Kerko: a
Sevdail Hyseni: Sa peshojnë tre deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë?!
E merkure, 17.06.2020, 10:43 AM
Lugina voton
Sa peshojnë tre deputetë
shqiptarë në Parlamentin e Serbisë?!
Nga
Sevdail Hyseni
Bashkërenditja
e subjekteve politike shqiptare përkrah Listës zgjedhore “Alternativa
Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, me numër rendor 16, tregon
gatishmërinë e spektrit politik se të bashkuar munden të hapërojnë drejtë
përfaqësimit të tyre në Parlamentin Republikan të Serbisë.
Këtë
askush nuk e konteston se bashkë munden, bile nuk e kontestojnë as ato parti,
të cilat më 19 maj, në Tiranë firmosën Marrëveshjen për unifikimin e subjekteve
politike për pjesëmarrje me listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në
Serbi, më 21 qershor, të këtij viti.
Ditët
e zgjedhjeve po afrohen e subjektet zotuese të kësaj marrëveshjeje, nuk po i
përmbushin obligimet e tyre, duke e lënë të vetme Partinë për Veprim Demokratik
dhe bartësin e listës nga kjo parti Shaip Kamberi, të bëjë fushatë elektorale,
për t'i bindur votuesit, që në numër sa më të madh të dalin në zgjedhjet
parlamentare, krahas atyre lokale për pushtet lokal.
Për
t'i dhënë përkrahje unifikimit të faktorit politik shqiptar dhe pjesëmarrjes së
tyre në zgjedhjet parlamentare, në Luginë të Preshevës erdhi në një vizitë tre
ditore Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent
Cakaj, duke theksuar "rëndësinë e patjetërsueshme të ruajtjes së unitetit
të brendshëm dhe nevojën e punës së përbashkët për mbrojtjen e lartësimin e të
drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për një jetë më të mirë në çdo
kohë e çdo rrethanë”.
Thënë
të drejtën, as Marrëveshja e as përkrahja e Ministrit Cakaj, nuk po përfillen
nga disa parti politike, të verbuara e të tërbuara nga inatet e përçarja për
pushtet lokal në Bujanoc, duke lënë anash interesat vitale të shqiptarëve për
përfaqësim dinjitoz edhe në nivelin qendror të pushtetit.
Ne
e dimë se me dy ose tre deputetë shqiptarë nga 250 sish sa ka Parlamenti i
Serbisë, nuk të ndodhin mrekullitë, zgjedhja e tyre do të thotë shumë. E para
se e dëshmon forcën elektorale dhe së dyti faktorizimin e shqiptarëve në arenën
ndërkombëtare. Është shumë lehtë të mos dalësh në zgjedhjet parlamentare, një
angazhim më pak në lëto procese shoqërore, por si do ta ndalosh Beogradin, kur
thotë se shqiptarët janë pak në Luginë të Preshevës, duke e legjitimuar
regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi, të cilin shqiptarët e bojkotuan
për arsye të ndryshme.
Parcializimi,
grupizimi, përçarja dhe inatet patologjike të spektrit politik, s'ka se si të
mos e dëmtojnë korpusin elektoral shqiptar, në këto procese shumë të
rëndësishme shoqërore, në të cilat po kalon Lugina e Preshevës, qoftë për ta
avancuar pozitën e saj politike, qoftë për ta faktorizuar veten në prag të
proceseve dialoguese Kosovë-Serbi.
Kujtoni
një thënie me shumë kuptim për procesin zgjedhor dhe rëndësinë e votimit nga
Abraham Lincoln kur thotë: "Vota është ma e fuqishme se plumbi. Me plumb
mund të vrasësh armikun tënd, kurse me votë të vrasësh të ardhmen e fëmijëve të
tu...!"
Pas këtij mendimi të artë, nuk na mbetet tjetër të shtojmë vetëm të bëjmë thirrje për dalje sa më të organizuar në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 21 qershorit për t'i votuar kandidatët tanë të mundshëm për parlamentin lokal dhe republikan. Suksese dhe mbarësi!