| E shtune, 13.09.2025, 06:56 PM |
Kadri
Tarelli shkruan:
Jeta është jetuar, kur ka diçka për të treguar! - Bashkim Kadiu
KUSH GUXON MË SHUMË POETI APO SHKRIMTARI.......?
Viron Kona në librin “Guximi i poetit”,
kushtuar veprimtarit Sokol Demaku
Para pak kohësh, miku ynë i vjetër Viron Kona më
dhuroi librin e tij më të fundit “Guximi i Poetit”, kushtuar poetit,
publicistit dhe përkthyesit shqiptar në Suedi, Sokol Demaku.
E falënderova, njëkohësisht i urova suksese për
libra të tillë, ku përshkruhet veprimtaria dhe krijimtaria letrare e mikut tonë
të hershëm Sokol Demaku, bir i Drenicës në Dardani, por që jeton, punon dhe
krijon prej vitesh në Suedi. Është libri i dytë që i kushtohet Sokol Demakut,
pas librit “Kur vjen Sokoli”.
Ky botim “Guximi i Poetit”, është një lloj
monografie e ndarë në dy pjesë:
Pjesa e parë: Një paraqitje e
shkurtër e veprimtarisë jetësore të Sokolit, si mërgimtar, si mësues dhe më
shumë si veprimtar, i cili në kushtet e jetesës dhe mbijetesës gjeti forca dhe
mundësi të bëjë diçka më shumë se detyra e mësuesit në shkollën
“Fjardingskolan” të qytetit të Borasit.
Si fillim binjakëzim me shkollën publike
9-vjeçare “Demokracia” në Durrës, duke shkëmbyer vizita të ndërsjellta të
drejtuesve e më tej të mësuesve, nxënësve, prindërve dhe drejtuesve lokal. Më
pas vizita dhe takime në institucionet shtetërore dhe arsimore të Durrësit, si
në Bashkinë e qytetit, Drejtorinë Arsimore, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
dhe në disa shkolla 9-vjeçare, publike dhe jo publike të qytetit.
Koha vërtetoi se Sokoli nuk u ndal me kaq, sepse
takimet u shtrinë edhe në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit, në Radio Tirana, në
disa shkolla të qytetit dhe në panaire librash. Ndërkohë, në qytetin Boras,
Sokoli filloi të botojë revistën “Dituria”, më pas emisione shqip në radio, për
të arritur në emisione në TV. Synimi ishte për më tej: - Filluan të organizohen
festivale poetike me pjesëmarrjen e poetëve nga të gjithë trevat Arbnore, njëkohësisht
edhe nga mërgata shqiptare e shpërndarë nëpër botë. Një formë e admirueshme për
të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, për të mbajtur lidhjet me
rrënjët e mëmëdheut, njëkohësisht edhe lidhjet mes bashkëkombësve tanë. Besoj
se e gjithë kjo veprimtari nuk është pak për vlerat që krijon dhe rrezaton, ku
në zemër të tyre ishte dhe mbetet Sokol Demaku, i papërtuar dhe i kudo ndodhur.
Për këndonjësin të gjitha janë vështrime
interesante, ku ka shumë brumë historie, qëndresë dhe frymë atdhetarie, takime
pune dhe krijim miqësie mes shqiptarëve me njëri tjetrin, por më shumë të
lidhjeve mes dy vendeve, dy popujve që ndodhen larg gjeografikisht, por që e
duan dhe vlerësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Mjafton t’i hedhësh një sy të mprehtë gjithë
veprimtarisë, duke përfshirë edhe krijimtarinë letrare, i besoj fjalëve të
autorit Viron Kona, i cili shprehet:
“Duke parë të gjitha këto punë dhe
veprimtari të shumta, secili nga ne, mund të shtrojë pyetjen, që në heshtje
duhet t’i përgjigjet po vetë: Ku e gjen Sokoli kohën dhe energjinë, për të
përballuar këtë ngarkesë kaq të madhe? Sepse gjithçka përkthehet në kohë,
mendim e kulturë, mundim dhe përkushtim, për të nisur e bitisur idetë dhe
projektet, sado të thjeshta qofshin ato”.
Në pjesën e dytë, autori përqendrohet në
krijimtarinë letrare, si poet, publicist, përkthyes e studiues i vëmendshëm,
veçanërisht ndaj temave që prekin çështjen kombëtare shqiptare.
Të them të drejtën, unë Sokolin e kam njohur më
së shumti si poet e më pak si prozator. Përmend: “Plagë zemre”, përmbledhje
poetike, Lundra ime,...... etj, etj.. Por duke u shtrirë gjerë e gjatë në faqet e
këtij libri, po bindem se Sokoli është edhe prozator i mirë. Ndaj po pyes
Vironin: Kush guxon më shumë, poeti apo shkrimtari.....? - Thonë se guximtar
është poeti, i cili kur frymëzohet flet e qaset me perëndinë. Ndërsa unë gjykoj
pak më ndryshe, pasi është romancieri që pasi gjen temën dhe konfliktin, rri me
muaj dhe vite duke i përplasur heronjtë, deri në çastin përfundimtar, kur
shkruan “Fund”. Mendoj kështu, se në fushën e romanit kërkohet jo vetëm
frymëzim dhe dëshirë për të shkruar, por një njohje e realitetit mjedisor dhe
ngarkesë të madhe mendore, për t’u shtyrë në botën e intrigave, përplasjeve të
personazheve, për të përtypur problemet e kohës, duke arritur në përfundim të
kumtit që u duhet përcjellë lexuesit. Njëkohësisht duhet të jesh i besueshëm në
ato që thua dhe që shkruan. Po përmend shkurtimisht:
- Një analizë e shkurtër merret me librin “I
madhi Castriot, me llagap SKËNDERBEU - Mbreti i Shqipërisë, Duka i Madh i
Epirit”. Libri mban autorësinë e Zannovich, Stephan, apo Stiepan, botuar në
Stockholm të Suedisë nga Anders Zetterberg, 1788. Nuk e teproj të them se vetëm
ky zbulim, dhe ky përkthim nga suedisht në shqip, do ta vendoste emrin e
Sokolit në majën e letrave shqipe. Unë i kushtova një shkrim, që u publikua në
disa gazeta dhe portale: Gazeta “Bota sot”. Dardani. 28. 11. 2021, Revista
“Dituria”. Suedi. 29. 11. 2021. Gazeta “Dielli” SHBA. 29. 11. 2021, Fjala e
lire. Londër. 03. 12. 2021,
Në vazhdim analizohen tre romanet:
a. “Një pyll i çuditshëm”, për të cilin edhe unë
kam bërë shkrimin me titull: “Pse na e ndanë qytetin?”, publikuar në: Gazeta
“Bota sot”, Dardani. 19. 11. 2022, “Fjala e lire”, Londër. 19. 11. 2022, Gazeta
“Ndryshe”. 03. 12. 2022.
b. “Çou Rexho – Çou djalo” dhe
c. “Tri valixhe për nënë e babë”, me autorë Sokol Demaku & Mimoza Dosti. Tematikat
janë të ndryshme, por problemet që ngrihen janë të thukta, si në marrëdhëniet
mes njerëzve, ashtu edhe në mes shteteve kur kanë probleme fqinjësore. Lexuesi
ka mundësi të futet në të fshehtat e ngjarjeve, të shijojë artin e fjalës dhe
të ndërthurjeve, po ashtu edhe tronditjen shpirtërore, që ndjen kur ndeshet me
ndodhi të trishta deri në tragjedi, siç përshkruhet fundi i romanit “Tri
valixhe për nënë e babë”. Ku dërrmohesh kur lexon vetëm nga këto dy rreshta: “Jeta
në dukje shkëlqimtare. Ata prindër të mjerë, që kishin shkuar për vizitë te
djali i tyre me një valixhe, u kthyen në vendlindje të copëtuar dhe të mbyllur
në tri valixhe”. Një tragjedi që dhemb dhe njeriun e shemb, qoftë edhe me
zemër shkëmb.
Ajo që më duhet të theksoj, është gjetja dhe
kapja e temave nga ngjarjet e sotme, aq sa libri “Tri valixhet.....”, do ta
quaja letërsi moderne për kohën që jetojmë, sidomos për mërgimin dhe
mërgimtarët tanë që mësyjnë botën, duke menduar se aty është parajsa e vërtetë.
Unë dhe lexuesit e përhershëm, po ndeshim gjithnjë e më shpesh me shkrimtarë, të
cilët po lëvrojnë këtë temë që ka shumë dhimbje dhe prek jo vetëm individin e
familjen, por edhe kombin.
