Sport » Sporti
Luan Asllan Dibrani: Dr. Astrit Hasani – Presidenti i parë shqiptar i një Federate Evropiane
E marte, 15.04.2025, 06:52 PM
Dr. Astrit Hasani – Presidenti i parë shqiptar i një Federate Evropiane dhe krenaria e Prapashticës në Gollakun legjendar
Shkruan
Luan Asllan Dibrani
Në një moment
historik për sportin shqiptar dhe për Republikën e Kosovës, Dr. Astrit
Hasani, nga fshati Prapashticë i Prishtinës, është zgjedhur President
i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF), në Kongresin Zgjedhor të
mbajtur në Chisinau, Moldavi. Ky është një moment i rëndësishëm, jo
vetëm për sportin evropian, por edhe për identitetin kombëtar të shqiptarëve,
pasi për herë të parë në histori një shqiptar merr drejtimin e një federate
evropiane sportive.
Dr. Hasani është
shembulli i njeriut që ka ndërthurur me mjeshtëri edukimin superior, vlerat
kombëtare dhe përkushtimin për sportin dhe atdheun. Me magjistraturë
të përfunduar në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit, doktoraturë në
Universitetin e Varshavës, dhe me një karrierë të gjerë akademike si
ligjërues e ekspert në fushën e sportit, Astriti ka ndërtuar një profil
ndërkombëtar të respektuar.
“Ylli
i Artë” nga Prapashtica
Vitin e kaluar, në
Kongresin Evropian të mbajtur në Varshavë, ai u nderua me çmimin e madh “Ylli
i Artë”, një vlerësim që përfaqëson jo vetëm suksesin individual, por edhe
rrugëtimin e një populli që përmes sportit po afirmohet në skenën
ndërkombëtare. Tashmë, Astriti – apo siç po njihet ndryshe “Ylli i Artë”
– do të udhëheqë Federatën Evropiane të Peshëngritjes, duke përfaqësuar jo
vetëm sportin, por edhe shtetin e pavarur dhe sovran të Republikës së
Kosovës.
Prapashtica
– Një vatër e dijes dhe patriotizmit
Dr. Hasani është një
bir i denjë i Prapashticës, një ndër fshatrat më të njohur e më
përparimtare të Malësisë së Gollakut, i cili historikisht ka dhënë intelektualë,
luftëtarë dhe figura të shquara që gjithmonë kanë qenë në ballë të
përpjekjeve për liri, drejtësi dhe zhvillim kombëtar.
Prapashtica është tokë e shenjtë për ata që e njohin historinë e
Kosovës – një vend që ka rritur bij që e kanë dashur dhe i kanë shërbyer
atdheut me krenari, dije dhe përkushtim.
Kontribut
në ndërtimin e shtetit të Kosovës
Arritjet e Dr.
Hasanit nuk janë thjesht suksese personale – ato janë gurthemel i ndërtimit
të Kosovës si shtet i denjë, i barabartë në arenën ndërkombëtare. Ai është dëshmi
se përmes edukimit, përkushtimit dhe vizionit, qytetarët e Kosovës mund të
arrijnë majat më të larta të suksesit global, në të gjitha sferat e jetës.
Me zgjedhjen e tij
si President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Astriti ka shënuar një
kapitull të ri në historinë e sportit dhe të kombit tonë – një kapitull që shkruhet
me krenari, përkushtim dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj brezave
të ardhshëm.
Urime
Astrit – krenaria jonë kombëtare!
Populli i Kosovës,
sportistët, intelektualët dhe të gjithë ata që besojnë në një të ardhme të
ndritur, i urojnë Dr. Astrit Hasanit suksese të reja në udhëheqjen e
sportit evropian.
Le të jetë suksesi i tij
një frymëzim për çdo të ri nga Kosova, që beson në ëndrrat e veta dhe është i gatshëm të
punojë fort për to.