E shtune, 26.07.2025, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Pilo Zyba: Një 'bombë' që duhej publikuar më herët për lexuesin shqiptar

E diele, 29.06.2025, 01:50 PM


NJË "BOMBË" QË DUHEJ PUBLIKUAR MË HERËT PËR LEXUESIN SHQIPTAR

NGA PILO ZYBA

Së fundmi ka dalë nga shtypi libri me titull "Hapja e perdes së hekurt", botuar nga shtëpia botuese M&B, me autor diplomatin dhe profesorin e njohur, dr. Ilia Zhulati.

Dr. Ilia Zhulati jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga fillimi i viteve '80. Gjatë periudhës 1980–1990, ai shërbeu si sekretar i ambasadës tonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në SHBA.

Vlen të theksohet se Ilia u bë diplomat që në moshën 30-vjeçare — një dëshmi e qartë e pjekurisë, seriozitetit dhe përgatitjes së tij profesionale. Ai përfundoi studimet në Shkollën e Bashkuar Ushtarake, por pasioni për diplomacinë dhe gjuhët e huaja e shtyu të shikonte më larg dhe të ndërmerrte sfida të reja.

Në këtë shkrim nuk dua të ndalem gjatë te karriera e tij e pasur, por te ajo që ai i ka dhuruar lexuesit shqiptar përmes këtij libri.

Brenda faqeve të tij gjenden vlera historike të periudhës që përshkruhet — me të mirat dhe të këqijat e asaj kohe, por edhe me betejat që autori zhvilloi si për veten e tij, ashtu edhe për kombin shqiptar.

Shpesh, përballë situatave të vështira, ai ishte i detyruar të merrte iniciativa personale, të cilat ndonjëherë binin ndesh me vijën zyrtare të sistemit, ku ai vetë ishte pjesëtar dhe përfaqësues.

Megjithatë, Ilia u tregua vizionar, luftarak dhe i palëkundur në bindjet e tij. Jo pak herë, ai sfidoi edhe ata që i kishin besuar detyrën dhe vendin në diplomaci.

Këto iniciativa i ndërmerrte shpesh pa u konsultuar me të tjerët, duke qenë ende i ri në moshë, por me një energji të pashtershme dhe me një guxim që nuk e ndalte frika nga sistemi.

Libri është ndërtuar në tri linja kryesore, të cilat e bëjnë atë jo vetëm të larmishëm, por edhe tërheqës dhe të këndshëm për lexuesin.

Së pari, kemi qasjen autobiografike, ku autori vendos veten në qendër të rrëfimit si protagonist, diplomat, mik, shok dhe qytetar. Ai vepron i shtyrë nga ndjenja e së drejtës, edhe pse politika e kohës ishte kufizuese dhe shpesh mbytëse.

Në kontakt me emigrantët shqiptarë, të cilët për vite me radhë nuk kishin mundur të takonin familjet e tyre në Shqipëri, ai përpiqej të ndikonte si diplomat që atyre t'u jepej e drejta për t'u ribashkuar me të afërmit — natyrisht, kur ata nuk kishin kompromentuar veten me veprime të dënueshme.

Në këtë mënyrë, ai fitoi respektin dhe simpatinë e emigrantëve, ndërsa brenda strukturave të sistemit lindën zilija, urrejtja dhe keqdashja e eprorëve të tij.

Megjithatë, me këmbëngulje dhe përkushtim, ai arriti të krijojë rreth vetes një rrjet të gjerë dashamirësish dhe njerëzish me dëshirë për të ndihmuar atdheun.

Së dyti, libri sjell një dimension protokollar dhe historik. Çdo veprim i tij diplomatik ishte i protokolluar, i argumentuar dhe i dokumentuar, me firmën e tij ose të eprorëve.

Kjo e bën të mundur që ngjarjet e asaj kohe në SHBA të na vijnë sot të sakta dhe të verifikuara përmes arkivave dhe dokumentacionit zyrtar. Faktet flasin vetë, duke eliminuar çdo mundësi për keqinterpretime apo spekulime.

Në atë periudhë, Ilia u akuzua për liberalizëm dhe për bashkëpunim me amerikanët, por asnjëherë nuk arritën ta dëmtonin realisht, pavarësisht letrave të shumta që dërgoheshin në Ministrinë e Jashtme.

Në një rast, siç përshkruan autori, ai u thirr në Shqipëri me qëllim arrestimin, por përballë fuqisë së fakteve dhe së vërtetës, autoritetet nuk arritën të realizonin atë skenar.

Së treti, një element shumë i rëndësishëm është këndvështrimi origjinal që autori ofron mbi situatat e kohës dhe vendimet që merrte.

Në çdo hap, ai njoftonte Ministrinë e Jashtme dhe priste përgjigje, por falë talentit, maturisë dhe iniciativës personale, arrinte të zbatonte me sukses veprimet e nevojshme.

