Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Profetët e rremë
E diele, 18.05.2025, 06:54 PM
Profetët
e rremë
Tregim nga
Ndue Ukaj
Ndodhte
shpesh që mes njerëzve të vinin profetët e rremë dhe kjo ndodhte kur njerëzit
gjendeshin nëpër dallgë të jetës, pa ndonjë profet të mirë, të cilin mund ta
zgjonin nga gjumi dhe t’i thoshin: na shpëto.
Por
si dukeshin profetët e rremë e si vinin mes njerëzish e bëheshin udhëheqës të
tyre? - pyesin njerëzit brezni pas breznie, e pyetja shtegtonte si një re në
qiell të trazuar, herë dukej e qartë si një mëngjes i bukur e herë e
dallgëzuar, si një natë e zezë, dhe njerëzit, sa dukej se i afroheshin një
epilogu ose një zgjidhjeje, largoheshin kilometra dritë prej njohjes së kësaj
të vërtete, ngaqë, në secilin hark njerëzor, profetët e rremë, shiheshin mes
njerëzish, kishte raste kur njerëzit i dëbonin, por ndodhte shpesh që ata të
përbiroheshin mes tyre e të ngjiteshin në maja të pushtetit.
Dhe
sa herë shfaqeshin mes njerëzish, ata ngjanin si qengja, por përbrenda ishin
ujq.
Ishin
parë shumë profetë të rremë mbi faqe të dheut, secili më gjakpirës se tjetri,
por njerëzit prapëseprapë nuk e kishin idenë si përbiroheshin ata me aq lehtësi
mes dëshirave njerëzore, i thithnin, ato si rriqra dhe dilnin në sipërfaqe,
prej ku, ngjiteshin froneve të larta.
Kur
ishin mes njerëzish, poshtë, predikonin për parajsën, bëheshin të butë si
qengja, por përbrenda ishin ujq, dhe këtë instinkt e shfaqnin porsa ngjiteshin
në frone të larta dhe gjithçka poshtë e shikonin me përbuzje.
Sa
ishin të vegjël, mes njerëzish, flisnin me një përvujtëri, visheshin me pupla
të buta, dukeshin si qengja, uleshin pranë fëmijëve, ndodhte të përuleshin e
t’ua lidhin të mbathurat atyre, i shihje në sofra të varfërish e bëheshin se
ushqeheshin me troha të varfërisë; fjalët e tyre nuk përmbanin helm, as teh
thikash, përkundrazi, kur ishin në tatëpjetën për t’u ngjitur lartësive,
flisnin shumë për parajsën, por gjithçka ndryshonte kur binte nata - e nata bie
përherë - dhe ata, të ulur në fronin e pushtetit, zhvishnin teshat e tyre prej
qengjash, mbrehnin fjalët, si thikat e egra njerëzore dhe shkretonin gjithçka
që u dilte përpara.
E
vërteta ishte megjithatë e qartë: nuk duheshin shumë algoritme mendore për t’i
kuptuar si dukeshin ata, gjeografia e kësaj tragjedie nuk zhvillohet në një
hapësirë të madhe, nuk kishte nevojë për një duel, luftë të re Troje,
Holokaust, luftë të re në Kosovë, një kalë si dhuratë në një mëngjes me shi e
zymtësi, një gjyq si ai i Pilatit, por dihej, një dramë e tillë zhvillohej në
një zemër të egër, që nuk ishte e butë dhe e përvuajtur, dhe njerëzit, që t’i
kuptonin ata, duhej ta kuptonin se nuk vilej rrushi prej ferrave e as fiq prej
murrizave.
Dhe
kur ta kenë kuptuar këtë të vërtetë, njerëzit do të zgjohen në një mëngjes të
ri, në një mëngjes krejt të ri, të bardhë e pa histori negative të trashëguara
e do t’i hapin krahët e do ta përqafojnë mëngjesin e ri, duke pështyrë mbi
udhëheqësit e rremë, e nga pështyma e tyre, baltë do të bëhet dhe ata të
mallkuarit, do të fundosen në baltë.
Dhe
kështu, njerëzit do ta kuptojnë se një pemë e mirë jep fruta të mira, e një
pemë e keqe jep fruta të këqija dhe një pemë ngjan në një mendje të keqe, e një
mendje e keqe nuk mund të japë fryte të mira.
Dhe
kur njerëzit ta marrin këtë mësim do të dalin në kopshtin e tyre e do t’i
nxjerrin nga dheu i tyre me shpejtësi drite pemët e këqija, që i kanë ujitur
kohë të gjatë dhe do t’i hedhin në zjarrin e asgjësimit dhe atë syprinë do ta
mbjellin me pemë të mira, që japin fryte të mira.