Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahja Drançolli: Instrumenti dentar që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Nikollë Leonik Tomeu

| E hene, 21.04.2025, 06:58 PM |


Instrumenti dentar (stomatologjik) që pa dritën në librin e shtypur në vitin 1525 nga humanisti arbëror Profesor Nikollë Leonik Tomeu!

Nga Jahja Drançolli

Duke u ngjitur nga Mesjeta në epokën e Humanizmit e të Rilindjes, roli i njeriut vinte duke u shtuar dukshëm. Që këtej, gjatë kësaj epoke iu kushtua një kujdes i veçantë shëndetit dhe zhvillimit të mjekësisë në përgjithësi. Përveç ngritjes teorike e praktike të mjekësisë, u përkthyen edhe shumë vepra të mjekëve të antikitetit europian si dhe të mjekëve arabë të mesjetës. Një vend të veçantë në përkthimin e veprave të njohura, si dhe në zhvillimin e shkencave të mjekësisë në përgjithësi, zë dhe njëri ndër humanistët më të famshëm të kohës, arbërori Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531). Sipas të dhënave që zotërojmë, mund të konstatohet se humanisti ynë lindi në vitin 1456. Vitet e  fëmijërisë së bashku më vëllezërit e tij i kaloi në shtëpinë atërore në lagunat venedikase dhe të ungjit në Padova. Shpesh ndërroi vendëqëndrimin midis Venedikut e Padovës. Studimet e gjuhëve klasike i vazhdoi së pari në Padova, më pastaj në Firence e Milano. Dy letra të shkruara nga dora e D. Calcondilit dëshmojnë se Tomeu bashkë më vëllaun Bartolomeun(“orator e poeta”), vepruan në Roma e Firence gjatë viteve 1485-1488. Tomeu, ndërkaq në vitin 1485 kishte plotësuar kursin e studimeve të tia në Universitetin e Padovës, ku edhe u laurua Doktor “in artibus” (“filozofi e mjekësi”). Në vitin 1497 në Universitetin e Padovës u caktua të ligjëronte tekste greke të Aristotelit dhe udhëhoqi katedrën e filozofisë e mjekësisë. Përveç Aristotelit dhe Platonit, Tomeu përktheu dhe veprat e Hipokratit dhe Galenit, të cilat u popullarizuan aq tepër në Padova dhe qendra të tjera universitare europiane, pikërisht në saje të përkthimeve të shkëlqyeshme që i bëri humanisti ynë. Ai mbante lidhje të afërta më humanistët më të mëdhenjë të kohës. Në këtë aspekt, G. Bologni, Tomeun e konsideron për filozof, orator e poet elegant dhe e vendosë në vargun e personaliteteve më të shquar të kohës. Tomeu, megjithatë, bëri emër me vepra nga lëmënjtë e historisë,  filozofisë, arkeologjisë, letërsisë, mjekësisë, astronomisë, fizikës, si dhe përkthimeve nga gjuhët klasike.

Deri vonë Tomeu ishte i njohur në fushën e mjekësisë vetëm për përkthimet e tij të njohura, si dhe në sajë të aktivitetit edukativ në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Padovës. Megjithatë, kërkimi ynë për realizimin e projektit Historia e Mjekësisë Shqiptare, i nisur edhe 4 dekada më parë nën drejtimin e akademik Musa A. Haxhiut, na mundësoi të konkludojmë me siguri të plotë se edhe Leonik Tomeu shërbeu me sukses si mjek në territorin e Republikës së Venedikut, gjë që shihet nga shumë dokumente dhe fragmente të kohës së tij të njohur.

Ajo që tërheq më shumë vëmendjen në këtë artikull është se shpikja e shtypshkronjës në Evropë nga Johann Gutenberg jo vetëm që revolucionarizoi fushën e tipografisë, por vetëm 70 vjet më vonë, por botoi edhe një libër me titull "Opuscula nuper in lucem aedita quorum nomina proxima habentur pagella". (“Librushka të botuar së fundmi, titujt e të cilëve tregohen pranë faqes.”), libër ky që  zotëronte vizatimin e parë të shtypur të forcepseve të dhëmbëve. Befasisht, nuk ishte libër që bënte fjalë për mjekësi, përkatësisht stomatologji! Ishte një vepër e Nikollë Leonik Tomeut, i botuar nga Bernardinus de Vitalibus (Bernardinus Vitalibus de Venetus, 1480 - ?) në Venedik  në shkurt të vitit 1525. Emri, B. Vitalibus për ne është i njohur si tipograf dhe nga gravurat e tij më të hershme kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe luftëtarëve të tij, të botuar në veprën e Marin Barlecit, Historia de vita et gestis Scnaderbegi Epirotarum principis, Roma, pa datë por dyshohet ndërmjet viteve 1508-1510.

Libri i Tomeut, Opuscula nuper in lucem aedita... (shiko faksimilin), përfshinte një nga komentet e para të shtypura mbi Timaeus të Platonit, që trajtonte bindjet e tij rreth natyrës së fenomeneve, duke përfshirë fiziologjinë, ushqimin, sëmundjet dhe vetëlëvizjen. Siç dihet, Platoni ishte mësuesi i Aristotelit dhe për këtë arsye shumica e doktrinave të mjeshtrit u transmetuan nga studenti.

Aristoteli, si e quanin ndryshe edhe “Baba i Biologjisë”, njohës i shkëlqyeshëm i etikës, estetikës dhe i politikës, tregonte interesim të veçantë sidomos për fizikën. Ai shkroi gjerësisht për aspekte të ndryshme të kësaj fushe, sidomos është marrë shumë gjatë me ligje të mekanikës, çështje me të cilën ndërlidhet edhe Leonik Tomeu. Në këtë kontekst ai i  themeloi katër parime themelore për lëvizjen, si: 1) Lëvizja, e cila e kushtëzon substancën e një gjëje; 2) Lëvizja e cila sjellë një ndryshim në kualitetin e një gjëje; 3) Lëvizja e cila sjellë ndryshime në kuantitet; dhe 4) Lëvizja e cila sjellë vetëlëvizje ose ndërrim të vendit. Kjo e katërta, konsiderohet si më e rëndësishmja për çështjen që e kemi në shqyrtim. Që këtej, Tomeu  vendosi të definonte qartësisht atë që e shpjegonte Aristoteli si dhe të ilustrojë parimin e katërt të lëvizjes së  teorisë së Aristotelit – atë që sjellë ndërrimin e vendit – ku e përdori shembullin  e nxjerrjes së dhëmbit  nga  hojëza e ashtit (shiko, traktati, Aristotelis quaestiones mecanichae, fol. 41 recto-41 verso). Rreth çështjës, ”Pse stomatologët mund t`i nxjerrin dhëmbët më lehtë me forceps, sesa me dorë?” Tomeu pyeti dhe vazhdoi të diskutojë se si veprimi i forcës ngritëse i forcepsëve  i shtuar forcës mekanike  i nevojitej për lëvizjen e dhëmbit.

Në mënyrë që ta ilustrojë sa më mirë këtë, Tomeu përfshiu në traktatin e tij vizatimin e forcepsit duke e mbajtur, në kapset e tij, dhëmbin e nxjerrur. Kjo ishte hera e parë që një forceps të paraqitet në një libër të shtypur. Vizatimet e forcepsit janë kudo, sidomos i shohim në mijëra piktura kushtuar Shën Apollonisë, patroni i shejtë i dentistëve dhe i sëmuarëve nga dhëmbja e dhëmbit. P. sh. në kishën e Shën Gjakomos afër Spoletos (Itali), ruhet një afreskë e artistit  G. Spagna kushtuar Shën Apollonisë, patrone e kishës. Kjo afreskë, sidoqoftë u pikturua  një vit më vonë, pasi që ishte botuar libri i Tomeut.

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen këtu është se, lidhur me vizatimin e paraqitur në libër, hulumtimet janë bërë jo më herët se botimi i  veprës në fjalë të Tomeut. Madje edhe  libri i  parë, i quajtur Artzney Buchlein, që i përkushtohet  plotësisht  stomatologjisë, ishte botuar  pesë vite pas veprës së Nikollë Leonik Tomeut.

Nga gjithë sa u tha më sipër, duhet të konkludohet se humanisti arbëror, Nikollë Leonik Tomeu, duke kryer studime të shumta për ripërtëritjen e aspekteve të universit të studiuara nga Aristoteli, i cili kishte jetuar gati dy mijë vjet para tij, nxori në dritë vizatimin e parë të forceps-it për nxjerrjen e dhëmbëve në një libër të tij të botuar në vitin 1525.

Ilustrimet: Pjesë nga libri i Tomeut me vizatimin e parë të shtypur të  paraqitjes së forceps-it për dhëmbë.