që di. E shohim atë si poet, prozator, gazetar, përkthyes e botues......!

Sejdo Harka. Gazetar e studiues. Tiranë. - Dy fjalë zemre për mikun Sokol Demaku: - Krenar, që me krenarinë e tij të përçon forcë e adhurim. Energjik, si vetë energjia, që nuk ka as fillim, as mbarim. Përherë i qeshur dhe i lumtur si vetë lumturia.

Bashkim Saliasi. Poet dhe prozator. Tiranë. Ai si koleg mësues e drejtues shkolle, ka pritur Sokolin në shkollën e tij, duke dhënë një vlerësim jete dhe pune të pandërprerë: – Edhe pse ka dalë në pension, ai përsëri vazhdon me një vullnet të çeliktë të punojë pa u lodhur në fushën e krijimtarisë letrare-artistike dhe të përkthimit..... Duke punuar e krijuar, ai sfidon moshën..........

Bujar Poçari. Publicist. Tiranë. – Sokoli nuk është thjesht emigrant ekonomik. Ai me punën dhe përkushtimin e tij, del një misionar i palodhur i çështjes shqiptare në shtetin e Suedisë dhe më gjerë.

Petrit Xhaja. Mësues. Tiranë. Vizitor në Boras me një grup shkrimtarësh nga Tirana. - Mikpritja e tij dhe e shqiptarëve të Borasit ishte e rrallë. Po aq e rrallë ishte dhe respekti që ai gëzonte mes bashkatdhetarëve tanë në Suedi.

Gladiola Jorbus. Bijë durrsake, Poete, shkrimtare, përkthyese, tani në Suedi: Vigani shtatlartë që shëmbëllen si një viking i vërtetë, me aktivitetin, punën e palodhur, traditën, integritetin, mikpritjen dhe familjen shembullore, është një aset i botës shqiptare në perëndim. Revista “Dituria”. Suedi. Artikull. “Vikingu shqiptar Sokol Demaku”. 27. 12. 2018.

Nëse Vironi do të vazhdonte kështu, me përshtypjet e miqve këtu e përtej, i duhet të botojë vëllimin e tretë, kushtuar Sokolit.

Në fund më duhet të përmend edhe dy elementë që i shtojnë vlerat librit:

- Së pari: ka shumë fotografi, ku vetiu është Sokoli mes miqve, kolegëve, shokëve në mësuesi, poezi dhe shkrimtari, këtu në Shqipëri dhe Suedi. Të gjitha janë dëshmi e kohës, që shërbejnë jo thjesht për ilustrim libri, por si dokumente të një kohe të shkuar, e mbushur me shumë veprimtari, miqësi e atdhetari.

- Së dyti: Vironi është kujdesur që në fund të librit të vendosë Bibliografi, ku përfshihen të gjithë burimet e informacionit. Një zakon sa i bukur aq edhe serioz i Autorit, për çdo libër që boton, në veçanti për libra të tillë “Monografi”. Një mësim për lexuesin dhe për çdo krijues, sepse kështu i shtojmë vlerat librit, madje edhe vetë autorit.

Urime miku ynë Sokol Demaku, të urojmë shëndet të mirë dhe punë të mbarë në krijimtari të bukur dhe me vlera letrare dhe atdhetare.

Përshëndetje i nderuar Viron Kona, që ngre lart figura si Sokol Demaku, që nderojnë Drenicën, Dardaninë dhe mbarë botën shqiptare. Çuditë nuk ndodhin rastësisht......!

Suksese! Në pritje edhe të librave të tjerë, si përherë, me po kaq vlerë.

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Durrës. Vjeshta e parë, 2025.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx