Kulturë
Dorian Koçi: Habia shqiptare
E marte, 01.04.2025, 06:55 PM
Habia
shqiptare
Nga
Dorian Koçi
Shqipëria
si vend, me shtresëzimet e veta sociale ka habitur, jo vetëm të huajt që kanë
shkruar për karekterin e veçantë të shqiptarëve në raport me popullsitë e tjera
në Ballkan por edhe vet politikanët që kanë udhëhequr dhe përfaqësuar për
momente të caktuara vullnetin e shqiptarëve.
Duket
se mungesa e jetesës së gjithë popullsisë nën një influencë të vetëm shtetërore
e fetare , kapërcimi i rendeve të ndryshëm shoqërorë pa u thelluar aspak në
asnjërin prej tyre, traditat e ndryshme të pushteteve politikë, administrativë
e gjyqësorë duke filluar nga ai i
despotëve të pavarur bizantinë ,traditës venedikase me Këshillin e të
dhjetëve,pushtetit lokal të venomeve dhe Kanuneve, dhe pushtetit perandorak
otoman nën presionin e një modernizimi të ethshëm të ardhur nga Europa, kanë
krijuar klimën e veçantë sui generis të shqiptarëve dhe sjelljeve të tyre
sociale. Fan Noli, një nga personalitet më të mëdha të vendit, ish ministër e
ish kryeministër , shkrimtar e historian në një bisedë me Eqerem bej Vlorën ia
përshkruante kështu përvojat e tij nga qeverisja e bashkëpatriotëve të vet.
“Ky
vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar,
fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës
i Barbara dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të
varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të
barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj
aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës
së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha
ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”
Ndoshta,
pa dashur ai kish arritur në përfundimin që Milan Shuflai, një nga albanalogët
më të mëdhenj kish arritur përmes leximit të kujdesshëm të dokumentacionit
rreth shqiptarëve dhe studimit të sjelljeve të tyre sociale. Në një nga veprat
e veta ai shkruante për Shqipërinë se në vetvete (ajo) është monada e Ballkanit, në të cilën
pasqyrohet krejt kozmosi ballkanik me gjithë ngjyresat e veta latine, greke,
romane, bizantine, italiane dhe sllave, ku ende sot vezullojnë kristale të
shumta të gjendjes zanafillore, ku ende duken ato shtresa themelore etnike të
Gadishullit ballkanik, ngulmimi dhe qendresa e të cilave u dha gjuhëve
ballkanike vulën e një fizionomije të përbashkët e ndihmoi edhe në krijimin e
një karakteri të përbashkët të kulturës mesjetare ballkanike.
Gjithsesi,
pavarësisht këtyre komenteve, Fan
Noli s’u mërzit kurrë me vendin e vet e
mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i
vinte keq për teatrin miserabël që kishin ndërtuar ‘’dallkaukët” dhe “kopukët”
dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me
përkthimet dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të
mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark
Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë.