Kulturë
Albert Habazaj: Vaso Pata shkruan për piktorin Nestor Jonuzi, për dritën dhe shpirtin e Vlorës
E enjte, 29.05.2025, 06:55 PM
VASO PATA SHKRUAN PËR PIKTORIN NESTOR JONUZI, PËR DRITËN DHE SHPIRTIN E VLORËS
-
Parathënie e monografisë “Nestor Jonuzi” së Vaso Patës -
Nga
Albert HABAZAJ
Vaso
Pata shkruan për Nestor Jonuzin. Në fakt shkruan miku për mikun, intelektuali
për intelektualin, vlera për vlerën. Shkruan njeriu i shkencave të natyrës, të
cilit i ka peshë specifike fjala për mjeshtrin e tonaliteve ngjyrore të
peizazhit, të zotin e penelit të detit dhe qiellit. Në fakt, këtë monografi nuk
do ta quaja ngushtësisht një libër të Vasos për Nestorin. Vaso Pata shkruan për
dritën dhe shpirtin e Vlorës.
Kështu
që, pa drojë, mund të themi se lexuesi mund të ndihet i kënaqur, pasi ka në
dorë një libër të mirë, të shkruar me dashuri e vërtetësi, thjeshtë e
mençurisht, bukur e pastër, me mesazhe e fjalor të pasur, me fjalë të zgjedhura
e në respektim të kriterit hyjnor të respektimit të fjalës, sepse e njeh, e
peshon, e vlerëson dhe e nderon lakonizmin dhe shenjtërinë e fjalës.
Vaso
Pata ka lindur në vitin 1945 (një vit mbas Nestorit), është i njohur në qytet
dhe gëzon mirënjohjen qytetare, fituar me jetën dhe veprën e tij në edukimin e
sa e sa brezave. Ai është nder i arsimit në Vlorë, mësues, inspektor arsimi,
pedagog i lëndës së fizikës në Universitetin “Ismail Qemali”, autor tekstesh
mësimore, i monografive shkencore, një metodist model, njohës i shkëlqyer i
pedagogjisë dhe psikologjisë shkollore. Përveç punës së dobishme që ka bërë me
tekstet mësimore të fushës dhe librat metodologjikë, ai spikat edhe me tekste
informative për nobelistët apo “Sekretet bërthamore”etj., me heronj të shkencës
e viktima të dijes. Është mjeshtëria e autorit, që dobinë e shkencës na e bie
bukur, sa të na ngjallë emocione e të na sjellë kënaqësi. Ai është burrë zotni
e mendjehapur, që guxon e futet në detin e gjerë e të thellë të diturisë me
stilin e tij të preferuar të “notit”. Vaso Pata punoi për vite e vite të tëra
në një ndërmarrje të vështirë por lakmuese, legjendare por torturuese, me një
këndvështrim krahasimtar por lavdërues, siç janë “Simbolet e Vlorë në pikturë”.
Dhe ia doli mbanë e faqebardhë, falë edhe mundësisë si koleksionist i veprave
të artit, si mik i artistëve, si intelektual guximtar me intuitën profesionale
të vëzhgimit, si dhe duke qenë një studiues i vëmendshëm, i pasionuar dhe
këmbëngulës ndaj vlerave qytetare dhe kulturore që na dhurojnë piktorët me
koleksionet e tyre të bukura, aq mbresëlënëse.
Vaso
Pata e do shumë vendlindjen, ndjenjë kjo që e shpreh natyrshëm dhe me një
krenari fisnike. Ai ndjek me vëmendje dhe falënderime ata që bëjnë për Nartën,
ku ka lindur. Nuk ka se si t’i shpëtojë Vasos fakti që “Nestori ishte edhe
piktori i parë vlonjat që zbuloi dhe shijoi magjinë e rrugicave të Nartës”,
ndërkohë, që Vaso Pata ka mbi 150
koleksione të punëve të Piktorit tonë.
Edhe
unë, sikurse Vasoja, i shpreh mirënjohje të thellë Nestorit, sepse ndër shumë
motive që merr nga Labëria dhe Lumi i Vlorës, ai trajton edhe natyrën e
Tërbaçit tim me ata njerëz të mirë, me historinë, kulturën e personazhet, që
kanë lënë gjurmë. E kush nuk i është mirënjohës Nestorit!?
Vaso
Pata dhe Nestor Jonuzi janë dy burra të lartë me kulturë qytetare, që i bëjnë
mirë Vlorës dhe shoqërisë shqiptare.
Vaso
Pata është një aristokrat shqiptar i fizikës, njeri me fat dhe fatlumturisht
mirënjohës ndaj Nestor Jonuzit, të parit piktor vlonjat që ka njohur, i cili
është i mbarënjohur si një personalitet i shquar jo vetëm i pikturës shqiptare,
që ka merituar titullin më të lartë “Piktor i Popullit”, por i spikatur si
kulturolog me autoritet në thjeshtësinë e tij madhështore. Dashamirësit e
Nestorit e dinë që kompozimi është dashuria e tij në penel, ku kërleshet
bukurisht fort trinia: portret, peizazh, natyrë e qetë, në marrëdhënie aq të
ngrohta midis vajit dhe akuarelit. Këtë të vërtetë artistike na e thotë autori:
“Detet e Nestorit në akuarel janë po aq të bukur sa edhe ato në vaj”. Vetë jeta
e Nestorit ka qenë si deti, po det dimri me dallgë, të cilat përplaseshin
pamëshirshëm me egërsi në shkëmbin e karakterit të paepur të Piktorit. As kur
qe ende i brishtë dhe ende i ri, nuk e thyen dot, nuk e rrëzuan 23 vjeçarin e
talentuar. As me vërshimin e ashpër prej lubie të kritizerëve lipiputë, të
atyre palo censorëve eunukë ndaj “Zgjimit të aksionistes” - njërës nga më të
mrekullueshmet piktura të ëmbla të N. Jonuzit tejshikues, që monografisti Pata
e quan Sirena e Nestorit. Ata s’kishin ç’t’i bënin talentit të tij të
jashtëzakonshëm dhe, duke shfrytëzuar “kartën e biografisë”, i tundnin me
ngërdheshje tinzare “cenet biografike”… Të mbaruarit lumëzes të harruar koha në
llumin e neverisë i vërviti, se vetë u
fëlliqën...
...Kemi
dëgjuar që “rastësia është mbreti i
botës”. Dhe nuk thonë kot. Rasti e solli që këta çuna Vlore, 25-26
vjeçarë, të njiheshin në një mjedis jashtë qytetit të tyre, tutje, në Xibrakën
e largët në zonën e Labinotit - Elbasan në vitin 1970...
Pikërisht
atje nisi udhëtimi i gjatë i miqësisë të Fizikanit artist me Piktorin e ditur.
Dhe jo vetëm me fjalë, me veprime, shkëmbime mendimesh, idesh, mbështetjesh,
por domosdoshmërisht edhe me një “dokument” të posaçëm, siç i përshkuan me
dashuri e humor ato çaste aq të dëlira
me familjen e vëllezërve bujarë Mentor e Nestor Jonuzi. Vaso Pata u bekua nga
nënë Lakja dinjitoze, e bija e atdhetarit Ibrahim Abullahu, i cili njihej si
Rilindasi i Vlorës. Qe pikërisht nënë Lakja, ajo që e nderoi Vason me
certifikatën “Mik shtëpie i familjes Jonuzi, Vlorë”. Po ç’i ka hije Vasos ky
përshkrim si “lezet me kripë”!... Këto marrëdhënie kaq të mira e këtë lidhje
sivëllazërore të Vasos me dy djemtë e asaj nëne kapedane, vijoi aq harmonishëm
edhe nga bashkëshortja e Vasos - Eli me dy kunatat motra - Nolen e Dianën. Po ashtu, Vasoja e mbajti
miqësinë edhe me fëmijët e shtëpisë Jonuzi: Rubenin, Andin, Rudinën, Aulonën
dhe Simin (shkurtim i emrit të gjyshit, që mban nipi). Sinqerisht, këtë lloj
lidhjeje të veçantë dhe aq të admirueshme, mund ta quaj Miqësi familjare në
përmasat e Shenjtërimit njerëzor.
Nestorin
e njohin shumë, por Vasoja është i pari monografist i Nestorit apo i një
piktori të përmasave të Nestorit. Në këtë libër kemi Nestorin e njohur, sidomos
atë të panjohurin, por me aq vlera qytetare, kulturore, atdhetare.
Fizikën
dhe pikturën, dmth, Vason dhe Nestorin i bashkojnë edhe ngjyrat, të cilat
Vasoja i zotëron shkencërisht, ndërsa Nestori i përdor mjeshtërisht, duke
njohur mirë dhe shijuar sipas rastit (motivit, gjinisë) “gradacionin” e
ngjyrave.
Punimet
e Nestorit dallojnë që përtej, që janë të tij, edhe sikur mos ta kenë të
shënuar emrin a firmën, sepse njihet dora e Nestorit. Ai ka stilin e tij, ka
fizionominë e tij të lartë morale, shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, që i
ka dhënë vulën artistike, qysh në vitin 1967 a më parë...
Nestori
është piktor i identitetit të qytetarit vlonjat. Sikurse në jetë, edhe në
pikturë, tek ai vëren harmoninë e qytetarit me atdhetarin, të njeriut besnik e
fjalëmbajtës, po qe nevoja edhe me sakrifica, sepse atë edukatë mori nga
prindërit, nga gjimnazi, nga liceu, nga arti, nga jeta.
Rikthehemi
tek libri i Vasos për Nestorin. Libri më duket si një ndërtesë 5 katëshe, me
themel të forta shkrimore, me një lëndë cilësore, ndërtuar për bukuri nga Ustai
i Ndërtimit Bukurshkrimor Vaso Pata. Unë nuk do të zbërthej librin e Vasos, se
s’është misioni im, por 2-3 mbresa do t’i shpreh.
Vasoja,
qysh në fillim na jep pemën gjenealogjike, atë kulturore - shkencore dhe
atdhetare e bujare të familjes Jonuzi në Vlorë, atë që i nevojitet lexuesit të
sotëm dhe kohës. E njeh dhe e vlerëson gjithë Vlora dhe bota shkencore e vendit
babain e Torit dhe Nestorit, dr.Tahsin Jonusin, një intelektual i shquar,
qytetar i lirisë dhe antifashist nga ata të vërtetët, që u lidh me Lëvizjen. Ai
rridhte nga një familje tregtare, i biri i të mirënjohurit Musa Jonuzi dhe
kishte lindur në Elbasan më 10 Mars 1912. Ky normalist i Elbasanit, jetoi në
Vlorë, ku krijoi dhe familjen. Në moshën 20 qe universitar i Innsbruck, Austri
dhe në vitin 1937, po në universitetin “Leopoldina Fransiscea”, Fakulteti i
Filozofisë, Innsbruck, pasi vlerësohet lavdërueshëm në Histori dhe Arkeologji,
fiton gradën shkencore “Doktor në filozofi” me disertacionin “Topografia dhe
rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra”. Ai punoi mësues, drejtor i
Institutit Tregtar, Vlorë, drejtor i Apollonisë, ... por nuk e lanë bishat
naziste studiuesin të ndizte dritë për shkencën e brishtë shqiptare. E internuan
dhe e ekzekutuan në kampin famëkeq nazist të shfarosjen së masë, Mauthausen, më
1 Gusht 1944, në moshën 32-vjeçare. Kujtojmë, që nën kujdesin e mbesës Aulona
Nestor Jonuzi, të shtunën e 13 nëntorit 2021, në Ujë të Ftohtë, Vlorë u bë një
përurim serioz dhe i merituar i librit “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të
Shqipnis në kohët e vjetra” (270 f., me referenca, bibliografi, indekse, harta,
faksimile, etj.), punimit shkencor me të cilin Tahsin Jonusi, mbrojti
doktoraturën në Austri, botuar në shqip si libër mbas 84 vjetësh nga Onufri
përkthyer nga origjinali nga Frida Vokopola dhe Albert Gjoka, me parathënie nga
prof. Përparim Kabo. E ku e gjen më kumbueshëm se në këtë rast domethënien
fjala e të parëve “Jeni mjalti i mjaltit tim”?!
Në
këtë monografi kemi një paraqitje jo thjesht njohëse që rrjedh sipas kriterit
kronologjik, veçse kemi të bëjmë me një libër të gjallë, të zhdërvjellët e
dinamik, ku na duket sikur çdo gërmë e fjalë merr frymë dhe unë e ndjej atë
frymë ngrohtësisht të pastër.
Kjo
monografi i thyen ca klishe shkrimore të lodhshme e i shpërfill bindshëm ato
frazat shabllone, pa frymë njerëzore e pa pikë gjaku. Pra, libri është i
ndërtuar me 5 kre. Pas hyrjes përnjohëse që bën autori, kreu i parë na njeh me:
“Hapat e parë të një piktori”, i dyti na shpalos pamje mahnitëse nga “Piktura
vlonjate dhe Nestor Jonuzi”, ku falë Mësuesit të Parë Human Vasil Talo,
spikatën piktorët Skënder Kamberi, Sabaudin Xhaferri, Hilmi Bani, Nestor
Jonuzi, Skënder Milori, Rakip Shabani, Petrit Ceno, Ovanes Rrapi, Bujar Kapo,
Lefter Shtëmbari e “floriri i vogël”Agron Dine. Pra, Nestori është një nga
nismëtarët e themelimit të shkollës artistike në Vlorë e sidomos, një nga
krijuesit e “Shkollës Vlonjate” të pikturës, siç e cilësoi kritiku i Artit
Kudret Velça këtë grupim talentesh të penelit në vitet Gjashtëdhjetë, që dha
ndihmesën e tij edhe në emancipimin konceptual dhe kulturor të pikturës
shqiptare. Unë mendoj se si Poeti i Fizikës, edhe Piktori i Mendimit ndihen
mirë, që Stafeta e Shkollës Vlonjate të Pikturës ndihet mirë e sigurt në
penelin e Agim Sulajt, Arben Meksit, Edi Kojanit, Artan Shabanit, Roland Runaj.
Ndërkohë,
mund të themi se nuk mund të kuptohet Nestor Jonuzi pa “Gëzimin e fitores”.
Piktura shqiptare do të ishte e cunguar pa këtë tablo. Kështu që tek kreu i
tretë është tërësisht i kompozimit të madh “Gëzimi i fitores”, i lidhjeve të
tij me punimet pararendëse të Piktorit tonë, i simbolikës së fuqishme të
“Kështjellës”, që mbart simbole më domethënëse dhe përtej çdo kohe e përtej çdo
hapësire, sepse Kështjella na mbron dhe na lejon të jetojmë ashtu siç duam të
jetojmë, edhe sipas këndvështrimit të Poetit të Fizikës, që është shumë i
qartë, i plotë e mbushmendës.
Kreu
i katërt merret me “Nimfat e ujit” apo akuarelet. Ato janë të brishta, me shumë
naze e teka. Për to nuk jepen shumë nota. Ka vetëm 2: ose dysh, ose dhjetë me
yll. Nuk ka notë katër,që ta përsëritësh në vjeshtë për ta marrë. Dhe këtu
Nestori shkëlqeu.
Kreu
i sipërm, ai i pesti paraqet një përmbledheje përmbyllëse shumë të bukur mbi
“60 vjet krijimtari artistike” të Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi.
Duke
shkruar këto shënime të vogla për këtë libër lakonik me gjerësi shpirti e
thellësi mendimi, mu kujtua, ajo shprehja, që sa sa bukur e thotë Vasoja, qysh
në nisje të këtij nderimi të merituar shkrimor: “Nestori më mësoi alfabetin e
pikturës”.
Kujtoj
tablonë “Vjelja e qershive”, që erdhi 10 vjet mbas “Zgjimit...” të 1973-shit,
punë të cilën autori e analizon me vëmendjen që meriton.
Në
këtë monografi na vjen Nestori që njohim dhe ai që nuk kemi mundur ta njohim si
njeri, si gjimnazist, si liceist, si sportist, altet e notar kampion i detit në
gara noti e kampion në magjinë e ngjyrave, që përdorte Nestori si artist.
Njihemi me Nestorin si ndikues formësimin në Shkollën Vlonjate të Pikturës, me
Nestorin dhe risitë që solli në pikturën shqiptare, si dhe me raportin talent
punë i Piktorit tonë.
Përveç
talentit, Nestor Jonuzi pati fat për pedagogët piktorët e shquar Abdurahim
Buza, Kel Kojdheli, Janaq Paço, Nexhemdin Zajmi, Vilson Kilicën. Me një veprimtari
krijuese shumëplanëshme, me ekspozita të shumta në vend e jashtë shtetit, me
vepra në fondin e Galerisë Kombëtare, Vlorë, muze e tek shtëpitë e miqve dhe
dashamirësve të pikturës, me disa portrete, kompozime,që ka në epiqendër
Themeluesin e Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalin, Piktori ynë është një firmë
autoritare në pikturën shqiptare.
Është
rastësi e mrekullueshme që, pikturat e Nestorit, sikurse emri, janë të
këndshme, madhështore, të bukura, me fuqi magjepse të imazhit. Edhe sipas
Vasos, tek Nestor Jonuzi piktura ka filozofi brenda. Në pikturën e tij lëvizja
vjen mendueshëm me lojën mistike të dritë-hijeve, me befasitë mrekullore të
nuancave të ngjyrave dhe na shfaqet si zonjëz e bukur, elegante, që të bën për
vete, na rrëmben në thellësi të veprës. Në pikturat e Nestorit kuptojmë dhe
shijojmë unitetin e ngushtë si piktor sa
i ndjenjës aq dhe si piktor i mendimit.
“Ai
ulet në nivelin e bashkëbiseduesit, jo për të qëndruar me të, por për t’u
ngritur bashkë me të”, shkruan Poeti i Fizikës për Piktorin tonë.
Në
një vështrim sipërfaqësor, shkencëtari dhe artisti, më ngushtë, fizikani dhe
piktori duket sikur nuk kanë të bëjnë me njëri-tjetrin, sikur janë larg
sho-shoqit. E kam fjalën sidomos për lartësi të tilla njerëzore të klasit Vaso
e Nestor. Përveç se ngjyrave (fizika i studion hollësisht, piktura i përzgjedh
në tonet e duhura) ata kanë tipare përbashkuese në logjikën e kohës së
angazhuar me të tjerët, si dhe në logjikën e punës vetmore në studio,
laborator, bibliotekë, terren, sipas rastit. Pikërisht këtë shqetësim shpreh
dhe autori i kësaj monografie shembullore: “...jo të gjithë e jo gjithnjë e
kuptojnë kur duhet ta lënë të lirë për të punuar”.
Punën
nderimtare dhe kaq fisnike të profesor Vasos për Piktorin e Vlorës do ta
përcaktoja me një thënie të mençur të Nënë Terezës, e cila, siç e vë në dukje
me vërtetësi aq elegante Vaso Pata, është “e vetmja shenjtore midis shumë
nobelistëve dhe e vetmja nobeliste”. Shenjtorja ka dhe një shprehje frymëzuese:
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë
gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Vaso
Pata është elitar në miqësi të ngushtë me shoqërinë elitare të Vlorës, një
pjesë të së cilës e kam njohur fatmirësisht edhe unë.
Autori
ngre një shqetësim për humbjen e vlerave autentike të trashëgimisë kulturore,
sidoms të kulturës materiale dhe jo vetëm me banesat e vjetra, aq
karakteristike. Jo vetëm në Nartë, “Sot shtëpitë e vjetra po shëmben. Vendin e
tyre po e zënë shtëpi të reja shumëkatëshe. Rrugicat po zhduken njëra pas tjetrës.
Pas disa vitesh s’ka për të mbetur më asnjë prej tyre. Ato do të mbijetojnë
vetëm në tablotë e Nestorit dhe piktorëve të tjerë vlonjatë duke fituar në këtë
mënyrë vlerën e dokumenteve të pazëvendësueshme. Një fakt, të cilin na e
përmend Vaso Pata në këtë monografi dhe
që na bën krenarë dhe na plotëson konceptualisht në rrafshin e antropologjisë
kulturore, në staturën e lartësive psikologjike e sociale në shoqërinë
shqiptare, rajonale apo kontinentale e më gjerë: “Nestor Jonuzi është një zë i
veçantë në pikturën shqiptare. Sipas ligjeve të kohës titulli i lartë e i
lakmueshëm “Piktor i Popullit” është dhënë nga viti 1960 deri në vitin 1991 dhe
atë e kanë merituar vetëm 14 piktorë shqiptarë: “më të shquar, anëtarë të
Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të cilët kane krijuar vepra me vlera të
larta ideo-artistike në fushën e
pikturës e kanë merita të veçanta në zhvillimin e arteve pamore të Republikës
Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Dy prej tyre janë vlonjatë, Nestor Jonuzi
dhe Skënder Kamberi. Nuk është pak për Vlorën, as për Nestorin po të kujtojmë
se 12 titujt e tjerë i kanë merituar piktorët Vangjush Mio, Kolë Idromedo,
Abdurahman Buza, Guri Madhi, Zef Kolombi, Sali Shijaku, Vilson Kilica, Foto
Stamo, Danish Jukniu, Ismail Lulani, Agim Zajmi, Nexhmedin Zajmi.
Nuk
mund të harroj një këshillë të vyer të mikut tim të paharruar piktorit të
njohur dhe kritikut të artit Ilmi Bani, që ma thoshte sa me merak e besim, aq
natyrshëm dhe me dashamirësi përpara se të shkonim në çelje ekspozitash të
piktorëve vlonjatë apo të piktorëve nga qytete të tjera si Pogradeci, Berati,
Fieri etj tek Galeria e Artit e Saimir Çuçit. Sipas protokollit të programit të
asaj shoqërie të organizuar të shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës, unë kisha
fjalën përshëndetëse të mirëseardhjes dhe një urim miqësor midis krijuesish (në
ato kohë, deri ditën që iku aksidentalisht nga jeta, Ilmiu qe kryetar i Lidhjes
së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Vlorën, ndërsa unë sekretar). “Berti -
më porosiste Ilmiu me zë të ulët e të
qetë - ti e njeh artin e komunikimit e
di të lozësh me fjalën, s’ta kam merakun, por pa u futur në
teknikalitete, se mund të ngatërrohesh tek gjuha teknike dhe profesionale
dhe...”. Dhe unë ruhem nga zona e zjarrit...
Përveç
kënaqësisë së madhe në lexim, (në fakt më dukej sikur unë i këndoja fjalët,
fjalitë, paragrafët, faqet, gjithë këtë libërth, që më erdhi si një vizatim
poetik), tani, që mbylla dhe faqen e fundit të librit, unë do ta shpreh një
mërzi që ndjeva kam ndaj Vasos: “Po pse kaq qe libri?! Si mbaroi kaq shpejt?
Pse nuk zgjati dhe pak?! Po unë, e lexova apo e këndova librin?! A, more Vaso,
a! Sa i mirë je! Sa i mirë je, o Nestor! U pastë Vlora me jetë sa dy detet e sa
mali i Çikës!