Kerko: a
Ndue Dedaj: Pandemia dhe etika e vdekjes
E merkure, 17.06.2020, 11:08 AM
PANDEMIA DHE ETIKA E VDEKJES
Nga
Ndue Dedaj
Papa
Françesku tërheq vëmendjen: “Pandemia ka treguar se shoqëritë tona nuk janë aq
të organizuara p?r t’u krijuar një vend të moshuarve, me respektin e duhur për
dinjitetin dhe brishtësinë e tyre. Aty ku nuk ka kujdes e dashuri për të
moshuarit, nuk ka të ardhme për të rinjtë.” Ky reflektim social-fiozofik i Atit
të Shenjtë na ktheu tre muaj më parë, te një shënim yni i datës 23 mars 2020:
“Paradoksi
që të befason tej mase është ai që ka të bëjë me cinizmin ndaj jetës së të
moshuarve. Në mediume të ndryshme publike i mëshohet dhjetëra herë faktit se
ata që ndërruan jetë në Itali ishin të moshuar, të moshës së tretë, mbi 80
vjeç, pra njerëz që iu kishte ardhur dita, kurse ky virusi, thjeshtë u dha një
të “shtyrë”.
Është
një cinizëm i pashoq ndaj jetës së tjetrit, që e zhvlerëson jetën e një
kategorie moshore, që gjithsesi janë prindërit tanë, edhe pse në rastin
konkret, ata për të cilët bëhet fjalë janë italianë. Atëherë pse i urojmë të
vjetrit të na bëhen 100 vjeç!? E më shumë. Apo coronavirusi na e ka mbledhur të
gjithëve dhe ja tek është “valvula e shkarkimit”, ikja e atyre mbi 80 vjeç! Si
njëfarë ngushëllimi.
Absurde
ta shqiptosh, a thua se ata, më e pakta, nuk kanë veshë e dëgjojnë?… Në të
vërtetë, para një sëmundje kësolloji, jemi të gjithë “pleq”, por sido që të
jetë, kjo gjuhë e çartur veç etikë politike, psiko-sociale, publicistike dhe
sidomos njerzillëk nuk është. Duhet ta themi, nuk kemi dëgjuar ndonjë mjek ta
bëjë këtë klasifikim, në këtë kontekst, në të vjetër e të pavjetër, përpos kur
kanë plotësuar skedën e të vdekurit në spital…
Pas
këtyre radhëve, do të ketë nga ata që do të më “kujtojnë” moshën e atyre që
ndërruan jetë nga coronavirusi në Bergamo, Milano, apo Vuhan etj. dhe se ky
është realiteti, sido që të sillemi me fjalën. Kurse ne vazhdojmë të themi, nuk
është kjo gjuha e njeriut të shëndoshë për njeriun…në zgrip të shëndetit dhe të
fatit. Të kuptohemi, nuk është fjala për faktin si i tillë, por për komentet e
tepruara rreth kësaj teme. A e dini si thoshin malësorët e Krajës në këngët e
tyre të njëqind viteve më parë për njeriun që vdiste? Perëndoi. Njëlloj si
dielli...
Thellë-thellë,
dhe pse duket sikur po filozofojmë, nuk ka moshë të parë, të dytë e të tretë,
por vetëm moshë dhe ajo është e shenjtë, pavarësisht “parcelizimit” që i bëjnë
njerëzit, njëlloj si vetë botës, duke e quajtur dhe atë botë të parë, të dytë e
të “tretë”, ku kjo e fundit është e margjinalizuara.
Përndryshe
ka dhe jo pak hipokrizi. Është bërë e modës që fëmijët t’iu drejtohen prindërve
të moshuar, me rastin e ditëlindjes, deri në bezdi: “Ti je heroi im” e superlativa
të tjera krejtësisht të panevojshme. Kurse tash jemi gati që “heronjtë” tanë
prindërorë të moshuar t’ia “dorëzojmë” sëmundjes, mjaft që ajo të qëndrojë larg
nesh. Ndërkohë që ata mund t’i mbijetojnë dhe kësaj viroze vrasëse, si mjaft
herë të tjera në jetë. E uroj me gjithë shpirt këtë!...”
P. S. E shkëputëm këtë koment
të shkurtër nga një cikël tematik shkrimesh të kohës së karantinës, kur dëgjuam
të thuhej për një shkrimtar të moshuar se ai është buzë varrit (!?), ngaqë nuk
po prononcohej për çështje të politikës së ditës (!) A thua se shkrimtarët apo
shkencëtarët e kanë për detyrë që të flasin sa herë grindën politikanët mes
tyre: për Teatrin, për reformën zgjedhore, për pandeminë, për hashashin, për
korrupsionin etj. Ata janë të “mirë” vetëm pasi shuhen dhe ne i mbulojmë me
lajlelule, ani se kur ishin gjallë na “bezdisnin” me mosqenien e tyre në
sintoni me qëndrimet tona të përditshmërisë “pro dhe kundër”, ndërkohe që ata
kanë një tjetër pakt me kohën kur rrojnë. Mosha e tyre e shtyrë është një arsye
më shumë për t’i dashur e vlerësuar sa janë gjallë, siç ndodhi këto ditë me
akademik Luan Omarin, që, në 95-vjetorin e tij, u dekorua me Urdhrin “Gjergj
Kastriot Skënderbeu”...
Vazhdimi
i komentit në këtë rast është i tepërt. Lexuesi di mirë t’i vërë pikat mbi “i”.