Speciale
Jahja Drançolli: Instrumenti dentar që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Nikollë Leonik Tomeu
E hene, 21.04.2025, 06:58 PM
Instrumenti dentar (stomatologjik) që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Profesor Nikollë Leonik Tomeu!
Nga
Jahja Drançolli
Duke
u ngjitur nga Mesjeta në epokën e Humanizmit e të Rilindjes, roli i njeriut
vinte duke u shtuar dukshëm. Që këtej, gjatë kësaj epoke iu kushtua një kujdes
i veçantë shëndetit dhe zhvillimit të mjekësisë në përgjithësi. Përveç ngritjes
teorike e praktike të mjekësisë, u përkthyen edhe shumë vepra të mjekëve të
antikitetit europian si dhe të mjekëve arabë të mesjetës. Një vend të veçantë
në përkthimin e veprave të njohura, si dhe në zhvillimin e shkencave të
mjekësisë në përgjithësi, zë dhe njëri ndër humanistët më të famshëm të kohës,
arbërori Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531). Sipas të dhënave që zotërojmë, mund
të konstatohet se humanisti ynë lindi në vitin 1456. Vitet e fëmijërisë së bashku më vëllezërit e tij i
kaloi në shtëpinë atërore në lagunat venedikase dhe të ungjit në Padova. Shpesh
ndërroi vendëqëndrimin midis Venedikut e Padovës. Studimet e gjuhëve klasike i
vazhdoi së pari në Padova, më pastaj në Firence e Milano. Dy letra të shkruara
nga dora e D. Calcondilit dëshmojnë se Tomeu bashkë më vëllaun
Bartolomeun(“orator e poeta”), vepruan në Roma e Firence gjatë viteve
1485-1488. Tomeu, ndërkaq në vitin 1485 kishte plotësuar kursin e studimeve të
tia në Universitetin e Padovës, ku edhe u laurua Doktor “in artibus” (“filozofi
e mjekësi”). Në vitin 1497 në Universitetin e Padovës u caktua të ligjëronte
tekste greke të Aristotelit dhe udhëhoqi katedrën e filozofisë e mjekësisë.
Përveç Aristotelit dhe Platonit, Tomeu përktheu dhe veprat e Hipokratit dhe
Galenit, të cilat u popullarizuan aq tepër në Padova dhe qendra të tjera
universitare europiane, pikërisht në saje të përkthimeve të shkëlqyeshme që i
bëri humanisti ynë. Ai mbante lidhje të afërta më humanistët më të mëdhenjë të
kohës. Në këtë aspekt, G. Bologni, Tomeun e konsideron për filozof, orator e
poet elegant dhe e vendosë në vargun e personaliteteve më të shquar të kohës.
Tomeu, megjithatë, bëri emër me vepra nga lëmënjtë e historisë, filozofisë, arkeologjisë, letërsisë,
mjekësisë, astronomisë, fizikës, si dhe përkthimeve nga gjuhët klasike.
Deri
vonë Tomeu ishte i njohur në fushën e mjekësisë vetëm për përkthimet e tij të
njohura, si dhe në sajë të aktivitetit edukativ në Fakultetin e Mjekësisë në
Universitetin e Padovës. Megjithatë, kërkimi ynë për realizimin e projektit
Historia e Mjekësisë Shqiptare, i nisur edhe 4 dekada më parë nën drejtimin e
akademik Musa A. Haxhiut, na mundësoi të konkludojmë me siguri të plotë se edhe
Leonik Tomeu shërbeu me sukses si mjek në territorin e Republikës së Venedikut,
gjë që shihet nga shumë dokumente dhe fragmente të kohës së tij të njohur.
Ajo
që tërheq më shumë vëmendjen në këtë artikull është se shpikja e shtypshkronjës
në Evropë nga Johann Gutenberg jo vetëm që revolucionarizoi fushën e
tipografisë, por vetëm 70 vjet më vonë, por botoi edhe një libër me titull
"Opuscula nuper in lucem aedita quorum nomina proxima habentur
pagella". (“Librushka të botuar së fundmi, titujt e të cilëve tregohen
pranë faqes.”), libër ky që zotëronte
vizatimin e parë të shtypur të forcepseve të dhëmbëve. Befasisht, nuk ishte
libër që bënte fjalë për mjekësi, përkatësisht stomatologji! Ishte një vepër e
Nikollë Leonik Tomeut, i botuar nga Bernardinus de Vitalibus (Bernardinus
Vitalibus de Venetus, 1480 - ?) në Venedik
në shkurt të vitit 1525. Emri, B. Vitalibus për ne është i njohur si
tipograf dhe nga gravurat e tij më të hershme kushtuar Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij, të botuar në veprën e Marin
Barlecit, Historia de vita et gestis Scnaderbegi Epirotarum principis, Roma, pa
datë por dyshohet ndërmjet viteve 1508-1510.
Libri
i Tomeut, Opuscula nuper in lucem aedita... (shiko faksimilin), përfshinte një
nga komentet e para të shtypura mbi Timaeus të Platonit, që trajtonte bindjet e
tij rreth natyrës së fenomeneve, duke përfshirë fiziologjinë, ushqimin,
sëmundjet dhe vetëlëvizjen. Siç dihet, Platoni ishte mësuesi i Aristotelit dhe
për këtë arsye shumica e doktrinave të mjeshtrit u transmetuan nga studenti.
Aristoteli,
si e quanin ndryshe edhe “Baba i Biologjisë”, njohës i shkëlqyeshëm i etikës,
estetikës dhe i politikës, tregonte interesim të veçantë sidomos për fizikën.
Ai shkroi gjerësisht për aspekte të ndryshme të kësaj fushe, sidomos është
marrë shumë gjatë me ligje të mekanikës, çështje me të cilën ndërlidhet edhe
Leonik Tomeu. Në këtë kontekst ai i
themeloi katër parime themelore për lëvizjen, si: 1) Lëvizja, e cila e
kushtëzon substancën e një gjëje; 2) Lëvizja e cila sjellë një ndryshim në
kualitetin e një gjëje; 3) Lëvizja e cila sjellë ndryshime në kuantitet; dhe 4)
Lëvizja e cila sjellë vetëlëvizje ose ndërrim të vendit. Kjo e katërta,
konsiderohet si më e rëndësishmja për çështjen që e kemi në shqyrtim. Që këtej,
Tomeu vendosi të definonte qartësisht
atë që e shpjegonte Aristoteli si dhe të ilustrojë parimin e katërt të lëvizjes
së teorisë së Aristotelit – atë që sjellë
ndërrimin e vendit – ku e përdori shembullin
e nxjerrjes së dhëmbit nga hojëza e ashtit (shiko, traktati, Aristotelis
quaestiones mecanichae, fol. 41 recto-41 verso). Rreth çështjës, ”Pse
stomatologët mund t`i nxjerrin dhëmbët më lehtë me forceps, sesa me dorë?”
Tomeu pyeti dhe vazhdoi të diskutojë se si veprimi i forcës ngritëse i
forcepsëve i shtuar forcës mekanike i nevojitej për lëvizjen e dhëmbit.
Në
mënyrë që ta ilustrojë sa më mirë këtë, Tomeu përfshiu në traktatin e tij
vizatimin e forcepsit duke e mbajtur, në kapset e tij, dhëmbin e nxjerrur. Kjo
ishte hera e parë që një forceps të paraqitet në një libër të shtypur.
Vizatimet e forcepsit janë kudo, sidomos i shohim në mijëra piktura kushtuar
Shën Apollonisë, patroni i shejtë i dentistëve dhe i sëmuarëve nga dhëmbja e
dhëmbit. P. sh. në kishën e Shën Gjakomos afër Spoletos (Itali), ruhet një
afreskë e artistit G. Spagna kushtuar
Shën Apollonisë, patrone e kishës. Kjo afreskë, sidoqoftë u pikturua një vit më vonë, pasi që ishte botuar libri i
Tomeut.
Ajo
që tërheqë më tepër vëmendjen këtu është se, lidhur me vizatimin e paraqitur në
libër, hulumtimet janë bërë jo më herët se botimi i veprës në fjalë të Tomeut. Madje edhe libri i
parë, i quajtur Artzney Buchlein, që i përkushtohet plotësisht
stomatologjisë, ishte botuar pesë
vite pas veprës së Nikollë Leonik Tomeut.
Nga
gjithë sa u tha më sipër, duhet të konkludohet se humanisti arbëror, Nikollë
Leonik Tomeu, duke kryer studime të shumta për ripërtëritjen e aspekteve të
universit të studiuara nga Aristoteli, i cili kishte jetuar gati dy mijë vjet
para tij, nxori në dritë vizatimin e parë të forceps-it për nxjerrjen e
dhëmbëve në një libër të tij të botuar në vitin 1525.
Ilustrimet: Pjesë nga
libri i Tomeut me vizatimin e parë të shtypur të paraqitjes së forceps-it për dhëmbë.