Kulturë
Hamza Halabaku: Kur pushteti e mileti nuk merren vesh
E enjte, 24.04.2025, 06:53 PM
KUR PUSHTITI E MILETI NUK MERREN VESH*
Nga
Hamza Halabaku
Zejnullah i dashur,
Ditën e fundit të marsit
të këtij viti, në Shqipëri, aty afër Tunelit
të Kalimashit, është zhvilluar një ngjarje e keqe. Miku im i dashur, po
më dhimbsesh të të njoftoj për atë që kam parë se çka ka ndodhur! Njëra palë,
qeveria, ndërton një pjesë tjetër, popullata që jetojnë afër Kalimshit, shkatërron...
Ti e di që Qeveria e
Shqipërisë ka vendosur që për kalim në “Rrugën e Kombit”, e cila na lidh ne
kosovarëve me Shqipërinë dhe me bregdetin e Detit Adriatik, të paguhen nga
dhjetë euro për një udhëtim. Qytetarët e fshatrave përreth i dogjën të gjitha
postblloqet që ishin vendosur në Rrugën e Kombit
për t’i bërë pagesat për shfrytëzimin e
rrugës. Janë kundër vendimit të qeverisë për pagesat...
Dorën
në zemër, për ata që vetëm një herë në vit kalojnë, ndoshta nuk është shumë,
por për ata që duhet të kalojnë andej për çdo ditë - është tepër! Dhe qytetarët
e Kukësit me rrethinë bënë protesta bash aty ku i kishin vendosur punktet e
pagesave të tarifës për ata që do të kalonin andejpari. Protestën unë e ndoqa
përmes televizorit. Në fillim, siç është te ne, ato nisën me qetësi, por
vazhdimisht vinin duke u nxehur gjakrat. Dikush një fjalë e dikush një tjetër,
filluan edhe me sharje e shtyrje, e dikur ata ua vunë zjarrin sporteleve, të
cilat mbetën të shkrumbuara. Ishte një tollovi që rrallë e sheh njeriu diku
tjetër. Ishin paguar gjithë ato të holla për t’i vendosur ato sportele dhe të
gjitha për pak çaste atë ditë u shkrumbuan. Më vinte për të qarë! Më
dhimbseshin edhe paratë e atyre njerëzve, që ishin investuar aty dhe u kishin
vënë zjarrin atyre objekteve, se nuk po ua di emrin, meqë për herë të parë në
tokat shqiptare po vendoseshin aso sportelesh për pagesë rruge!
E
kam lexuar edhe këtë: flakë e tym “zhduket” sporteli i pagesës në “Rrugën e
Kombit”! Sporteli i koncesionarit, i vendosur për pagesën e “Rrugës së Kombit”,
nuk ekziston më. “Protestuesit kanë shkatërruar me mjete të forta, duke i
vënë flakën dhe duke rrëzuar skelat, strukturën e ngritur për pagesën e “Rrugës
së Kombit”!
Si të thashë, ato janë shumë para, për vendësit dhe për të tjerët,
por mendoj se ka mënyra të tjera për t’u marrë vesh mileti me pushtetin. E
dhimbshme, pati edhe shtyrje e sharje, fyerje e rrahje. Po pse nuk po arrijmë
të merremi vesh ngadalë e me fjalë të urta e të buta. Ndoshta ka pasur mundësi
që ata që kalojnë për çdo ditë, të paguajnë një herë në vit një shumë
simbolike, kurse ata që vijnë një herë në vit të paguajnë qysh paguhet në të
gjitha trevat e Ballkanit. Se kjo pagesë
bëhet gati te të gjithë fqinjët tanë, edhe në Mal të Zi, edhe në
Maqedoni, edhe në Kroaci e edhe në Serbi.
Te
ne gjithnjë, kur po na “thyhet kerri, po gjemë
rrugë të shumta”! Vonë po na del gjumi! Po, ani, se vetëm te ne “për një plesht
digjet jorgani”! Dhe vetëm te ne kemi dëshirë ose e lusim Zotin që “për
inat të resë, më vdektë djali”!
Në
fund të kësaj letre, i dashuri Zejnullah, i lutem të madhit Zot që të të japë
dritë, se dritë bëje kur ishe me ne!
Dritë paç, miku im i mirë!
(Nuremberg, 31 mars 2018)
*Hamza
Halabaku: “LETRA MIKUT NË AMSHIM”
(Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë,
Zejnullah Halili) fq. 59