Mendime
Idriz Zeqiraj: Lepuj me Isën, luanë me Lumirin!
E premte, 18.04.2025, 06:57 PM
LEPUJ ME ISËN, LUANË ME LUMIRIN!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e
plandosën LDK-në 10.5 %! Kjo rënie nuk "erdhi nga qielli". Anëtarësia
dhe strukturat e partisë reagonin, herëpashere, për prapësitë e eksponentëve të
partisë, por rrethi vicioz i kryetarit Isa Mustafa amortizonte zërat kundërshtues,
duke i shuar politikisht. Abuzimi i vrazhdë, në emër të demokracisë fiktive
partiake, heshturazi, por ngulmërisht, filloi çmontimin e rugovizmit. "Do
ta krijojmë një -Lidhje- të re", deklaroi kryetari. Me aprovimin e rrethit
vicioz, më saktë, një klan i koracuar, i akordoi kompetenca mbretërore shefit
Isë! Shuarja e Aktiveve, u zëvendësua me hapjen e Nëndegëve vetëm në Bashkësi
Lokale, ku gravitonin fshatrat përrreth.
Procesin zgjedhor, me votë të fshehtë,
për strukturat e partisë, e zëvendësoi aklamacioni, ngritja e dorës! Vazhdoi me
ndryshimin e statutit të LDK-së; për ta vazhduar, në vijimësi, rizgjedhjen e
kryetarit Isë, u fut në rregulloren zgjedhore 50+1, për të fituar të drejtën e
kandidimit për kryetar; filloi përzgjedhja seleksionuese e delegatëve për
Nëndegë, Degë dhe Kuvendin Qendror, votimi në bllok, tufëzim. hajvanor; debati
kuvendor u ndalua, fillimisht, në Qendër, për t`u shtrirë në Degë e Nëndegë,
për të gjitha strukturat partiake. Përjashtim bëri, pjesërisht, LDK-ja në
Mërgatë, e cila, me fanatizëm, i qëndronte besnik statutit rugovian.
Më 25 maj 2015, mbahej Kuvendi i 8-të i
LDK-së. Delegatët rrugëtuan nga 1.500 deri 3.000 kilometra. Delegatëve nga Dega
e Gjermanisë, me kryetaren Donikë Gërvalla dhe delegatëve të Degës së Zvicrës,
nuk u lejua pjesëmarrja në Kuvend! Arsyeja, kinse, nuk janë bërë zgjedhje të
rregullta në Kuvendet e tyre zgjedhore!? Ishte shpifje cinike, e poshtër dhe,
skajmërisht, kriminale të klanit të mykur, të prirë nga Isa Mustafa. Ishin,
pikërisht, këto dy Degët kryesore të Mërgatës, të cilat kishin bërë zgjedhjet
më të rregullta, jo vetëm në Mërgatë, por edhe në të gjithë Kosovën. E vërteta
ishte frika e tyre, nga mundësia e konkurrimit për kryetare të LDK-së të Donikë
Gërvallës, madje, ngulmërisht, me një votim të fshehtë dhe assesi me
aklamacionin fiktiv e marroq!
E gjithë kjo maskaradë është bërë në
LDK-e, në prezencën e klanit në fjalë, natyrisht, edhe të tjerëve, kanë pritur,
qetësisht, rrënimin e partisë të Presidentit Rugova. Në zgjedhjet e 9 shkurtit
2025, kryetari Lumir Abdixhiku, me ekipin e tij, punoi shumë, duke e rritur
LDK-në në tej 18 %. Çuditërisht, ata që ishin pjesë dhe faktorë të humbjeve
serike të partisë, i kishin heshtur të gjitha prapësitë klanore më parë!
Ndërkohë, reaguan, thekshëm dhe inatçëm, kundër Kryetarit dhe Kryesisë të saj,
edhe pse ai nuk i thelloi reformat, për të mos i goditur, pikërisht, ata që e
sulmojnë atë dhe kryesinë sot, për ta ruajtur unitetin. Në fakt gaboi, sepse
analiza e katandisjës të LDK-së duhej bërë dhe fajtorët uzurpatorë, shpërfillës
të strukturave partiake ndër vite, të jepnin llogari.
Nostalgjikët e PDK-së, po e dëmtojnë
LDK-në
Pse duhej bërë reagimi i vrazhdë
publik, i anëtarit të Kryesië të LDK-së, jashtë strukturave të partisë, pjesë e
të cilave ishte edhe Avdullah Hoti?! Një shpërthim e shpërfillje e tillë
dyshohet të jetë e qëllimshme, e paramenduar dhe e organizuar grupore. Duke i
përcjellur veprimet e klanit Mustafa, kjo gjë pritej dhe, personalisht, e kam
parashikuar dhe paralajmëruar në disa shkrime në janar të këtij moti. Kërkesa
ekstreme e zotit Hoti me bashkëmendimtarë, ndaj Lidershipit aktual, për të
dhënë llogari për zgjedhjet e 9 shkurtit, deri në shkarkimin e kryetar Lumirit
dhe të ekipit të tij drejtues, është tipike -alla komuniste-, një
"Fletë-rrufe" maoceduniste e enveriste! Si duket, disa politikanë,
edhe pse një çerek-shekulli pluralizëm dhe demokraci, ora u ka ngelur ke
monizmi namkeq. Kryetari dhe Kryesia zgjidhet nga Kuvendi dhe në rast të shkeljes
të statutit të partisë, në përmasën e fajësisë, ndëshkimin shkarkues e bënë,
pikërisht, organi më lartë i partisë - Kuvendi.
Pa mohuar profesionalizmin në drejtimin
e Financave shtetërore, përgjatë një mandati qeverisës, Avdulla Hoti bëri disa
gabime, deri në fajësi. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, opozita u zotua për
të qenë përkrah pozitës, pra, Qeverisë së Vetëvendosjes, në përballjën me
Serbinë, në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Hoti dhe Haradinaj udhëtuan,
njëkohshëm, në SHBA. Ishin të njëzëshëm në sulmet e tyre kundër Albin Kurtit
dhe LVV të tij, duke deklaruar se "Asociacionin e bëjmë ne, opozita edhe
pa Kurtin!" Ramushi me thirrje dhe deklarata "Amelika, Amelika!"
Ndërsa Hoti në intervistën dhënë "Zërit të Amerikës". Të parin e
kuptojmë, se ende ka disa halle, hiç të lehta. Por, i dyti, deri atëhere, ishte
pa mëkate, andaj la shije të hidhur.
Edhe Hashimi, para ngritjes të akuzës
bazike, -për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit-, bënte "të
panë", me javë në Amerikë, "si bija në gjini". Mashtronte se po
lobonte për Kosovën, por, në fakt, lobonte për zbatimin e kontratës me Vuçiqin
- ndarjen e Kosovës-, madje duke paguar lobimin, siç është rasti i një agjencie
lobuese në Paris. Kishte edhe një mision personal e grupor - zhbërjen e
Gjykatës Speciale-. Janë fiksuar fotografi e dëshmi, në Zyrat epërore
amerikane, kur lobistët shqiptarë, të zëshëm dikur për Kosovën, tani lobojnë
për zhbërjen e Speciales dhe lirimin e Hashimit me shokë. Atë që nuk arriti ta
bëjë Beogradi i vjetër dhe as i ri, për ndarjen e Shoqatës "Vatra",
të Konicës dhe Nolit, e bëri Hashimi me argatët e paguar të tij.
Popi Janjiç i Manastirit të Deçanit u
ankua ke Vuçiqi, për rrugën Deçan-Plavë, në nismë të ndërtimit, duke thënë se
"kulti fetar nuk duron zhurmim dhe kjo rrugë të mbyllet, të largohet dikah
tjetër!" Vuçiqi e dertoi me Hashimin, për devijimin e kësaj rruge. Dhe, ky
i fundit, në një fletë-letër A4, e vizatoi rrugën leqe-leqe, pas 24 hektarëve
që kërkonte Popi Janjiç. Kur reaguan organet komunale, Shoqata e Historianëve
të Deçanit, Vuçiq, në ekranin televizionit, tundi një letër, me rrugën lakore,
duke thënë se "ishte mashtrim se nuk ka alternativë tjetër për rrugën,
përveç asaj pranë Manastirit. Ja, vizatimi dhe firma e Thaçit në këtë letër për
rrugën alternative!"
Avdullah Hoti, kryeministër, shkon në
Deçan, urdhëron mbylljen e rrugës tradicionale, e vjetër "prej si ka mbi
lisi", siç shprehet populli.
Dhe, me aprovimin e Hotit, buldozerët
hapin rrugën e vijëzuar nga Hashimi, e cila është e mundimshme, sa merr aq
kohë, sa me përshkuar rrugën normale arrinë në Plavë. Skajmërisht e habitshme,
pse firmosi Albin Kurti, atë që kishte vendosur Supremja dhe Kushtetuesja, pa
përjashtuar rrugën e lirë shekullore?!
Nostalgjikët e koalicioneve me PAN-in,
në përgjithësi, dhe me PDK-në, në veçanti, dëmtuan shumë LDK-në përgjatë
fushatës zgjedhore.
Duke qenë pjesë e fushatës një mujore,
sa herë dëgjoheshin zërat e kësaj nostalgjie koalicioni, kishte demoralizim e
dëshpërim në radhët e anëtarësisë dhe të elektoratit të LDK-së. Zoti Hoti, veç
4 ditë para zgjedhjeve u thoshte votuesve se "me LVV kemi jo vetëm dallime
me nuanca, por kemi dallime fondamentale!"
Pra, përjashtonte mundësinë e
koalicionit me LVV dhe aprovonte koalicionin me PAN-in, vrasës të LDK-së dhe të
ushtarakëve të FARK-ut, sepse nuk ka subjekte të tjera politike Kosova.
Shtrohet pyetja, si ka mundësi që anëtari i Kryesisë Avdullah Hoti ta pranojë
dhe amnistojë PAN-in, vrastar të burrave dhe të djemve më të devotshëm të
LDK-së dhe të Kosovës, para LVV, e cila nuk ngarkohet me këto krime, është e re
në moshë dhe me përbërje heterogjene?! Ata që kanë mendësi dhe ndjesi të tilla,
nuk e di sa i duhen partisë zëmadhe të Presidentit Rugova?! Kur themi -përbërje
heterogjene-, kuptojmë se anëtarësia e LVV frymon djathtas dhe majtas, e
bashkuar rreth Albin Kurtit, për të shporrur nga pushteti PAN-in me
"komandantët" kriminelë të tij dhe patericat e tyre.
Vetë akuzat brenda LDK-së, u dha
hapësirë dhe mundësi sajimit të "aferave", kinse, të kësaj partie, si
"vjedhja e votave" të Mërgatës. Madje, u etiketuan Kryetari dhe
Kryesia qëllimshëm. Nëse është provua diçka e tillë, ajo është ndërhyrje e jashtme
SHIK-iste, me ndonjë të kontrabanduar tinëzisht në LDK, dihet, për qëllime
diskreditimi. Nga rinumërimi i bërë, në zonat e përfolura për vjedhje, rezultoi
se nuk është cenuar asnjë kandidat për deputetë. Shembull: në Vushtëri ishin
gjithsej 10 raste, nga 10 me të drejtë votimi, është votuar një më shumë, i 11-
i. Ashtu siç është absurde, në mos idioteske, -Kosova me një zonë zgjedhore-, i
tillë është edhe e drejta e votimit të 10 kandidatëve, në vend të një
zgjedhësi, një kandidat, sic ka qenë mënyra e votimit klasik ndër shqiptarët,
që nga themelimi i Shtetit Shqiptar, më 1912. Ndërkohë, kanë ndodhur në partitë
e PAN-it vjedhje industriale të votave dhe kurrë nuk është bërë kaq zhurmim.
Me gjithë pozitivitetin e kryetar
Lumirit, ai po përsëritë disa gjëra që nuk qëndrojnë. Për shembull: "Po
zbatojmë kontratën me votuesit, anëtarësinë dhe elektoratin tonë se nuk bëjmë
koalicion me LVV?!" Përkundrazi, pjesa masive e votuesve, ngulmërisht,
kërkojnë koalicionin me LVV, sepse nuk është e kriminalizuar, ashtu siç nuk
është as LDK-ja. Kontrata, nëse kryetar Lumiri, me ekipin e tij të fushatës, ka
pyetur votuesit, kanë thënë -JO- të madhe koalicionit me PAN-in. Pa mohuar edhe
mangësitë e saj, LVV ka qenë kundërshtare konsekuente për të gjitha proceset fatale,
të cilat i aprovuan dhe i betonuan tandemi namkeq Hashimi-Isa. Dhe, LDK-ja
asnjëherë nuk u distancua nga ish-kryetari i saj, kur dihet se ai veproi
në emër partisë, duke mos konsultuar elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e
Përgjithshëm, Grupin Parlamentar, madje as vetë Kryesinë, përjashto pak nga
klanorët e tij.
-Hajvana- u faturohet krerëve të PAN-it
dhe jo LDK-së
Emërtesa -hajvana- u faturohet krerëve
të PAN-it, me disa nga eksponentët e tij, protagonistë aktivë në mashtrimin dhe
makro-gënjeshtrat premtuese të elektoratit, popullit. Dhe, Albin Kurti nuk mund
të akuzohet pse tha të vërtetën në shkallën sipërore. Ata që mashtrojnë dhe
rrejnë popullin, për t`i vjelur votën, janë më shumë se -hajvana-, janë zuzarë,
rrugaçë e kriminelë, që duan ta zhveshin këtë popull nga traditat më të mira,
më të cilat shqiptarët krenohen. Edhe nëse premtimet e tyre do të rezultojnë të
vërteta, atëherë mandati i tyre qeverisës do të ishte fatal për Kosovën, sepse
i gjithë buxheti shtetëror do të ishte abuzues me rroga të majmë, pa zhvilluar
asgjë!
Ka një mendësi idioteske tek
eksponentët e PAN-it, të cilët shtrembërojnë shprehjen "ka ikur koha e
hajvanatit" të kryeministrit, që konsiderohet i zgjuar, e cila nënkupton
dhe madhëron popullin, për zgjuarsinë e tij, se nuk pranon "kohën e
hajvanatit", sepse koha kur "kanë folur gjaja (kafshët)",- siç i
fillojnë rrëfimet e moçme pleqrit ruralë, tashmë, ka kaluar. Është po kaq
falsifikim i vrazhdë, sa edhe kur thonë të kriminalizuarit e PAN-it, se po akuzohet
UÇK-ja në Hagë, duke ngulmuar ta kriminalizojnë luftën e UÇK-së, përdhosjen e
gjakut të dëshmorëve dhe të mijëra viktimave të Kosovës, kinse, për t`i
lehtësuar një grup të akuzuarish!
Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në
Hagë, përmes Prokurorit amerikani, John Smith, akuzën bazike e ka emërtuar
saktësisht - Nndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, duke sqaruar qartazi së
"nuk po gjykohet as UÇK-ja dhe as Kosova, por një grup individësh, të
cilët kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit". Këto janë dy
akuzat bazë, sepse krimet gjatë luftës, i kanë vazhduar edhe pas luftës, në
paqe. Në shënjestër kanë qenë kundërshtarët politikë, për ta marrë pushtetin me
dhunë e përgjakje.
Pse nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë
ofendim LDK-ja dhe LVV, me termin -Hajvana-? Sepse nuk kanë bërë asnjë premtim,
pa mbulesë reale. Bilëz, LVV, për ndryshim nga zgjedhjet e kaluara, që
bëri premtime paushalle, tipike -hajvançe-, në zgjedhjet e fundit përmendi
vetëm objektet, veprat, që janë në ndërtim e sipër. Pra, LVV korrigjoi vetën
dhe i dha një leksion, mësim të përjetshëm popullit, në veçanti, rrenacakëve të
deritashëm, të mos mashtrojnë dhe gënjejnë në fushata për vota. Në këto
zgjedhje është provuar dhe ka rezultuar Bumerang për subjektet politike - shpifja
pa doganë fare-, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Personalisht, i jam lutur opozitës
destruktive t`i lënë shpifjet groteske, sepse u kthehen në Bumerang dhe humbje,
ashtu siç ndodhi realisht. Shkrimtari Gorki thoshte: "Mos u mundoni të
mohoni gjithçka, për punën e tjetrit, sepse rrezikoni të mos u besojë askush
për asgjë!"
Tautologjia e shpifjeve e bëri
qesharake dhe neveritëse opozitën!
E filluan me shpifjet për Ambasadorin
Martin Berisha dhe dështuan, sepse dëshmia e tij para Komisionit kuvendor,
ishte bllokuese për shpifësit përsëritës. Ai është një Profesor i nderuar,
veprimtar dhe lobues i suksesshëm, i cili marrëdhëniet Kosovë-Kroaci, i ka
ngritur në nivelin më të lartë. Edhe akuza dyshuese, për qasje në votat me
postë të Ambasadorit, është shpifje e qëllimshme diskredituese, sepse një
personalitet si ai, nuk merret me pisllëqe të tilla, madje për asnjë çmim.
E vazhduan me Mimoza Kusari-Lila, për
një bisedë pak sekondshe aksidentale me Radoiçiqin, e kurdisur nga argatët e
Serbisë, përmes deputetit serb Simiq. Dhe, kush akuzonin?! Pikërisht opozita
PAN-iste, e cila kishte ngrenë e pirë, reciprokisht, nëpër shtëpira, duke bërë
pazare të pista politike dhe makro-kontrabandiste. Edhe pse kjo ishte "e
fshehtë publike", në Kosovë, heshtnin Policia, AKI, Prokuroria, sepse
protagonistë ishin "komandantët" shtetarë e pushtetarë, me bandat e
tyre hajnore e kriminale. Ishte DASH amerikan që denoncoi këtë kontrabandë,
duke i shpallur "non grata" krerët e Listës Serbe me disa biznesmenë
dhe 16 kontrabandistë të Kosovës. Për çudë, krerët kryesorë nuk i ekspozuan,
megjithatë dihen.
Mendoni çfarë opozite mjerane,
kriminale dhe kundra kombëtare ka Kosova sot. Gazetarë dhe analistë të saj,
bashkëpunëtorë të Serbisë, përmes krerëve të Listës Serbe, kurdisin një bisedë
pak sekondshe me deputeten Mimoza Kusari-Lila, duke qenë në krye të detyrës
zyrtare, për ta keqpërdorur me akuza të stisura kundër saj. Megjithatë, afro
100 mijë votat e marrura nga Mimozë Kusari-Lila, në zgjedhjet e 9
shkurtit, është përgjigjja më bindëse dhe demantimi i të gjithë lukunisë
lehaqene shpifëse, të opozitës së turpëruar me fund. Ndërkohë që, krye zyrtarët
e subjekteve politike të PAN-it, njëherësh, shtetarë e pushtetarë të Kosovës,
sipas llogarive të Doganës të Republikës të Kosovës, me makro-kontrabandën e
bërë me krerët e Listës Serbe, kanë dëmtuar, vjedhur buxhetin e Kosovës, me një
vlerë prej shumë miliarda erurosh! Dhe, këto fakte hajnie të tmerrshme, i
heshtin të gjithë, opozita dhe pozita e Kosovës.
Është shqetësim atdhetar e njerëzor i
deputetes Mimozë, për abuzimin hajnor të buxhetit të varfër të Kosovës, duke
paguar 45.500 "veteranë" të rrejshëm. Heshtja turpëruese vazhdon,
madje këta "biçim veteranësh", u shpërblyen me ngritje pensioni, duke
plotësuar kërkesën e krerëve të OVL të UÇK-së, të cilëve Beogradi zyrtar ua besoi
dosjet e Gjykatës Speciale, për të futur përçarje e vrasje ndër shqiptare në
Kosovë. Edhe pse skandalin me listat e "veteranëve" të rremë "e
dinë edhe zogjtë e malit", andaj janë broçkulla, kinse, pse e bisedoi me
serbin deputet. Ndërkohë, që kjo është një çështje penale e hapur dhe nuk
përbënë asnjë sekret shtetëror.
Zyrtarizimi i hajnisë zyrtare shumë
milionshe, siç është pagesa e shumë mijëra "veteranëve" të rremë,
është një krim i madh shtetëror. Qeveria e LVV, me asnjë çmim, nuk duhej ta
bënte ngritjen e pagës minimale për veteranët, pa spastruar mijëra
"veteranë" të rrejshëm. Dhe, kjo nuk bëhet me gjyqet burokratike e
korruptive, me kuadro të Hashim Thaçit dhe të Ramush Haradinaj, por me listat
faktike të ish-shefit të të SHAB-it të Përgjithshëm të UÇK-së, Gjeneral
Sylejman Selimi, në kohë lufte, i cili i ka të regjstruar 12.700 luftëtarë dhe
assesi 60-000, siç i kanë shumëzuar gjeometrikisht, disa krerë të partive të
PAN-it, duke i futur, kolektivisht, në klientelën elektorale.
La shije të hidhur edhe një nënkryetare
e LDK, e cila, në një shkrim në Facebook, iu referua Mimozës me
"Zdravo", duke rënë në nivelin e disa simotrave të saj, deputete të
PAN-it, me nivel e mendësi provinciale! Edhe jashtë shtetit të Kosovës, në një
forum ndërkombëtar, kur mori fjalën Mimoza, njëra syresh, u çjerr me slloganin
opozitar "Zdravo!" Soji i tillë injorantesh, në një shtet normal, nuk
mund të ishin më shumë se gardërobiste dhe lëre më deputete! Abuzim i ngjashëm
është edhe pagesat shumë milionshe të avoketërve matrapazë e zhvatës, të
akuzuarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, në Gjykatën Speciale të
Kosovës, me seli në Hagë!
Avokati Ben Emerson, tashme, i abonuar
në mbrojtjen e "komandantëve", të akuzuar për krime maltretuese e
vrastare të kundërshtarëve politikë shqiptarë, në mes tjerash, ka denoncuar se
"liria e x-y komandanti ka kushtuar 11 milionë euro, prej tyre 5 (pesë)
milionë i kam marrë unë!" Atëherë nuk donim ta besonin këtë shumë
marramendëse. Por, në gjyqin e radhës, si mbrojtës i një komandanti tjetër, tha
se për mbrojtjen e deri sotme, të klientit tim, mora shumën 4 (katër) milionë
euro!". Megjithatë, ai mjaftohet vetëm me lirinë, pa e përmendur kurrë
"pafajësinë".
Sulmet shpifëse, deri në rrugaçëri, të
dy aktivistëve të rinj të LDK-së, kundër ministrit Faton Pecit, lidhur me disa
subvencione në blegtori, ishte blof dhe dëmtoi mjaft partinë, duke u bërë
patericë e PDK-së. U vërtetua se mbesa deputete, nuk kishte asnjë komunikim me
dajën dhe nuk ishte fare në dijeni të tenderit. Harrojnë se LVV, me 438 mijë
vota të fituara, në zgjedhjet e shkuara 2021, janë qytetarë të Kosovës dhe
ndoca duhet të marrin tenderë. Me gjithë aktivizimin e lukunisë korale
shpifarake, ndaj ministrit më të suksesshëm të Qeverisë Kurti - 2, Faton Pecit,
pas këtyre akuzave shpifëse, ai fitoi 111 mijë vota! Me guximin e tij qytetar
dhe intelektual, hulumtoi dhe denoncoi abuzime numerike, të qeverive paraprake,
pikërisht, me subvencione. Dhe, këto shkelje ligjore i vërtetoi dhe i penalizoi
prokuroria dhe gjykata.
Veprimtarja luftarake unike, për
çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Donikë Gërvalla, fitimtare në
përballjet politike, me gjeneralë e kryeministra serbo-sllavë, para dhe gjatë
luftës, ndërkohë, përgjatë mandatit të saj ministror, ka qenë e sulmuara korale
nga banda PAN-iste. Nuk kanë munguar as shpifjet dhe kritikat nga klanistët e
LDK-së, të cilët u bënë palë me zuzarët e PAN-it! Pse e gjithë kjo urrejtje
patologjike, për vajzën krenare të Heroit markant, Jusuf Gërvalla? Sepse Donika
është kopje e babait të saj, siç thuhet në këto raste, "më bëjë baba të të
ngjajë". Ajo i dha emër krimit, sepse në ekzekutimin e Jusuf Gërvallës me
vëlla e shok, kanë nismuar vrasjet politike. Argatët shqipfolës të Serbisë
përgatitën logjistikën e atentatimit të tre heronjve në Untergruppenbach të
Heilbronit, në Gjermani. Soji i këtyre argatëve i vazhduan vrasjet politike,
gjatë dhe pas luftës, tashmë, jo si logjistikë, por si ekzekutorë të
drejtpërdrejtë! E tmerrshme!
Intelektualja e kompletuar, ish-kuadro
e LDK-së, Dr. Vjosë Osman-Sadriu, sot, Presidente e Shtetit të Kosovës, me
ndjenjen e zhvilluar të lirisë dhe të demokracisë, reagoi ndaj lidershipit
Mustafa dhe klanit të tij, për devijim të frymës rugoviane. Duke qenë i
shantazhuar i të shantazhuarit me dosje penalizuese, Hashim Thaçit, kreu i
LDK-së ishte bërë patericë e PDK-së së tij, duke e bërë edhe president!
Ndërkohë që Presidenti Rugova, në gjallje të Tij, kishte porositur që
"Hashimi të mos lejohet të ngritët në poste, sepse është i dëmshëm për
Kosovën".
Rugova e dinte se Hashimi ishte agjent
i tri Shërbimeve Informative të huaja. Këtë e dinin edhe në LDK, ngaqë ishte
denoncuar nga shokët e tij në LPK, madje në hershmëri! Shumë vite më vonë, kreu
i Shërbimit francez, Pierre Siramy, në "Canal +", shpjegon rekrutimin
e Hashimit dhe kjo dëshmi është regjistruar në You Tube.
Veprimtarët luftarake, Vjosë Osmani dhe
Donikë Gërvalla, konstatuan se LDK-ja po shkonte drejt greminës dhe
punuan me kolegët për ndryshimin e nevojshëm. Por, ata ishin të dyzuar, ishin
të etur për karrierë, shefi skile e vjetër, i diktoi, i joshi me poste dhe
dobësoi grupimin kundër tij. Megjithatë, Vjosa dhe Donika nuk u ndalën, në
rrugën e tyre për ta bërë ndryshimin e domosdoshëm, duke realizuar dy qëllime
jetike: E para, largimin nga pushteti të "komandantëve" mujsharë,
rrast të kriminalizuar, në vrasje dhe hajni zyrtare, gjithnjë në koalicion me
LDK-në; e dyta, të shpëtohet partia e Rugovës nga kthetrat e PAN-it kriminal,
tërhoqën me vete gjysmën e anëtarësisë të LDK-së, për ta ruajtur nga shkërmoqja
dhe ikja në parti tjera, duke ia kthyer sërishmi 95 mijë anëtarë prej tyre
Lidërshipit të ri, të prirë nga Lumir Abdixhiku.
E njëjta gjë vlen edhe për disa
punësime të anëtarëve të LVV, në mes tyre edhe ngritjen në pozitë profesionale,
në sektorin ku punon, të motrës të Liburn Aliut. Por, lehaqenët harrojnë, me
dashje, se ajo është e bija e Ali Aliut, i cili ka vuajtur shumë vite në
burgjet politike jugosllave! Administrata shtetërorë është e dominuar nga
militantët e PAN-it. Në mes tyre, punësimet paushalle, të fryra, në
Elektro-Kosova, RTK dhe gjetkë, është aq i marrëzishëm e kriminal, sa
Qeveria Kurti pati premtuar kontrollim dhe verifikim e largim të personelit të
tepërt. Por, kurrë nuk e bëri, edhe pas saktësimit faktik. Për të arritur
punësimet e egra të PAN-it për dy dekada, LVV i duhen shumë dekada.
"Komandantët" e PAN-it po i
pengojnë shumë edhe ish-të burgosurit politikë, duke ngjallur mosbesim tek ata,
se gjoja i ka instruktuar UDB-a, edhe pse këta heronj të mbijetuar, kanë
dëshmuar qendresë dhe konsiderohen si pjesa më vitale e popullit, të cilët me
sakrificën dhe vuajtjet e tyre, kanë qenë kasnecët e parë të lirisë.
Akuzat e tilla janë cinike dhe bëhen nga ata që sabotuan luftën dhe ekzekutuan
ushtarakët dhe veprimtarët luftëbërës, burrat dhe djemtë të përkushtuar për
çlirimin dhe lirinë e Kosovës, për ta përvetësuar, pikërisht, luftën e tyre.
Ishin rinorë, kur ish-të burgosurit politikë, Hydajet Hyseni dhe Zija Shemsiu,
shkruan letrën-akuzë, proverbiale për moshën dhe kohën, kundër pushtetit të
dhunshëm dhe vrastar jugosllav, që shërbeu si frymëzim dhe kushtrim i brezave
të asaj kohe zezonë.
Realisht, PDK-ja nuk është parti e dytë
fituese, sepse votat i ka fiktive, me klientelë abonuese elektorale, me pagesë
abuzive shtetërore, si shumë mijëra nëpunës zyrtarë; mijëra anëtarë të
organizatave ilegale kriminale SHIK, Shqiponjat e Zeza, BIA; armatën e madhe të
"veteranëve" të rrejshëm. Çuditërisht, LDK-ja dhe LVV bëjnë sehir,
heshtin për një vjedhje masive të shumë mijëra votave, nga kjo klientelë
elektorale e garantuar të PAN-it
SHBA dhe Franca kanë obligime ta
ndihmojnë Kosovën
Përveç armiqve të hapur, Kosova ka
filluar të këtë probleme edhe me disa shtete, të cilat kanë qenë pjesë e lirisë
tonë. Ecejaket e fundit të presidentit Macron në Beograd, kanë ngjallur
dyshime. Presidenti francez ende nuk ka kryer një borxh të madh që i ka
Kosovës. Kreu i Shërbimit Informativ francez, Pierre Siramy, në -You Tube-,
denoncon rekrutimin e Hashim Thaçit agjent të Francës. Çështja nuk mbaron me
kaq, sepse vartësi i Siramysë, agjenti Arnaud Danjear, e rekruton Thaçin edhe
agjent të Serbisë, për arsye të një dosje faktike kriminale, të cilën e
dispononte për atë me shokë. Thaçi, për t`i shpëtuar drejtësisë, i bëri lëshime
fatale Serbisë. Andaj, presidenti Macron, duhet ta harrojë Draft-statutin për
Asociacionin, të bërë me Kancelarin gjerman Scholz, i cili është konsideruar si
"kanceri i Kosovës". Kosova nuk ia kishte borxh Francës, që agjenti i
saj ta rekrutonte agjent të dyfishtë zyrtarin e lartë të Kosovës, HashimThaçin!
Një dëm të madh i bëri Kosovës edhe
emisari anerikan për Kosovën, Richard Grenell, i cili në bashkëpunim me Hashim
Thaçin, Vuçiqin, Edvin Ramën dhe Isa Mustafën, prishën koalicionin e shpresës
LVV-LDK, duke i shkaktuar dëm të madh Kosovës. Grenell vazhdon të përzihet
ende, duke preferuar partitë e kriminalizuara në qeverisjen e sërishme,
ndërkohë që populli i ka ndëshkuar meritueshëm me votën e lirë demokratike.
Mendoj se Presidenti Trump, duhet të vihet në dijeni, për revanshin e Grenellit
kundër Albin Kurtit, sepse ai është revansh kundë Kosovës. Madje, Grenell, në
emër të administratës të SHBA, mund të angazhojë edhe zyrtarë të tjerë
amerikanë, duke koordinuar me Listën Serbe dhe me opozitën shqiptare. Trump
duhet të mësojë se, të paktën, tre zyrtarë të ngarkuar për Kosovën, ishin
argatë të Serbisë, këshilltarë të Vuçiqit. Andaj, SHBA dhe Franca duhet
reflektojnë dhe të rrezatojnë drejtësi për Kosovën, respektivisht, të
garantojnë sovranitetin, tërësinë territoriale, në kufijtë ekzistues, nga ku
është njohur pavarësia e Shtetit të Kosovës.
Çilësi i fitores të Albin Kurtit, është
mosbesimi i popullit te opozita, tashmë, e provuar për të këqijat që i kanë
shkaktuar Kosovës. Populli i di edhe dështimet e Kurtit dhe mosrealizimin e
premtimeve të bëra 4 vite më parë. Por, gjithashtu, e di se nuk ka abuzuar me
buxhetin shtetëror dhe paratë e pa shfrytëzuara janë në Bankën e Shtetit. Pra,
mbrojtja e sovranitetit, e tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës, që
tashmë, po identifikohet me Kurtin dhe LVV të tij, është pozitivisht e
pakrahasueshme me tulla-llaç dhe asfaltin korruptiv të opozitës PAN-iste.
Për fund:
Pas kthimit të Rugovës, pas luftës, në
Kosovë, gazetari Gani Mehmetaj, njëherësh, mik i Rugovës, i habitur pse Dr.
Rugpva i heshti "të bëmat" e disa bashkëpunëtorëve të Tij, duke
vazhduar punën, sërishmi, me ata, sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Dr. Rugova:
"Duhet të ktheheshin edhe delet e humbura, por që nuk kanë marrë pjesë në
krime e tortura ndaj bashkëkombasëve". Pra, të gabuarit të amnistohen, por
jo edhe të penalizuarit, vrasësit e shqiptarëve të pafajshëm nga shqiptarët.
Heroi i mbijetuar i Luftës të Kosharës,
(dhe jo i Betejës të Kosharës, siç po thuhet gabimisht, sepse janë 78
ditë-beteja), Kolonel Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, apelon: "LDK të
dëshmojë përgjegjësi politike e patriotike dhe të votojë hyrjen në koalicion me
zotin Kurti". Komandanti i luftës për lirinë e Kosovës, dje, i dëshmuar
për atdhetari, duhet dëgjuar edhe sot në paqe.
Vërtet, me gjithë punën e madhe të bërë
nga kryetari Lumir Abdixhiku dhe Lidershipi i ri ekipor, ka edhe mangësi, që
mund të evitoheshin. "Sa më e madhe të bëhet dasma, aq më shumë
hatërime", - thonë andej nga fshati. Nga Mërgata sugjeruam të zënë vend në
Kryesinë e partisë apo diku afër në KP, Profesori nga Parisi, Valon Murtezaj;
ish-praktikanti në Shtëpinë e Bardhë, Faton Bislimi; besnikët e përlotur, edhe
kur përmendët emri i Presidentit Rugova, kuadro dhe veprimtarë, Skënder Zogaj e
Fadil Geci; i mbijetuari i atentatit të "komandantëve" vrasës, argat
i devotshëm i LDK-së, Adem Salihaj; Frashër Demaj, Naser Rugova dhe...
Megjithatë, intelektuali fisnik, Faton
Bislimi, nuk donë të bëhet pjesë e hatërimit dhe thërret zëshëm: "Sot
LDK-së i duhet kohezion i brendshëm, reflektim dhe rikthim në boshtin e vet
politik". Ai nuk e përmend "Rrugën e re", (e cila, mendoj unë,
duhet harruar, ngaqë nënkupton harrimin e rrugës së vjetër, respektivisht,
rugoviane), se duhet afirmuar vlerat autentike të veprimit politik rugovist.
Përndryshe, kërkesat ekstreme, siç është dorëheqja apo shkarkimi i Kryetarit
dhe Kryesisë, agjitimet përçarëse, të ndoca të pakënaqurve, jashtë strukturave
të partisë, të çojnë në theqafje. Dhe, këtë e ka provuar dhe e ka pësuar më
shumë se një herë LDK-ja, dikur, krenare e kryezotit Rugovë.