Editorial
Ndue Dedaj: Shprehja 'Nuk ka opozitë', sindromë bolshevike!
E shtune, 12.04.2025, 02:59 PM
SHPREHJA “NUK KA OPOZITË”, SINDROMË BOLSHEVIKE!...
NGA
NDUE DEDAJ
Është
e habitshme se si shprehja “Nuk ka opozitë” shqiptohet me lehtësi dhe pa
kurrëfarë sensi nga individë të ndryshëm, kinse të paangazhuar politikisht, çka
nuk e thotë as vetë mazhoranca në mënyrë kaq brutale.
Opozitë
ka dhe sikur të ekzistojë qoftë dhe vetëm një opozitar, jo më një pafundësi
njerëzish me bindje të djathta, të qendrës, apo nga zona gri, përfshi dhe jo
pak individë nga e majta, që dinë me qenë realistë e kritikë ndaj qeverisjes,
pa qenë opozitarë në kuptimin klasik të kësaj fjale.
Opozita
është një realitet demokratik dhe institucional qysh nga viti 1990, kur u
krijua partia e parë opozitare, PD, që u pasua nga disa të tjera, pavarësisht
problematikave të saj aspak të lehta. Por ato janë çështje të brendshme që i
zgjidh vetë ajo dhe asesi kritizerët cmirëzinj nga jashtë, duke e gjuajtur me
gurë nga bunkerët ideologjikë të komunizmit të “pavdekshëm”.
Vetëm
në Shqipëri ndodh të sulmohet opozita, me diskursin dhe vokabularin e pushtetit
gjithë bërllok denigrues.
Doemos
që kjo ka shpjegimin e saj, paçka shtirjes të shumëkujt si i “papërzier” me
politikën. Shprehja vulgare “Nuk ka opozitë” i ka rrënjët në bolshevizmin
kronik, nga fillimet e shekullit XX, ndonëse e “freskët” si atëherë në mendjet
e mykura dhe pas njëqind vjetësh, nga etërit te bijtë e nipërit. Është mendësi
e rrënjosur thellë nga lufta e klasave, për ta parë kundërshtarin politik si
armik të përbetuar, jo se pushtetarët kanë ndonjë urrejtje “gjenetike” ndaj
palës tjetër, porse pushteti është aq i lakmueshëm për ta dhe nuk duan ta
lëshojnë asnjëherë. Ata thonë se e duan këtë gjë për ta bërë Shqipërinë si
Europa, por rezulton e kundërta, pushteti iu nevojitet për të krijuar “bankën”
e tyre të përfitimit të paligjshëm nga paratë e taksapaguesve.
Si
ka mundësi që nuk paska opozitë?
Opozitë
ka pasur dhe kur kjo mazhorancë ishte në opozitë! E nuk ka si të mos ketë sot,
pas tre mandatesh që ajo ka në qeverisje, me afera korruptive të pashembullta e
të panumërta, që duhej ta bënte PS-në shumë më pak “vëzulluese” në këtë
fushatë. Sa për llogaridhënien, mos o Zot, ajo shihet absolutisht si diçka
“anakronike”, mjaft ta shkundim popullin duke e kacarruar si në dasmë.
Opozita
ka histori tek ne. Toka e saj nuk është djerr.
Opozitë
properëndimore ka pasur dhe në vitin e largët 1946, kur u pushkatuan një numër
i madh deputetësh, nga elita kombëtare e vendit.
Prej
asokohe, kur opozita politike u mbyt në gjak, ajo vazhdoi të qëndronte e tillë
në burgjet politike për 45 vjet.
Opozitë
ka pasur dhe në periudhën para dhe gjatë Mbretërisë Shqiptare.
Opozita
është vlera më e madhe politike e këtij kombi, më shumë se qeverisja.
Jo
rastësisht krenohemi me figurat opozitare dhe jo me ato shtetërore.
Por
historia nuk është një mësuese e mirë për ne, pasi nuk e “dëgjojmë” atë, nuk
nxëmë mësime prej saj.
E
mira do të ishte që “rotacioni” të kishte ndodhur dhe brenda opozitës me kohë e
me vakt, por nëse kjo nuk ka ngjarë sa dhe si duhet, ky nuk përbën një argument
për të mos ndodhur dhe rotacioni politik i vendit. Opozita është në garë! Mund
të ishte dhe më e bashkuar, por me gjithë mangësitë në këtë anë, ajo është aty
ku e ka vendin, përballë mazhorancës së konsumuar nga pushteti i gjatë
korruptiv, në kërkim të votës së qytetarëve për të bërë ndryshimin.
Propaganda
bajate se ky apo ai lider nuk bën, në kohë fushatë është antidemokratike, jo
vetëm se opozita nuk është një njeri, as disa njerëz të saj, sado të
rëndësishëm qofshin, porse tashmë është tjetërkush që i vë pikat mbi, votuesi i
gjërë aspak emocional dhe militant. Fakti që një varg i gjatë partish politike,
pavarësisht peshës elektorale të disave prej tyre, janë rreshtuar në një
koalicion zgjedhor kryesor, krahas disa grupimeve apo subjekteve të tjera
elektorale të djathta ose jo, dëshmon veçse praninë e fortë opozitare.
Nuk
ka kurrëfarë logjike dhe morali t’i tregosh opozitës muskujt e pushtetit, t’i
bësh karshillëk e aq më tepër t’i bësh “gjyqin” me stil bolshevik, për atë çka
ajo ka qenë para 12 vitesh në pushtet!? Se ka një handikap të madh në këtë mes,
drejtësia e pavarur po u bën gjyqin real figurave qeverisëse të mazhorancës,
ministra e kryebashkiakë, ndërsa kjo e fundit nuk tregon ujkun, por gjurmën?…
Nuk
ka as baballarë e as shpëtimtarë të vetëshpallur të kombit.
Nuk
e ha kush më demagogjinë në kohën e sotme, sado e lubrifikuar të jetë. Në këtë
kontekst, opozitës, si e papërlyer që është, i bie të jetë misionare. Zgjedhësi
nuk mund të manipulohet nga asnjë lloji propagande prej xhentelmenësh me
atletike të bardha a këpucë të kuqe, ai sheh e shkruan përditë pakënaqësitë nga
qeverisja jo e denjë.
Ashtu
siç është qytetari që di se kur shkon në BE dhe me cilin lidership politik.
Pse
themi qytetari? Aspak për të zvogëluar rëndësinë e qeverisjes, porse qytetari
shqiptar është integruar me kohë në jetën perëndimore, euro - atlantike, edhe
kur qeverisja këtu ka mbetur duke bërë “detyrat e shtëpisë”, siç vetë thotë
ajo, nga viti në vit.
Qeveria
vetëm tani e zbuloi mërgatën shqiptare në botë, u takua përmallshëm me të dhe
fort mirë që shkoi më në fund atje, tash të presim dhe votën e saj, që për
mendimin tonë do të ketë një peshë specifike në votimet e 11 majit në kahjen e
ndryshimit.
Kjo
kategori gojëprishurish, që shfrynë si qëmoti ndaj opozitës, që ka guximin ta
bëjë të paqenë atë, duke e “asgjësuar” me një fjalë goje si flakë kashte, kot
që përpiqet të na bindë për mosekzistencën e aksionit opozitar, pasi është
krejtësisht e pabesueshme, ngaqë ka 35 vjet që këndon të njëjtën këngë “zije”,
duke harruar se po të ishte kështu, do të kishte marrë fund vetë pluralizmi
politik.
Opozita
nuk ka nevojë për asgjë që nuk i bën nder opozitarizmit. Asaj nuk i duhet as
lëmosha e as arroganca, i mjafton vetëvetja dhe fjala e sovranit, që është e
vetmja “perëndi” mbi tokë.
Këto
pak radhë nuk janë ndonjë “apologji” për opozitën, pasi po të ishte ashtu, do
të na duhej një cikël shkrimesh kritike që nuk do të mbaronin as me 11 maj, por
thjeshtë një si “tërheqje vëmendje” për ata individë, jo pak prej tyre miq
tanë, të cilët mund ta mbështesin mazhorancën hapur dhe jo me klishe të tilla
të dala boje!…
Më
mirë patronazhistë të shkruar, se të pashkruar.