Kulturë » Vataj
Albert Vataj: E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan
E diele, 18.05.2025, 06:56 PM
E megjithatë “Zjerm”-i i Shkodra Elektronike, ka me shndrit si një flakadan në përjetimin e adhurimit
Nga
Albert Vataj
Si
shkodran, edhe në përballjen e ethshem për triumf të "Zjerm" në
Bazel, isha bërë gati të përlotesha si mbrëmjen 30 majit 2013, kur Elhaida Dani
fitoi "The Voice of Italy".
Por zjermin në shpirt nuk na ma fiku dot e pamujtuna e Shkodrës Elektronike me
u ngjit në podin e fituesit.
Edhe
pse dëshiruam kaq shumë fitoren në sfidën evropiane të këngës, pamundësia për
të triumfuar në natën finale të Eurovision 2025, nuk na heq të drejtën për të
besuar se “Zjerm” i Shkodra Elektronike që përfaqësoi Shqipërinë në këtë even
gjigant të këngës, se ka ardhur për të sjellë një përvëlim të fuqishëm
emocionesh, që ndezi zemrat e miliona admiruesve, duke e ngritur artin
shqiptar, traditën tonë të këngës në nivelet më të epërme.
“Zjerm”
nuk erdhi thjeshtë si një këngë, si një produksion muzikor, me protagonistët,
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca dhe ndihmesën e vargëzimit të Lekë Gjeloshit,
por si një zë që lind nga thellësia e shpirtit për të trokitur në ndërgjegjen
tonë kolektive.
“Zjerm”
erdhi t'i qaset të sotmes së nevojave të ngutshme për origjinalitet dhe
kreativitet, si një risi e guximshme, që kërkon jo vetëm të dëgjohet, por të
ndjehet me fuqinë e një përjetimi shndrrues, të kuptohet në thelbin e fjalës
dhe ritmit, metaforës dhe kushtrimit, të jetë vërshuese si një përrua që zbret
për të shuar etjen e lumendjve të përfshirjes dhe ndijimit.
“Zjerm”
erdhi më shumë se një përfaqësim muzikor, shumë më shumë se një përvojë e
thellë shpirtërore, behu si një shpërthim poetik që tejkalon kufijtë e skenës
dhe kohës, që depërton thellësive të zgjimit.
Ajo
na kujton se arti i vërtetë nuk ka nevojë për miratim, dakordësim jurish,
pendesë gjeopolitikash, apo trofe për të ndriçuar. Mjafton të jetë i vërtetë, i
pastër, i guximshëm, dhe ai ka arritur të rrëmbejë fitoren më të madhe dhe
arritjen më përmbushës, të bëhet pjesë e dëshirimit të njerëzve.
Në
një botë që vuan nga zbrazëtia e kuptimit dhe zhurma e pakuptimtë, kaosit,
zhgënjimit dhe humbjes, “Zjerm” bëhet akt rezistence, një poezi e kënduar që
përthyen errësirën dhe ndez shpresën, ngre altare aty ku lufta lë gërmadh. Dhe
jo vetëm kaq, “Zjerm” erdhi si asnjë krijim artistik, për t’u bërë frymë e një
përjetimi brezi. Ajo është në majë, edhe pse doli e 8-ta në renditjen e
Eurovision, sepse ajo është një këngë që këndohet kudo, që kërcehet duke u bërë
pasurim i ritmit dhe ngjyrave të së përditshmes.
Sepse
kjo këngë i flet shpirtit personal, ndjeshmërisë kombëtare dhe ndërgjegjes
njerëzore. Ajo është një psalm modern, një vajtim i shndërruar në lutje, një
plagë e shndërruar në dritë, një kambanë që ofrohet si një ftesë për paqë.
Nëpërmjet
saj, dëgjojmë jo vetëm zërin e Beatriçes dhe Kolës, por zërin e gruas shqiptare
dhe burrave që vijnë nga eposi, të brezave që kërkojnë drejtësi, të kombeve që
përpiqen për tolerancë dhe mirëkuptim, të njerëzve që duan të jetojnë me
dinjitet dhe dashuri.
“Zjerm”
s’është një flakë që shuhet. Është një zë që mbetet, në ne, me ne, përtej nesh.
Dhe në çdo rishfaqje, në çdo dëgjim të ri, ajo do të jetë sërish një thirrje
për të jetuar më ndershmërisht, më thellë, më njerëzisht.
“Zjerm”
dhe Shkodra Elektronike, në befasitë e saj, me të cilat zuri vend privilegji,
ka rrëmbyer gjithashtu vlerësime shumë pozitive nga media ndërkombëtare, duke u
cilësuar si një nga hyrjet më origjinale dhe të guximshme të këtij viti, ajo
përjetua si një akt artistik i pakompromis dhe i thellë, që në vend të fabulës
pop, solli atmosferë, tension dhe trashëgimi të rishkruar me gjuhën e së
tashmes.
CNN
e cilësoi “Zjerm” si këngën më të mirë të këtij viti. Rob Picheta, një nga zërat
kritikë më me ndikim në mbulimin kulturor të Eurovisionit, theksoi se bëhej
fjalë për një krijim “krejtësisht të ndryshëm nga çdo gjë tjetër në konkurs”.
Ai vlerësoi stilin jokonvencional të dyshes dhe ndikimin që kjo këngë pati tek
audienca, duke theksuar rritjen e popullaritetit në mesin e fansave
ndërkombëtarë.
Edhe
NPR, përmes kritikut Glen Weldon, e përfshiu “Zjerm” mes dhjetë më të mirave të
konkursit. Ai e përshkroi si një baladë “të fuqishme” ballkanike, me kontraste
vokale dhe imazhe skenike “të gjalla”, duke e konsideruar një konkurrente të
denjë për vëmendjen e jurive profesionale.
Nga
Suedia, kritiku Carl Petersson Moberg i Göteborgs-Posten e cilësoi performancën
e Shqipërisë si “të guximshme dhe dramatike”, duke vlerësuar ndjeshmërinë e saj
folktronike si një ndërthurje e rrallë e traditës me eksperimentin modern. Ai
parashikoi që Shqipëria jo vetëm do të kalonte në finale, por edhe do të linte
një gjurmë të fortë artistike në konkurs.
Në
Finlandë, Eva Frantz e Yle i dha këngës notën maksimale – 10 nga 10 – duke
lavdëruar origjinalitetin, simbiozën e thellë të muzikës popullore me tingujt
elektronikë, si dhe praninë e saj magnetike në skenë. Ajo madje shprehu
dëshirën që, nëse vendi i saj apo Suedia nuk do të fitonin, trofeu t’i takonte
Shqipërisë.
Në
një analizë të botuar në Vulture, kritiku Jon O’Brien e renditi “Zjerm” të
dytën nga të gjitha hyrjet e këtij viti, duke veçuar përzierjen mjeshtërore të
instrumenteve me tela të Lindjes së Mesme, ritmeve tribale dhe vokaleve të
pazakonta si elemente që e shndërronin këtë këngë në një ndër më të arrirat
artistikisht. Ai parashikoi se Shqipëria mund të siguronte rezultatin më të
mirë në historinë e saj eurovizive.
Ndërkaq,
në El Confidencial, një kritik spanjoll e përshkroi “Zjerm” si një krijim me
“thellësi të jashtëzakonshme kulturore”, më shumë se një këngë, një dëshmi
poetike e rrënjëve dhe vizionit bashkëkohor shqiptar.
Rolling
Stone, përmes gazetarit Kiel Egging, e futi Shkodra Elektronike në listën e
dhjetë artistëve që duhej ndjekur me vëmendje në Eurovision. Ai e cilësoi
“Zjerm” si një prej surprizave më autentike të festivalit, duke nënvizuar
potencialin e saj për një renditje të lartë, sidomos për faktin se i ishte
besuar nderi për të mbyllur finalen e madhe.
Ndërsa,
Wiwibloggs, portali më me ndikim për fansat e Eurovisionit, i dha këngës një
mesatare prej 8.40 pikësh nga juria e saj ndërkombëtare, duke e renditur të
dytën ndër të gjitha pjesëmarrjet e vitit.
Dhe...
“Zjerm” nuk ishte një këngë që lypte dashuri, por një shfaqje që të kërkonte
t’ia pranoje të drejtën për të qenë ndryshe. Në një skenë që shpesh favorizon
spektaklin mbi përmbajtjen, Shqipëria këtë vit solli një formë arti që fliste
me një gjuhë të vjetër dhe të re njëkohësisht. E në këtë udhëtim zëri i saj nuk
mbeti vetëm. Bota e dëgjoi dhe e pranoi si një nga fjalët më të veçanta të
këtij edicioni.
“Zjerm”
erdhi me pretendime krijuese, me përgjegjësi përfaqësimi, me synim triumfi.
Edhe pse do të largohet nga Bazeli pa trofe ajo do të mbetet një moment kulmor
në historinë e Eurovision, dhe do jetë një përfaqësim muzikor, një përvojë e
thellë shpirtërore dhe një shpërthim poetik që tejkalon kufijtë e skenës dhe
kohës, për të qënë një zë kushtrues për zgjim. Ajo erdhi për të na kujtuar se
arti i vërtetë nuk ka nevojë për miratim për të ndriçuar, por për vlerë për t’u
ngulitur si një skalitje në shkemb.
Mbrëmë
prisnim të merrnim fitoren në Bazel dhe
të drejtën për ta çuar lavdinë në krejt shqiptarinë dhe trofeun në Shkodër, por
“Zjerm” erdhi për të mbetur një dritë që shndrit dhe vetëm shndrit në çdo zemër
dhe në çdo shpirt.