Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Fjala e Dostojevskit në komemoracionin për nder të Pushkinit (I)
E enjte, 29.05.2025, 06:55 PM
FJALA E DOSTOJEVSKIT NË KOMEMORACIONIN PËR NDER TË PUSHKINIT
(PJESA
I)
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Dostojevski
konsideronte se nuk ka njerëz të këqij.
A thua pse?!
Përse “Krimi dhe ndëshkimi” edhe pas 150 viteve vazhdon të jetë roman
politikisht relevant?!
Dostojevski ka thënë për Pushkinin se ai erdhi te rusët si një yll i ri udhërrëfyes, tejet i
shndritshëm në rrugët tona të errëta; ai
emblemë dhe profeci”.
Në vitin 1880 shoqëria “Adhuruesit e letërsisë ruse” e Moskës organizoi një
komemoracion treditor për nder të Pushkinit. Në kuadër të kësaj u shpalos edhe
shtatorja e këtij poeti famëmadh. Ditën e fundit, fjalimin e vet e mbajti edhe
Dostojevski, disa muaj para se të vdiste vetë. Kjo ngjarje zhvillohet në kohë
tronditjesh politike dhe trazirash shoqërore në relacioni Shën-Peterburg –
Moskë, kryesisht lidhur me dominimin shtetëror në rritje që kishte të bënte me
çështjet publike dhe me jetën publike. Organizuesit e komemoracionit vlerësuan
drejt se Dostojevski do t’ia dalë që me fjalimin e vet t’i qetësojë pasionet në
popull dhe publikun ta tubojë rreth idesë së përbashkët: shënimit dhe
lartësimit të dimensionit profetik të talentit të Pushkinit*.
* * *
Fjala e Dostojevskit
në komemoracion për nder të Pushkinit
Pushkini nuk është fenomen i përditshëm.
Mbase është fenomen unik i shpirtit rus, thotë Gogoli*. Unë do të kisha shtuar “edhe
fenomen profetik”. Po, në paraqitjen e tij në skenë ka pasur diçka vërtet
profetike. Pushkini u shfaq mu në fillim të vetëdijesimit tonë të vërtetë.
Fillimi më i hershëm erdhi një shekull pas reformave të Pjetrit të Madh*. Ai na erdhi si një yll i ri udhërrëfyes, tejet i
shndritshëm në rrugët tona të errëta. Ai është emblemë dhe profeci.
Punën e poetit tonë të madh e kam ndarë
në tri periudha. Nuk flas si kritik letrar. Ndalem në punën krijuese të tij
vetëm për ta ilustruar konceptin tim të rëndësisë së tij profetike për ne si
dhe për t’i dhënë kuptim fjalës sime profeci.
Mirëpo nuk më duket se periudhat e punës së tij ndahen nga njëra-tjetra me
kufij të prerë. Sipas mendimit, fillimi i “Eugjen
Onjeginit” ende i përket periudhës së parë. Onjegini përfundon në periudhën
e dytë kur Pushkini tashmë i kishte gjetur idealet e veta në tokën e vet të
lindjes, kur i futi në zemër dhe i kultivoi në shpirtin e tij mëshirues dhe të
ndritshëm.
Thonë se në periudhën e parë Pushkini i
ka imituar poetët evropianë, Parnin*,
Andre Shenin* dhe sidomos Bajronin*. S’ka dyshim se poetët
evropianë kanë ndikuar me të madhe në zhvillimin e gjenisë së tij. Ata kanë
ndikuar mbi të gjatë tërë jetës së tij. Megjithëkëtë, poezitë më të hershme të Pushkinit nuk kanë
qenë imitime të rëndomta. Në to është shprehur pavarësia jo e përditshme e
gjenisë së tij. Në imitim kurrë nuk pasqyrohet një vuajtje individuale dhe thellësi të tilla të
vetëdijes siç e ka pasqyruar Pushkini te poema “Ciganët” që unë e vendos në
periudhën e tij të parë. Të mos harrojmë se forca dhe vrulli i tij krijues
kurrë s’do të kishin qenë aq evidente sikur vepra e tij të ishte vetëm imitim.
Heroi i “Ciganëve” Aleko dëshmon për një ide ruse - të fuqishme,
të thellë dhe të pastër. Më vonë kjo ide te “Onjegini”
do të ketë një përkryerje të harmonishme. Aty pothuajse i njëjti Aleko shfaqet
jo në dritën fantastike por si një personazh konkret, i vërtetë dhe i qartë. Me
Alekon Pushkini zbuloi dhe e paraqiti në mënyrë gjeniale bredhësin fatzi në
tokën e tij të lindjes, viktimë të historisë ruse. Bredhësi fatkeq, i shkëputur
nga populli, në shoqërinë tonë ishte një domosdoshmëri historike. Ky tip heroi
është i vërtetë. Është pasqyruar në mënyrë të përsosur, është tip i përhershëm,
prej kohësh i strehuar në tokën tonë ruse. Këta bredhës rusë të pastrehë enden
edhe sot. Do të nevojite një kohë e gjatë që të mos jenë të tillë. Po qe se në
kohën tonë nuk shkojnë më në cergat e ciganëve për t’i kërkuar idealet e veta
universale në jetën e egër të ciganëve, po qe se nuk kërkojnë më të ikin nga
jeta e ngatërruar dhe e pakuptimtë e intelektualëve tanë rusë dhe nuk kërkojnë
ngushëllim në gjirin e natyrës, ata do të hidhen në socializëm që në kohën e
Alekos nuk ka ekzistuar. Ata me fenë e re marshojnë në fushë tjetër dhe atje
punojnë me zell, duke besuar se Alekoja me veprimet e veta fantastike do ta
arrijë qëllimin dhe do ta gjejë fatin, jo vetëm për vete, por për mbarë
njerëzimin. Bredhësi rus mund të gjejë qetësi vetën në lumturinë e të gjithë
njerëzve.
S’do të gjejë kënaqësi në diçka më pak
të vlefshme se socializmi, të paktën derisa kjo ende është çështje e poezisë.
Ky është po ai njeri i Rusisë që paraqitet tani në kohë tjetër. Ky njeri, po e
përsëris, ka lindur në fillim të shekullit të dytë pas reformave të mëdha të Pjetrit të Madh, në një shoqëri
intelektuale, të caktuar nga populli. Shumë intelektualë rusë të kohës së
Pushkinit, atëherë dhe sot, kanë punuar si nëpunës, në punët shtetërore, në
hekurudhë, në banka, kanë fituar kush si ka mundur ose janë marrë me shkencë,
kanë mbajtur ligjërata. Krejt këtë e kanë bërë rregullisht, ngadalë dhe qetë,
kanë marrë rroga, kanë luajtur shah, pa pasur dëshirë të shkojnë në taborët e
ciganëve apo në ndonjë vend tjetër, që përputhet më tepër me kohët tona
moderne. Ata shkojnë deri aty sa të luajnë liberalin “me petkun e socializmit
evropian”, të cilëve socializmi u jep njëfarë karakteri beninj rus. Por kjo
është vetëm çështje e kohës. Çka ndodh po qe se njëri ende nuk është nisur,
kurse tjetri ka hasur në dyer të mbyllura dhe me forcën e vet i ka rënë me
kokë? I njëjti fat i pret të gjithë njerëzit po qe se nuk do ta ndjekin rrugën e shpëtimit - bashkimin e
përulur me popullin. Por të supozojmë se ky fat nuk i pret të gjithë. Le të
mjaftojnë “të zgjedhurit”, le të
niset vetëm pjesa e dhjetë, kurse shumica dërmuese të mos ketë pushim për shkak
të tyre.
Ëndërrimtari i mjerë nuk ishte në gjendje të arrijë
harmoninë universale, por as të
ciganëve, kështu që pa hakmarrje, pa keqdashje dhe me një respekt të thjeshtë e
dëbuan.
Alekoja ende
nuk mund ta shprehë si duhet atë që e mundon. Tek ai ende çdo gjë është disi
abstrakte. Ai e adhuron natyrën, shfaq neveri për shoqërinë e lartë, tregon
respekt për çdo njeri, mbron të vërtetën që e ka humbur dikush, e që nuk mund
ta gjejë. Natyrisht, nuk mund të tregojë se ku ndodhet e vërteta, ku dhe në
ç’mënyrë do të mund të shfaqej përsëri, kur ka humbur saktë, por ai vuan
sinqerisht. Ndërkohë, personi imagjinues dhe i padurueshëm kërkon shpëtim në
radhë të parë në dukuritë e jashtme. Kështu edhe duhet të jetë. Si duket, e
vërteta është diku jashtë këtij personi, në ndonjë vend tjetër të Evropës me
institucione historike e politike të forta dhe me jetë shoqërore e qytetare të
qëndrueshme. Njeriu i tillë kurrë nuk do të kuptojë se e vërteta, në radhë të
parë ndodhet te vetë ai. Si mund ta kuptonte ai këtë? Një shekull të tërë nuk
ka mundur të jetë zot në vend të vet. Ka harruar se si punohet. Ai s’ka
kulturë. Është rritur si nxënëse manastiri, e mbyllur midis mureve. Ka kryer
detyra të ndryshme që nuk kanë përkuar me kualifikimin e tij, me pozitën në katërmbëdhjetë klasë* në
përputhje me të cilat ndahet shoqëria ruse e arsimuar. Tani për tani ai është
një fije bari e këputur në rrënjë, e që e merr era. Ai e ndjen këtë dhe vuan
për këtë, shpesh vuan në mënyrë akute! Po çka nëse që me lindje i ka takuar
bujarisë dhe ka poseduar bujkrobër. Atëherë ka mundur t’i lejojë vetes, sikur
Alekoja, liri fisniku, fantazi të këndshme për njerëzit të cilët do ta mahnitin
me jetën ku s’vlen ligji dhe të punojë si stërvitës ariu që luan në cergën e
ciganëve? Bashkëshortja, “bashkëshortja e egër”, siç thotë një poet, me siguri
do t’i jepte shpresë se do ta tejkalojë shqetësimin. Me mendjelehtësi, por plot pasion, e përqafon
Zemfirën “Ja mënyra ime e ikjes. Këtu mund të gjej lumturi, larg botës, në
gjirin e natyrës, me njerëzit që s’kanë as qytetërim, as ligj.” Dhe ç’ndodh? Ai
nuk mund t’u bëjë ballë kushteve të kësaj natyre të egër, kurse duart i ka të
përlyera me gjak. I shkreti ëndërrimtar nuk ishte në shkallën e harmonisë
universale, por as të ciganëve dhe ata e dëbojnë pa hakmarrje dhe pa keqdashje,
me dinjitet të thjeshtë.
O njeri krenar, shko tani
te ne ligji juaj nuk ekziston
Prej tij askush aty nuk pëson.
Kuptohet,
krejt kjo është e imagjinuar, por njeriu krenar është i vërtetë. Figura e tij
është dhënë me përpikëri. Pushkini është i pari i cili e ka rrokur atë tip dhe
duhet ta dimë këtë. Po qe se i ndodh diçka që më së paku i pëlqen, është i
gatshëm t’i zbatojë dënimet e ashpra dhe torturat për padrejtësinë e kryer,
ose, që është akoma më ngushëlluese, do t’i kujtohet se i përket njërës prej
katërmbëdhjetë shkallëve* dhe se do të zbatojë – dhe kjo ka ndodhur shpesh –
torturën dhe ndëshkimin e parashikuar me ligj.
Zgjidhja ruse “e çështjes së të mallkuarve” është paralajmëruar me zë të ulët në
përputhje me besimin dhe drejtësinë e popullit. “Ule kokën o njeri krenar dhe së pari thyeje krenarinë tënde. Ule kokën
o njeri i ngeshëm dhe së pari puno në tokën tënde të lindjes.” Është një
zgjidhje sipas urtisë dhe drejtësisë së popullit.
"E vërteta nuk është jashtë teje, por brenda
teje. Gjeje veten brenda vetes, nënshtroju vetes, bëju zot i vetvetes dhe do ta
shohësh të vërtetën. Kjo e vërtetë nuk është në gjëra, as jashtë teje apo
përtej kufirit, por në radhë të parë në punën tënde. Nëse ngadhënjen dhe e
nënshtron veten, atëherë do të jesh më i lirë se që ke ëndërruar ndonjëherë se
do të jesh. Do të fillosh një vepër të madhe, do t'i bësh të tjerët të lirë, do
ta gjesh lumturinë ngase jeta jote do të përmbushet. Më në fund do ta kuptosh
popullin tënd dhe të vërtetën e tij të shenjtë. As te ciganët, as diku tjetër,
harmonia universale nuk mund të gjendet për sa kohë që ti vetë nuk je i denjë
për të vërtetën, je dashakeq dhe mendjemadh,
e kërkon jetën si një dhuratë, pa e vrarë mendjen fare se për të
vërtetën njeriu duhet të paguajë çmim.”
Kjo zgjidhje e çështjes është
paralajmëruar mjaft mirë në poemën e Pushkinit “Ciganët”. Edhe më mirë është pasqyruar në romanin “Eugjen Onjegini”. Kjo nuk është
fantazi, është poemë konkrete dhe realiste në të cilën jeta reale ruse është
mishëruar me forcën krijuese dhe përsosmërinë të cilën para Pushkinit por edhe
pas tij, nuk e ka arritur askush tjetër.
Duke i shikuar njerëzit nga lartësia, Onjegini nuk e
kuptoi Tatjanën kur e takoi për herë të parë në një vend të izoluar, nën vellon
e një vashe të pastër dhe virgjëre.
Natyrisht,
Onjegini vjen prej Peterburgu. S’ka dyshim se kjo paraqet rëndësi për romanin.
Pushkini medoemos ta përfshinte këtë tipar realist më të rëndësishëm në jetën e
heroit të vet. Po e përsëris, ai është i njëjti Aleko, sidomos kur më vonë në
poezi bërtet nga e keqja: “Pse s’kam
paralizë, si ai praktikanti i gjorë nga Tule?”
Tani në fillim
të romanit ai ende është një spitullaq dhe njeri i botës. Ka parë shumë pak për
të qenë i dëshpëruar nga jeta. Por tanimë e ka vizituar dhe e ka shqetësuar “zoti i demonëve të fshehtë të lodhjes.”
Në një vend të
harruar, në zemër të vendit amë, Onjegini është i internuar në vend të huaj. Ai
s’di ç’të bëjë dhe disi është i vetëdijshëm për kërkimin e tij. Endet nëpër
vendin e vet dhe në vende të huaja,
është i mençur dhe i sinqertë, por e ndjen se midis në vend të huaj është i
huaj. E do vendin e vet por s’i beson dot atij. Ka njohuri për idealet
kombëtare, por s’u beson atyre. Ai beson vetëm në pamundësinë e plotë të
çfarëdo pune në vendin e vet të lindjes. Kësaj mundësie, atëherë dhe sot, i
kanë besuar shumë pak vetë. Të tillët i sheh me përbuzje dhe kjo për të ardhur
keq. Ai e vret Lenskin nga spleen-i,
mbase nga spleen-i i lindur prej
dëshirës së zjarrtë për një ideal universal, mjaft
i ngjashëm me ne dhe shumë i mundshëm.
Tatjana është
krejt tjetër, ka karakter të fortë dhe qëndron fort në tokë të vet. Ajo është
më e thellë dhe më e mençur se Onjegini. Me një instinkt fisnik kërkon të dijë
se ku ndodhet e vërteta dhe ç’është e vërtetë. Mendimi i saj vjen në shprehje
në fund të romanit. Ndoshta do të kishte qenë më mirë për Pushkinin që veprën e
vet ta kishte quajtur “Tatjana” dhe
jo “Onjegini” ngase ajo është
personazhi kryesor. Ajo është pozitive dhe jo negative, tip i bukurisë pozitive
dhe apoteozë e femrës ruse. Poeti e ka caktuar ta shprehë idenë e romanit të
vet me skenën e takimit të fundit të Tatjanës me Onjeginin. Pas saj, tip aq i
bukur dhe pozitiv i vashës ruse, në letërsinë tonë nuk është krijuar kurrë.
Ndoshta me përjashtim të Lizës në “Folenë
fisnike” të Turgenjevit*.Duke i shikuar njerëzit nga lartë, Onjegini
nuk e kuptonte as Tatjanën kur e takoi për herë të parë në një vend periferik,
nën vellon e thjeshtë të një vajze të pastër dhe virgjëre. Para tij ajo ndjehej
tejet e turpshme. Ai nuk ishte i zoti të vërente se para vetes kishte një vajzë
modeste komplete dhe të përsosur. Mbase e ka konsideruar “embrion moral”. Ajo, embrion! Ajo, pas letrës së saj dërguar
Onjeginit! Po qe se në poezi ekziston embrioni
moral, atëherë ky është vetë ai - Onjegini. Dhe s’kishte se si ta kuptonte.
A e njeh ai shpirtin e njeriut? Ka qenë person abstrakt, gjatë gjithë jetës
ëndërrimtar i palodhur. Këtë zonjë të madhe nuk e kupton edhe më vonë në
Peterburg kur “ai në shpirt i kishte
kuptuar të gjitha përsosmëritë e saj”. Kjo shihet nga letra që ia kishte
dërguar asaj. Por këto s’janë veçse fjalë. Kaloi nëpër jetën e tij e papranuar
dhe e pavlerësuar dhe këtu qëndron tragjedia e dashurisë së tyre.
Po sikur gjatë
takimit të tij të parë në fshat të kishte ardhur prej Anglie Çajld Haroldi apo
lord Bajroni për t’ia treguar Onjeginit bukurinë e turpshme dhe modeste të
Tatjanës, ai do të ishte mahnitur ngase këta shkretanë universalë kanë shpirt
servili. Por kjo nuk ndodhi kështu që kërkuesi i harmonisë kozmike, pasi tregoi
shumë respekt, me vuajtjen e vet universale dhe gjakun e shokut të vet të
derdhur në një zënkë të pakuptimtë, nisi të bredhë nëpër tokën e vet të
lindjes, i verbër ndaj saj. Me tërë forcën që ka, ai bërtet: “Ende jam i ri dhe jeta është e fortë në mua. Po
ç’më pret? – vuajtja, vuajtja, vuajtja”.
Tatjana e kuptonte këtë. Në vargjet e
pavdekshme poeti e tregon ardhjen e saj për ta parë shtëpinë e njeriut i cili
për të është tejet i mirë por që s’e kupton. Nuk flas për të bukurën artistike
të paarritshme dhe për thellësinë e vargjeve të poetit. Ajo është në dhomën e
tij të punës. Ajo i shikon librat dhe sendet e tij. Nëpërmjet tyre ajo përpiqet
ta kuptojë shpirtin e tij, ta zgjidhë enigmën e vet. Më në fund, ky “embrion moral” ndalet mendueshëm me
ndjesinë se enigma e saj është zgjidhur dhe me zë të ulët thotë: “Mos vallë ai s’është veçse një shaka?”
Patjetër ta thoshte këtë. Ajo e kuptoi.
Shumë më vonë, kur të takohen përsëri në Peterburg, tanimë ajo e njeh mirë.
Imagjinoni sikur po ndërtoni një pallat të fatit
njerëzor për t’i bërë më në fund të lumtur të gjithë njerëzit, për paqen dhe
prehjen e përhershme dhe imagjinoni se për këtë qëllim duhet të torturoni deri
në vdekje një qenie njerëzore të vetme.
Kush është ai që ka thënë se jeta në
pallat dhe jeta shoqërore kanë ndikuar keq në shpirtin e Tatjanës. Kush thotë
se tani ajo e refuzon Onjeginin edhe për shkak të pozitës së re të saj si një
zonjë me stil dhe për shkak të ideve të reja? Kjo s’është e vërtetë. Jo, ajo
është po ajo Tanjë, po ai vend, Tanjë si dikur! Ajo s’është e lazdruar.
Përkundrazi, e mundon jeta plot shkëlqim e Peterburgut. Kjo e ka lodhur dhe i
shkakton vuajtje. Ajo e urren pozitën e vet -
zonjë e shoqërisë së lartë. Kushdo që mendon ndryshe për të, nuk e
kupton se ç’ka dashur të thotë Pushkini.
Ajo prerazi i thotë Onjeginit: “Tani i përkas tjetërkujt, do t’i jem
besnike deri në vdekje.”
E tha këtë si
një ruse e vërtetë dhe këtu ndodhet apoteoza e saj. Ajo e shpreh të
vërtetën poetike. S’do të them asnjë
fjalë për bindjet fetare të saj, për pikëpamjet e saj mbi shenjtërinë e
martesës, jo, s’do të hyjë aty. Po atëherë, a refuzoi ta ndiqte atë, ndonëse
vetë i tha “të dua”? Mos vallë e refuzoi ngase si një ruse dhe jo si një
e jugut apo si një franceze, nuk qe e aftë të ndërmerrte hapa të guximshëm, apo
s’pati forcë të hiqte dorë nga nderimet, nga pasuria, nga pozita në shoqëri dhe
nga konvencionet e virtytit? Jo, gruaja ruse është e guximshme. Personin të
cilit i beson, druaja ruse e ndjek pa hamendje dhe këtë e ka dëshmuar. Por
Tatjana “i është dhënë një tjetri dhe atij do t’i qëndrojë besnike deri në
vdekje”.
Për kë do të
jetë e devotshme ajo? Cilat detyrime do t’i kryejë me besnikëri? Kemi të bëjmë
me një gjeneral plak të cilin ajo assesi s’mund ta dojë, me të cilin u martua
vetëm sepse “nëna e luti me lot dhe betime”. Atëherë shpirti i saj i
dërmuar dhe i plagosur ka qenë i kapluar nga dëshpërimi. Pa shpresë dhe rreze
drite? Po, ajo i është besnike atij gjenerali, burrit të vet, njeriut të
ndershëm i cili e do, e respekton dhe krenohet me të. E mallkonte të ëmën,
megjithëkëtë iu bind lutjeve të saj. U betua se do të jetë grua besnike. U
martua me gjeneralin nga dëshpërimi. Por
tani ai është burrë i saj dhe po t’i nënshtrohej Onjeginit do ta turpëronte
burrin e vet, do ta degradonte dhe do ta varroste së gjalli. A mund dikush
fatin e vet ta ndërtojë mbi fatkeqësinë e tjetrit? Lumturi nuk është vetëm
kënaqësia në dashuri. Ajo nënkupton harmoninë shpirtërore më të lartë. Si do të
gjente qetësi shpirti po të qëndronte pas tij veprimi njerëzor i pandershëm dhe
i pamëshirshëm? A duhet të ikë Natasha vetëm për hir të pasioneve dhe të
injorojë bukurinë shpirtërore? Ç’ lumturi do të ishte ajo që do të ndërtohej
mbi fatkeqësinë e tjetrit?
