E marte, 27.07.2021, 06:32 AM (GMT+1)

Lajme

Vikingët, barbarë shumë civilë

E hene, 02.02.2009, 01:03 AM


Një popull plaçkitës që pushtoi Europën për ta bërë, por zbuloi karakteristika dhe personalitete të habitshme

8 qershor 793: Murgjërit e ishullit Lindisfarne, në verilindje të Anglisë po qëndronin të qetë sipas zakonit, duke kryer aktivitetet normale të përditshme. Po vinin mënjanë ushqimin për dimrin, duke përfituar nga dita e bukur dhe asgjë nuk linte të parashikohej çka do të ndodhte pak kohë më pas. Nga fundi i mesditës u shfaqën në horizont anije me pamje të veçantë që ecnin të vendosura drejt bregut; askush nuk u mendua gjatë, pasi ishte normale që varka të ndaleshin në ishull, kush për të kërkuar ndihmë, kush për të lënë donacione apo furnizime, për të ndihmuar ekleziastët e butë. Në fakt, Lindisfarne konsiderohej si një prej vendeve kryesorë të pelegrinazhit të Anglisë, kështu që nuk ishte aspak e çuditshme të shikohej që të mbërrinin anije të panjohura. Por, kësaj radhe qe ndryshe. Brenda pak kohësh shpërtheu fundi i botës, poseduesit e anijeve zbritën në tokë duke tundur sopata e shpata, u vërsulën kundër banorëve të vendit dhe i vranë në mënyrë të pashpirt, pa mundur që këta të fundit të mbroheshin. Pjesa më e madhe vdiqën nën goditjet e shpatës, por disa u torturuan mizorisht, u vranë edhe shërbëtorët e Manastirit dhe familjet e tyre, gratë e pakta që banonin në ishullin qenë viktima të trajtimit më të keq. Me përfundimin e masakrës, të huajt plaçkitën gjithçka që gjetën dhe më së fundi, të kënaqur nga ekspedita e tyre, u kthyen andej nga kishin ardhur.

Ky rrëfim, ndoshta pjesërisht i "ngjyrosur" nga kronikat britanike të epokës, ka një rëndësi historike të konsiderueshme. Atë 8 qershor, Europa civile u njoh me vikingët. Qysh atëherë dhe për dy shekuj me radhë kushdo që do të donte të qeveriste në veri të Kontinentit të Vjetër nuk kish sesi të mos e merrte parasysh këtë popull barbar në zakone, por jashtëzakonisht të përparuar në teknikat e luftimit e të lundrimit. Nga atëherë e prapa, sulmet vazhduan me ritëm mbresëlënës dhe dinamika e tyre ishte gjithmonë e njëjta: anijet shfaqeshin papritmas në horizont dhe, përpara se popullsia të mund të organizonte as mbrojtjen minimale, pushtuesit e tyre qenë në tokë; prapa mbetej vetë vdekja dhe shkatërrimi.

Pushtuesit vidhnin gjithçka që mund t'u interesonte, përfshi gratë, dhe shkatërronin pjesën tjetër, pastaj ashtu siç qenë shfaqur, po me të njëjtën shpejtësi zhdukeshin. Qenë piratë kundër të cilëve nuk mund të mbroheshe, edhe pse u deshën rreth 20 vjet vetëm për të zbuluar se nga vinin. Nuk ekzistojnë qartësi lidhur me etimologjinë e fjalës vikingë, por hipotezat e ndryshme të propozuara përkojnë në individualizimin e origjinës në ndonjë term luftarak apo detar, ndërsa përpara shfaqjes së termit "viking" quheshin normanë, askomanë, njerëz nga veriu e kështu me radhë: me pak fjalë, nga emërtimi i tyre rezultonin evidente dy gjëra: që vikingët nuk qenë të mbushur me shenjtëri dhe se vinin nga Skandinavia.

Praktikisht deri më atëherë gadishulli që zinte ekstremin verior të Europës ishte i panjohur për pjesën tjetër të kontinentit; ai ishte një copë tokë që ndodhej atje, dihej që ishte i populluar, që ishte i ftohtë dhe jomikpritës, por që askujt nuk i kishte vajtur në mendje ndonjëherë ta eksploronte, edhe pse i dukej e pamundur që të përfitohej nga një territor me karakteristika të tilla. Prej disa shekujsh, domethënë qysh nga koha që emigruan gotët, burgundët dhe popullsitë e tjera verigjermanike që pushtuan Europën, Skandinavia ishte si të thuash jashtë nga historia. Migrimi kish lënë territore të gjera praktikisht të pabanueshme dhe nga kronikat nuk nxirret asgjë, që të lejojë të parashikohet një pushtim si ai që praktikisht ndodhi. Pikërisht kjo mungesë informacioni e bën të vështirë të kuptohet se, pse është arritur në këtë shpërthim, sa të papritur, aq edhe të dhunshëm. Hipoteza më e mundshme është ajo e mbipopullimit: në katër shekuj jetë paqësore ka mundësi që komuniteti norvegjez, por edhe ai danez e suedez, ishte rritur aq shumë numerikisht sa që resurset e pakta e siguruara nga toka nuk mjaftonin për t'u shuar urinë të gjithëve. Për këtë arsye një popull që nuk kish pasur asnjëherë raporte me botën jashtë, vendosi që të shkojë e të shikojë se çfarë kishte atje tej dhe atë që gjeti e mori.

Bregu verior i Francës, Anglisë, Beneluksit aktual, Gjermanisë dhe vendeve të Balltikut, por edhe vetë Spanja, patën fatin e keq të jenë territoret më të afërta me Skandinavinë, kështu që nuk mund ta shmangnin faktin e bërjes objektivi i preferuar i vikingëve. Vikingët qenë barbarë, nuk ekziston mënyrë tjetër për t'i përcaktuar, bile fjala barbar merr me ta një domethënie të plotë si asnjëherë më parë. Kultura e tyre ishte e thatë, gjuha e tyre e thjeshtë dhe kolorite, organizimi hierarkik shkonte pak më tej se ai tribùsë, qenë popuj të organizuar në formë fshati, por pavarësisht gjithçkaje qenë aq të aftë në lundrim dhe mizorë në luftim sa që mundën çdo kundërshtar të tyrin deri mbi vitin 1000. Një pathyeshmëri e tillë rridhte edhe nga fakti, që ata nuk sulmonin për etje pushtimi apo për motive politike, pushtimet e tyre kushtëzoheshin nga nevoja e furnizimit apo për të kërkuar toka të kultivueshme, qenë rrëmbime dhe vjedhje të shpejta e të papritura, të cilat përfundonin me tërheqjen e fituesve.

Arabi Ibn Faldan, gjatë një udhëtimi të tij në Bulgar, qytet mbi Vollgë, që u bë një prej qendrave kryesore tregtare të vikingëve, pati mundësi që të takonte tregtarë skandinavë dhe në kujtimet e tij i përshkruan kështu: "Kurrë më parë nuk kisha parë njerëz me kompleks fizik më të përsosur. Ata janë shtatlartë si palma dhe i kanë flokët si kuqë". Tregime të ngjashme janë më shumë të përhapura midis atyre që takojnë lufëtarët suedezë, por kjo famë nuk është dhe aq e merituar: praktikisht, studimet e bëra mbi skeletet e gjetura kanë demonstruar se vikingët qenë më të gjatë se mesatarja e epokës, por shtatlartësia e tyre mesatare vërtitej rreth 170 centimetrave. Veç kësaj, klima e prejardhjes sigurisht që nuk e favorizonte përsosmërinë fizike. Reumatizma, artrite dhe sëmundje të tjera të shkaktuara nga i ftohti duhej të përfaqësonin një plagë jo indiferente për ata popuj që nuk shquheshin aspak në shkencën e mjekësisë; ne dimë se të sapolindurit e dobët apo të sëmurë i ekspozoheshin të ftohtit që të vdisnin (në mënyrë të ngjashme me sa ndodhte në Spartë), por pavarësisht kësaj kanë arritur deri në kohët tona skelete të shumtë me eshtra të deformuara apo me difekte të tjera, nga të cilat duhet të deduktojmë se nuk duhet të ketë qenë e lehtë të jetohej në kushte të caktuara. Sigurisht që është e lehtë të imagjinohet krejtësisht tjetër ishte pamja fizike e luftëtarëve që plaçkisnin qytetet europiane: ka mundësi që inkursione të tilla qenë e drejtë vetëm e më të fortëve dhe i më të zotëve midis tyre, edhe pse në shoqërinë vikinge forca ishte virtyti maksimal; por imazhi i luftëtarëve të tillë nuk përkonte krejtësisht me pamjen e vërtetë të popujve skandinavë. Të kuptosh, se cila ishte struktura e shoqërisë vikinge nuk është e lehtë për një njeri, që jeton në një botë kaq të ndryshme nga ajo. Efektivisht doke dhe zakone të atij populli nuk kanë mbijetuar dhe aq shumë dhe qytetërimi ka sjellë ndryshime domethënëse në zakonet e tyre, ndërsa ka humbur krejtësisht komponentja më "barbare" e kësaj kulture.

Meriton një cekje të shpejtë gjuha vikinge, në veçanti ajo e përdorur në Norvegji (por të tjerat nuk qenë shumë ndryshe). Është interesante të nënvizohet fakti që gjuha vikinge ishte figurative në shkallë ekstreme, procedonte me eufemizma dhe pa koherencë midis fjalëve të fjalisë, në kontrast me vrazhdësinë e atij që e fliste. Ndonjë shembull do të rezultojë më i qartë se njëmijë fjalë: zjarri ishte "shkatërruesi i pyjeve", gishtat e këmbëve "degët e trupit", parakrahu "toka e fajkojve" (sepse mbi të mbahej fajkoi i gjuetisë); fantazia arrinte në nivelet e saj më të larta për dy pikat e forta të shoqërisë vikinge: anija dhe armët. E para, quhej "kalë deti", "ndarës shkume" apo "çarës vale", midis armëve shpata quhej "djallush i mburojes" apo "degë gjaku", ndërsa shigjetat qenë "bletët plagosëse".

Siç shikohet, pamjet qenë më të ndryshmet dhe shpesh kurioze, gjithsesi dëshmi e një gjuhe tejet arkaike dhe rudimentare. Në krye të ndjenjës sociale vikinge ishte forca; ajo ishte virtyti më i vlerësuar dhe vlera më e kërkuar. Një herë u pyet një luftëtar nordik, se në çfarë besonte: "Në forcën time dhe në asgjë tjetër", qe përgjigja lapidare e tij". Ky citim është tregues i zakonit të asaj kohe. Edukimi drejtohej qysh nga fillimi që të ngjallte një shpirt luftarak dhe vikingut, qysh fëmijë, i imponoheshin rregulla shumë të rrepta. Natyrisht, që në bazën e një edukimi të tillë ishte ushtrimi fizik: not, gjuajtje me gurë, mundje, ngjitje në male dhe disiplina të tjera praktikoheshin për shumë orë në ditë, qoftë verë apo dimër.

Qysh fëmijë, vikingu mësonte se njeriu i lirë dallohej nga skllavi për nga mënyra e mbajtjes së armëve, nuk duhej t'i humbiste kurrë nga shikimi, po të ishte e mundur as edhe kur flinte. Një tjetër kalim kohe shumë i praktikuar ishte dueli, në veçanti i ekzistonte një formë, e quajtur "luftë për ishullin", e cila gëzonte një sukses shumë të madh midis popullsive skandinave: ajo kishte rregulla shumë të sakta, që nuk është vendi të listohen, por në thelb bëhej fjalë për një duel njëri kundër tjetrit me shpatë dhe me asgjë tjetër. Nëqoftëse, pastaj diçka ecte gabim dhe dëmtohej, nuk kish rëndësi. Jeta praktikisht nuk kishte asnjë vlerë për vikingun; përveç atyre të skllevërve, që konsideroheshin në rangun e objekteve, domethënë mund të bëhej me ta çfarë të doje, edhe ekzistenca e njerëzve të lirë të tjerë nuk u interesonte dhe aq shumë partnerëve.

Midis nordikëve të lashtë urdhërimi "mos vrit" nuk donte të thoshte asgjë: vetë sagat nordike, të cilat tregojnë episodet e zotave dhe të heronjve të mitologjisë, janë përmbledhje episodesh të përgjakshme të treguara me një natyrshmëri ngjethëse. Ama duhet bërë dallimi: edhe pse lejohej të vritej një njeri, kodi i nderit viking kërkonte që në vrasjen e një të barabarti të respektoheshin disa rregulla. Vrasja prapa krahëve apo mbrojtja nga errësira ishte e ndaluar dhe njëlloj e dënueshme; në rastet më të rënda arrihej tek dënimi apo tek mërgimi. Edhe rrëmbimi duhet të kryhej si të thuash me fytyrë të hapur. Ajo duhej të ishte një gjest për fitimin e një preje, ku një përdorim i caktuar i dhunës e dallonte nga vjedhja e thjeshtë dhe e përbuzur. Siç shikohet është pak a shumë e kundërta e asaj që ndodh sot, ku vjedhja e bërë me mjeshtëri është në fund objekt admirimi, ndërsa rrëmbimi apo çdo akt i dhunshëm, me të drejtë, janë të dënueshëm. Midis vikingëve mbizotëronte nderi: nuk është e lehtë të shpjegosh se çfarë ishte për ta nderi, por nuk ka dyshim që kishte një vend të rëndësishëm në jetën e një njeriu; por nuk bëhej fjalë për një çështje respekti të vetes sesa më shumë të respektit të të tjerëve ndaj teje. Në praktikë çdo viking ndjehej i detyruar që të mos cedonte përpara askujt dhe të impenjohej me të gjitha forcat në rast fyerjesh të anashkalueshme. Përveç forcës dhe nderit ekzistonte vetëm një gjë që vlente në jetën e një vikingu: familja, sippe.

Sippe ishte objektiv i jetës së tij, pse jo dhe instanca e vetme sociale ndaj së cilës ndjente se kishte detyrime: Ajo ishte më shumë se një familje, si për nga kompozimi, duke qenë se futeshin të gjithë kushërinjtë, të një gjaku dhe jo, ashtu dhe për nga rëndësia. Ishte "karta e identitetit" e një vikingu, ajo që e bënte të njihej dhe të vlerësohej. Sippe duhej mbrojtur më shumë se me jetën e vet (njeriu kalon, sippe mbetet, thonin), fyerjet duhet të hakmerreshin, ajo që një njeri bënte binte gjithmonë mbi sippe, duke ia rritur apo duke ia pakësuar prestigjin. Kur vikingët organizonin ekspeditat e tyre luftarake zgjidhnin një kryetar, të cilin figura të tjera e quanin mbret, por që në realitet ishte më afër me figurën e gjeneralit. Ky ishte kryefamiljari i sippe më të respektuar dhe ai adhurohej për prestigjin e tij. Është deri e kotë të saktësosh se zakonisht kjo zgjedhje ishte rezultat grindjesh familjare të gjata dhe të përgjakshme. Kurse pozicioni i femrës ishte në fakt krejtësisht i ndryshëm dhe dytësor, as nuk mund të ishte ndryshëm në një shoqëri të bazuar tek forca. Gruaja mësonte bindjen, t'u nënshtrohej nevojave dhe kërkesave të familjes, duke iu përmbajtur etikës së krijuar nga shoqëria mashkullore.

Edukimi i një vajze finalizohej për dy qëllime të thjeshta: që të mësonte artet e zonjës së shtëpisë dhe që të arrinte e virgjër në martesë. Natyrisht që, martesa kontraktohej nga familja dhe kënaqte motivacione ekonomike, politike apo të ndonjë lloji tjetër, por jo dashurie. Në këtë kuptim nuk ekzistonin pabarazi midis burrave dhe grave: edhe i riu që kishte ndërmend të martohej, në zgjedhjen e bashkëshortes së ardhshme linte të drejtohej nga motive racionale dhe nga konsiderata të politikës së sippe. Martesat kontraktoheshin në mënyrë rigoroze, midis familjeve bëheshin takime të gjata, në të cilat arrihej një marrëveshje, shpesh nëpërmjet diskutimesh shumë të gjalla. Pastaj, kur pakti sanksionohej, u kushtohej banketeve dhe festimeve që shërbenin si pikënisje e jetës së ardhshme sëbashku. Qëllim kryesor i martesës vikinge ishte lindja e fëmijëve, për t'i siguruar sippe një të ardhme të lulëzuar: Nëqoftëse marrim parasysh se midis motiveve kryesore të fillimit të epokës së zbritjeve vikinge në Europë ishte mbipopullimi, mund të themi fare mirë se, qëllimi është arritur plotësisht. Kur kërkohet të përshkruhet organizimi i një shoqërie, aspekti nga i cili nuk mund largohesh është ai fetar. Është deri tepër e natyrshme se, duke studiuar kultin e një populli arrihet të kuptohet pse-ja e zakoneve të caktuara. Vikingët sigurisht që nuk përbëjnë përjashtim. Fakti kurioz është se mitologjia nordike është akoma shumë e njohur, si në trojet ku ka lindur, ashtu dhe në pjesët e tjera të botës. Zotat e Valhalla-s, Olimpit viking, kanë mbetur të ngulitur në imagjinatën kolektive dhe akoma sot evokohen në kinema dhe në letërsi: ekziston një gjini letrare, e ashtuquajtura fantasy, i cili che me të katra duart në fenë nordike për të ndërtuar skenarët e saj. Odin dhe Thor, por edhe budallenj, shpirtra dhe magjistarë janë sot protagonistë të shumë përrallave, edhe paksa mizore, por ndoshta jo të gjithë e dinë se qenë zota dhe heroj të adhuruar nga vikingët. Ky përpunim i vazhdueshëm ka mundësi të jetë stimuluar nga fakti që mitologjia nordike është një punë e madhe e përbërë, në të cilën çdo episod ka vlerën e tij dramatike. Në realitet, zotat vikingë janë shumë të ngjashëm me ata gjermanikë, të cilët nga ana e tyre peshkuan në fenë indoeuropiane, nga e cila kanë pasur origjinën të gjitha fetë, përfshi këtu atë të Greqisë dhe atë indiane (Thor ka karakteristika shumë të ngjashme me Herkulin, tek Odin hasen shumë tipare dioniziake). "Suksesi" i pranimit nordik të këtij grupi të vetëm është për t'ju veshur ndoshta një motivi shumë të përcaktuar: vikingët janë krijuar nga zotat sipas imazhit dhe ngjashmërisë së tyre, se jetojnë në dhomën e ndriçuar nga oxhaku, hanë e pinë, luftojnë e dashurojnë, vuajnë dhe gëzohen. Janë zota që kanë shpata dhe mburoja, që farkëtojnë armë dhe luajnë shah, pikërisht ashtu siç bëjnë njerëzit. Bëmat e tyre qenë përmbledhur tek Edda, "bibla" vikinge, e cila në realitet është më e ngjashme me poemat homerike, e cila nuk mbeti asnjëherë e pandryshuar; ekzistonin sagat, të cilat tregonin bëmat e njerëzve e të herojve dhe siguronin, që të azhornoheshin kultet skandinave, duke rezultuar një instrument me dobishmëri të pabesueshme. Për shembull kur vikingët u shfaqën në skenën europiane, filloi automatikisht ungjillizimi i tyre. Murgjër të shumtë shkuan në tokën e tyre për të përcjellë fjalën e Zotit, disa, duke përfituar një trajtim vërtet barbar, të tjerë me fat më të mirë. Kur kristianizmi zuri vend midis vikingëve ja që në sagat filluan të shfaqen personazhe të markës së dukshme biblike. Efektivisht historia ushtarake vikinge nuk njeh humbje, por fundi i dominimit të tyre përkon me ungjillizimin e mbretërve të tyre dhe, për pasojë, e të gjithë popullsisë. Në praktikë, kultura dhe tradita europiane ditën të shkojnë atje ku armët nuk do t'ia kishin dalë kurrë. Nuk ishte qëllim i shkrimit të artikullit bërja e një kronohistorie të vikingëve, duke përmendur beteja, pushtime dhe data. Megjithatë, nuk do të kishte kuptim të përshkruheshin zakonet e një populli, pa u dhënë një vendosje historiko - gjeografike. Hapësira që i rezervohet këtij qëllimi është me dashje e pakët, kurse ajo që kërkohet të bëhet është bërja e një kuadri të përgjithshëm të arritjeve vikinge, i prirur që të ilustrojë më shumë se çdo gjë tjetër, se cila qe rrezja e veprimit të tyre dhe si vepronin ata. Ata që deri më sot janë nderuar me emrin e vikingëve, ndahen në tri grupe të mëdhenj, veç të tjerash korrespondues me ndarjen e sotme të Skandinavisë: suedezët, norvegjezët dhe danezët. Këto tri grupe patën secili një territor të tijin të ekspansionit dhe nuk u ndeshën pothuajse asnjëherë midis tyre, do të dukej pothuajse që një ditë kanë rënë dakord në ndarjen e Europës dhe secili e ka respektuar këtë pakt. Natyrisht që nuk është kështu, pasi që ndarja ka motivacione gjeografike: çdo grup ju ngjit territoreve më të afërta me të. Suedezët e përshkuan të gjithë Europën e lindjes nga Veriu në Jug. Zbarkuan para së gjithash nga ana tjetër e Balltikut, ku sot ndodhet Estonia, Letonia e Lituania, dhe nga këtu vazhduan drejt Jugut. Posedimet e tyre arritën deri në kufirin me Perandorinë Bizantine, themeluan qytete, ndërtuan porte dhe bonifikuan rajone të gjera. Krijuan Mbretërinë e Kievit në Ukrainë, e cila shumë shpejt u bë një prej shteteve më të pasura të epokës, falë sidomos një tregtie të lulëzuar dhe aftësisë në lundrimin e lumenjve të themeluesve të saj. Në rrugën e tyre vikingët suedezë hasën vetëm popullsi barbare, për më tepër të bashkuar në fshatra të vegjël, të cilët i dorëzoheshin lehtësisht pushtuesit. Kështu që, qe një pushtim relativisht paqësor, i cili u solli më shumë përfitime sesa të këqia popullsive të pushtuara, edhe pse kush provoi të rebelohej pati se për çfarë të pendohej. Megjithatë, zbritjet suedeze sollën pasuri dhe deri qytetërim, duke qenë se u kryen mbi një territor akoma më të prapambetur se ai skandinav. Kurse krejtësisht tjetër qe niveli i pushtimit norvegjez: pozicioni gjeografik i nisjes bëri që ky grup viking të spostohej gradualisht drejt Perëndimit. Zbarkimi filloi me ishujt në veri të Britanisë së Madhe: ishujt Shetland, Hebride, Far Oer, por shumë shpejt u zgjerua në territorin skocez. Pika veriore e Skocisë është quajtur Sutherland (Tokë e jugut) pikërisht pse kur vikingët e pushtuan e bënë, duke arritur nga veriu, kështu që për ta ishte territori më në jug midis posedimeve të tyre. Në këtë rast nuk mund të flitet për pushtim jomizor; pushtimi i ishujve britanikë qe fryt i një masakre të paprecedent. Në mënyrë të veçantë kur u spostuan në Irlandë, norvegjezët rrafshuan me tokën pothuajse gjithçka që u doli përpara; komuniteti paqësor dhe fetar galik u shfaros. Rreth vitit 830 pushtimi u kompletua dhe norvegjezët u ngulën përfundimisht në Irlandë, ku themeluan një qytet i cili brenda një kohe të shkurtër u bë më i madhi dhe më i pasuri i të gjithë ishullit: Dublinin. Mbretëria e tyre zgjati vetëm nja 40 vjet, pasi që irlandezët siguruan një ndihmë të pashpresuar nga ana e danezëve, që ndërkohë kishin pushtuar Anglinë dhe arritën ta ripushtojnë tokën e tyre. Në këtë pikë duhet një saktësim: ndërsa Suedia dhe Norvegjia kishin mbetur dy grupe tribùshë, Danimarka ishte organizuar në formë shteti. Kjo i detyrohet faktit që danezët, kur ju desh të kufizoheshin me perandorinë karolinge, u detyruan që të bashkoheshin për t'u mbrojtur nga fqinji i rrezikshëm; kështu, ndërsa norvegjezë e suedezë kërkonin tokë për të punuar, shumë shpejt danezët filluan që të ndërtojnë një mbretëri, e cila arriti të marrë dimensione të konsiderueshme. Gjithsesi, kur Irlanda u ripushtua, një pjesë e banorëve të saj, e cila nuk donte t'i nënshtrohej dominimit danez, vendosi që të emigrojë dhe e vazhdoi udhëtimin e saj drejt Perëndimit. Natyrisht që këtu gjeti Islandën ku shumë shpejt organizoi një shtet të lirë (rreth vitit 930); ky territor, gjithmonë i populluar nga një tërësi familjesh pa asnjë organizim politik, u transformua në shtet me qëllim që të mos përsëritej ajo që sapo kishte ndodhur në Irlandë: në praktikë u nënshkrua një pakt bashkimi kundër agresionit të pushtuesve. Nga ai moment e prapa, Islanda u bë copa e katërt e qytetërimit viking, për më tepër më paqësori. Evenimenti më domethënës ndodhi në vitin 960: njëfarë Erik Thorvaldsson u dënua me 3 vjet mërgim për një vrasje dhe ky me anijet e tij bëri edhe njëherë akoma një kthesë drejt perëndimit. Zbarkoi në bregun jugperëndimor të Groenlandës (Gronland do të thotë Tokë e Gjelbër) ku tha se kish gjetur pyje dhe fusha për të kultivuar. Kur u kthye në atdhe tregoi mrekullitë e kësaj toke të re, aq sa bindi një numër të madh bashkëkombësish për t'u transferuar. Këtu u themelua një komunitet i ri në krye të të cilit u vendos vetë Eriku, i hyrë në histori me nofkën Erik Kuqalashi. E kotë ta thuash se atyre që ndoqën Erikun në tokën e re, nuk ju desh shumë që të kuptonin se të gjelbër kishte shumë pak, por gjithësesi jeta ecte përpara mirë, pasi që bregu ku qenë vendosur ishte pjesa më e jetueshme e ishullit groenlandez. Së fundi, ka një episod që nuk mund të anashkalohet: në vitin 985 Bjorn Herjulfsson u kthye në Islandë, pas një udhëtimi të gjatë dhe zbuloi që prindërit e tij kishin ndjekur Kuqalashin në ekspeditën e tij; pyeti se për nga u drejtuan për t'i gjetur dhe i thanë se kishin shkuar drejt perëndimit. Por, Bjorn mori një drejtim të ndryshëm nga ai që kish përshkuar Eriku 25 vjet më parë dhe u ndodh në një rrugë shumë më në jug. Një rrugë që e çoi shumë më larg: në Amerikë. Mëkat që sapo ka arritur atje, duke mos i gjetur prindërit e tij, vendosi që të kthehej prapa për t'u kthyer në Groenlandë. Kur më së fundi i arriti prindërit e tij të dashur, tregoi për atë tokë që kishte parë dhe ngjalli kuriozitetin e Erikut të madh. Rreth vitit 1000, filloi ekspeditën e parë kolonizuese të Amerikës: toka rezultoi praktikisht e gjelbër dhe mikpritëse, por kësaj radhe kolonizimi dështoi. Duhet të kujtojmë se islandezët dhe groenlandezët e kishin humbur mizorinë e stërgjyshërve të tyre dhe qenë bërë një popull paqësor lundërtarësh të mëdhenj. Kur provuan të nguleshin në Amerikë, ju desh që të ndesheshin me mizorinë e indigjenëve, të cilët i mbuluan me shigjeta, dhe vendosën se nuk ia vlente barra qiranë. Kështu që siç arritën, ashtu dhe u kthyen. Së fundi, Danimarka. Është thënë tashmë se ajo u organizua në formë shteti për t'u mbrojtur nga sulmi i Sharlëmanjit. Kështu, danezët ndërtuan një forcë të tillë goditëse që vendosën të marrin rolin e sulmuesve. Kur mbretëria franke u nda në tri pjesë, danezët hynë nga veriu dhe e përshkuan të gjithë shtetin; arritën deri të sulmojnë Parisin, duke e hequr rrethimin në shkëmbim të një pjese të mirë të territorit në veri të Francës: lindi kështu mbretëria e Normandisë. Njëkohësisht, danezët kishin pushtuar dhe Anglinë dhe në vitin 1015, nën Kanutin e Madh, mbretëria e tyre arriti shtrirjen maksimale dhe një madhësi e tillë zgjati për rreth 50 vjet: në vitin 1066 Vilhelm Pushtuesi, arriti që të kthehej në fronin anglez, (por Vilhelmi, i cili kishte lindur në Normandi, kishte origjinë vikinge) dhe pak a shumë në të njëjtën periudhë filloi evangjelizimi që i çoi danezët në hullinë e qytetërimit.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA - RD



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora