E enjte, 29.07.2021, 10:07 PM (GMT+1)

Lajme

Njollat e pushteteve

E hene, 02.02.2009, 01:01 AM


Në shumë popuj, çiftimi konsiderohej një akt i shenjtë dhe për këtë arsye kishte një rol të dorës së parë në besimin fetar

Dhomë gjumi. Kjo është një grusht historish të vogla shembullore të përzgjedhura për të shpjeguar se nganjëherë përdorimi i paturpshëm i seksualitetit lejon që të nxirren përfitime dhe të arrihen objektiva të paarritshme.

Seksi është motori i historisë... dhe ka mundësi që kësaj i referohej piktori francez Gustave Courbet, kur në vitin 1966 titulloi Origjina e botës, një kryevepër të tij që paraqiste në plan të parë organet gjenitale të një gruaje anonime. Për të arritur pushtetin, burra e gra kanë shfrytëzuar gjithmonë të gjitha mjetet në dispozicion. Duke përfituar me talent nga cilësitë estetike të dhuruara nga nëna natyrë, shumë prej personazheve që do të hasim më poshtë janë ndihmuar, përveçse me seksin, me mizorinë, me pafytyrësinë, inteligjencën dhe dinakërinë për të arritur qëllimet e tyre. Shumë prej këtyre personazheve janë gra që falë bukurisë, por edhe inteligjencës, ironisë, nuhatjes dhe këmbënguljes, kanë fituar pushtetin, duke arritur deri të revolucionarizojnë historinë e mbretërive dhe të shteteve. Por edhe burrat, duke braktisur rolin e gjuetarit, shpesh kanë preferuar të bëhen prè për të fituar një farë autoriteti në vendet në të cilat jetonin.

Në qytetërimet e kaluara seksi kishte edhe një valencë fetare dhe sociale. Në shumë popuj, çiftimi konsiderohej një akt i shenjtë dhe për këtë arsye kishte një rol të dorës së parë në besimin fetar. Mundësia për t'u shtuar ofronte rastin për t'u bashkuar me hyjnoren, duke imituar zotat që kishin populluar Tokën. Kënaqësia shkaktonte ekstazë, sublimonte mendjen dhe për këtë arsye praktikat seksuale hetero dhe homo qenë pjesë përbërëse e shumë ritualëve. Në fetë pagane kishte ritualë që parashikonin, përveç martesave të shenjta të mbajtura nëpër tempuj, edhe riti iniciatikë, kulte misterioze me sfond erotik dhe orgji të shenjta që plotësonin pjellorinë e fushave. Këto praktika qenë trashëguar nga epoka parahistorike, në të cilat praktikohej kulti i Deas së Madhe, duke e ekzaltuar figurën femërore jo vetëm në aspektin erotik. Me ardhjen e formave sociale më komplekse, hyjnitë mashkullore fituan avantazh ndaj atyre femërore, duke manifestuar karaktere heroike dhe luftarake, ndërsa hyjnitë femërore morën në përgjithësi karaktere erotike akoma më të spikatur. Midis zotëve greko - romakë që popullojnë Olimpin, të gjithë të karakterizuar fuqishëm seksualisht, spikat Zeusi, më lapërdhari dhe libertini i hyjnive mashkullore, që gjuante nimfa, zote dhe të vdekshme. Një shembull tjetër i ndërvarësisë së fortë midis seksit dhe të shenjtës e gjejmë në Orient, në Indinë e lashtë: këtu Kama-sutra ishte një tekst fetar, akoma më përpara se erotik. Edhe Dhiata e Vjetër - libër i shenjtë për hebrenjtë dhe për kristianët - ekzalton bukurinë femërore dhe hiret që një grua mund të ofronte: "[.] Sa e bukur je, mikja ime, sa e bukur je! [.] Sisët e tu janë si dy kaproj binjakë të një gazele, të cilët kullosin midis zambakëve. [.] Më puth me puthjet e gojës tënde! Po, përkëdheljet e tua janë më të ëmbla se vera. [.] Sa e bukur dhe sa e dashur je, o dashuri, bijë e kënaqësive! [.]" (Kënga e Këngëve, 4). Për Kishën e Romës kënga që tregon për dashurinë midis një burri e një gruaje, përmbledh megjithatë metafora që restaurojnë kushtin edenik të Adamit dhe Evës pa mëkat. Sidoqoftë, hartuesi i mundshëm i Këngës së Këngëve, mbreti i fuqishëm i Izraelit i shekullit të X-të B.C., Salomoni, bir i Davidit, duket se kishte 700 gra dhe 300 konkubina (megjithatë, shumë studiues mendojnë se opera është e një shkrimtari anonim të shekullit të IV-ët B.C. që ka përfshirë në tekst poema të ndryshme të mëparshme nga zona mesopotamike). Një praktikë tjetër që pasuron udhëtimin tonë qe ai i prostitucionit të shenjtë. Ishte i përhapur pranë sumerëve, babilonasve, fenikasve. I konsideruar një rit fetar, mund të zhvillohej nën aspektin e hierogamisë apo të hierodulisë. Në hierogaminë, që simbolizonte bashkimin midis një zoti dhe një zoteje, sovrani iftëzohej me priftëreshën e tempullit, e cila i transferonte sovranit pushtetin fekondues të zotes, me qëllim që mbreti t'ua transmetonte shtetasve të vet. Kurse në hierodulinë skllavet e konsakruara hyjnive u ofroheshin atyre që vizitonin tempullin për t'u bërë homazh zotave. Ekzistonte edhe forma e prostitucionit apotropaik, që mund të praktikohej nga vajzat përpara se të martoheshin. Ai kishte dy funksione: i pari, ishte ai i konsakrimit të virgjërisë vet të huajve për të përzënë në mënyrë magjike rreziqet e jetës bashkëshortore; e dyta, ajo e fitimit të dhuntive të nevojshme për martesë. Kultet monoteiste hebraike, kristiane dhe myslimane më pas ju kundërvunë dhe e censuruan prostitucionin e shenjtë, pasi për pretendimet moralizuese të Zotit unik ishte e patolerueshme të lidhej sfera e seksualitetit me kultet e shenjta. Qe kristianizmi ai që ndau përfundimisht seksin nga sfera e shenjtë, duke e degdisur në sferën private dhe duke e ngritur në të keqe absolute nëqoftëse praktikohej jashtë martese dhe pa finalitete prokreative. Kështu, seksi largohet nga shpirti, por me siguri që për shumë kohë edhe disa papë preferuan që t'i ngjiten më shumë kënaqësisë të mishit sesa asaj të shpirtit. Një shikim shumë i shpejtë të këtij kapitulli të Kishës së Romës do ta gjejmë më poshtë.

Le të qëndrojmë në Antikitet. Që seksi kish qenë vendimtar edhe në shpërthimin e luftërave, është gjë e mirënjohur. Homeri tregon për luftën e kryer për një femër: Helenën. Por me siguri motivet e vërteta që shtyjnë akeasit për të sulmuar Trojën qenë të lidhur me një çështje supremacie politike dhe ekonomike. Edhe historiani romak Tit Livi tregon se një prej luftërave të para të bëra nga Roma synonte pikërisht për një plaçkë seksuale: gratë e sabinasve fqinjë. Legjenda tregon se pas themelimit të Romës Romuli mendoi për problemin sesi ta popullonte atë. Atëhere ai ju drejtua popullsive fqinje për të lidhur aleanca dhe për të siguruar gratë me të cilat të popullonte qytetin e ri. Refuzimit të fqinjëve ju përgjigj me dinakëri: organizoi një festë të madhe në të cilën ftoi sabinasit fqinjë të tribùsë së kuritëve me gratë dhe vajzat respektive. Mu në mes të festës, ndërsa lumenjtë e verës i kishin dehur të ftuarit, romakët rrëmbyen gratë sabinase dhe me armë përzunë burrat e tyre. Mbreti sabinas Tito Stacio shkoi në Romë në krye të popullit të tij nën armë për të kërkuar kthimin e grave. Të futur në qytet, falë ndihmës të djaloshit Tarpea që u hapi dyert, sabinasit sulmuan romakët. Mbërritën atëhere gratë e rrëmbyera, të cilat kërkuan një armëpushim, pasi qenë afeksionuar me rrëmbyesit e tyre dhe mund të lejonin që të derdhej gjak tjetër. Nga viti 1230 B.C. mbretëritë e Ugarit dhe të Amurrut (sot në Siri) rrezikuan që të shkatërronin njëri tjetrin pikërisht për shkak të një femre: princeshës së Amurrut. Kjo ju dha si grua mbretit të Ugarit për të forcuar aleancën midis dy qyteteve - shtete (praktikë shumë e përhapur në Antikitet). Mbreti i Ugarit e mohoi duke ja kthyer të jatit, ndoshta sepse nuk kishte dashur të konsumonte martesën. Fyerja u bë një motiv i mirë për t'i shpallur luftë mbretërisë së Ugarit.

Historia na ka mësuar se arma femërore e kënaqësisë, e shoqëruar me dinakërinë dhe me inteligjencën, shumë herë kanë arritur të mundin forcën dhe fuqinë e meshkujve. Kleopatra e VII-të Tea Filopatore ka magjepsur në shekuj shkrimtarë dhe artistë, të cilët kanë kontribuar të lindë legjenda e magjepsëses shumë të bukur të aftë që t'u marrë mendjen dy prej meshkujve më të fuqishëm të kohës së saj dhe të ndryshojë kursin e historisë. Kleopatra fillimisht i prishi mendjen Çezarit (duke i dhuruar një djalë, Çezarionin) dhe më pas kaloi tek Mark Antoni (nga pasioni i tyre lindën dy binjakë) dhe në fund arriti pothuajse që të magjepsë Oktavianin (perandorin e ardhshëm August) përpara se të vriste veten, 39-vjeçare. Edhe pse Danteja e degdisi në ferr, midis epshorëve dhe Bokaçio i dënoi "turpin", Kleopatra tentoi vetëm të shpëtojë autonominë politike të Egjiptit. Për t'u nënvizuar, siç do ta konfirmonte zbulimi i një monedhe e vitit të 32-të B. C. me pamjen e saj, Kleopatra nuk ishte aspak bukuroshe, por kishte një sharm të madh, të cilin e përdori për të rivendosur traditën faranike e nxjerrë në hije nga qytetërimi romako - helenik. Në Greqinë e shekullit IV B.C. jetoi një konkubinë magjepsëse dhe e trazuar (domethënë një grua që përveç trupit të saj shiste aftësinë e saj për të kënduar, vallëzuar dhe biseduar) me emrin Frine. Në realitet e quajtur Mnesarete, Frine ishte një nofkë që nënkuptonte "bretkosë". Me gjendje shoqërore të lirë, fillimisht u impenjua për të bërë punë të rëndomta, më pas u bë një prostitutë shumë e kërkuar dhe shumë e pasur. Gjatë jetës së saj u bë dashnorja - muzë e skulptorit të madh Praksitel, e piktorit më të famshëm të antikitetit, Apelit (që e paraqiti si Afërditën që del nga uji) dhe e oratorit të palës demokratike Hiperid, i njohur për kundërshtimin intransigjent të tij ndaj politikës imperialiste të Filip Maqedonasit dhe të Aleksandrit. Deri njëfarë Grilion, anëtar i atij tribunali shumë të lashtë dhe të famshëm athinas që ishte Aeropagu, arriti të hyjë e të jetë pjesë e shpurës së dashnorëve të saj. Tregohet se Frina, falë pasurisë së saj, propozoi që të rindërtohej qyteti i Tebës (e rrafshuar nga Aleksandri i Madh në vitin 335), nëqoftëse tebanët do të gdhendnin këtë mbishkrim: "Aleksandri e ka shkatërruar, konkubina Frine e ka rindërtuar". Qe një sfidë eksplicite ndaj moralizmit të konservatorëve, për të cilët ishte e pakonceptueshme që emri i një konkubine të gdhendej në ndërtesat publike.

Midis viteve 350 dhe 340 u dërgua përpara gjykatës së Athinës me akuzën se kish fyer zotat me qëndrimet libertine dhe pasurinë e çfrenuar të saj. Mbrojtësi i saj, Hiperidi, e vendosi në një pikë të sallës së gjyqit nga ku të gjithë mund ta shikonin dhe ia grisi rrobat, duke deklamuar: "Si mundet një bukuri e tillë të fyejë zotat?!". Frina e shmangu dënimin me vdekje. Nëse Frina deshi të rindërtonte Tebën, një konkubinë tjetër, Taida, deshi të hakmerrej për Athinën, e shkatërruar nga persianët në vitin 480 B.C.. Taide ishte pjesë e grupit të kurtizaneve prapa Aleksandrit të Madh. Kur ky i fundit pushtoi Azinë e Vogël, Taida ndodhej me sovranin maqedonas. Në një natë pirjesh, vallëzimesh të çfrenuara dhe seksi, Taida arriti ta bindë Aleksandrin që të digjte qytetin persian të Persepolit. Shumë e "pafytyrë" qe edhe Khajzurani, konkubina e kalifit të Bagdadit, Al-Mahdi, e jetuar në shekullin VIII. Khajzurani ishte një quaina, domethënë një skllave që njihte poezinë, muzikën dhe këngën e bukur. Arriti të bëhej e preferuara e kalifit dhe i dha dy fëmijë, Musa Al-Hadi dhe Harun Al-Rashid. Me vdekjen e kalifit ngjiti në fron djalin e parë të saj Musa Al-Hadi, ashtu siç ishte vendosur nga i ati. Por shumë shpejt Khajzurani nuhati se djali i saj nuk ishte i gatshëm t'i lejonte ndërhyrjet e saj, kështu kalifi i ri shumë shpejt vdiq i vrarë. Nuk ekzistojnë elementë për të akuzuar bukuroshen Khajzuran, megjithatë mbetet fakti që djali i dytë i saj Harun Al-Rashid u bë kalifi i ri. Nën mbretërimin e tij, pushteti i gruas vazhdoi të rritej deri në vdekjen e saj, në vitin 789. Kjo histori u përsërit shekuj më pas, me skllaven ukrainase Rokselana ("Kuqalashja"). Emri i vërtetë i saj ishte ndoshta Aleksandra Lisovska, e cila u ble në tregun e skllevërve të Stambollit nga Veziri i Madh Ibrahim Pasha, për t'ia dhënë si dhuratë Sulejmanit të Mrekullueshëm (sipas disa studiuesve, Rokselana fillimisht ju dhurua Selimit, të jatit të Sulejmanit, i cili duke mos qenë në moshë që ta gëzonte, ia dha të birit). Në vitin 1534, falë dhuntive të saj si magjepsëse, por edhe aftësisë të saj si tregimtare, arriti që të martohej nga Sulejmani, duke u bërë bashkëshortja e vetme shumë e nderuar e tij. Sulltani e kishte një djalë, trashëgimtarin e vërtetë të fronit, por Rokselana arriti që ta vrasë, duke i çelur rrugën djemve të saj Bajazit dhe Selim. Nëqoftëse shumë gra vinin në pushtet falë trupit dhe inteligjencës së tyre, të tjera janë shfrytëzuar për ta ruajtur pushtetin. Është rasti i Ksi Shisë, e jetuar në shekullin V në Kinë, e përdorur nga mbreti Gou Xhian, i mbretërisë Jue, për t'u hakmarrë për mbretin e mbretërisë Vu që e kish mundur. Ju dhurua rivalit Fu Çai, i cili u marros aq shumë pas saj, sa arriti ta bindte që të hynte në luftë kundër mbretërive fqinje Qi, Xhin dhe Lu. Luftërat kundër këtyre mbretërive e dobësuan ushtrinë e mbretit Fu Çai dhe sovrani Jue përfitoi për ta sulmuar rivalin e vjetër, i cili pësoi një humbje poshtëruese.

Edhe në Romën e papëve nuk mungojnë shembuj grashë të paskrupullta që, edhe falë trupit, arritën që të fusin në dorë pushtetin duke shkruar faqe të reja historie. Në këtë kontekst mund të fusim historinë e Marocias, e cila dominoi Romën e shekullit X, një qytet i kushtëzuar nga dekadenca e zakoneve të një Kishe, në të cilën vlerat morale qenë vënë mënjanë. Maria dei Teofilati, e quajtur Marioca dhe më pas e njohur si Marocia, ishte vajza e Teodorës (motra e Adalbertos të Toskanës dhe dashnorë e Papës Gjoni i X-të) dhe e patricit me origjinë gjermanike Teofilat. Jetoi midis viteve 892 dhe 955. Së bashku me të jëmën, Marocia arriti që të manovrojë të paktën 8 papë, 3 prej të cilëve, tregohet, u ngjitën në fronin e Pjetrit pikërisht prej saj: Leoni i VI-të, Stefani i VII-të dhe Gjoni i XI-të djali i saj (i lindur nga një marrëdhënie adulterine me Serxhon e III-të). Marocia hyn në historinë e Romës duke ju bashkuar kushëririt të saj Papës Serxho i III-të vetëm në moshën 15-vjeçare (Papa ishte 45), që më pas në vitin 911 ndoshta e vrau. Marocia pati tri burra dhe martesat e saj qenë të kushtëzuara nga etja për pushtet. Në vitin 931 arriti që të vendosë në fronin e Pjetrit djalin e saj të pasur nga marrëdhënia me Papën Serxho i III-të, i cili vetëm 21-vjeçar u bë Gjoni i XI-të. Tashmë shumë e fuqishme, me të birin në fronin papnor, Marocia u bë një papeshë e vërtetë në prapaskenë. Pasi është martuar edhe me Alberikun e I-rë të Spoletos, nga e cila pati një djalë, arriti më pas të lidhej me martesë me Ugon e Provansës (mbret i Italisë nga 926 deri më 947). Marocia ishte edhe duke përgatitur kurorëzimin e Ugos si perandor, duke shfrytëzuar influencën e saj ndaj të birit Papë, kur djali tjetër, Alberiku i II-të, nga martesa me Alberikun e I-rë të Spoletos, ju kthye kundër. Me një grusht shteti futi në dorë pushtetin në Romë, duke rivendosur autoritetin civil në qytet dhe duke përmbysur vëllain për babë, Papën Gjoni i XI-të, i cili u mbyll në burg, ku dhe qëndroi deri sa vdiq. Në të njëjtën kohë burgosi edhe nënën e tij të rrezikshme në Mauzoleumin e tmerrshëm të Adrianit (që më pas do të bëhej e famshmja Castel Sant'Angelo). Marocia i përfundoi ditët e saj në një manastir, ku ndoshta dhe vdiq në vitin 955. Historia e Marocias ka mundësi që të ketë frymëzuar legjendën e famshme të papeshës Xhovanë.

Duke udhëtuar në kohë midis femrave që edhe kanë përdorur seksin për t'u bërë të pasura dhe të fuqishme, gjejmë Veronika Frankon, kurtizane e famshme dhe me influencë e Rilindjes. E lindur më 1546, bijë nga ana e saj e një kurtizaneje tjetër, pas një martese të stisur e të dështuar me një mjek të pasur, u njoh me Jakomo di Babalin, tregtarin më të pasur të Raguzës (sot Dubrovniku) që u bë një prej dashnorë-mbrojtësve të saj. Falë njohjeve të tij arriti të ketë akses në arsim dhe në arte, duke shkruajtur poezi. E përdori përgatitjen e saj dhe nivelin social të tij për të influencuar në jetën politike. Për lavdinë e Venecias, arriti që edhe të fusë në shtrat Enrikun e Valuasë, mbret i ardhshëm i Francës. Kjo nuk e shmangu që të përfundonte në duart e Inkuizicionit, me akuzën e shtriganisë. Falë kulturës dhe lidhjeve të saj me fisnikërinë veneciane, në çdo rast i çliruar nga ajo akuzë. Edhe Mari - Zhanë Beku, një kurtizane shumë e bukur bionde me sy të kaltër, e njohur më mirë emrin Madam du Bari, arriti të futet në shtratin e një mbreti. Në fakt, duke zëvendësuar Madam dë Pompadurin e vdekur ndërkohë, Madam du Bari arriti që të tërheqë mbretin e Francës Luigjin XV, duke influencuar në punët e shtetit. Vdiq e gijotinuar më 8 dhjetor 1793: revolucionarët francezë e akuzuan për kundërrevolucion, se kish shitur pasuritë e Kurorës (dhe, për pasojë, të popullit) dhe financuar fisnikët francezë e mërguar. Nëse Mari - Zhan Beku arriti që të futej në punën e një kombi falë seksit, një grua tjetër arriti në fakt të "bëjë një shtet" nën çarçafë. Në fakt, kontesha Kastilione (Virxhinia Elisabeta Luiza Karlota Antonieta Tereza Maria Oldoini) harxhoi vetëm një gjysmë ore për të bindur Napoleonin III për të mbështetur unitetin italian: i mjaftoi koha për t'u futur në një dhomë të kështjellës së Kompienjës. Në fakt, siç kishte bërë mbi 2000 vjet më parë ministri i mbretërisë Jue, kavuri i propozoi mbretit Savoja që ta përdorte për t'i marrë mendjen perandorit të Francës, Napoleonit III dhe për ta bindur që të mbështeste unitetin italian. Qe një mision i shkurtër dhe i lehtë, i cili i dha rezultatet e tij. Me përfundimin e misionit dhe e pamundësuar që ta vazhdojë marrëdhënien me Napoleonin III, kontesha Kastilione vazhdoi të bëjë "agjentin sekret" duke shëtitur nëpër Europë. Në Parisin e fillimit të Nëntëqindës balerina e famshme "Bela Otero" (por emrin e vërtetë e kishte Karolina Augustina Karason apo Iglezias), kaloi nga skenat e alkovave të meshkujve më të fuqishëm të kohës së saj, duke u bërë një konfidente e çmuar. Pothuajse të gjitha kokat e kurorëzuara deshën që të njihnin, nga princi Alberti i I-rë i Monakos tek mbreti Eduardi i VII-të i Mbretërisë së Bashkuar, tek mbretërorët e serbisë e të Spanjës, dek arqidukët e Rusisë, Pjetër dhe Nikola Nikollajeviç, por edhe miliarderë si amerikani Vanderbilt apo personazhë të famshëm si Gustav Eifeli apo Gaudì dhe Gabriele D'Anuncio. Pushteti që ushtronte ndaj njerëzve të pushtetshëm nuk e shpëtuan nga një pleqëri e trishtueshme dhe shumë e gjatë, e zgjatur deri në moshën 96-vjeçare.

Kurse kur në pushtet janë gratë, rolet përmbysen, por dinamikat nuk ndryshojnë. E hyrë në histori si "Xhovana gjuetarja e burrave", "Sovrania epshore", "Xhovana e pangopura", "mbretëresha me 100 dashnorë", Xhovana II Anzhuine, mbretëreshë e Napolit nga 1414 deri më 1435, ka mbetur e famshme për urinë e saj seksuale të pangopur. Xhovana II qe bujare me dashnorët e saj, por edhe viktimë personazhesh të etur për pushtet. Dy qenë favoritët që diti t'i kompensonte denjësisht me titullin e "mbikëqyrësit të madh", një prej shtatë posteve më të rëndësishëm të mbretërisë: Pandolfelo Alopo dhe Xhani Karaçolo. Rreth mbretëreshës së Napolit kanë lindur legjenda popullore që kanë kontribuar të krijohet një imazh i deformuar i Zhanës së II-të. Për shembull, tregohet se pranë Kastel Nuovos, i njohur si Maskio Anxhoino, Xhovana dispononte një derë të fshehtë ku hidhte dashnorët e saj që e kishin ezauruar detyrën e tyre. Pavarësisht aureolës, Xhovana qe një sovrane që faktikisht nuk e ushtroi kurrë realisht pushtetin e saj, jo sepse e kapluar nga pasionet dashurore të saj, por sepse joeksperte dhe, për pasojë, e papërshtatshme për të qeverisur dhe viktimë personazhesh të pangopur dhe dinakë. Domethënëse është edhe historia e Sofia Augusta Federica, e cila u bë Careshë e Rusisë nga 1762 deri më 1796 me emrin Ekaterina Alekseevna II. E uritur për seks, i përdori dashnorët e saj si vegla si për ta kapur pushtetin, ashtu dhe për ta mbajtur atë. Një prej dashnorëve të Caterina, Grigori Orlov, e ndihmoi për të hequr qafe të shoqin Pjetrin II, Car i të gjitha Rusive. E bërë Careshë, vazhdoi të kultivojë pasionin e saj për meshkujt: duket se ka koleksionuar 20 dashnorë, të gjithë të vlerësuar për shërbimet e kryera. Dy prej tyre qenë më të shpërblyerit: Stanislav Poniatoëski dhe Grigorij Potémkin. I pari u bë Mbret i Polonisë, i dyti Guvernator i Krimesë dhe Princ i Taurinave. Pavarësisht urisë së saj për seks, Caterina konsiderohet akoma sot një "sovrane e ndritshme". Ekziston një pjesë e rëndësishme e njerëzimit e cila, megjithëse pa seks, ka arritur të fitojë një fetë të pushtetit të saj: janë eunukët, njerëz që u janë nënshtruar ndërhyrjeve të gjymtimit të aparatit gjenital. Nëqoftëse shumë shpesh seksi është përdorur si levë pushteti, përjashtimi i forcuar nga të praktikuarit shpërndau autoritet dhe prestigj. Në fakt, shumë eunukë (nga greqishtja eunôuchos, domethënë "të mbash dyshek", domethënë "gardian i alokvës") u bënë të besuar sovranësh, funksionarë shumë të rëndësishëm, luftëtarë të vyer, klerikë të fuqishëm. Funksioni kryesor i kësaj kaste njerëzish ishte ajo e gardianëve të odave të grave dhe të haremeve, por shpesh fituan poste të rëndësishme pse të konsideruar besnikë dhe jozbatues praktikash nepotike. Dëshmitë e para lidhur me praktikën e tredhjes u përkasin 3000 viteve më parë, sipas dëshmive hitite. Dëshmi të pranive të eunukëve janë cituar nga historiani grek Ksenofonti tek Ciropedia, vepër e shkruar në vitin 365 B.C., por më përpara akoma kujtojmë se një praktikë e tillë u përdor nga Semiramida e shekullit IXB.C. Në Perandorinë Bizantine shumë qenë eunukët që futën në dorë levat e pushtetit, deri në shkallët më të larta të ushtrisë apo të administratës. Një karateristikë tjetër e eunukëve, përveç "agjërimit" të imponuar seksual, ishte edhe cilësia vokale e tyre. Në prani të paragjykimeve lidhur me praninë e grave në koret fetare apo për t'u ekzaltuar virtuozizmin dhe akrobacitë vokale, shumë eunukë bënë karrierë nëpër kore dhe nëpër teatro. Më i famshmi i tyre është patjetër Carlo Broschi, më mirë i njohur si Farinelli, i cili në Shtatëqindën e fitoi njohjen duke u bërë këngëtari lirik më i famshëm i epokës.

Nëqoftëse në Antikitet dhe në Mesjetë seksi mund të bënte pasuri, në epokën bashkëkohore seksi jolegal është bërë shpesh një armë për ta humbur pushtetin ose të paktën për të diskredituar një rival. Teoricieni i parë i kësaj praktike, i skandalit si armë politike, qe Lenin, i cili në vigjiljen e revolucionit të vitit 1917 i shtynte gazetarët që të rrëmonin mëkatet e të fuqishmëve të regjimit carist për t'u bërë shantazh. Midis skandaleve të ndryshëm me drita të kuqe, që kanë përfshirë politikanët e të gjithë botës kujtojmë atë skandalin John Profumo, ministër britanik i Luftës në vitin 1963. Politikani anglez kishte një marrëdhënie me një modele bukuroshe, njëfarë Christine Keeler. Historia përfundoi në duart e deputetit laburist George Wigg, i cili e përdori kundër rivalit të tij. Kur shpërtheu skandali, Christine Keeler zbuloi në një intervistë se frekuentonte njëkohësisht ministrin Profumo dhe Evgenij Ivanov, diplomat sovjetik me famë spiuni. Profumo dha dorëheqjen dhe e gjithë qeveria e Harold MacMillan ra bashkë me të.

Për të njëjtat motive, në vitet Tetëdhjetë, një tjetër demokrat amerikan, kandidat për zgjedhjet presidenciale të vitit 1988, Gary Hart, në Shtëpinë e Bardhë nuk arriti kurrë, pavarësisht se qe një prej favoritëve për garën. I gjithë faji ishte i marrëdhënies së tij me një modele të kolme, Donna Rice. Por Gary Hart ishte përsëritës: në fakt, qysh më 1984 thashethemet e kishin bllokuar fushatën e tij të parë elektorale duke e damkosur se ishte një lapërdhar i thekur.

Në vitin 2004 skandali dhe procesi pasues mediatik i takuan Guvernatorit të New Jersey, i cili dha dorëheqjen duke pranuar se kish tradhtuar të shoqen. E veçanta që e kish bërë me një dashnor mashkull kaloi në plan të dytë: ajo që kishte rëndësi ishte tradhtia. Dy skandale të tjera të rëndësishme kanë shpërthyer në vitin 2007. Në qershor, senatori republikan i shtetit Idaho, ultrakonservator dhe i famshëm për qëndrimet e tij homofobe, u arrestua në banjon e një aeroporti të Minnesota për sjellje të turpshme: politikani kish kërkuar të kandiste një njeri, i cili më pas rezultoi se qe një polic me rroba civile. Craig e pranoi fillimisht fajësinë e tij, por menjëherë më pas u tërhoq. Vetëm disa muaj më parë vëmendja ishte tërhequr nga senatori republikan i Lousiana, David Vitter, i cili kishte rrëfyer se ishte një klient i afeksionuar i një agjencie shoqëruesesh të menaxhuar nga Deborah Jean Palfrey, e njohur më mirë si "D.C. Madame". Prokuroria e kish individualizuar emrin e tij duke investiguar mbi një xhiro telefonatash të nivelit të lartë. Për detyrim të kronikës, misteriozja "D.C. Madame" është gjetur e varur pak muaj më parë: sipas hetuesve është bërë fjalë për vetëvrasje të shkaktuar nga ndjenja e fajit.

Nga Shtetet e Bashkuara kalojmë në rajonin e trazuar të Kashmir. Në vitin 2006 është zbuluar një xhiro videosh pornografike që paraqisnin vajza minorene. Hetimet kanë nxjerrë përfshirjen e drejtpërdrejtë të politikanëve dhe të funksionarëve të shtetit. Lajmi ka shkaktuar protesta të dhunshme në Srinagar, kryeqytet veror i Kashmir dhe shumë politikanë janë shtrënguar në dorëheqje. Gjithmonë në vitin 2007 janë përfshirë nga skandalet edhe Willie Knuckles e Moshe Katsav, liberian i pari, izraelian i dyti. Knuckles, ministër i qeverisë siberiane dhe përgjegjës i stafit të Presidentes Ellen Johnson-Sirleaf, është "kapur" nudo në shoqërinë e dy grave. Një gazetë lokale ka botuar fotot dhe skandali ka prekur qeverinë. Knuckles, baba familjeje, ka dhënë dorëheqjen për të mos dëmtuar kredibilitetin e Presidentes Ellen Johnson-Sirleaf. Kurse Presidenti izraelian Moshe Katsav, ka dhënë dorëheqjen prej protestave të ngritura nga disa ish vartëse që e akuzonin për ngacmime seksuale (një punonjëse deri e kish denoncuar se e kish përdhunuar). Dinaku Katsav, që ishte pezulluar nga posti, megjithëse duke e ruajtur postin, ka arritur që ta shmangë akuzën për dhunë seksuale dhe burgun. Megjithatë, Parlamenti izraelian duket se ka miratuar një rezolutë për të mos i lejuar Katsav privilegjet që u takojnë ish-Presidentëve, përfshi një zyrë përfaqësimi, një sekretari personale dhe një makinë me shofer.

Përgatiti

ARMIN TIRANA - RD

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora