E premte, 25.07.2025, 09:55 AM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Miti i Sizifit dhe Kuvendi i Kosovës

E hene, 19.05.2025, 06:58 PM


Prof. Blerim Latifi:

Miti i Sizifit dhe Kuvendi i Kosovës

Ju kujtohet fati i Sizifit në mitologjinë antike greke: Perënditë vendosën ta ndëshkojnë Sizifin me një dënim të përjetshëm: të shtyjë një shkëmb të madh përpjetë një mali, por sa herë që shkëmbi arrinte pranë majës, ai rrokullisej poshtë në luginë, dhe Sizifi duhej ta niste gjithçka nga fillimi.

Ideja e mitit: s'ka dënim më të madh për njeriun se ta dënosh atë të kryej një punë absurde, të pakuptimtë, pa rezultat.

Sot Kuvendi i Kosovës është kthyer në një teatër absurdi, ku sizifët e tij përsërisin çdo 48 orë, nga fillimi, një veprim absurd.

Por derisa Sizifin mitik e dënuan perënditë, këta sizifët tanë kush i dënoi me këto seanca absurde?

I kanë dënuar perënditë e interesit të ngushtë personal. Duke filluar nga partia Vetëvendosje, e cila, duke shkatërruar kulturën politike të kompromisit, ka mbetur me vetëm një instrument në duar për të mbetur në pushtet: bllokadën parlamentare. Në stilin: Ose ne në pushtet, ose askush tjetër!

Në tregimin mitik të Sizifit nuk ka rrugëdalje nga absurdi, ndërsa në përpunimin filozofik që Albert Kamy ia bën këtij tregimi, rrugëdalja gjendet përmes aktit të rebelimit ndaj absurdit.

A është i mundur ky akt rebelimi ndaj absurditetit sizifian në Kuvendin e Kosovës?

Më vjen keq ta them, por dyshoj.

Për një arsye: ka kohë që ne jemi mësuar të jetojmë në dhe me absurditete. Ato janë normalizuar në jetën tonë. E normalizimi nuk premton revoltë. Përkundrazi.

Mirëupafshim në shfaqjen sizifiane të radhës në të ashtuquajturin Kuvendi i Kosovës! Pas 48 orësh.

____________

Baza ma e madhe ushtarake amerikane në Lindje të Mesme ndodhet në Katar. Trump e paska detyru qeverinë e këtij shteti që nëse do ta ketë praninë e kësaj baze, duhet të investojë në të 10 miliardë dollarë. Pra duhet të paguajnë nëse duan që ta kenë mbrojtjen amerikane.

Ky është edhe një tregues se epoka e sigurisë gratis nga Amerika, ka marrë fund. Në këtë kontekst shtetet europiane kanë rifilluar programet e tyre të fuqizimit ushtarak. Kancelari gjerman po thotë se synon ta bëj Gjermaninë me ushtrinë më të fortë në Europë, ndërsa Franca po flet për një rol të saj në sigurinë europiane nga perspektiva e faktit se është shteti i vetëm në BE me armë bërthamore.

Shpejt edhe ne do të përballemi pyetjen që del nga kjo situatë: do të paguajmë për mbrojtjen amerikane apo të ndërtojmë mbrojtjen tonë?

Pyetje fort e sikletshme kjo, duke u nisur nga fakti se jemi mësuar me sigurinë gratis tash e 26 vjet dhe ushtrinë se kemi fort për qejf. Shto kësaj edhe dobësinë financiare dhe shkatërrimin e ndjenjës patriotike, që ka ndodhur sistematikisht gjithë këto vite në Kosovë.

____________

E patë dqysh lideri saudit shkrihej para presidentit Trump? Ky i fundit siguroi një pako investimesh saudite në SHBA me vlerë prej 600 miliardë dollarësh. Po ashtu një marrëveshje tjetër për t'i shitur shtetit saudit teknologji të avancuara ushtarake amerikane me vlerë prej 142 miliardë dollarësh.

Ndërkaq, këta budalltë tonë, të indoktrinuar me ideologjinë vahabiste të shtetit saudit, natë e ditë s'pushojnë duke e sha e mallku Amerikën. Natyrisht, këtë nuk ua kërkon shteti saudit, por dikush tjetër, komshiu ynë verior, për të cilin e kryejnë punën e idiotëve të dobishëm. Sepse vetëm një shteti në botë i intereson antiamerikanizmi në Kosovë: Serbisë.

____________

Për një gjë jam i sigurtë: në çdo pikë kufitare të shtetit serb më pret poternica e tij. Dhe kjo më bën krenar. Sepse është dëshmi se kam bà diçka konkrete kundër atij shteti, që s'la formë dhune pa përdorë kundër nesh për gati 100 vjet dhe sot s'lë formë obstruksioni pa përdorur, që të na pengojë në zhvillimin tonë si shtet e shoqni.

____________

Fati i Shqipërisë në Eurovision është si ai i Kadaresë në Akademinë Suedeze, e cila e jep çmimin "Nobel".  Edhe pse janë më të mirët, nuk fitojnë kurrë. Për një shkak të vetëm: përfaqësojnë një komb të vogël dhe masivisht e strukturalisht të paragjykuar.

Llafet tjerat janë sofizma të kota.

____________

Moti ju kam thanë: Grrithni veç pak ata që e shajnë Shqipninë dhe shihni çfarë speciesh do t'u dalin!

Jugosllavia si strukturë politike ka vdekur, por Jugosllavia mentale ende rron.

____________

Është kthy Kuvendi i Kosovës në përkujtimore. Mbase nuk do të ishte keq që t'pamet që mbahen në Hotel Grand, me i zhvendosë në Kuvend!

____________

Shqiptarët e kanë fort për qejf me u grindë se kush është patriot i vërtetë e kush i rremë. Qe një dallim:  sot patriot i vërtetë është ai që e ka mbjellë me grurë kët' fushë, e patriotë të rremë ata që u bënë gazi i botës në Kuvendin e Kosovës.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx