E shtune, 26.07.2025, 12:06 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Maloku: Nga Tel Avivi në Teheran - A po ndizet një përplasje qytetërimesh?

E marte, 01.07.2025, 04:54 PM


Nga Tel Avivi në Teheran: A po ndizet një përplasje qytetërimesh?

Nga Fadil Maloku

Duke qenë sot dëshmitarë të një përshkallëzimi dhe tensionimi gjithnjë e më alarmues ndërmjet Izraelit (lexo: “botës perëndimore”) dhe Iranit (lexo: “botës lindore”), i cili gjithashtu përbën një kërcënim të mundshëm për gjithë botën, mendoj se këto zhvillime aktuale meritojnë, përveç analizave të zakonshme ushtarake, politike, ekonomike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike, edhe një qasje sociologjike – më saktë, një analizë nga këndvështrimi i një “inxhinieringu sociologjik” të përplasjes së diskurseve dhe vlerave. Hipoteza që po ngritet në këtë shkrim (gjithnjë duke u mbështetur në metodologjinë e analizës së përmbajtjes) ka të bëjë me një dilemë “hamletiane”: A është ky tensionim global dhe kërcënim me përmasa të paprecedenta një produkt i:

• a) Tezës së Samuel Huntington-it mbi “përplasjen e qytetërimeve”,

• b) Luftës për dominim absolut të vlerave perëndimore mbi ato lindore, apo

• c) Luftës për dominim ekonomik – nën petkun kulturor

Së pari, duhet theksuar se kjo ndarje, apo më mirë të themi “barrikadim”, i cili po simulohet dhe ushqehet fuqishëm, është duke u kamufluar mediatikisht nga të dyja palët konfrontuese. Dhe natyrisht, ky angazhim i jashtëzakonshëm i potencialeve ushtarake (sidomos!) do të përshpejtojë në mënyrë “meteorike” thellimin e distancës sociale midis dy sistemeve vlerore: atij perëndimor dhe atij lindor. Kështu, pyetja qendrore shtrohet: A është ky përshkallëzim pasojë e “arkitekturës së frikës së ndërsjellë”, e ngritur për shekuj mbi dy fobi kolektive që sot janë në rritje të ndërsjellë – islamofobisë në Perëndim dhe westofobisë në botën islame? Kjo është padyshim një temë komplekse dhe tepër e vështirë për t’u elaboruar në një shkrim të vetëm. Aq më tepër, kur bota ndodhet në prag të një skenari që shumëkush e përshkruan si një Armagedon të vërtetë (nga hebraishtja Har Megiddo – “Mali i Megidos”, një vend ku janë zhvilluar beteja të rëndësishme në antikitet), edhe pse ky nuk është objekt i analizës sonë sociologjike.

1. Teza: “Përplasja e qytetërimeve”, apo një narrativë e politizuar?

Samuel Huntington, në veprën e tij të njohur Clash of Civilizations (1996), argumenton se pas shembjes së komunizmit, konfliktet nuk do të jenë më ideologjike apo kombëtare, por do të ndodhin përgjatë vijave civilizuese – veçanërisht mes Perëndimit dhe Islamit. Në pamje të parë, përplasja Izrael-Iran dhe polarizimi global që po shoqërohet me metoda të reja hibride dhe makiaveliste, duket se i japin të drejtë kësaj teze. Sepse jemi dëshmitarë të formimit të një “rreze të re identitare”, ku identitetet fetare dhe ato civilizuese (brenda vetëm disa ditësh të konfliktit) po marrin epërsi ndaj interesave kombëtare. Por nga dioptria ime sociologjike, kjo qasje më del e thjeshtuar. Pse? Sepse ajo injoron faktin se brenda vetë qytetërimeve ekzistojnë ndarje të mëdha:

• Bota islame nuk është homogjene – përçarjet shiite-sunnite, tensionet etnike dhe dallimet klasore e sfidojnë idenë e një qytetërimi unik.

• Perëndimi po ashtu nuk është trup i unifikuar – rritja e populizmit të djathtë, krizat e migrimit dhe polarizimi politik dëshmojnë përçarje të thella.

Në këtë aspekt, tezat e Huntingtonit ndihmojnë për të kuptuar kontekstin global, por në realitet më shumë e nxisin narrativën e konfliktit, sesa që e shpjegojnë atë në mënyrë objektive.

2. Teza: Konflikt vlerash – realitet apo konstrukt politik?

Vërejmë gjithnjë e më shumë që përplasja midis Izraelit dhe Iranit po interpretohet nga analistët si konflikt kulturor dhe vleror, jo domosdoshmërisht qytetërimor.

• Perëndimi paraqitet si kampioni i laicizmit, lirive të njeriut dhe demokracisë neoliberale,

• ndërsa Bota Islame shpesh stigmatizohet si regresive, patriarkale dhe rezistuese ndaj modernitetit dhe postmodernitetit.

Kjo ndarje është jo vetëm e njëanshme dhe e mbingarkuar me paragjykime, por edhe e rreme.

• Jo të gjitha shoqëritë islame janë armiqësore ndaj vlerave perëndimore; shumë prej tyre kanë histori të thella reformizmi dhe pluralizmi.

• Po ashtu, vetë Perëndimi shpesh bie në kontradiktë me vlerat që predikon – për shembull: racizmi sistemik, islamofobia institucionale dhe ndërhyrjet ushtarake pa legjitimitet moral. Pra, ajo që paraqitet si “përplasje e vlerave”, në fakt është shpesh instrumentalizim politik i identiteteve kulturore, që shërben interesave të fuqive të mëdha.

3. Teza: Luftë për dominim ekonomik – nën petkun kulturor

Në analizën e thellë, shumica e konflikteve që duken si fetare ose civilizuese, janë në thelb luftra për burime dhe dominim ekonomik.

• Lindja e Mesme përmban rezervat më të mëdha të energjisë, dhe Irani synon të luajë rol udhëheqës në rajon duke sfiduar interesat e SHBA-së dhe Izraelit.

• Në anën tjetër, Izraeli – i mbështetur fuqimisht nga Perëndimi – trajtohet si bastion strategjik për kontrollin e resurseve dhe influencës politike. Siç thotë edhe fjala e urtë: “Pas çdo interesi politik, fshihet një interes ekonomik.” Prandaj, narrativat ideologjike e kulturore janë shpesh vetëm perde që mbulojnë luftën reale për pushtet ekonomik dhe kontroll simbolik.

? PS Nga këndi sociologjik, përshkallëzimi aktual midis Izraelit dhe Iranit ende nuk mund të klasifikohet si përplasje e pastër qytetërimesh. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që nuk jemi shumë afër një përplasjeje të tillë simbolike me përmasa globale dhe pasoja të mundshme apokaliptike. Ky skenar, ngadalë por sigurt, po ushqehet nga mediat (nëpërmjet luftës hibride), nga industritë ushtarake dhe nga retorika e politikanëve që ndërtojnë realitete përmes narrativave që vetëpërmbushen. Kur media, politika dhe edukimi e paraqesin botën si një përballje të pashmangshme midis Lindjes dhe Perëndimit, atëherë kjo përplasje nuk mbetet më vetëm parashikim, por projekcion që kërkon realizim…

Fadil Maloku

19 Qershor, 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx