E shtune, 26.07.2025, 02:47 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Origjina banale e ferrit (xhehenemit)

E merkure, 18.06.2025, 05:57 PM


ORIGJINA BANALE E FERRIT( XHEHENEMIT)

Nga Prof. Blerim Latifi

Kur isha në Jerusalem dhe po shetisja në qytetin e vjetër, duke ndjekur hartën e monumenteve historike të cilën e mora në hotel, u drejtova në jugperëndim të qytetit në kërkim të një vendi, nga i cili nisi historia e njëres prej ideve më me ndikim në historinë e njerëzimit. Është fjala për idenë e Ferrit. Emri i  vjetër i vendit sot është zëvendësuar me një emër të ri: Wadi er-Rababi.

Po cili ishte emri i vjetër?  Gei Ben-Hinnom. Kur Besëlidhja e Re u shkrua në greqisht  ajo u bë Gehenna. Kuptimi i saj ishte i thjeshtë: Lugina e Bijëve të Hinnomit.

Për identitetin e këtij Hinnomit, historia nuk na thotë ndonjë gjë me vlerë.

Në atë luginë, në kohët e moçme, ndodhnin dy gjëra. E para: Hebrenjtë politeistë, që ende nuk i ishin nënshtruar Ligjit të Moisiut, kryenin aty rituale të sakrificës në nderim të zotit të tyre, Molokut. Ata sakrifikonin fëmijët e tyre, duke i djegur në zjarr.

E dyta: Lugina shërbente si vend ku banorët e Jeruzalemit digjnin mbeturinat e qytetit. Pra tërë kohën ai ishte një vend ku digjeshin zjarre. Profetët e udhëheqësit judaistë e mallkonin atë vend, si vend të idolatrisë, i cili fyente Zotin e Abrahamit, që kishte ndaluar sakrificën njerëzore.

Pas kthimit nga Mërgimi në Babiloni, Lugina e Gjehinnomit mori një përmasë tjetër në imagjinatën religjioze të hebrenjve. Ajo u transfomua nga një vend tokësor, në një vend metafizik dhe me këtë edhe nga një vend i rëndomtë ku politeistët digjnin sakrificat e tyre, në një vend misterioz ku Zoti do t'i dënojë shpirtërat e mëkatarëve.

Në këtë drejtim, zjarri i përditshëm dhe real në Luginën e Gjehinnomit, përmes imagjinatës, u kthye në zjarrin e përjetshëm të dënimit hyjnor në botën tjetër.

Besëlidhja e Re e ruajti këtë përfytyrim të transformuar të Luginës në jugperëndim të Jerusalemit. Tek Ungjilli i Mateut dhe ai i Markut Krishti flet për shkatërrimin e shpirtërave në zjarrin e pashuar të Gjehinnomit.

Kur më pas Krishterimit iu shtua teologjia e përpunuar në dialog me filozofinë dhe mitologjinë greke, Gjehinnomi hebraik u transformua në Ferrin e botës tjetër, në vendin e ndëshkimit të përjetshëm të mëkatarëve.

Në Islam Lugina e Gjehinnomit u transliterua në arabisht dhe nga kjo lindi termi islamik i Xhehenem-it. Orgjina etimologjike dhe semantike e këtij të fundit nga Gjehinnomi judaist është e drejtpërdrejtë. Pra nga Gjehinnomi judaist doli xhehenemi islamik.

Kështu e ka imagjinata fetare: vendet fizike dhe ngjarjet banale i shndërron në vende metafizike dhe transcendente. Pastaj vijnë frika dhe injoranca për ta bërë të besueshëm këtë transformim imagjinar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx