Mendime
Sevdail Hyseni: Musa Sabedini – Zëri i fjalës së lirë dhe etikës në gazetari
E diele, 11.05.2025, 06:49 PM
Me përvjetorët e gazetarisë
Musa
Sabedini – Zëri i fjalës së lirë dhe etikës në gazetari
Profesor, gazetar, publicist dhe studiues Musa
Sabedini është një nga figurat më të spikatura të gazetarisë dhe komunikimit në
Kosovë. Me një përvojë të pasur si reporter, ligjërues dhe autor, ai ka ndikuar
thellësisht në formimin e gazetarisë etike dhe profesionale në vend. Patëm
kënaqësinë që në përvjetorin e 13-të të portalit RajoniPress, të zhvillojmë një
bisedë me shkas.
Nga
Sevdail Hyseni
Z. Sabedini, sot
shënojmë 13-vjetorin e themelimit të RajoniPress. Si e përjetoni këtë përvjetor
dhe çfarë simbolike ka për ju ky rrugëtim?
Musa Sabedini: Ky përvjetor nuk është vetëm një datë kalendarike, por një moment
reflektimi për një rrugëtim plot sfida, përkushtim dhe guxim. 13 vite më parë e
nisëm me një synim të vetëm: të themelojmë një medium të pavarur, që nuk bën
kompromis me të vërtetën dhe që i jep zë qytetarit të zakonshëm, atij që shpesh
nuk dëgjohet. Sot, ndjej krenari që RajoniPress është bërë pikë referimi për
gazetarinë e ndershme, profesionale dhe me integritet.
RajoniPress njihet
për guximin në trajtimin e temave të ndjeshme si krimi i organizuar,
korrupsioni dhe padrejtësitë shoqërore. Si ia keni dalë ta ruani këtë identitet
ndër vite?
Musa Sabedini: Ka qenë një rrugë e vështirë, por gjithmonë me parime të qarta. Nuk jemi
ndalur asnjëherë përballë presioneve apo kërcënimeve. Mbi të gjitha, kemi
ruajtur etikën profesionale dhe e kemi konsideruar gazetarinë si shërbim ndaj
publikut. Nuk kemi lejuar që as reklamat, as lidhjet politike, të na diktojnë
agjendën redaksionale. Prandaj, RajoniPress mbetet një dritare e besueshme për
qytetarët.
Keni përvojë mbi
33-vjeçare në gazetari dhe së fundi keni botuar librin tuaj të tretë
universitar “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”. Na tregoni pak më shumë
për këtë vepër?
Musa Sabedini: Ky libër është fryt i përvojës sime si gazetar, redaktor dhe pedagog.
Është një manual për studentët e gazetarisë, por edhe një udhërrëfyes për
gazetarët që kërkojnë të ruajnë profesionalizmin dhe etikën në një realitet
gjithnjë e më të ndërlikuar. Në libër kam trajtuar gabimet e shpeshta që i shoh
në median online, rolin e etikës në raport me interesin publik dhe
domosdoshmërinë që gazetarët të mos jenë vetëm transmetues lajmesh, por
mbrojtës të së vërtetës.
Cili është mesazhi
juaj për gazetarët e rinj dhe për ata që synojnë të jenë pjesë e medias së re?
Musa Sabedini: Të mos joshen nga fama e shpejtë apo klikimet. Gazetaria nuk është sport
spektakli, por profesion i ndjeshëm që kërkon maturi, guxim dhe përgjegjësi. Të
lexojnë, të mësojnë, të hulumtojnë. Të mos i ikin së vërtetës, por ta kërkojnë
me ngulm, edhe kur është e dhimbshme. Dhe mbi të gjitha: të mos bëjnë kurrë
kompromis me ndërgjegjen dhe etikën profesionale.
Le të dihet:
Musa Sabedini, është një nga figurat më të rëndësishme të
gazetarisë dhe mendimit kritik në Kosovë. Gazetar, publicist, profesor,
studiues, dhe një veprimtar i palodhur për avancimin e etikës profesionale në
media – ai është mishërimi i përkushtimit, guximit dhe vlerës akademike e
njerëzore.
Që nga hapat e parë në gazetat e kohës së rezistencës e
deri te angazhimet në auditore universitare e botime shkencore, Sabedini ka
ndërtuar një karrierë që sot shërben si model i denjë për brezat e rinj të
gazetarëve dhe studiuesve të komunikimit. Ai është katër herë fitues i çmimit
“Gazetari i vitit” në Kosovë, çmim i dhënë nga juri të ndryshme profesionale
për punën e tij hulumtuese, të guximshme dhe të përgjegjshme.
Si profesor i medias dhe komunikimit në UBT – një ndër
institucionet më të njohura të arsimit të lartë në vend – Musa Sabedini është
kthyer në figurë kyçe të formimit të kuadrove të reja mediatike, duke
kontribuar me njohuritë e tij të thella në fushat e etikës, gazetarisë online
dhe të drejtës mediale. Me ligjërata që nxisin reflektimin dhe debatin, ai ka
ushqyer mendimin kritik dhe integritetin profesional tek studentët.
Autor i disa librave të rëndësishëm, ndër ta: “Etika,
mburojë e gazetarisë profesionale” (2025) – një traktat mbi
rëndësinë jetike të etikës në gazetari; “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon:
Etika dhe sfidat e vetërregullimit” (2024) – një analizë thelbësore
mbi gazetarinë digjitale; “Mediet, etika, raportimet për situatat e
ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari” (2023) – një
udhërrëfyes për gazetarinë e përgjegjshme në kushte të vështira.
Ai, është autor i mbi 11 punimeve shkencore të
prezantuara në konferenca ndërkombëtare, dhe pjesëmarrës aktiv në seminare të
OSBE-së, Qendrës për Trajnime Mediale, dhe institucione të tjera të rëndësishme
rajonale dhe ndërkombëtare. Me mijëra artikuj, qindra debate të moderuara dhe mbi një
dekadë përvojë në edukim universitar, Sabedini është simbol i sinqeritetit,
profesionalizmit dhe qëndresës intelektuale në një epokë sfiduese për median.
Në vitin 2000 themeloi Klubin e Gazetarëve “Beqir
Musliu”, ku ka moderuar mbi 300 tryeza dhe debate publike, duke
krijuar një platformë të rrallë për dialog dhe mendim të lirë në shërbim të
qytetarëve dhe demokracisë.
Profesor Sabedini, është gjithashtu themelues i Agjencisë Rajonale
të Lajmeve “RajoniPress”, një medium që ka mbetur i përkushtuar ndaj
gazetarisë etike dhe informimit të paanshëm.
I lindur në fshatin Stublinë të Gjilanit, Musa Sabedini
është një emër që nuk i përket vetëm qytetit të tij apo Kosovës – por gjithë
hapësirës shqiptare, që kërkon një media profesionale, të pavarur dhe me
integritet.
Një jetë në shërbim të fjalës së lirë, arsimimit dhe së
vërtetës – kjo është trashëgimia që profesor Sabedini, po lë për brezat e sotëm
dhe të ardhshëm. Ai,
nuk është vetëm një dëshmitar i kohës – është një formues i saj.
Foto: Profesori dhe publicisti Musa Sabedini