| E marte, 09.09.2025, 06:56 PM |
Paradoksale, deputetët pasivë angazhojnë asistentë personalë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ndonëse po kalojnë pesë muaj nga
seanca e parë konstituive, Parlamenti ende zyrtarisht nuk është konstituuar.
Mirëpo, kjo nuk është bërë pengesë që deputetët pasivë të angazhojnë asistentë
personal me paga të majme nga buxheti i shtetit të Kosovës!
Asistentët margaritarë të legjislaturës së kaluar
Deputetët
e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ndonëse që pesë muaj nuk kanë
bërë asgjë më shumë pos asaj që kanë nënshkruar praninë në seancë konstituive,
kjo nuk i ka penguar ata që të angazhojnë asistentë personalë.
Kontratat
me ta i kanë lidhur duke e shfrytëzuar një Rregullore të Kuvendit, e cila ua
jep këtë mundësi.
Edhe
pse në këtë fazë nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore dhe administrative për një
veprim të tillë, për faktin se Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk janë
funksionalizuar organet e tij, asistentët po e kryejnë "punën" e tyre!
Derisa
këta asistentë kanë hyrë në listën e pagave, mësohet se të tjerët janë duke
vazhduar t'i nënshkruajnë kontratat me deputetët pasivë.
Paradoksalisht
dhe pa fije turpi deputetët pasivë, pa e ushtruar fare funksionin e tyre, në
mënyrë të jashtëligjshme dhe të pamoralshme janë duke i angazhuar asistentët
për seanca që zgjatin jo më shumë se 2-3 minuta!
Sipas
burimeve zyrtare, deri më tani rreth shumica e deputetëve pasivë kanë angazhuar
asistentët e tyre, të cilët tashmë kanë hyrë në listat e pagave, lartësia e të
cilave arrinë deri në 900 euro!
Në
këto rrethana, angazhimi i stafit mbështetës përveç se është i panevojshëm,
ngre pikëpyetje etike dhe ligjore për mënyrën se si menaxhohet paraja publike
në kushtet e bllokadës institucionale.
Bazuar
në Rregulloren e punës së Kuvendit, paga e asistentit të deputetit kap shumën
prej 900.9 eurosh- bruto. Sipas kalkulatorit të pagës së Administratës Tatimore
të Kosovës, 900.9 euro bruto i bie 729.47 euro neto. Që do të thotë se këto
para i dalin në xhirollogari një asistenti të deputetit pasivë, që tash për
tash nuk bën asgjë.
Papërgjegjësi dhe ndërgjegje e ulët e deputetëve pasivë
Seanca
konstituive e Kuvendit është hapur më 15.04.2025 dhe prej asaj date nuk ka
arritur të mbyllet zyrtarisht me konstituimin e Kuvendit.
Kjo
e dëshmon nivelin ekstremisht të ulët të ndërgjegjës së deputetëve të kësaj
legjislature që nuk bëjnë asgjë dhe marrin paga të majme me paratë e
taksapaguesve të varfër, duke e kthyer Republikën e Kosovës në 'plaçkë lufte'
për punësimin e militantëve partiak, miqve dhe familjarëve të tyre!
Deputetët
deficient (të mangët në tru) që nuk mund t'ia dalin ta ushtrojnë vet mandatin e
fituar me votën e qytetarëve, do duhej të tërhiqeshin nga posti i deputetit për
t'i lënë vendin tjetrit që është i aftë të kryejë punën për të cilën është
ngarkuar me voten e qytetarëve të vendit.
Jam
thellësisht i sigurtë që sikur deputetët t'i paguanin nga xhepi i tyre, asnjëri
prej tyre nuk do të angazhonin asistent personalë!
Duhet
rikujtuar lexuesve se "Asistentët" e deputetëve janë nxjerrë me
rregulloren e Kryesisë së Kuvendit nga legjislatura e kaluar e cila u
funksionalizua si rezultat i nismës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për
çka shumica e asistentëve janë të punësuar vetëm për deputetët e
shumicës", por janë edhe deputet të partive tjera parlamentare që e kanë
shfrytëzuar këtë padrejtësi ligjore për të angazhuar asistent personalë!
E
quajta padrejtësi ligjore për faktin se, kur është në pyetje rritja e pagave
minimale të shtresave më të rrezikuara në vend, asnjëherë nuk arrijnë të bëhen
bashkë pozita dhe opozita, por kur janë në pyetje privilegjet e tyre personale
ata nuk hezitojnë të bashkohen, qoftë nevoja edhe në mes të natës!
Diçka nuk është në rregull me
ndërgjegjën tonë kombëtare! Dikush pagën 2 mijë euro plus me asistent të paguar
nga shteti, e dikush tjetër me asistencë sociale me më pak se 150 euro! Ngjizja
e një alternative të re politike dhe zgjimi i ndërgjegjës kombëtare janë
imperativ i ngutshëm kohor për ta shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme!