E marte, 27.07.2021, 05:30 AM (GMT+1)

Lajme

Eshtë një botë shumë e vogël

E hene, 02.02.2009, 01:05 AM


Nga Robert Matthews

Në shkurt të vitit 2003, një akademik kinez mbërriti në Hong Kong, u rregjistrua në hotel dhe në mënyrë të paqëllimtë nisi të përhapë një virus vdekjeprurës në të gjithë botën. Ai kishte radhur me avion nga jugu i Kinës, aty ku disa muaj më parë ishte zhvilluar një formë e çuditshme gripi. Brenda pak ditësh, ishte shtruar në spital me simptoma të ngjashme, por jo përpara se të infektonte dhjetëra njerëz të tjerë, të cilët më pas e përhapën virusin në Taivan, Singapor, Vietnam dhe Kanada. Deri në mesin e marsit, virusi i SARS-it kishte shkaktuar një alarm global për shëndetin - si dhe ishte shndërruar në shembullin më të freskët të atij, që shkencëtarët e quajnë Efekti i Botës së Vogël.

Si fenomen social, është shumë i njohur. Kur flasim me një të huaj në një festë, ne zbulojmë se kemi një mik apo një koleg të përbashkët. Përgjigjemi me një buzëqeshje dhe themi: "Sa e vogël është bota!", dhe e lëmë me aq, pa menduar më shumë. E megjithatë, bota nuk është aspak e vogël: me më shumë se 6.7 miliard banorë, ajo është shumë, shumë e madhe. Në një farë mënyre, Efekti i Botës së Vogël shkakton një qark të shkurtër të të gjithë kësaj bote, duke na sjellë të gjithë ne në një afërsi mbresëlënëse me njëri-tjetrin. Në rastin e virusit SARS, pasojat ishin fatale.

Kuptimi i Efektit të Botës së Vogël është tashmë një objekt madhor studimi dhe kërkimesh në fusha të tilla si ekonomia, mjekësia dhe marketingu. Ndoshta habia më e madhe qëndron në faktin se, shkencëtarëve u është dashur shumë kohë që ta marrin seriozisht këtë efekt. Sepse, ndërkohë që në grumbullime sociale është vërejtur prej shekujsh, vetëm në vitet pesëdhjetë shkencëtarët nisën të bëjnë kërkime në lidhje me rrënjët e tij.

Në Universitetin e Çikagos, matematicieni i shndërruar në profesor i shkencave sociale, Anatol Rapoport dhe kolegët e tij, e nisën duke krijuar një shoqëri artificiale, dhe duke e menduar atë si një "rrjet" individësh, ku secili prej tyre kishte lidhje të rastësishme me të tjerët. Disa lidhje ishin të shkurtra, duke lidhur njerëzit në komunitete "të ngushtë", të tjera ishin relativisht të gjata.

Rapoport dhe kolegët e tij mbetën të intriguar tek zbuluan, se natyra e rastësishme e lidhjeve bënte një dallim të madh me strukturën e shoqërisë së tyre artificiale. Nëse lidhjet bëheshin qoftë edhe pak më pak të rastësishme, shoqëria kishte tendencën të fragmentohej në komunitete të izoluar, pa asnjë lidhje me njerëzit, kudo ku këta ishin. Ishte një tregues i hershëm i rëndësisë së jashtëzakonshme të lidhjeve rastësore në shndërrimin e popullsisë gjigande të globit në një "botë të vogël". Imagjinoni një shoqëri që përbëhet nga një milion vetë, ku secili prej tyre ka lidhje me vetëm dhjetë vetë që jetojnë pranë. Nëse del një thashethem, do të duheshin dhjetëra mijëra hapa, që ai të përhapej në të gjithë shoqërinë, teksa vjen vërdallë nga një "klikë" në tjetrën.

Tani imagjinoni të njëjtën shoqëri ku, sërish, të gjithë njohin dhjetë të tjerë, por këtë herë njohjet nuk janë pranë, por të përhapura në mënyrë rastësore në të gjithë shoqërinë. Thashethemi përhapet shumë më shpejtë, duke u shfaqur në mënyrë të rastësishme, kudo. Pas çdo ritregimi të tij, numri i njerëzve që vihen në dijeni të thashethemet rritet me një faktor 10 - fillimisht në 100 e më pas në 1000 e kështu me radhë. Vetëm pas gjashtë ritregimeve, çdokush do ta ketë dëgjuar thashethemin, falë këtyre lidhjeve të rastësishme.

Gjë që është në vetvete shumë mbresëlënëse, përveçse kur mendon se në botën reale nuk ndodh kështu. Ne kemi lidhje që nuk janë as totalisht të rastësishme dhe as komplet të kufizuara, por janë një përzierje e këtyre të dyjave. Atëherë, përse zbulojmë kaq shpesh që edhe ne vetë jetojmë në një "botë të vogël"?

Në vitin 1959, dy matematicienë hungarezë, Pol Erdës dhe Alfred Renji, treguan se si vetëm disa lidhje të rastësishme mund të bënin një diferencë të madhe. Për shembull, në një turmë prej 100 njerëzish është e pamundur të krijosh lidhje ndërmjet pothuajse të gjithëve, duke krijuar thjeshtë lidhje të rastësishme mes disa dhjetëra njerëzve. Ndërkohë, arritja e të njëjtit sistematicitet kërkon afro 4950 lidhje të tilla. Ndërkohë, që Erdës dhe Renji, treguan me formulën e tyre fuqinë e lidhjeve rastësore, u desh një eksperiment i mprehtë i realizuar në vitin 1967 për të vërtetuar se ne jetojmë vërtetë në një botë të vogël. Stenli Migram, një profesor sociologjie i ri në moshë, në Universitetin e Harvardit dëshironte që të maste madhësinë tipike të rrjeteve tanë socialë - sa njerëz kemi ne si miq, apo miq të miqve e kështu me radhë. Për ta zbuluar, ai u postoi disa pako 100 njerëzve në Nebraskë dhe në Kansas, duke u kërkuar atyre që t'ia dërgonin një personi "target" në Masaçusets. Gjë që tingëllon goxha e thjeshtë, përveçse marrësve të pakos nuk u ish thënë se ku jetonte personi target, por vetëm emri, profesioni si dhe disa detaje të tjera personale. Milgram i kërkoi marrësve që t'ua postonin pakon kujtdo që njihnin, duke u nisur nga emri (jo mbiemri) e që do të kishin një shans më të mirë për të dërguar pakon.

Nxitimi

Rezultati ishte befasues. Pakot mbërrinin tek target-i zakonisht pas pesë ripostimesh. Disa vite më vonë, Milgrami e përsëriti eksperimentin e tij dhe rezultatet ishin të ngjashëm. Me sa dukej, kushdo në SHBA mund të gjendej pas vetëm pesë ripostimesh. Pasojat ishin edhe më befasuese. Nëse vetëm pesë ripostime mjaftonin për të gjetur këto në një shtet me më shumë se 200 milion banorë, dukej se zakonisht njerëzit njihnin mirë 50 të tjerë për të postuar më tutje letrën. Dhe me secilin prej atyre 200 milionëve që njihnin 50 të tjerë, kjo nënkuptonte që vetëm një postim më shumë do të ishte i mjaftueshëm për të mbërritur në 10 miliard njerëz - edhe më shumë se e gjithë popullsia e Tokës.

Zbulimet e Milgram u ripohuan nga studiuesit e Microsoftit këtë vit, të cilët analizuan modelet e mesazheve të çastit, që bënin xhiron e botës gjatë një muaji në vitin 2006 dhe zbuluan se, secili prej nesh është i lidhur me këdo tjetër në këtë botë, prej jo më shumë se SHTATE NDERMJETESVE. Zbulimi i Milgram u shndërrua në një legjendë urbane, e madje i dha edhe emrin një drame, "Gjashtë Gradë Ndarje" të dramaturgut amerikan Xhon Guajër, në të cilën njëri prej personazheve thotë: "Çdokush në këtë planet është i ndarë nga vetëm gjashtë njerëz të tjerë. Gjashtë gradë ndarje. Eshtë një mendim i thellë".

Ishte një mendim që u ngulit në mendjen e Dankën Uots, një student 25-vjeçar në Universitetin Kornell në Nju Jork. Në vitin 1995, ai po studionte matematikën e cicërimës së bulkthave, dhe kish hasur një problem: si ka mundësi që ata e gjejnë kaq shpejt ritmin? Mos secili prej tyre dëgjonte të tjerët, apo vetëm fqinjët më të afërt? Më pas, Uots kishte kujtuar se si dikur i ati i kish thënë se çdokush në këtë botë është vetëm gjashtë shtrëngime duarsh larg nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Uots, nisi të vrasë mendjen nëse i njëjti fenomen mund të lidhej me shpejtësinë, me të cilën bulkthat nisnin të cicëronin në unison.

Përdorimi i një legjende urbane për të zgjidhur një mister serioz biologjik, nuk është diçka e zakonshme, për të thënë më të paktën, dhe Uots ishte shumë nervoz për faktin se i duhej t'ia thoshte idenë e tij këshilltarit të tezës, matematicienit Stiven Strogac. Megjithatë, Strogac mendoi se kjo ide ishte shumë intriguese dhe të dy nisën të bashkëpunojnë. Në qershor të vitit 1998, ata botuan një studim, në të cilin përmblidhnin zbulimet e tyre në revistën prestigjoze NATURE - dhe në ndërkohë krijuan një shkencë krejt të re - Efekti i Botës së Vogël.

Për herë të parë, Uots dhe Strogac, demonstruan fuqinë e disa lidhjeve rastësore për të shndërruar një botë gjigande në një botë shumë të vogël. Në fakt, një meritë për suksesin e tyre kishte edhe fakti që kompjuterat janë të kudogjendur. Ndryshe nga teoricienët e viteve pesëdhjetë, Uots dhe Strogac. mund të përdornin fuqinë e kompjuterit për të krijuar simulime të botës së vërtetë, me komunitetet e saj të lidhur ngushtë si dhe me lidhjet rastësore.

Ata krijuan një shoqëri "artificiale" prej 1000 pikash, ku secila prej tyre ishte e lidhur me një klikë prej 10 "miqsh". Ata zbuluan se secila klikë përbëhej nga vetëm fqinjët më të afërt, e më pas nevojiteshin qindra hapa për të shkuar nga njëra pikë në tjetrën. Por kur ata shkëpusnin vetëm një nga njëqind pika dhe i bënin këto rastësore, numri i hapave që kërkoheshin ra shumë, dhjetëfish - megjithatë shumica e klikave mbetën shumë mirë të lidhura.

Uots dhe Strogac, kishin zbuluar më në fund se si një planet prej 6.7 miliard njerëzish ngjan shpesh herë me një botë të vogël. Ndërkohë që, shumica e miqve tanë mund t'i përkasin komunitetit tonë të vogël, takimet rastësorë na kanë dhënë disa që janë të përhapur shumë më gjerë. Dhe është ky grusht lidhjesh rastësore që krjon një qark të shkurtër dhe e shndërron globin në një botë të vogël.

Uots dhe Strogac, zbuluan të njëjtin efekt që funksiononte në "shqoëritë" e tyre. Për shembull, duke përdorur një bazë të kompjuterizuar të dhënash për aktorë dhe filma ku ata kanë luajtur, ata treguan se Hollywood është një tjetër botë e vogël. Mesatarisht, çdo aktor mund të lidhet me një tjetër përmes filmave, duke përfshirë vetëm katër ndërmjetës. Edhe një herë, lidhjet krijohen për shkak të aktorëve të kudondodhur si përshembull Rod Staiger, i cili ka punuar në një numër shumë të madh filmash. Amatorët e kinemasë kishin shfrytëzuar pa e ditur për shumë vite këtë gjë, duke luajtur të ashtuquajturën Lojë e Kevin Bejkën, në të cilën një aktor duhet të lidhet me një tjetër përmes një numri sa më të shkurtër filmash. Por kur e lidh një aktor me Rod Staigerin, gjërat lehtësohen shumë.

Studimi i botuat nga Uots dhe Staiger, zgjoi shumë interes për gjetjen e shembujve të tjerë në jetën reale. Që nga sistemi nervor i krimbave, deri tek rrjeti i kompjuterave që formojnë internetin, botët e vogla janë gjetur në forma të ndryshme.

Shpesh herë, pasojat janë tronditëse. Për shembull, Efekti i Botës së Vogël vazhdon të mbajë në punë internetin, pavarësisht faktit që afro 3 përqind e kompjuterave që shërbejnë si router-a për të pësojnë difekt në çdo sekondë. Gjithë kjo, për shkak të pranisë së lidhjeve rastësore. Por ka edhe një anë të errët, gjë që mbi 100 milion njerëz e zbuluan në vitin 2003 kur nyjat kyçe të shumë rrjeteve të energjisë elektrike pësuan defekt për shkak të disa incidente në dukje të vegjël.

Kriza e sotme

Një efekt i ngjashëm po shfaqet shumë qartë në botën financiare, ku biznese që në dukje nuk janë të lidhur me shkakun rrënjësor të krizës aktuale, janë duke vuajtur gjithashtu efektet. Korporata të mëdha e kanë parë vetveten në të ashtuquajturën botë të vogël, me disa kompani në dukje pa lidhje në njëra-tjetrën që janë në gjendje të lidhen përmes shumë pak marrëdhënieve. Kjo gjë mund të ndihmojë botën e biznesit që të kapërcejë kohërat e vështira që gjithmonë kanë efekt mbi një pjesë të kompanive, por mund të shkaktojë gjithashtu telashe, nëse një korporatë e rëndësishme me disa pak lidhje rastësore fillon të ketë probleme.

Efekti i Botës së Vogël ka rezultuar veçanërisht i rëndësishëm në kuptimin e përhapjes së sëmundjeve. Shkencëtarët janë fokusuar tradicionalisht në infektueshmërinë e sëmundjes për të parashikuar se si përhapet epidemia. Efekti i Botës së Vogël tregon se natyra e shoqërisë ku shpërthen epidemia mund të bëjë dallimin. Studime të botuar në vitin 2001 nga matematicieni argjentinas, Damian Zanete, tregojnë se nëse vetëm 20% e popullsisë ka lidhje rastësore me njerëz përtej vendit, ku ka shpërthyer fillimisht epidemia, atëherë një shpërthim i vogël mund të shndërrohet në një epidemi të madhe.

Identifikimi i këtyre "superpërhapësve" të sëmundjeve - si prostitutat në qytete të mëdha apo turistët bredharakë - mund të jetë çelësi për ndaljen e një epidemie. I njëjti arsyetim ka nxitur ekspertë të marketingut që të shënjestrojnë ndikues të mëdhenj në opinion, që nga Oprah Uinfri deri tek blogger-at specialistë të internetit, me besimin se rrjetet e tyre të mëdhenj të kontaktit mund të zgjojnë interesin e konsumatorëve për produkte të rinj.

Por studime të reja të kryera nga Dankën Uots tregojnë se "ndikues" të tillë nuk janë aq të rëndësishëm sa mendojnë ekspertët e marketingut. Duke përdorur simulime me kompjuter, ai ka treguar se pak a shumë çdokush është në gjendje që të japë shkëndijë të një tendence, e cila më parë mund të përhapet me shpejtësi fantastike, por vetëm nëse njerëzit janë gati për të. Kjo gjë mund të shpjegojë përse - për shembull - filma me buxhet të ulët, si përshembull dokumentari i vitit 2005, Marshimi i pinguinëve, mund të shndërrohen në hite befasues, ndërkohë që filma aq shumë të vlerësuar nga kritika, si versioni i Ang Li i filmit Hulku i pabesueshëm dështojnë. Me fjalë të tjera, popullariteti nuk përhapet si sëmundje në Botën e Vogël.

Të kuptuarit e modeleve të tillë me siguri që do të sjellë edhe më shumë surpriza mbi efektin e botës së vogël - si dhe do të sjellë më shumë prova se ky fenomen "i parëndësishëm" social nuk është aspak i tillë.

 

 

Çfarë është Efekti i Botës së Vogël?

Shpesh herë zbulojmë se kemi lidhje befasuese me ata që janë krejt të huaj për ne - të themi, një koleg i përbashkët, apo miku i një miku. Quhet Efekti i Botës së Vogël dhe pasoja që ai ka është tashmë pjesë e një kërkimi të madh. Studimet fillestarë në vitet '50 tregonin se lidhjet rastësore luanin një rol kyç, duke bërë "qark të shkurtër" në rrjetin gjigand të komuniteteve lokalë që përbënin shoqërinë. Risia e madhe erdhi në vitin 1998, kur matematicienët Dankën Uots dhe Stivën Shtrogac, në Universitetin Kornell në Nju Jork përdorën simulime me kompjuter për të treguar se vetëm një numër i vogël lidhjesh të zakonshme me rreze të gjatë mjafton për të shndërruar një rrjet të madh njerëzish në një "botë të vogël". Tani studiuesit janë duke gjetur prova për një shumëllojshmëri mbresëlënëse botësh të vogla, që variojnë nga rrjetet elektrikë kombëtarë deri tek lidhjet ndërmjet korporatave ndërkombëtare. Ekzistenca e tyre po vërteton se ka pasoja shumë të rëndësishme, që variojnë që nga përhapja e sëmundjeve deri tek efekti i globalizimit.

Përhapja e SARS-it

Pas shpërthimit si fillim në provincën Guangdong në jug të Kinës në nëntor 2002, virusi i SARS-it u përhap përmes një profesori kinez, i cili mbërriti në Hong Kong në shkurt 2003. Më pas, hyri në lojë Efekti i Botës së Vogël, dhe ata që u infektuan udhëtuan më pas me avion në drejtim të Taivanit, Vietnamit, Singaporit dhe Kanadasë, duke shkaktuar epidemi lokale në këta vende shumë larg njëri-tjetrit brenda disa ditësh. Këta, nga ana e tyre shkaktuan përhapjen e mëtejshme në vende të largët si Europa dhe Australia. Identifikimi i shpejtë i rasteve të rinj dhe izolimi i të infektuarve ndalën brenda disa muajsh epideminë, por jo përpara se 8000 vetë të ishin prekur nga kjo sëmundje, nga të cilët një në dhjetë gjetën vdekjen.

ZHARGON

Rrjet i rregullt

Një grup objektesh apo njerëzish që janë të lidhur me njëri-tjetrin në mënyrë tërësisht të rregullt - për shembull, vetëm sepse njohin fqinjin në derën ngjitur. Zakonisht, në këtë rast duhen shumë hapa për të lidhur një person në një lagje me një të një lagjeje tjetër.

Rrjet rastësor

Një grup objektesh apo njerëzish që janë të lidhur me njëri-tjetrin në mënyrë krejt rastësore - për shembull shenjat yjore të njerëzve që janë renditur sipas alfabetit në një direktori numrash telefoni. Zakonsht, lidhjet rastësore rezultojnë në një sasi të vogël hapash të nevojshëm për të lidhur një person me çdokënd.

Botë e vogël

Lloji i rrjetit, lidhjet e të cilit janë pjesërisht të rregullta dhe pjesërisht rastësore. Rezultati është zakonisht një sasi e madhe "klikash" të lidhura ngushtë (për shkak të lidhjeve të rregullta), të cilat gjithësesi mund të arrihen me shumë pak hapa, për shkak të lidhjeve rastësore.

Efekti i qarkut të shkurtër

Aftësia e disa lidhjeve rastësore brenda një rrjeti që të reduktojnë në mënyrë drastike numrin e hapave që nevojiten për të lidhur një individ me këdo në botë. Për shembull, një numër shumë i vogël biznesmenësh, që udhëtojnë mund të përhapin një sëmundje me shpejtësi në të gjithë kontinentet.

ZOGJTE NE TUFE

Ndiq liderin

Mënyra se si turmat e zogjve zhvendosen në sinkron të përsosur është një prej mrekullive të botës natyrore. Studime të kohëve të fundit tregojnë, se mund të jetë edhe ky një shembull i Efektit të Botës së Vogël. Hai Tao Zhang dhe kolegët e tij në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, kanë argumentuar se ndryshimet në drejtim nga ana e zogut udhëheqës mund të përhapen me shpejtësi përmes disa lidhjeve rastësore deri tek "nën-liderët" në distancë, të cilët ua pasojnë fqinjëve ndryshimin e drejtimit.

Bota e vogël e biznesit të madh

Shpejtësia e madhe me të cilën bota është zhytur në telashe ekonomike, tregon për ndikimin e madh që ka efekti i botës së vogël në biznesin e madh. Bashkimet dhe lidhjet e ngushta të kompanive të ndryshme në sektorë të ndryshëm të botës, kanë krijuar një rrjet kompleks lidhjesh, duke krijuar një botë të vogël korporatash, të globalizuar, dhe kjo do të thotë se nëse ndonjë pjesë e kësaj bote merr të ftohtë, efekti i "qarkut të shkurtër" mund të shkaktojë kolapsin e bizneseve, që në dukje nuk kanë aspak lidhje me sektorin në fjalë. Dhe e gjithë kjo, me një shpejtësi mbresëlënëse. Brenda shumë pak ditësh që nga sulmet terroriste në Nju Jork dhe në Uashington në vitin 2001, biznese të ndryshëm, që nga restorante lokalë deri tek kompani fluturimesh kishin aplikuar për zbatimin e nenit të falimentit. Brenda vitit që kaloi, globalizimi i bankave bëri atë që borxhet e këqinj të bankave në Shtetet e Bashkuara të shkaktonin një rënie të jashtëzakonshme të fitimeve për bankat në të gjithë botën.

GJASHTE GRADE NA NDAJNE?

Si bën xhiron e botës një thashethem

Efekti i botës së vogël mund të bëjë që një thashethem të bëjë xhiron e botës me shpejtësi mbresëlënëse. Çdo gjë nis me daljen e fjalëve, le të themi një zyrë në Kanada, e më pas mbërrin në veshin e dikujt që ka një mik në Amerikën e Jugut. Nëse thashethemi është i mirë, mund të vazhdojë të transmetohet përreth botës me shpejtësi dy herë më të lartë, duke qenë se të gjithë ne jemi të lidhur me këdo në botë përmes deri shtatë ndërmjetësve të tjerë.

INTERVISTA / DANKEN UOTS

Dankën Uots është një Profesor australian i Sociologjisë në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Në vitin 1998, atëherë një student 27- vjeçar, ai u bë bashkautor i një studimi në revistën "Nature", duke zgjuar interesin e gjithkujt në efektin e botës së vogël.

-Ç'është gjithë kjo magjepsje me efektin e botës së vogël?

Demonstron në mënyrë shumë të qartë dhe të thjeshtë, se përvoja jonë lokale mbi botën mund të jetë tërësisht në kundërshtin me strukturën tërësore, pjesë e së cilës ne të gjithë jemi. Ne të gjithë kemi tendencën që të jetojmë në komunitete të vegjël, duke e bërë krejtësisht kundër-intuitiv nocionin që dikush që është shumë distant, mund të jetë në fakt shumë pranë nesh.

-Cili është fokusi i studimeve tuaja sot, 10 vite pas botimit të studimit të parë?

Modelet tanë origjinalë të rrjeteve ishin tmerrësisht të thjeshtëzuar. Tani, me gjithë këto të dhëna të jashtëzakonshme që po grumbullojmë, ne mund të bëjmë shumë më tepër. Kështu, përshembull do të donim të zbulonim mënyrën se si rrjetet ndryshojnë me kohë. Unë synoj gjithashtu, që të kuptoj më mirë pasojat që kanë rrjetet për çështje si përhapja e informacionit si dhe dinamikën e zgjidhjes në grup të problemeve. Ky problemi i fundit është ende shumë i vështirë për t'u studiuar, dhe pjesa më e madhe e tij mbetet ende në fushat e modeleve matematikorë. Por pak nga pak, po shkojmë dhe aty.

-Cili ka qenë rezultati më mbresëlënës deri tani?

Ndoshta zbulimi teorik se, në çështje të ndikimit social, atributet individualë duket se kanë më pak rëndësi se sa cilësitë e rrjetit. Për shembull, është apo jo "me ndikim" dikush, kjo varet nga njerëzit që përbëjnë rrjetin, mbi të cilët ai person ka shumë pak ose aspak kontroll. Ky është ende një rezultat teorik, dhe na nevojiten eksperimente për ta vërtetuar.

-Si mendoni, cili do të jetë impakti në të ardhmen i efektit të botës së vogël?

Do të na mësojë se, parashikimet për sjelljen kolektive njerëzore që bazohen në intuitën, janë një bazë e varfër për marketingun apo çdo lloj planifikimi social.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora