Speciale » Basha
Sabile Basha: Ta duash Kosovën do të thotë të jetosh dhe të veprosh për të
E merkure, 28.05.2025, 02:59 PM
TA DUASH KOSOVËN DO TË THOTË TË JETOSH DHE TË VEPROSH PËR TË
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Teksa
bisedoja me nipin tim, një fëmijë që ende mbante në sy pafajësinë e botës dhe
në buzë të qeshurën e jetës, më doli nga shpirti një pyetje që ndoshta nuk
duhej bërë, por që më shpëtoi pa qëllim: “Kënd e donë më shumë, mamin apo
babin?” Ai më shikoi me sytë e një bote pa hile, i habitur si të mos kishte
dëgjuar kurrë një ndarje të tillë, dhe me një buzëqeshje të pastër si mëngjesi,
më tha: “Ama unë nanush, i dua të dy njësoj, ama bash njësoj.”
Fjalët
e tij, më të thjeshta se çdo poezi, m’u ngulitën në mendje si një mësim i madh
që vjen nga një zemër e vogël. S’u zgjata më tej. Heshta. Dhe në atë heshtje,
mendova gjatë. Sa e çuditshme, e njëkohësisht madhështore është dashuria e
fëmijës – ajo nuk peshon, nuk mat, nuk ndan. Është një burim i pastër që rrjedh
në mënyrë të barabartë drejt të dy brigjeve, drejt nënës që e ledhaton dhe
babait që e përqafon. Fëmija nuk e ndjen nevojën të bëjë krahasime, as të ndajë
me copa dashurinë e vet, ai e shpërndan të gjithën, njësoj, me një drejtësi që
vetëm shpirti i një fëmije mund ta mbajë.
Në
një botë ku shpesh rritemi duke ndarë, zgjedhur, vlerësuar e krahasuar, një
fëmijë të kujton se dashuria e vërtetë nuk njeh garë. Ajo është si dielli mbi
dy dritare – ndriçon të dyja njësoj, pa dallim, pa kursim. Dhe ndoshta është
pikërisht në këto çaste kur kupton se fëmijët nuk janë thjesht pasqyrë e së
ardhmes – ata janë mësuesit tanë më të pastër për dashurinë, ndershmërinë dhe
vërtetësinë.
Në
përgjigjen e atij nipi të vogël, unë pashë një botë më të mirë. Dhe e ndjeva se
ndonjëherë, për të kuptuar dashurinë, mjafton të dëgjosh një zemër të vogël që
flet pa frikë. Ne, me krenari dhe patos emocional, shprehemi se e duam familjen
tonë, se e duam vendin ku kemi lindur, se e duam tokën tonë dhe Kosovën. Kjo
thënie është bërë pjesë e diskursit tonë të përditshëm, një shprehje që
dëshiron të përçojë ndjenja përkatësie, përkushtimi dhe dashurie ndaj atdheut
dhe vlerave familjare. Dhe unë vetë besoj thellësisht në këtë pohim – një besim
që nuk lë hapësirë për dyshim, e aq më pak për bindje të kundërt.
Megjithatë,
çdo akt dashurie dhe çdo shprehje përkushtimi mbart brenda vetes nevojën për
reflektim dhe analizë të ndershme. Sepse dashuria, për të qenë e vërtetë, duhet
të jetë edhe e vetëdijshme. Në këtë frymë, mund të bëjmë një paralelizëm të
ndjeshëm dhe kuptimplotë. Po sikur zemra të ishte një mollë? Po sikur ta kishim
fuqinë ta çelnim atë në çdo moment nevoje – për ta parë jo vetëm bukurinë e saj
të jashtme, por edhe brendinë e saj të vërtetë?
Në
atë akt të zbulesës, do të dallonim qartë se sa pjesë të saj janë ende të
shëndosha, plot jetë dhe gjallëri, dhe sa të tjera janë prekur nga kalbëzimi i
harresës, i hipokrizisë, i interesit të ngushtë apo i mungesës së reflektimit
të thellë moral. Ashtu si një mollë që mban në sipërfaqe ngjyrën e freskët, por
fsheh plagët e padukshme brenda, edhe zemra njerëzore, edhe dashuria për
familje apo atdhe, mund të mbajnë brenda vetes cenime që duhen parë dhe
trajtuar me guxim.
Në
një kuptim më të gjerë, ky ilustrim metaforik ngre një pyetje etike dhe
filozofike mbi autenticitetin e ndjenjave tona kolektive. A është dashuria jonë
për Kosovën vetëm një thirrje retorike, apo është një angazhim i përditshëm, i
sinqertë dhe i përgjegjshëm? A kujdesemi vërtet për të, apo thjesht e përmendim
kur ndjejmë nevojën për identifikim? Dhe nëse do të shikonim me sy kritik
brendinë e kësaj “zemre kolektive”, sa të pastër do ta gjenim?
Ky
reflektim nuk ka qëllim të zbehë dashurinë që shprehim, por të na ftojë ta
thellojmë dhe ta bëjmë më të ndërgjegjshme. Sepse vetëm përmes kësaj
vetëanalize të sinqertë mund të arrijmë në një dashuri që nuk është thjesht
fjalë, por vepër. Në këtë mënyrë, zemra jonë – individuale dhe kolektive – do
të mbetet jo vetëm simbol i dashurisë, por edhe i përkushtimit të mirëfilltë
ndaj asaj që themi se e duam.
Dashuria
ndaj atdheut është ndër ndjenjat më të thella dhe më të përhershme që mund të
mbajë një individ. Në këtë kuptim, thuajse njëzëri deklarojmë se e duam Kosovën
– një pohim që rrallë kontestohet dhe që shpesh përbën bazën e identitetit tonë
kombëtar e qytetar. Megjithatë, kjo deklaratë emocionale kërkon një reflektim
më të thelluar dhe më kritik.
Në
këtë frymë, është e ndritur fjala e ish-presidentit amerikan John F. Kennedy, i
cili njëherë kishte thënë: “Mos pyet se çfarë ka bërë vendi yt për ty, por pyet
se çfarë ke bërë ti për vendin tënd.” Kjo thënie merr një kuptim të posaçëm kur
aplikohet në realitetin tonë, në raportin tonë me Kosovën. Pse, pra, nuk
ndalemi më shpesh dhe nuk i drejtojmë vetes këtë pyetje thelbësore: çfarë kemi
bërë dhe po bëjmë ne për Kosovën?
Kjo
pyetje nuk duhet të jetë retorike, por një ftesë për vetëanalizë, për
përgjegjësi, për angazhim konkret dhe të përditshëm. Dashuria ndaj Kosovës nuk
mund të matet vetëm me fjalë të bukura, por me kontributin e secilit në
ndërtimin dhe përparimin e saj – qoftë në arsim, në kulturë, në ekonomi, në
ruajtjen e dinjitetit kombëtar, apo në përkushtimin qytetar.
Ky
reflektim nuk është qëllim vetëakuzues, por një thirrje për vetëdije historike
dhe për përgjegjësi aktive. E ardhmja e Kosovës nuk mund të ndërtohet vetëm mbi
kujtimet e së kaluarës apo mbi deklarata patriotike, por mbi veprim të
përditshëm dhe të qëndrueshëm në të mirë të saj. Sepse vetëm përmes këtij
angazhimi të ndërgjegjshëm, dashuria për Kosovën bëhet reale, konkrete dhe
transformuese.
Historia,
në thelbin e saj, nuk është thjesht një rrëfim i ngjarjeve të së kaluarës, ajo
është një terren kompleks dhe shpeshherë i rrezikshëm, i mbushur me tensione,
interpretime të ndryshme dhe emocione të fuqishme kolektive. Ajo mund të
krahasohet me një fushë të minuar, ku çdo hap i gabuar – çdo interpretim i
pasaktë apo njëanshmëri e paqëllimshme – mund të na çojë në gracka të
padëshiruara, duke prodhuar keqkuptime, përçarje, madje edhe ripërsëritje të
gabimeve të së kaluarës.
Në
këtë fushë të ndjeshme, studiuesi apo interpretuesi i historisë shpesh gjendet
përballë dilemash të mëdha: si të qëndrojë besnik ndaj fakteve pa i mohuar
ndjeshmërinë njerëzore; si të ruajë objektivitetin pa u bërë i ftohtë apo i
shkëputur nga realitetet shoqërore. Rruga drejt së vërtetës historike, edhe kur
ekziston një përpjekje e ndershme për ta ndjekur, është shpesh e vështirë, e
mbushur me pengesa dhe shtigje të ngushta që mund të përshkohen vetëm me
përkujdesje dhe ndershmëri intelektuale.
Në
shumicën e rasteve, brenda kësaj hapësire të ngarkuar, është e mundur të
gjenden edhe rrugëkalime – shtigje të mundshme që të çojnë drejt kuptimit më të
thellë të së kaluarës. Por këto shtigje nuk janë asnjëherë të lehta, ato
kërkojnë guxim për të përballuar të vërtetat e pakëndshme, durim për të
analizuar burimet me kujdes, si dhe mençuri për të dalluar mes mitit dhe
realitetit.
Prandaj,
angazhimi në histori nuk është një detyrë e thjeshtë akademike, por një proces
i përhershëm i ballafaqimit me vetveten dhe me të shkuarën kolektive. Ajo
kërkon një vetëdije të thellë se çdo fjalë e shkruar për të kaluarën ka pasoja
për të tashmen dhe të ardhmen, dhe se vetëm me përgjegjësi të madhe mund të
ndërtojmë një narrativë që jo vetëm ndriçon, por edhe pajton.
Ne
jemi të vetëdijshëm se ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një përplasje e
zakonshme, një konflikt i rëndomtë mes dy palësh – ishte një luftë e dhimbshme,
ekzistenciale, një përpjekje për të mbijetuar si popull, për të ruajtur
dinjitetin, lirinë dhe identitetin kombëtar. Kjo ishte një luftë në kuptimin
klasik të fjalës, një përballje që gëlltiti jetë të tëra, që zhduku familje nga
faqja e dheut dhe që edhe sot, pas shumë vitesh, lë plagë të hapura – sepse
shumë nga ata që u vranë, ende nuk kanë një varr ku mund të vendosim një tufë
lule, një kujtim, një lutje.
Në
atë kohë, të gjithë ishim dikund – në rrugët e botës si mërgimtarë që luftonin
me fjalë, me penë, me përkrahje; nëpër male e barrikada si luftëtarë me pushkë
në dorë dhe shpirtin ndër dhëmbë; apo në heshtjen e një rezistence të brendshme
që e mban gjallë shpresën edhe në rrethana ekstreme. Çdokush që e mbante në
zemër Kosovën, në një formë apo tjetër, luftonte për të. Ishte një luftë
kolektive e ndërtuar mbi sakrifica individuale – një bashkëjetesë e dhimbjes
dhe krenarisë.
Por,
përballë kësaj ndjenje të përbashkët që dominonte shumicën, nuk mund të mohojmë
faktin se kishte edhe nga ata që, megjithëse ecnin mbi këtë tokë, e kishin
harruar Kosovën. E kishin harruar jo sepse nuk dinin për dhimbjen, por sepse
kishin zgjedhur indiferencën – një formë tjetër e heshtur e mohimit. Të jetosh
mbi një tokë që digjet dhe të mos ndjesh as ngrohtësinë e zjarrit, është një
heshtje që flet shumë. Është një mospërfillje që lëndon po aq sa një plumb –
sepse ftohtësia e shpirtit dhe mungesa e ndërgjegjes janë plagë që nuk shërohen
lehtë.
Ky
dualizëm i qëndrimeve ndaj Kosovës në kohë lufte – njëra anë që dhuron gjithçka
dhe tjetra që hesht – nuk është thjesht një kapitull i mbyllur i historisë
sonë, por një thirrje për vetëdije. Është një ftesë për të kuptuar se liria nuk
është dhuratë, por amanet. Dhe për ta nderuar këtë amanet, nuk mjafton të jesh
fizikisht në Kosovë – duhet të jesh shpirtërisht me të, të ndjesh përgjegjësi,
të mbash barrën e kujtesës dhe të japësh kontribut në ndërtimin e një të
ardhmeje që respekton sakrificën dhe nuk harron kurrë rrënjët.
Pa
dyshim, ne e kemi dashur dhe e duam Kosovën. Kjo dashuri ka qenë dhe vazhdon të
jetë një nga ndjenjat më të forta që ushqejmë për vendin tonë – një lidhje
emocionale, historike dhe shpirtërore që na përcakton si individë dhe si
kolektivitet. Por dashuria, për të qenë e vërtetë dhe e qëndrueshme, nuk është
vetëm ndjenjë e shprehur me fjalë apo emocione të përkohshme, ajo kërkon
përkushtim, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, vazhdimësi.
Dashuria
për Kosovën nuk duhet të jetë sezonale që zgjohet vetëm në momente krizash apo
përvjetorësh. Ajo duhet të kultivohet në mënyrë të qëndrueshme, me përkushtim
të përditshëm dhe me vetëdije të thellë për rëndësinë që ka atdheu në
formësimin tonë personal dhe kolektiv. Të duash vendin tënd nuk do të thotë
vetëm të emocionohesh për të, por të punosh për të, ta ndërtosh, ta mbrosh dhe
ta ruash në çdo rrethanë – si në kohët e begata, ashtu edhe në momentet kur
kërkohen sakrifica dhe flijime.
Sepse
vetëm atëherë kur dashuria për Kosovën shfaqet edhe në përballje me
vështirësitë, kur qëndrojmë krah saj edhe kur sfidat janë të mëdha, ajo dashuri
fiton përmasën e saj të plotë. Në kohë të mira, dashuria duhet të jetë
ndërtuese, në kohë të vështira, ajo duhet të jetë mbështetëse dhe mbrojtëse.
Kosova nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një kujtesë kolektive, një
trashëgimi shpirtërore dhe një projekt i përbashkët historik.
Prandaj,
ajo duhet ruajtur me kujdesin më të madh – si sytë e ballit, si diçka që s’mund
të zëvendësohet. Të kujdesesh për Kosovën do të thotë të ndjesh përgjegjësi për
të ardhmen e saj, për gjeneratat që do të vijnë, për ruajtjen e gjuhës,
kulturës, vlerave dhe lirisë që është fituar me aq mund. Dhe më tej, nuk
mjafton vetëm ta ruajmë – duhet ta mbrojmë, jo vetëm nga rreziqet e jashtme,
por edhe nga shpërfillja, harresa, dhe çdo formë e rrënimit moral apo
institucional që mund të cenojë qenien e saj.
Dashuria
për Kosovën është një detyrim i përhershëm – një akt i vazhdueshëm i ndërtimit,
mbrojtjes dhe afirmimit të saj në çdo rrethanë dhe në çdo epokë.
Kosova
nuk ka nevojë të mbulohet me fjalë të bukura e premtime boshe, sepse historia e
saj ka dëshmuar se fjalët, kur nuk shoqërohen me vepra, shpesh shndërrohen në
mjete manipulimi. Është e rëndësishme të kuptohet se dashuria për Kosovën nuk
mund të reduktohet në retorikë patriotike apo në deklarata të përsëritura që
nuk mbartin përmbajtje reale. Sepse edhe ish-Jugosllavia e donte Kosovën me
fjalë, edhe Serbia e shpallte si pjesë të vetën me fjalë – por pas këtyre
fjalëve fshihej një qëllim i errët, mohimi i identitetit të saj, shtypja e
lirisë së saj, dhe nënshtrimi i popullit të saj.
Kjo
na mëson një të vërtetë të thellë, nuk mjafton të thuash se e do Kosovën.
Atdheu nuk kërkon fjalë të zbrazëta, por përkushtim të vazhdueshëm, veprim të
drejtë dhe një etikë përgjegjësie kolektive. Ta duash Kosovën do të thotë të
ndihmosh në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë, të lirë dhe të
dinjitetshme. Do të thotë të jesh vigjilent ndaj çdo forme të padrejtësisë, të
mos heshtësh para deformimeve institucionale, dhe të jesh pjesë aktive në
zhvillimin e saj demokratik dhe kulturor.
Retorika
pa substancë është një rrezik i përhershëm për shoqëritë që dalin nga
konfliktet dhe që ndërtojnë identitet kombëtare. Prandaj, Kosova ka nevojë për
një dashuri që vërtetohet në veprim – në respektimin e ligjit, në përkrahjen e
arsimit, në mbrojtjen e kulturës, në garantimin e drejtësisë dhe në ruajtjen e
kujtesës historike. Një atdhe i vërtetë nuk ndërtohet me deklarata, por me
vepra që lartësojnë dinjitetin njerëzor dhe afirmojnë lirinë kolektive.
Në
këtë kuptim, Kosova duhet të jetë një projekt i përhershëm i përkushtimit tonë
të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm – jo vetëm për atë që ajo ka qenë dhe për
çfarë përfaqëson, por edhe për atë që duhet të bëhet, një vend ku fjalët e
mëdha nuk i zëvendësojnë kurrë veprat e mëdha.
Shtrohet
natyrshëm një pyetje thelbësore, me peshë historike dhe etike, si e deshën
Kosovën Serbia dhe ish-Jugosllavia? Kjo nuk është një pyetje thjesht retorike,
por një reflektim i thellë mbi natyrën e një "dashurie" të shpallur
me fjalë, por të tradhtuar në çdo formë me vepra.
Serbia
dhe më herët federata jugosllave, në deklarata zyrtare dhe në aktet e tyre
politike, e quanin Kosovën pjesë të pandashme të shtetit – një
"zemër" të vendit, një hapësirë të përbashkët historike dhe
kulturore. Megjithatë, në thelb, kjo ishte një dashuri e shpikur, një përqafim
i rremë që mbulonte me gjuhë propagandistike aktet më të rënda të shtypjes,
asimilimit dhe mohimit të identitetit shqiptar.
Kjo
"dashuri" u shfaq përmes mekanizmave të dhunës sistematike, me
ndalimin e gjuhës shqipe në arsim, me censurën ndaj kulturës kombëtare, me
përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore, me vrasjet politike,
me përndjekjet, me dëbimet masive dhe me ndërtimin e një aparati represiv që
synonte jo bashkëjetesën, por nënshtrimin dhe shuarjen e qenies kombëtare
shqiptare në Kosovë.
Dashuria
e vërtetë nuk shtyp, nuk mohon, nuk përjashton. Ajo nuk imponohet me tanke,
polici speciale dhe internime. Serbia dhe ish-Jugosllavia e deshën Kosovën si
një territor për t’u kontrolluar, jo si një hapësirë ku respektohet barazia,
liria dhe dinjiteti i banorëve të saj. Kjo ishte një dashuri koloniale, që
përpiqej të maskohej me gjuhë politike dhe fjalor bashkëjetese, por që në
realitet prodhoi padrejtësi strukturore dhe dhimbje historike.
Në
këtë kontekst, është thelbësore të bëjmë dallimin mes dashurisë së pretenduar
dhe asaj të vërtetë. Sepse Kosova nuk ka nevojë për deklarata boshe që e
trajtojnë si pronë apo si simbol, por për respekt, barazi dhe njohje të
identitetit të saj të plotë. Prandaj, analiza e mënyrës se si Serbia dhe
Jugosllavia "e deshën" Kosovën është në të vërtetë një leksion për të
ardhmen – se çdo formë pushtimi që vishet me kostum dashurie, është në thelb
një akt dhune që duhet demaskuar dhe mos u harruar kurrë.
Ata,
në të vërtetë, nuk e deshën Kosovën si një hapësirë të barabartë, të lirë dhe
të zhvilluar, por si një territor të nënshtruar, të kontrolluar dhe të varur
nga qendrat e pushtetit. Dashuria e tyre, e shpallur me fjalë të mëdha dhe të
zbukuruara me referenca historike e gjeostrategjike, ishte në thelb një dashuri
me prapavijë dominimi – një formë e kamufluar e okupimit, e cila synonte jo
mirëqenien e Kosovës, por shfrytëzimin e saj të gjithanshëm.
Ata
e donin Kosovën të varfër dhe të pazhvilluar, që të mbetej një periferi e dobët
dhe e varur ekonomikisht. Ata e dëshironin pa shqiptarë – ose, në rastin më të
“moderuar”, me shqiptarë të heshtur, të frikësuar, të përjashtuar nga jeta
publike, nga arsimimi dhe nga vendimmarrja politike. Në këtë mënyrë, prania
shqiptare në Kosovë do të zbehej jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht –
duke i kthyer shqiptarët në qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.
Për
më tepër, politika e tyre kishte për qëllim thellimin e përçarjeve brenda
komunitetit shqiptar, duke mbjellë mosbesim, frikë, ndasi dhe rivalitet të
qëllimshëm. Një popull i ndarë, i përçarë dhe i zhveshur nga forca kolektive,
është më i lehtë për t’u sunduar. Prandaj, Kosova e tyre ishte një projekt i
shfrytëzimit dhe i kontrollit – jo një hapësirë e zhvillimit dhe e lirisë.
Në
këtë kontekst, është me rëndësi të theksojmë se çdo pretendim për dashuri ndaj
një vendi që përjashton banorët autoktonë nga historia dhe e ardhmja e tij,
është një formë e rafinuar e mohimit dhe e dhunës strukturore. Ata nuk e deshën
Kosovën si një realitet të barabartë brenda një bashkësie shumëkombëshe, por si
një trup të dobësuar që do të mund të kontrollohej, të manipulohej dhe të përdorej
për interesa gjeopolitike.
Kjo
është arsyeja pse historia e kësaj "dashurie" të rreme duhet të
lexohet me sy kritik, për të kuptuar se çfarë është dashuria e vërtetë për një
vend – jo pushtim e shfrytëzim, por liri, zhvillim dhe respekt i ndërsjellë.
Vetëm atëherë kur ndërtimi i shtetit mbështetet mbi këto parime, mund të flasim
për një marrëdhënie të drejtë midis popullit dhe territorit që ai e quan atdhe.
Ka
nga ata që, me tone skepticizmi apo dashakeqësie, mund të thonë: “Lehtë është
ta duash Kosovën nga larg.” Madje, jo rrallë, këtyre qëndrimeve u shtohet edhe
një dozë ironie apo pakënaqësie ndaj atyre që, ndonëse jashtë kufijve
gjeografikë të saj, ndjekin me kujdes rrjedhat e brendshme, i analizojnë ato
dhe, herë-herë, shprehin kritika për drejtimin që ka marrë zhvillimi i saj
politik, ekonomik apo shoqëror.
Këto
komente mund të duken si sfidë e sinqeritetit të mërgatës apo e atyre që e
përjetojnë Kosovën nga distanca, por në thelb harrojnë një të vërtetë madhore,
rruga drejt pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë as e lehtë, as e shkurtër, dhe në
të kanë kontribuar jo vetëm ata që qëndruan fizikisht në vend, por edhe ata që
ishin të shpërndarë nëpër botë, por me zemrën gjithmonë të lidhur fort pas
dheut amë.
Të
dashurosh Kosovën nuk nënkupton vetëm të jesh i pranishëm fizikisht në çdo hap
të saj, por të jesh i përkushtuar ndaj saj – me mendje, me zemër dhe me vepra,
sado të vogla qofshin ato. Sepse dashuria për atdheun nuk është funksion i
distancës, por i ndjeshmërisë, i kujtesës dhe i angazhimit. Mërgata shqiptare,
për shembull, nuk ishte thjesht spektatore e proceseve që sollën lirinë dhe
pavarësinë – ajo ishte një nga shtyllat më të qëndrueshme të rezistencës dhe
sensibilizimit ndërkombëtar, një zë që nuk heshti kurrë, sado larg qe ishte
fizikisht.
Po,
është e vërtetë që sot përballemi me sfida të mëdha, me zhgënjime dhe me
pengesa në rrugën e zhvillimit të brendshëm. Por këto nuk mund të fshijnë
sakrificat e të kaluarës, as të zbehin peshën e rrugëtimit historik që kemi
kaluar për të arritur deri te deklarata e pavarësisë, si një akt i lavdishëm i
vullnetit kolektiv dhe përpjekjes shekullore për liri.
Prandaj,
në vend të dyshimit mbi ndjenjat e të tjerëve, le të kultivojmë një reflektim
më të thellë: që dashuria për Kosovën shfaqet në shumë forma – në protestë, në
kritikë, në lutje, në vepra konkrete – dhe nuk duhet të përjashtohet kurrë mbi
bazën e distancës gjeografike. Sepse për një vend si Kosova, që ka lindur nga
përkushtimi, sakrifica dhe besimi i shumë brezave, çdo zemër që rreh për të
është një pjesë e gjallë e historisë së saj.
Ta
zëmë, për një moment, se nuk po flas si shqiptare – as si bijë e kësaj toke që
e ndjen çdo plagë të saj si plagë personale – por si një udhëtare e
rastësishme, një kalimtare neutrale që vështron me sy të paanshëm e me mendje
të hapur. Edhe në këtë këndvështrim të zhveshur nga emocionet e përkatësisë,
bindja është e qartë- Kosova ka ecur përpara, me hapa të sigurt dhe dinjitozë.
Rrugëtimi
im i fundit jashtë vendit, që përfshinte kalimin nëpër disa shtete të rajonit,
më dha një mundësi të rrallë krahasimi – jo thjesht në aspektin fizik të
infrastrukturës apo gjendjes urbane, por edhe në atmosferën e përgjithshme, në
ndjesinë që të përcjell një vend kur e prek me këmbë dhe e përjeton me të
gjitha shqisat. Dhe po, nuk mund të mos e theksoj, kur hyra në Kosovë, mbeta e
mbushur me kënaqësi dhe krenari të thellë. Ishte një ndjesi gati e papritur,
por shumë domethënëse. Qetësia që të mbështjell, pastërtia e rrugëve, përpjekja
e dukshme për organizim institucional, prania e të rinjve që lëvizin me energji
dhe besim – të gjitha këto janë dëshmi të gjalla se ky vend, që dikur ishte
sinonim i dhimbjes dhe rezistencës, po kthehet gjithnjë e më shumë në një
hapësirë të mundësisë, të zhvillimit dhe të përkatësisë evropiane.
Është
e lehtë të biesh në grackën e kritikës së përhershme, sidomos kur je brenda
vendit dhe ballafaqohesh përditë me sfida reale – papunësinë, korrupsionin,
mungesat në sistemin shëndetësor apo arsimor. Por një vështrim nga jashtë, një
distancë objektive, të lejon të kuptosh përmasën e ndryshimeve pozitive që,
ndonëse të ngadalta dhe të vështira, po ndodhin. Dhe ky përparim nuk është
vetëm çështje statistikash apo raporte ndërkombëtare – është një përjetim që
ndihet në ajër, në ritmin e jetës, në shpresën e pashprehur të njerëzve.
Prandaj,
edhe po të mos isha shqiptare, edhe po të mos më lidhnin me Kosovën kujtimet,
rrënjët e historisë apo gjaku i brezave të mi, sërish do ta ndjeja të njëjtën
gjë, Kosova po ecën përpara, dhe kjo është një arsye jo vetëm për të qenë të
kënaqur, por edhe për të ruajtur shpresën dhe për të vazhduar ta ndërtojmë atë
me përkushtim, ndershmëri dhe dashuri të vërtetë.
Gjërat
duket se më në fund kanë zënë vendin e duhur në Kosovë. Një ndjesi e
përmbushjes dhe e rregullsisë të përshkon sapo hyn në territorin e saj – sikur
vetë toka të ketë marrë frymë lirshëm pas një rrugëtimi të gjatë e të
mundimshëm. Infrastruktura, dikur dëshmi e stagnimit dhe harresës, sot është
shndërruar në një tregues të zhvillimit dhe kujdesit institucional, rrugë të
shtruara me kujdes, trotuare që ftojnë për ecje, rrugica të pastra që
reflektojnë një përkujdesje të re për hapësirën publike.
Edhe
natyra, si të ishte pjesë e kësaj ringjalljeje kolektive, i është përgjigjur
këtij ndryshimi me gjelbërim të freskët dhe ngjyra të gjalla. Malet dhe kodrat
e Kosovës, të cilat gjithmonë kanë qenë krenaria e peizazhit të saj, tashmë
duken edhe më të gjalla, sikur të kenë rifituar rininë e humbur. Ato nuk janë
më thjesht sfond gjeografik, por dëshmi e një harmonie të re mes njeriut dhe
mjedisit, një dialog i heshtur i natyrës me historinë që ajo mban mbi shpinë.
Por
mbi të gjitha, është populli ai që më së shumti të jep ndjesinë e ndryshimit të
vërtetë. Shqiptarët e Kosovës, që kanë kaluar nëpër cikle të dhimbjes, që kanë
bartur mbi vete plagë të shumta dhe kujtime të rënda, sot paraqiten me një
përmasë të re qytetarie. Janë të edukuar në sjellje, të respektueshëm në
komunikim, të kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit dhe të gatshëm për ta ruajtur atë
që është ndërtuar me mund dhe sakrificë. Ka një lloj fisnikërie të heshtur në
sytë e tyre – një përzierje krenarie dhe përulësie, që rrallë haset tek popujt
që nuk e kanë kaluar rrugën e vështirë të historisë.
Kjo
ndjesi e përbashkët e rregullsisë dhe e përmirësimit nuk është thjesht rezultat
i investimeve fizike, por reflektim i një rilindjeje morale. Kosova duket se po
gjen gjuhën e saj të brendshme, po artikulohet në një mënyrë të re – përmes
qytetarëve të vet që jetojnë me ndershmëri dhe shpresë, përmes rrugëve që të
çojnë drejt një të ardhmeje më të sigurt, dhe përmes natyrës që buzëqesh e
qetë, si për të thënë, këtu më në fund po jetohet me dinjitet.
Fshatrat
e Kosovës, dikur të heshtur nën barrën e mungesës dhe harresës, sot shfaqen si
dëshmi të një rigjallërimi të ngadaltë, por të sigurt. Të rregulluara me kujdes
dhe të pastërta deri në detaje, ato ofrojnë jo vetëm një ndjesi estetike, por
edhe një pasqyrim të një mentaliteti të ri që po ngulitet në ndërgjegjen
kolektive – një dëshirë për të jetuar me dinjitet, në harmoni me natyrën dhe me
njëri-tjetrin.
Shtëpitë,
me kulmet e tyre të reja dhe të kuqe nga tjegullat që shkëlqejnë nën rrezet e
diellit të ngrohtë të Kosovës, krijojnë një pamje që të mbush me qetësi dhe
krenari. Ky kontrast i ngjyrave – e kuqja e kulmeve, jeshilja e kodrave, bluja
e qiejve – formon një mozaik të gjallë që nuk është vetëm i bukur për syrin,
por edhe për zemrën. Këto kulme nuk janë thjesht mbulesa mbi shtëpi – ato janë
simbole të ringritjes, të jetës që rifillon, të shpresës që nuk u shua as në
kohët më të errëta.
Dhe
po, më lejoni ta them pa asnjë hezitim: besoj me zemër dhe e di se edhe ju më
besoni – askund në botë nuk ka një vend më të bukur se Kosova. Bukuria e saj
nuk qëndron vetëm në peizazhe apo në arkitekturën e përtërirë, por në thelbin e
saj shpirtëror – në mënyrën se si ky vend, i mbështjellë nga dhimbja e së
kaluarës, di të falë, të ringjallet dhe të ofrojë ngrohtësi për këdo që e prek
me respekt dhe dashuri.
Kosova
është një poezi që shkruhet çdo ditë me përpjekje të heshtura, me duar që
ndërtojnë, me sy që shohin larg dhe me zemra që nuk dorëzohen. Ajo është një
tokë që, ndonëse e vogël në hartë, është e pafund në shpirt. Dhe kjo bukuri – e
natyrshme, e përvuajtur dhe e vërtetë – është ajo që e bën Kosovën jo vetëm të
dashur, por të pazëvendësueshme.
Tani
që më në fund kemi lirinë dhe shtetin tonë – dy prej aspiratave më të thella
dhe më të shenjta të historisë sonë kombëtare – shtrohet pyetja thelbësore:
çfarë duhet të themi? Çfarë duhet të ndjejmë e të mendojmë, ne, një popull që
brenda vetëm gjysmë shekulli ka përjetuar më shumë tronditje historike se sa
disa kombe përgjatë një shekulli të tërë?
Nga
një pozitë të nëpërkëmbur dhe të pushtuar, kemi kaluar nëpër etapa të errëta
shtypjeje dhe mohimi, kemi përballuar humbje të mëdha, internime, luftëra,
përjashtime dhe diskriminime sistematike, kemi ruajtur me fanatizëm gjuhën,
kulturën dhe identitetin tonë – e megjithatë, sot, qëndrojmë më të fortë, më të
vetëdijshëm dhe më të lirë. Nga thellësitë e një historie që na shtynte drejt
harresës, kemi dalë në dritën e një kohe të re, një kohë kur kemi të drejtën të
flasim me zë të plotë, të ndërtojmë pa frikë dhe të ëndërrojmë pa kufizime.
Dhe
në këtë ditë – këtë realitet që po e jetojmë – nuk ka vend për apati, as për
nënvlerësim. Ka vend për vetëdije dhe për gëzim të thellë. Sepse ky moment nuk
është thjesht një kapitull i ri politik, por një arritje historike që mbart në
vete frytin e dhimbjes dhe të sakrificës së gjeneratave të tëra. Të jetosh në
një shtet që është fryt i përpjekjes kolektive, të ecësh në rrugët e një toke që
dikur je ndjerë i huaj në tënden, është një privilegj që nuk duhet as të
harrohet, as të banalizohet.
Duhet
të jemi të lumtur – jo në kuptimin e një lumturie sipërfaqësore e festive – por
në kuptimin më të thellë të fjalës, të ndjejmë dinjitetin e të qenit zot të
vetvetes, të ndjejmë peshën e përgjegjësisë për të ardhmen, dhe të jemi
mirënjohës për ata që këtë ditë na e bënë të mundur. Vetëdija për atë që kemi
kaluar dhe për atë që kemi arritur është themeli mbi të cilin duhet të
ndërtojmë të nesërmen – jo me vetëkënaqësi, por me përkushtim dhe dinjitet të
pjekur.
Kosova
e sotme është më shumë se një shtet i ri në hartë – ajo është simbol i
ringjalljes, i rezistencës dhe i mundësisë për të jetuar si popull i lirë. Dhe
për këtë, duhet të gëzohemi jo vetëm për atë që është sot, por edhe për atë që
mund të bëhet nesër, nëse e duam me të njëjtin pasion dhe përkushtim që na çoi
deri këtu.
Të
gjithë ne, me ndjenjë të thellë përkatësie, e duam Kosovën. Ajo përbën jo vetëm
truallin ku kemi rrënjët tona, por edhe simbolin e identitetit, sakrificës dhe
shpresës së përbashkët. Megjithatë, në këtë dashuri që e shprehim për vendin
tonë, nuk ka vend për krahasime boshe – për pretendime se njëri e do më shumë e
tjetri më pak. Dashuria ndaj atdheut nuk është garë, nuk është matje që mund të
peshohet me fjalë apo krenari të tejskajshme. E vërteta më e madhe dhe më e
rëndësishme është bashkimi ynë rreth këtij vendi – bashkimi në përkushtim, në
përgjegjësi dhe në mbrojtje të tij.
Kosova
nuk ka nevojë për fjalë të mëdha nëse ato nuk përkthehen në qëndrueshmëri e
mbështetje të përditshme, në unitet dhe vepra konkrete. Sepse, përkundër
pavarësisë së fituar dhe realitetit tonë shtetëror, aspiratat për ta parë
Kosovën të nënshtruar nuk kanë vdekur ende. Ka ende forca që e dëshirojnë të
dobët, të varur, të zhveshur nga dinjiteti dhe liria e saj. Kjo e bën edhe më
të nevojshme jo vetëm dashurinë për Kosovën, por edhe kujdesin dhe
përgjegjësinë për ta ruajtur atë nga çdo kërcënim – qoftë i hapur apo i
fshehur, qoftë i jashtëm apo i brendshëm.
Duhet
të kuptojmë se atdheu nuk kërkon përkushtim vetëm në ditë të vështira, por edhe
në kohë paqeje e mirëqenieje. Të ndërtosh një shtet kërkon aq shumë durim dhe
punë sa lufta për ta çliruar. Në këtë kuptim, ta duam Kosovën nuk do të thotë
vetëm ta përqafojmë në festë, por ta mbrojmë në çdo rrethanë – me dije, me
punë, me etikë qytetare dhe me besnikëri.
Sepse
ne nuk kemi një atdhe tjetër. Kosova është i vetmi vend që e kemi në këtë botë
për të cilin jemi të thirrur jo vetëm të jetojmë, por nëse duhet, edhe të
vdesim. Jo si një akt romantizmi, por si një përkushtim i natyrshëm për diçka
që na përket në esencë. Atdheu nuk është zgjedhje – është trashëgimi,
përgjegjësi dhe ideal që nuk guxojmë ta lëmë në harresë apo në mëshirën e
rrethanave. Dhe pikërisht për këtë, dashuria më e madhe për të është bashkimi
dhe mbrojtja e tij me vepra dhe me zemër të përbashkët.
Është
e vërtetë se të gjithë ne, pa përjashtim, e duam Kosovën. Kjo dashuri është e
thellë, e rrënjosur në ndërgjegjen tonë historike dhe kolektive, e ndërtuar mbi
kujtime, sakrifica dhe aspirata të gjeneratave të tëra. Ajo përbën pjesë të
pandarë të identitetit tonë personal dhe kombëtar. Por, dashuria për atdheun,
sado e fuqishme të jetë në ndjenjë, nuk mund të mbetet vetëm në nivel
deklarativ. Ajo duhet të dëshmohet, të vërtetohet dhe të konkretizohet përmes
veprave dhe përkushtimit të vazhdueshëm.
Të
thuash se e do Kosovën është një hap i parë, por i pamjaftueshëm nëse nuk
pasohet me angazhim aktiv dhe të përgjegjshëm në ndërtimin dhe përparimin e
saj. Dashuria për atdheun nuk është thjesht emocionale – ajo është edhe etike.
Ajo shprehet në mënyrën se si kontribuojmë në jetën publike, në përpjekjet për
një shoqëri më të drejtë, në mbrojtjen e institucioneve demokratike, në
ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në nxitjen e zhvillimit arsimor, ekonomik
dhe social.
Përkushtimi
ndaj Kosovës duhet të jetë një proces i pandërprerë, një akt i përditshëm që
nuk varet nga rrethanat apo disponimi momental. Ajo kërkon një vetëdije të
lartë qytetare, një ndjenjë përgjegjësie për brezat që do të vijnë, dhe një
gatishmëri për të vendosur interesin e përbashkët mbi interesin individual. Ta
duash Kosovën do të thotë të luftosh kundër padrejtësive, të ndihmosh në
ndërtimin e institucioneve të forta, të refuzosh korrupsionin dhe të ruash
integritetin në çdo fushë të jetës.
Në
këtë kuptim, dashuria për atdheun nuk është asnjëherë një gjendje e dhënë
njëherë e përgjithmonë, por një sfidë që duhet fituar përditë. Ajo nuk është
vetëm emocion, por akt i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm. Prandaj, nëse vërtet e
duam Kosovën – dhe këtë nuk e vëmë në dyshim – duhet të jemi të gatshëm ta
dëshmojmë këtë dashuri jo vetëm me fjalë, por me punë, me përkushtim dhe me
idealizëm të matur, që e di se liria dhe shteti kërkojnë kujdes, sakrificë dhe
dashuri të qëndrueshme.
21 maj, 2025
Prishtinë