Kulturë
Eda Zhiti: Muri i Visarit në Salerno
E merkure, 10.09.2025, 06:54 PM
MURI I VISARIT NË
SALERNO
Nga
Eda Zhiti
Është
një mur tashmë që ka emrin e Visar Zhitit në një qytet në Itali, në Salerno.
Pse, si ndodhi, ku pikërisht? Mos ndokush që kaloi andej, nxori ngjyrat që mund
të ketë patur me vete, spërkati murin, la një grafit dhe iku?
Po
e rrëfej se si është.
Në
fillim dy fjalë për Salernon e bukur, gjëndet në jug të Italisë, në bregun
perëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në Kampania, rreth 50 km larg Napolit.
Edhe Salerno njihet për peizazhet e tij mesdhetare, të mrekullueshme, për
kulturën dhe historinë që në kohët e perandorisë romake. Aty është themeluar
Shkolla Salernitana, më e vjetra në Europë. Qyteti sheh me fytyrën nga deti
Tirren, i kaltër dhe i thellë, që duket sikur sjell me dallgët dhe erërat
rrëfime të lashta, këngë të marinarëve mesdhetarë dhe frymë dashurie që ngjiten
në rrugicat e ngushta e në muret e vjetra.
Këtu
do të ndalim. Sa shumë poezi ka nëpër ato mure, vargje dhe ngjyra gjithkund.
Është
një projekt magjepsës i qytetit, - do të thosha, - i mbështetur nga Fondacioni
“Alfonso Gatti”, i poetit të tyre, ndër më të rëndësishmit në poezinë italiane
të shekullit XX, zë kryesor i hermetizmitI dhe projekti quhet “Muri d’Autore”
2025, Mure autorësh 2025, një bashkëjetesë mes artit urban dhe poezisë.
Muret
e qytetit janë shndërruar në faqe librash të hapura. Poezia është bërë pjesë e
jetës së përditshme. Ti ecën rrugëve dhe rrugicave të Salernos dhe lexon poezi
mureve, duke u krijuar kështu një dialog mes fjalës dhe figurës, kujtesës dhe
së tashmes. Mure që flasin. Na kujton ato graffitet spontane, me bojëra të
shpejta dhe të trazuara, shenja anonime si e folura me ngut, fryma e rrugës,
një klithmë rinore si nga instinkti, nga protesta, nga dashuria e fshehur që do
të shpërthejë mbi gurë, një energji e lirë, e pasistemuar, që shpesh përpiqet
të lërë gjurmë në një botë ku gjithçka fshihet shpejt.
Po
diçka duhet ruajtur. Dhe doli nisma “Muri d’Autore 2025”. Një komitet i përbërë
nga poetë, artistë dhe anëtarë të Fondacionit, duke u bazuar në rëndësinë e
veprave dhe lidhjeve të mundshme me qytetin e Salernos bën përzgjedhjen. Poetë
si Ungaretti e Montale dhe patjetër shoku i tyre Alfonso Gatto, por dhe Alda
Merini, Italo Calvino, Naz?m Hikmet, Pier Paolo Pasolini, Pablo Neruda, Pino
Daniele, Francesco De Gregori dhe Rocco Hunt, etj, janë aty për të pasqyruar
tematika universale si dashuria, natyra, identiteti dhe kujtimet, duke i dhënë
një dimension të ri hapësirave urbane. Kështu, qyteti shndërrohet në një
ekspozitë të hapur. Çdo kalimtar bëhet lexues. Çdo mur një poezi. Lagjja –
antologji…
Është
piktori me emër arti Pinogreen, që e sheh kudo me furça dhe penele e kovat me
bojëra, ndanë muresh, skelave, shkallëve, më gjunjë, i shtrirë, që punon pa u
ndalur, i njohur tashmë për stilin e tij unik dhe teknikën e pikturës me letra
dhe ngjyra të forta, të ndritshme për të krijuar kompozita që bashkojnë tekstin
poetik me elemente vizuale të natyrës dhe jetës së përditshme. Një shembull i
veçantë është murali “Occhiveri”, i realizuar me përdorimin e qelqit të
ricikluar, që pasqyron angazhimin për mjedisin dhe bukurinë e thjeshtë të
jetës.
Ai
vizaton vargjet duke krijuar një lidhje të ngushtë mes fjalës dhe vizualitetit.
që kanë pasuruar jetën artistike të qytetit. Poezia në Salerno ka dalë nga
faqet e librave dhe është shndërruar në një pjesë të gjallë të peizazhit urban.
E mbetur përherë mureve…Në qendrën historike të Salernos në “Rione Fornelle”
është Muri i Visar Zhitit. Aty kanë qenë shkruar vargjet e tij.
Ty
prapë të erdhi koha të mendosh, o zemër!
Në
italisht:
E
daccapo
e’
giunta l’epoca di pensare
o
cuore!
Gjendet
në librat me poezi të Visarit, të botuara në Itali, dy gjuhësh, shqip dhe
italisht, të përkthyera mjeshtërisht nga Prof. Elio Miracco, “Confessione senza
altari”/ “Rrëfim pa altare”, “Diana Edizioni” 2012 dhe në “Strade che scorrono dalle mie mani”/ Rrugë
që rrjedhin nga duart e mia”, botuar vitin që shkoi, në 2024 nga “puntoacapo”
dhe libri mori çmimin e njohur për poezi “Camaiore”.
Nga
një perspektivë letrare, ky varg i Zhitit pasqyron një gjuhë të thjeshtë por të
fuqishme, ku emocionet e mëdha përshkohen me një intensitet të përmbledhur. Aty
bashkohen elegancën poetike me një angazhim qytetar dhe artistic, sipas
kritikëve, një manifestim i së bukurës që del jashtë librit dhe bëhet pjesë e
përditshmërisë urbane. Poezia në mur herën e parë kishte formën e një dallge,
me shkronjat e dorës me zbukurime lulesh, gjethe e arabeska. Kur ngjisje
shkallët e asaj shtëpie në Salerno, vargjet e Visari përballë kangjelave të
hekurta të dukej sikur donin të çonin dhe më lart.
Tani
është shkruar me të kuqe si gjaku dhe poezia ka formën e zemrës. Stilistikisht
përdorimi i harqeve dhe vijave të rrjedhshme të shkronjave krijojn një ndjesi
pulsimi dhe pasioni, duke i dhënë vargut një energji vizuale që harmonizohet me
temën e zemrës dhe të mendimit me zemër.
Në
sfond, dritat dhe hijet e shkallëve dhe bimët e vendosura shtojnë një ndjesi
intime dhe mikpritëse, aq karakteristike në lagjet e brendshme italiane. Zemra
e vizatuar me vargun e Visar Zhitit, rreh në të njëjtën kohë me rrahjen e detit
mbi breg. Është si të thuash: poezia dhe deti janë dy gjuhë të ndryshme të së
njëjtës ndjesi, njëra shkruhet me fjalë e ngjyra, tjetra me ujë dhe shkumë.
Valët
sjellin e marrin njerëz, kujtime, mall dhe plagë. Në këtë kuptim, poezia e
Visar Zhitit merr një rezonancë të veçantë mbi murin e qytetit mesdhetar: ajo
bëhet një zë i mërgimit, por edhe i kthimit përmes artit. Zemra e vizatuar me
vargun brenda dhe me emrin Visar Zhiti në anë si kapilar:e të kuq, është shenjë
dhe lidhje dashurie, që rreh njëkohësisht në dy vende, në atdhe dhe ku mund të
ndodhet nëpër botë. Për kalimtarin e zakonshëm zemra është një kujtesë e thellë
e copëtimit dhe e bashkimit të brendshëm, një “homeland” që bartet brenda
vetes.
Poezia
muret i bën të ndjejnë, ndërsa muret e zemrave t’i mbushë me mendim. Po edhe
mendimi ka gjak… Mure e Salernos duket kështu sikur kanë zemër dhe e kthejnë
poezinë në një regëtimë që nuk njeh kohë.
Gazeta Dielli