Imagjinoni
sikur po ndërtoni një pallat të fatit njerëzor, për lumturinë e përhershme të
çdo njeriu, për paqen dhe prehjen e përgjithmonshme. Imagjinoni sikur po e
tmerroni deri në vdekje një qenie njerëzore të rëndomtë, pra jo një person “të
rëndësishëm”, një person qesharak dhe jo një Shekspir*, thjesht një plak të
ndershëm, burrin e një gruaje të re të cilës ai i beson verbërisht. Ai krenohet
me të dhe e respekton, ndonëse fare nuk ia njeh zemrën. Është i lumtur dhe i
qetë. Pallati juaj mund të ndërtohet vetëm nëse ai turpërohet, çnderohet dhe
torturohet. Ju mund ta ndërtoni pallatin tuaj, vetëm duke e çnderuar veten dhe
duke i shkaktuar fatkeqësi tjetrit! A do të pajtoheshit të bëheni arkitekt i
një fatkeqësie me një kusht të tillë? Kjo është pyetja. A mund ta doni një
person i cili e pranon nga ju një lumturi që buron nga vuajtja shkaktuar
tjetrit? Kjo mbase do të konsiderohej si vuajtje e një qenieje të
parëndësishme. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një qenieje të vrarë mizorisht
dhe padrejtësisht. Po ta kishit atë lumturi, përgjithmonë do të kishit qenë të
lumtur, ndaj a do të pajtoheshit me një lumturi që buron nga vuajtja e tjetrit?
A ka mundur të zgjedhë ndryshe shpirti i madh i Tatjanës që ka vuajtur aq
shumë?
Jo, shpirti i
pastër rus vendos kësisoj: Lërmëni të jem e privuar nga lumturia, qoftë sikur
ajo të jetë pafundësisht më e madhe se fatkeqësia e këtij plaku. Në fund,
askush, pra as ky plak, nuk e di dhe nuk e çmon flijimin tim. S’mund të jem
fatlum duke e shkatërruar tjetrin dhe këtu qëndron tragjedia. Vija s’mund të
tejkalohet. Tatjana i thotë Onjeginit: ditën e mirë! Mund të thuhet se edhe
Onjegini është fatkeq. Gjeneralin, ajo e shpëtoi, kurse
Onjeginin e shkatërroi.
Por kjo është një çështje tjetër, ndoshta më e rëndësishmja e romanit.
* * *
Shënime:
Pushkin,
Aleksandër Sergejeviç, Moskë, 1799 – Shën-Peterburg, 1837) poet, tregimtar dhe dramaturg rus.
Humbi jetën në dyluftim.
Gogol,
Nikolai Vasileviç (1809-1852) – tregimtar dhe komediograf rus;
Pjetri i Madh
(Petar I Alekseeviç ose Pjetri i Madh, 1672-1725), perandor i Rusisë;
“Eugjen Onjegini”
(1833), poemë, roman në vargje i Pushkinit;
“Ciganët” (Cygani,
1824), poemë e Pushkinit;
Parni (Evariste
Désiré de Forges de Parny, 1753-1814) poet francez;
Shenie, Andre (André-Marie Chénier, 1762-1794)
poet dhe eseist francez;
Bajron, Xhorxh Gordon (George Gordon Byron, 1788-1824) poet anglez;
Tabela e rangjeve - shtyllë e hierarkive
shoqërore/zyrtare ruse, në përputhje me të cilat ndahej shoqëria ruse e
arsimuar;
Turgenjev, Ivan (Ivan Sergejeviç Turgenjev,
1818-1883) – tregimtar dhe dramaturg rus. “Foleja
fisnike” (Dvorjanskoe gnezdo, 1859)
është roman i tij ku flitet për “njerëzit
e tepërt” si dhe për bujarinë apo për intelektualët të cilët qenë të paaftë
që idetë e tyre t’i shndërrojnë në vepër;
Shekspir, Uilliam (William Shakespeare,
1564-1616) – dramaturg dhe poet anglez; Ka pasur studiues të letërsisë që e
kanë vënë në dyshim autorësinë e Shekspirit mbi veprat e tij. Shekspiri në
moshën 13-vjeçare e ka ndërprerë shkollimin. Atëherë si u bë baba i tragjedisë
moderne. Shkrimtari gjerman Johan
Volfgan Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) thotë: “Për të krijuar
art, duhet të jesh gjeni. I tillë ishte Shekspiri. Autor i tragjedive është
ai.” Në shekullin III para K. u shtrua “çështja
homerike”. Ishte ose jo Homeri i verbër autor i dy poemave, “Iliadës”
dhe “Odisesë”, apo ishte vetëm një aed (rapsod), apo ishte vetëm
autor i “Iliadës” por jo edhe i “Odisesë”.