Ç’është e vërteta, një pjesë e të larguarve janë rregulluar disi, por jo të gjithë, pasi ka nga ata që me mendje-shkurtësi futen në veprimtari të dënueshme, ku rreziku është i madh dhe i përhershëm. Kambana tragjike që ka fundi i romanit, japin kumtin e hidhur, të egër deri në shpërfytyrim, por me kuptim pa mëdyshje, si mësim i përhershëm i historisë njerëzore: - “Askush nga këta njerëz nuk ka vdekur nga Zoti, por nga llumi ku janë futur”.
Pak më lart përmenda, se Autori e ndan librin
“Guxii i poetit”, në dy pjesë. Unë mendoj se duhesh ndarë në tri pjesë, sepse
ai vetë i ka lënë një hapësirë të madhe, ku flasin miqtë, shokët, të njohurit,
dashamirët, këtu në Shqipëri, të cilët prej gati 20 vjetësh, e kanë pritur e
përcjellë Sokolin, si në Durrës, në Tiranë, Vlorë, Përmet, etj, etj.
Po përpiqem t’i vendos sipas radhës në libër, të
cilën Vironi e quan:
“Një buqetë vlerësimesh për Sokol Demakun”.
Merita Kuçi Thartori. Poete e njohur durrsake,
me detyrë Drejtore në shkollën publike 9-vjeçare “14 Nëntori”, Durrës. Ajo, pak
kohë më parë, në prill 2025, ka qenë e ftuar në Festivalin Poetik që
organizohet çdo vit në Boras. Suedi, ku u vlerësua me çmimin “PENA E ARTË”.
Poetja shprehet:
- Sokolin e kishim shpesh të ftuar në
shkollën tonë “14 Nëntori”, në Durrës, apo mes miqsh dhe kolegësh të
profesionit të mësuesit. E kishim parë të ndjente kaq emocion dhe krenari tek
fliste në bisedat tona, mes nxënësve dhe mësuesve, tek shprehej i pa lodhur për
punët në emigracion për të mbajtur gjallë gjuhën e nënës, pa lënë mënjanë
mirënjohjen për shtetin Suedez dhe njerëzit me të cilët bashkëpunuan.
Ullmar Qvick. Albanolog
suedez. Mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
- Sokoli është për t’u lavdëruar për zellin
e tij, entuziazmin e zjarrtë, dhe iniciativat e tij të shumta në dobi të
marrëdhënieve shqiptaro-suedeze. Ullmari, i cili zotëron shkëlqyeshëm gjuhën
shqipe, merr në analizë Romanin “Çohu Rexho – Çou djalo!”. Gjuha e pastër....!
Librin e rekomandoj edhe për arsye të përshkrimit të ambientit, me tradita dhe
zakone pak të njohura për rininë e sotme Shqiptare. Faqe 265.
Prof. dr. Hektor Veshi. Shkrimtar
e studiues. Tiranë. -
E pa ndarë dhe intensive shfaqet dashuria e
tij për tri “Vatrat”, larg gjeografikisht njëra me tjetrën, por “një” në zemrën
e tij: Kosovë - Suedi e Shqipëri. Në “një” i bashkon ai trojet tona.
Delo Isufi. Poet. Tiranë. – Pastaj, kur Sokoli
largohet, ne lëçisim krijimet e tij. Aty gjejmë shpirtin poetik e atdhetar. Aty
jem ne të gjithë. Ky është i mrekullueshmi, miku ynë i mirë, Sokol Demaku.
Avdyl Buçpapaj. Ish drejtor i Shkollës
Publike 9-vjeçare “Demokracia” në Durrës, i cili ka qenë dhe mbetet autor i
lidhjes dhe bashkëpunimit me Sokolin, me mësuesit, nxënësit e prindërit. Ai
guxon kur thotë: – Një Shqiptar që e
meriton emrin Sokol!..... Një mësues pasionant, i dashur me nxënësit dhe shumë
i respektuar nga ata. Gjithnjë në lëvizje.... gjithnjë me një projekt në
dorë...... në drejtimin e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Boras,
njëkohësisht të Revistës, më tej Radios dhe TV. në gjuhën Shqipe, me të njëjtin
emër “Dituria”.
Kadri Tarelli, në rolin e
gazetarit. I
gjendur kurdoherë pranë, që ka pasqyruar në shtypin e kohës, të gjitha takimet
këtu në Durrës, shpesh edhe në Tiranë. Me kënaqësinë e një miku, shprehet: -
Sokol Demaku – model i veprimtarit atdhetar, që ngre lart vlerat e shqiptarisë
në Suedi. - Si fillim, në krye të shkrimit mendova të vendos titullin “Sokol
Demaku “Ambasador” i shqiptarëve në Suedi”. Shpejt ndërrova mendje. Kostumi i
“Ambasadorit” është shumë i ngushtë për trupin dhe shpirtin e Sokolit. K.
Tarelli. libri ”Misionarë në udhën e dijes”. 2013. Shkrimi: “Sokoli, për
çështjen shqiptare, është një “Ambasador” pa “ferman””. Faqe 92.
Muhamet Cenko. – Studiues,
Tiranë: -
Veprimtaria
krijuese e shkrimtarit Sokol Demaku është tepër e gjerë. Ai shkruan e shkruan
pa u lodhur, shkruan për atë që njeh e për atë që di. E shohim atë si poet,
prozator, gazetar, përkthyes e botues......!
Sejdo Harka. Gazetar e
studiues. Tiranë. -
Dy fjalë zemre për mikun Sokol Demaku: - Krenar, që me krenarinë e tij të
përçon forcë e adhurim. Energjik, si vetë energjia, që nuk ka as fillim, as
mbarim. Përherë i qeshur dhe i lumtur si vetë lumturia.
Bashkim Saliasi. Poet dhe
prozator. Tiranë. Ai
si koleg mësues e drejtues shkolle, ka pritur Sokolin në shkollën e tij, duke
dhënë një vlerësim jete dhe pune të pandërprerë: – Edhe pse ka dalë në
pension, ai përsëri vazhdon me një vullnet të çeliktë të punojë pa u lodhur në
fushën e krijimtarisë letrare-artistike dhe të përkthimit..... Duke punuar e
krijuar, ai sfidon moshën..........
Bujar Poçari. Publicist.
Tiranë. –
Sokoli nuk është thjesht emigrant ekonomik. Ai me punën dhe përkushtimin e tij,
del një misionar i palodhur i çështjes shqiptare në shtetin e Suedisë dhe më
gjerë.
Petrit Xhaja. Mësues.
Tiranë. Vizitor në Boras me një grup shkrimtarësh nga Tirana. - Mikpritja e tij dhe e
shqiptarëve të Borasit ishte e rrallë. Po aq e rrallë ishte dhe respekti që ai
gëzonte mes bashkatdhetarëve tanë në Suedi.
Gladiola Jorbus. Bijë durrsake,
Poete, shkrimtare, përkthyese, tani në Suedi: – Vigani shtatlartë
që shëmbëllen si një viking i vërtetë, me aktivitetin, punën e palodhur,
traditën, integritetin, mikpritjen dhe familjen shembullore, është një aset i
botës shqiptare në perëndim. Revista “Dituria”. Suedi. Artikull.
“Vikingu shqiptar Sokol Demaku”. 27. 12. 2018.
Nëse Vironi do të vazhdonte kështu, me përshtypjet
e miqve këtu e përtej, i duhet të botojë vëllimin e tretë, kushtuar Sokolit.
Në fund më duhet të përmend edhe dy elementë që
i shtojnë vlerat librit:
- Së pari: ka shumë fotografi, ku
vetiu është Sokoli mes miqve, kolegëve, shokëve në mësuesi, poezi dhe
shkrimtari, këtu në Shqipëri dhe Suedi. Të gjitha janë dëshmi e kohës, që
shërbejnë jo thjesht për ilustrim libri, por si dokumente të një kohe të shkuar,
e mbushur me shumë veprimtari, miqësi e atdhetari.
- Së dyti: Vironi është kujdesur që
në fund të librit të vendosë Bibliografi, ku përfshihen të gjithë burimet e
informacionit. Një zakon sa i bukur aq edhe serioz i Autorit, për çdo libër që
boton, në veçanti për libra të tillë “Monografi”. Një mësim për lexuesin dhe
për çdo krijues, sepse kështu i shtojmë vlerat librit, madje edhe vetë autorit.
Urime miku ynë Sokol Demaku, të urojmë shëndet
të mirë dhe punë të mbarë në krijimtari të bukur dhe me vlera letrare dhe
atdhetare.
Përshëndetje i nderuar Viron Kona, që ngre lart
figura si Sokol Demaku, që nderojnë Drenicën, Dardaninë dhe mbarë botën
shqiptare. Çuditë nuk ndodhin rastësisht......!
Suksese! Në pritje edhe të librave të
tjerë, si përherë, me po kaq vlerë.
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës. Vjeshta e parë, 2025.