Në libër gjenden shumë fakte konkrete që e vërtetojnë këtë.

Pas vdekjes së diktatorit, Ilia merr edhe më shumë iniciativa të guximshme. Ai nis të zhvillojë takime më të shpeshta me diplomatë të huaj, veçanërisht me ata amerikanë, anglezë e francezë, duke qenë se kishte kryer studime për gjuhët e huaja në disa nga universitetet më prestigjioze të Francës, Danimarkës dhe më vonë në SHBA.

Në këtë pjesë të librit bie në sy njohja e thellë e autorit me realitetin ndërkombëtar dhe me rëndësinë e lidhjes së Shqipërisë me botën e lirë.

Analiza e tij e detajuar dhe e mençur mbi rrethanat e vështira në të cilat ndodhej vendi, si dhe rëndësia e integrimit me Perëndimin, e bëjnë këtë vepër të veçantë.

Ilia ecën përpara me maturi, zgjuarsi dhe guxim, duke fituar terren, por pa rënë pre e kurtheve që sistemi totalitar i krijonte vazhdimisht.

Me iniciativën e tij, në ato vite u ngritën shumë çështje në OKB që lidhen me çështjet shqiptare. Ato ishin:

* Çështja e kanalit të Korfuzit;

* Çështja e Kosovës;

* Çështja e bashkëpunimit me emigrantët shqiptarë në botë.

Autori i librit, njëkohësisht sekretar i parë i ambasadës së Shqipërisë në OKB, në New York, u drejtohej shpesh eprorëve të tij me këto fjalë:

"Emigrantët nuk janë armiq të shtetit dhe të kombit shqiptar, por janë armiq të sistemit tonë politik."

Ai tregon se si e ka krijuar dhe ndërtuar lidhjen me emigrantët dhe intelektualët me origjinë shqiptare. Këtë e pasuron me emra, fakte, foto dhe diskutime konkrete.

Më tej, autori i librit paraqet fakte të shkruara për Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë, z. Ramiz Alia, në lidhje me mundësinë e krijimit të marrëdhënieve diplomatike në rang ambasadash midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Në këtë përpjekje, që nuk ishte aspak e lehtë, ai paraqet bisedimet e tij me të dërguarin si përfaqësues i SHBA-së, zotin Moskos. Ai e arriti këtë sukses kur në Vjenë, në vitin 1990, së bashku me përfaqësuesin amerikan, caktuan ditën për të kryer këto veprime bilaterale në maj të atij viti.

Në shkrimin tim, gjërat mund të duken se rrjedhin thjesht. Uji i mendimit duket se rrjedh qetë dhe lirshëm, por në lidhjen e ambasadave, gjendja nuk ishte aspak siç është sot.

Këto zhvillime, autori i librit, Dr. Ilia Zhulati, i shpjegon me imtësi, duke përfshirë në faqet e librit për lexuesin edhe emocionet e çastit, por edhe sukseset e arritura në ato momente.

Mendoj se kushdo që do ta lexojë këtë libër do të kuptojë luftën e madhe dhe prapaskenat, derisa u arrit momenti i shtrëngimit të duarve dhe nënshkrimit të marrëveshjes me shtetin e madh amerikan. Pas kësaj arritjeje të madhe pati shumë duartrokitje, por edhe luftë për të marrë meritat në skenat politike. Megjithatë, me daljen e këtij libri dhe me faktet e publikuara, shumë gjëra bien poshtë si të padrejta dhe të pavlera. Suksesi u përket atyre që shpirtin e tyre e kthyen në udhërrëfyes dhe që ëndrrat e tyre i bënë realitet.

Duke dashur të them se disa mendime i kam shprehur për këtë libër që tashmë është në qarkullim, dua të shtoj se zoti Ilia Zhulati është një pemë e madhe e mbjellë në themel të kombit, e cila duhet vjelur e shkundur vazhdimisht, në mënyrë që të marrim prej saj frutet e një kohe të shkuar, për t'i shërbyer të ardhmes.

Njerëzit dhe intelektualët e tillë duhet jo vetëm të vlerësohen për punën e tyre, por kjo punë duhet të bëhet pjesë e kulturës së gjerë, e lexuesve dhe e historisë sonë kombëtare.

Libri i Zhulatit nuk është thjesht një rrëfim personal, por një dokument që hedh dritë mbi funksionimin real të diplomacisë shqiptare në një periudhë të errët, mbi kufizimet, por edhe mbi hapësirat e vogla ku individë të caktuar, me guxim dhe vizion, mund të ndikojnë përtej skemave të sistemit.

I uroj zotit Ilia Zhulati dhe librit të tij rrugë të mbarë në duart e lexuesit, qoftë në anglisht apo në shqip, pasi libri është botuar në të dy gjuhët dhe është shpërndarë si në Shqipëri, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx