E merkure, 10.09.2025, 05:19 AM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Paradoksale, deputetët pasivë angazhojnë asistentë personalë!

E marte, 09.09.2025, 06:56 PM


Paradoksale, deputetët pasivë angazhojnë asistentë personalë!

Shkruan: Florim Zeqa

Ndonëse po kalojnë pesë muaj nga seanca e parë konstituive, Parlamenti ende zyrtarisht nuk është konstituuar. Mirëpo, kjo nuk është bërë pengesë që deputetët pasivë të angazhojnë asistentë personal me paga të majme nga buxheti i shtetit të Kosovës!

Asistentët margaritarë të legjislaturës së kaluar

Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ndonëse që pesë muaj nuk kanë bërë asgjë më shumë pos asaj që kanë nënshkruar praninë në seancë konstituive, kjo nuk i ka penguar ata që të angazhojnë asistentë personalë.

Kontratat me ta i kanë lidhur duke e shfrytëzuar një Rregullore të Kuvendit, e cila ua jep këtë mundësi.

Edhe pse në këtë fazë nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore dhe administrative për një veprim të tillë, për faktin se Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk janë funksionalizuar organet e tij, asistentët po e kryejnë "punën" e tyre!

Derisa këta asistentë kanë hyrë në listën e pagave, mësohet se të tjerët janë duke vazhduar t'i nënshkruajnë kontratat me deputetët pasivë.

Paradoksalisht dhe pa fije turpi deputetët pasivë, pa e ushtruar fare funksionin e tyre, në mënyrë të jashtëligjshme dhe të pamoralshme janë duke i angazhuar asistentët për seanca që zgjatin jo më shumë se 2-3 minuta!

Sipas burimeve zyrtare, deri më tani rreth shumica e deputetëve pasivë kanë angazhuar asistentët e tyre, të cilët tashmë kanë hyrë në listat e pagave, lartësia e të cilave arrinë deri në 900 euro!

Në këto rrethana, angazhimi i stafit mbështetës përveç se është i panevojshëm, ngre pikëpyetje etike dhe ligjore për mënyrën se si menaxhohet paraja publike në kushtet e bllokadës institucionale.

Bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, paga e asistentit të deputetit kap shumën prej 900.9 eurosh- bruto. Sipas kalkulatorit të pagës së Administratës Tatimore të Kosovës, 900.9 euro bruto i bie 729.47 euro neto. Që do të thotë se këto para i dalin në xhirollogari një asistenti të deputetit pasivë, që tash për tash nuk bën asgjë.

Papërgjegjësi dhe ndërgjegje e ulët e deputetëve pasivë

Seanca konstituive e Kuvendit është hapur më 15.04.2025 dhe prej asaj date nuk ka arritur të mbyllet zyrtarisht me konstituimin e Kuvendit.

Kjo e dëshmon nivelin ekstremisht të ulët të ndërgjegjës së deputetëve të kësaj legjislature që nuk bëjnë asgjë dhe marrin paga të majme me paratë e taksapaguesve të varfër, duke e kthyer Republikën e Kosovës në 'plaçkë lufte' për punësimin e militantëve partiak, miqve dhe familjarëve të tyre!

Deputetët deficient (të mangët në tru) që nuk mund t'ia dalin ta ushtrojnë vet mandatin e fituar me votën e qytetarëve, do duhej të tërhiqeshin nga posti i deputetit për t'i lënë vendin tjetrit që është i aftë të kryejë punën për të cilën është ngarkuar me voten e qytetarëve të vendit.

Jam thellësisht i sigurtë që sikur deputetët t'i paguanin nga xhepi i tyre, asnjëri prej tyre nuk do të angazhonin asistent personalë!

Duhet rikujtuar lexuesve se "Asistentët" e deputetëve janë nxjerrë me rregulloren e Kryesisë së Kuvendit nga legjislatura e kaluar e cila u funksionalizua si rezultat i nismës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka shumica e asistentëve janë të punësuar vetëm për deputetët e shumicës", por janë edhe deputet të partive tjera parlamentare që e kanë shfrytëzuar këtë padrejtësi ligjore për të angazhuar asistent personalë!

E quajta padrejtësi ligjore për faktin se, kur është në pyetje rritja e pagave minimale të shtresave më të rrezikuara në vend, asnjëherë nuk arrijnë të bëhen bashkë pozita dhe opozita, por kur janë në pyetje privilegjet e tyre personale ata nuk hezitojnë të bashkohen, qoftë nevoja edhe në mes të natës!

Diçka nuk është në rregull me ndërgjegjën tonë kombëtare! Dikush pagën 2 mijë euro plus me asistent të paguar nga shteti, e dikush tjetër me asistencë sociale me më pak se 150 euro! Ngjizja e një alternative të re politike dhe zgjimi i ndërgjegjës kombëtare janë imperativ i ngutshëm kohor për ta shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx