Mendime
Idriz Zeqiraj: Vota e fshehtë pastron Parlamentin dhe Institucionet nga të inkriminuarit
E merkure, 28.05.2025, 02:55 PM
VOTA E FSHEHTË PASTRON PARLAMENTIN
DHE INSTITUCIONET NGA TË INKRIMINUARIT
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Bllokada e Parlamentit nuk është
rastësore. Përkundrazi, me fjalë boshe, me gojën plot demokraci, por me veprime
moniste dhe kundra demokratike, subjektet politike në Kosovë, kanë degraduar
deri në degjenerim të skajshëm. Pushteti bërrylor i komandantëve, me mujshi e
përgjakje, qoftë edhe në paqe, rrënoi Sistemin e Drejtësisë, duke shmangur
kontrollin shtetëror. Shtetarë e pushtetarë zuzarë, përvetësuan institucionet
dhe rrufeshëm privatizuan shtetin, duke zhvatur pasuritë e brezave shqiptarë.
Zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë milionerë të sotëm!
Nga sistemit monist, komunist kopjuan
votimin aklamativ, të hapur, me ngritje dore, për ta vazhduar sundimin, madje
deri në ngordhje. Në Kushtetutë dhe akte tjera ligjore, si parësi është kodifikuar
e normatizuar -votimi i fshehtë-, i huazuar nga kodi i Napoleonit francez. Por,
djallëzisht dhe qëllimshëm, është shoqëruar me një klauzolë: "Bënë edhe me
aklamacion, me votim të hapur, siç ta vendosë Kryesia apo Kuvendi, për të
gjitha llojet e zgjedhjeve!" Ndërkohë, e tejkaluan monizmin me hajninë
zyrtare, duke e modifikuar me një emërtesë "evropiançe" -korrupcion-!
Sepse në epokën e Titos, di rast dhe
raste, kur për disa qindra dinarë, të konvertuar në 400 marka, deficit,
mangësi, në një dyqan, njësi tregtare, të kontrollit të inventarizuar, shitësi
ka vuajtur plot 4 vjet burg. Ndërsa në Shqipërinë e Enverit, për pak arka me
agrume (portokaj, mandarina, limona), të dëmtuara, të kalbura në një magazinë,
ministri i Tregëtisë, Kiço Ngjela, (babai i avokatit të njohur, Spartak
Ngjela), është dënuar me 25 vjet burg, për sabotim të pasurisë socialiste, të
vuajtur në Burgun sketerrë të Burrelit. Kurse për tri lopë të ngordhura, në
shtallën-fermë të Kamzës, në afërsi të Tiranës, janë pushkatuar dy dhe janë
dënuar me shumë vite burg disa blegtorë të shtallës!
Keni vëmendjen e duhur dhe ngulmoni për
një të drejtë unike, absolute: Praktikoni votën e fshehtë, si barometër të
demokracisë.
Harrojeni për jetë e mot
-aklamacionin-, votimin fiktiv, të hapur, me ngritje dore! Është një metodë
tipike komuniste, për ta mbrojtur mashtrimin, gënjeshtrën, falsifikimin,
hipokrizinë, servilizmin!
Mungesa e votës së fshehtë, i ka
sjellur gjemë e plojë njerëzimit!
1) Po të ishte praktikuar vota e
fshehtë, krimineli rus-sovjetik, Stalin, nuk do të arrinte ta sundonte, me
dajak e plumb, për tej tri dekadave, Bashkimin Sovjetik.
2) Po të praktikohej votimi i fshehtë,
Hitleri nuk do të arrinte të vihej në krye të Gjermanisë Federale dhe ta
sundonte dhe përdhoste atdheun e Getës dhe t`i shkaktonte Evropës dhe botës
miliona viktima dhe rrënime të qytetërimit evropian dhe botëror.
3) Po të ishte votimi i fshehtë,
kriminelët rusë Putin dhe Medvedev, nuk do të vazhdonin sundimin e tyre kriminal,
duke i ndërruar pozitat president-kryeministër, njësoj siç e kishin planifikuar
të bënin në Kosovë tandemi Hashimi-Isa, me aklamacionin zgjedhor fiktiv të
imponuar. Matematikat ua prishën Amerika, Gjermania...
4) Po të praktikohej vota e fshehtë e
shqiptarëve, që zakonisht e garanton çdo Kushtetutë e Kontinentit Evropian,
filosllavi, por edhe kryetradhtari i deritashëm shqiptar, Enver Hoxha, nuk do
ta zgjidhnin kolonët malazezë dhe serbë, për të parë të Shqipërisë, në
Vitomiricë të Pejës! Dhe, kurrë nuk do të arrinte ta sundonte e
"sakatonte" Shqipërinë londineze, për afro gjysmë-shekulli!
5) Po të praktikohej vota e fshehtë,
edhe pse Isa Mustafën e katapultoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij kriminal, në
krye të LDK-së, për ta bërë -bisht e patericë- të PDK-së, të paktën, nuk do t`i
vazhdohej mandati i dytë dhe i tretë i kryetarit të LDK-së, pa qenë kurrë
anëtar i saj, falë votimit aklamativ, fiktiv, të rrejshëm!
Si delegatë në 4 (katër) Kuvendet në
Zgjedhjet Qendrore të LDK-së, në Prishtinë, më shumë se zgjedhje, ishin një
-Maskaradë- zgjedhore. Në sallën zgjedhore kuvendore ishin 359 delegatë.
Turpshëm e kriminalisht shkermoçej demokracia dhe partia - njëherësh! Votimi
aklamativ, i tufëzuar, blegtoral vazhdonte. Asnjë zë, asnjë debat, asnjë
propozim, përveç ata që kishte listuar Shefi Isë me klanin e tij! Delegatëve të
Mërgatës u kishin lënë vendin në radhën e fundit të karrikeve kuvendore, edhe
pse kishin bërë mijëra km rrugëtim, ardhje-kthim, me shpenzimet e tyre, për të
qenë pjesë e Kuvendit Zgjedhor!
Reagova me zë të lartë. Një gazetar
trimosh, (më vjen keq që nuk ia mësova emrin, pres të lajmërohet), më ofroi
mikrofonin. Në mes tjerash, shfryva: "O skllevër të shekullit digjital, si
nuk keni turp ta vrisni demokracinë, me aklamacionin tuaj të poshtër dhe
heshtjen tuaj qyqare e kriminale?! Çfarë fytyre keni të dilni para anëtarësisë
dhe elektoratit të LDK-së, për të kërkua sërishmi votën?!" Në sallë pati
duartrokitje, por duart zgjedhore u ngritën për Isa Mustafën! Dhe, LDK-ja e
pësoi me 10.5 % dhe jo 12.5 %, sepse kishte hisedarë në koalicion.
6) Po të ishte votimi i fshehtë,
shqiptarët londinezë nuk do ta riciklonin karagjozin Ramë, me atë zhargonin
pezhoartiv dhe provokimin e shqiptarëve të përbotshëm, i cili me mbështetjen e
turpshme të ndërkombëtarëve, rrënoi pluralizmin në Shqipëri, të krijuar me
sakrifica e gjak, për gjysmë-shekulli radhazi!
7) Po të bëhej votimi i fshehtë, Hashim
Thaçi, duke qenë agjent i trefishtë: i Sigurimit të përgjakshëm sekret të
Enver Hoxhës; i Shërbimit Informativ DGSE francez; përmes Arnaud Danjear,
agjent i Serbisë, nuk do të arrinte kurrë të bëhej president i Kosovës! (Për
rekrutimin e Hashimit agjent, lexoni në -Jou Tube- rrëfimin e kreut të
Shërbimit francez, Pierre Siramy).
Vota e fshehtë është dhuratë e
Perëndisë për Demokracinë!
Shtetarë, pushtetarë, parlamentarë,
kuadro partiakë dhe kushdo tjetër, që ka frikë të provohet me votën e fshehtë,
ata janë frikacakë, kanë arritur të ngritën në poste me bërryla dhe janë,
thjeshtë, brrylaxhi, të cilët duhet të futën sa më parë në testimin e votës së
fshehtë. Sepse ajo do t`i skarconte llumhanen ndotëse të institucioneve
të Kosovës, subjektet e kriminalizuara politike dhe Parlamentin e ngulfatur,
nga mujsharë e zuzarë të neveritshëm. Për të tillët Akademik Mark Krasniqi
thoshte: "Kur të qethën ogiçët, do të shihni çfarë morracakësh janë!"
Kolapsi kuvendor është sa artificial,
aq edhe hiç ligjor. Demokracia e përjashton kushtëzimin, duke i dhënë parësi e
hapësirë debatit. Kuvendi nuk guxon të bëhet viktimë e Kadri Veselit, të
Vetting-ut, të Byrosë për Verifikimin e Pasurive të pa mbulesë financiare. E
gjithë e thëna dhe e bëra e ministres dhe e deputetes luftarake dhe atdhetare,
Albulenë Haxhiu, tashmë, të dëshmuar me tej 150 mijë vota të fshehta të
qytetarëve të Kosovës, qëndron dhe është super meritore për postin e lartë,
kryetare e Kuvendit të Kosovës. Çfarëdo propozimi të dytë, në vend të
Albulenës, qoftë edhe ideal, do të përbënte precedent të rrezikshëm, sepse
imponohet vullneti i humbësve, për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërkohë
që këtë të drejtë e gëzon vetëm partia fituese.
Zakonisht, shqiptarët nuk shquhen për
sinqeritet. Ndërkohë që hipokrizia është bollshëm e pranishme. Robëria e gjatë,
nga pushtues të egër e mizorë, ka ndikuar dukshëm. Andaj, hipokrizia është me
tepri e pranishme. Sistemi komunist e ka normë hipokrizinë, servilizmin,
gënjeshtrën dhe veset tjera turpëruese. Raporti në mes votës aklamative me atë
të fshehtë, e para dominon me negativitet, e shprehur në shifra dhe përqindje:
8 me 2 ose 8 % dhe 2 %! Pra, nga përvoja e votimeve në demokraci, për gjatë
këtij çerek-shekulli, bilanci është fatal. Prandaj, harrimi i aklamacionit,
votimi fiktiv, i hapur, duhet harruar, për t`i dhënë qytetarinë votimit të
fshehtë, si e vetmja votë demokratike, e cila pastron Parlamentin dhe
institucionet tjera nga krimi dhe kriminelët.
Kushtetuta e pranon votimin e fshehtë
dhe kjo i demanton belbëzimet e disa ish-kuadrove të Gjykatës Kushtetuese, të
emëruar, enkas, nga Hashimi, për t`i shërbyer atij dhe Serbisë, në përpjekjen
për t`i shpëtuar penalizimit të bazuar. Disa thonë se kjo duhej propozuar ende
pa filluar konstituimi i organeve kuvendore dhe jo në mes, pasi ka filluar
prova e konstituimit me aklamacion.
Por, janë dy argumente bazike, që e
hedhin poshtë këtë "argumentim" me porosi:
a) Opozita e bashkuar, duke shtuar edhe
Listen Serbe, bëri koalicionin -PLAS-, pas zgjedhor, gjë që e përjashton
Kushtetuta. Pra, Kushtetuta njehë vetëm koalicionet parazgjedhore dhe assesi
ato pas zgjedhore. Megjithatë, lë të vazhdojë koalicioni -PLAS-, por, pa e
penguar votimin e fshehtë kushtetutorë, meqë votimi fiktiv aklamativ, i hapur,
ka dështuar në zhbllokimin e punës kuvendore;
b) Sepse kanë ndodhur gjëra sa të
jashtëligjshme, aq edhe të jashtëzakonshme, në pozicionimin bojkotues gruporë
të opozitës destruktive dhe koordinuese e drejtpërdrejtë me presidentin serb
Vuçiq, për të larguar Albin Kurtin dhe LVV të tij nga pushteti, i fituar me
votën e fshehtë të qytetarëve të Kosovë! Dhe, për t`i kthyer në pushtet
komandantët e kriminalizuar, në koalicion me Listen Serbe, me njëmijë e një
mëkate karshi shtetit të pavarur të Kosovës!
Thënë troç, qytetarët e Kosovës kanë
humbur, tërësisht, besimin në opozitën, kryesisht, PAN-in, kur janë të gatshëm
ta pranojnë Asociacionin me çfarëdo përmbajtje qoftë; të pranojnë krijimin e
komunave si ajo e Dudisë sot e, ndoshta, nesër edhe të Vetushit dhe Hoxhushit,
në përpjekjen e mundimshme, për t`u zvarritur në politikën dështake partizat
minore! PAN-istët mbijetojnë nga klientela elektorale, duke pasur të garantuar
votat: pjesës më të madhe të armatës të nëpunësve shtetërorë, të stazhionuar
për dy dekada radhazi; anëtarësia e organizatave kriminale SHIK me simotra;
të dhjetra-mijëra veteranëve të rrejshëm, të abuzuar me buxhetin e shtetit.
Opinioni shqiptar është i befasuar me
Lidershipin e LDK-së, me bojkotin e shpërfaqur në mënyrë sa të vrazhdë, aq edhe
të panatyrshëm, përkrah partive-banda, të koalicionura kundërligjshëm, pas
zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025?! Opinioni i përbotshëm shqiptar pret reflektimin
e partisë Institucionale, LDK, braktisjen e bojkotit dhe ndërprerjen e
bashkëpunimit me PAN dhe Lista Serbe, për ta zhbllokuar Kuvendin dhe bërjen e
koalicionit qeverisës LVV-LDK.
Populli i Kosovës është i lodhur dhe i
dërrmuar me pehlivanllëqet e politikanëve të papërgjegjshëm. Është shansi i
fundit, për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet nga fytyra e tyre.
Përndryshe, e gjithë kjo lojë e ndyrë,
e PAN-it, duke ndërhyrë edhe në drejtësinë e shumëpritur ndërkombëtare, si
shpresë e fundit e shqiptarëve, për të vënë dhe bërë drejtësi të pavarur, do të
jetë e kushtueshme, për kodoshët dhe zuzarët e politikës kriminale e
rrugaçërore, e kufizuar në përfitimet personale e grupore, por gjithnjë kundër
dhe në dëm të Kosovës.