Kerko: a
Mevlud Buci: Libër epope për dukuritë e jetës
E merkure, 10.06.2020, 01:19 PM
LIBËR EPOPE PËR DUKURITË E JETËS
Rreth
vëllimit me fabulla “Valle çmendurake” i autorit Qemal Cenaj
Nga Mevlud Buci, studiues e publicist
Përse mendova
ta quaj libër epope? Ngaqë ky libër “i vogël” ështëë me 91 faqe, por i madh në
përmbajtje, dritëkohorë e mbi të gjitha diagnostigues ndaj dukurive të jetës,
stigmatizues ndaj politikës denigruese bashkëkohore, pasqyrë e ndritshme ndaj
negativitetit aktual, përqeshës ndaj falsitetit drejtues e servil, zhvatës e
mashtrues të të votbesuarëve a postdhimbjeve të pa merituar.
Në çdo fabul,
te çdo varg, lexuesi i kujdesshëm zbulon dukuri të jetës, ballafaqon realitetin
me atë çka ndodh nën petkun e pozitës, të votbesimit a të ngjitjes aty ku
shpërfaqet formalizmi, maska a lajkataria çnjerëzore.
* *
*
Autori Cenaj,
ky punëtor i denjë i pendës, publicist, poet e fabulist i talentuar, pas disa
botimeve të arrira që te “Fol o Mat”, kohët e fundit doli para lexuesve me
librin e thjeshtë, por të rrallë fabulistik “Valle çmendurake”, ku te çdo
fabul, strofë a varg, përcjell mesazhe bashkëkohore, ka shkruar me syrin e
“okulistit” të shoqërisë, ka “diagnostikuar” dukuritë e jetës, veset,
antivlerat, falsitetit e politikës, të politikanëve megallomanë e drejtuesve
burokratë, servilë e zhvatës, të lindur për dredhí.
Përvoja
krijuese e Qemal Cenajt të Matit është rrezatuese, e përgjegjshme, këmbëngulëse
e mbi të gjitha e kuptueshme, tërheqëse dhe e frymëzuar për lexuesit. Puna si
drejtues i gazetës “Mati”, shembëllimi prej specialisti novator në disa
profesione, përkushtimi gazetaresk, poetik, publicistik e shpirti krijues në
gjininë e fabulës, bëjnë pa mëdyshje që Qemal Cenaj (jo për hiperbolë, por për
realitet) të quhet “Ezopi i Matit”. Pra, dëshmitë e botimeve, ndjesitë lirike e
mbi të gjitha shembëllimi ndaj dukurive bashkëkohore tregojnë se Cenaj i Matit ka
një përvojë të çmuar, ka prova krijuese e mbi të gjitha mjeshtëri artistike e
thellësi mendimi, talent e thjeshtësi në trajtimin e dukurive, të cilat i hapin
horizonte dhe frymëzojnë lexuesit.
Dihet se
Mati, vatra e Budit e plot filozofëve, vatra e poetëve Milloshi, e të
talentuarit studiues Behar Gjoka, lirikut Basir Bushkashi, mjeshtrit e të
palodhurit, poetit Hamdi Hysuka, bilbilit të shkrepit Bajram Canameti, të
poetëve të shquar Kujtim Stana, Fatmir Gjestila, Fatmir Neli, Rakip Lasku, Faik
Xhani, studiuesit Artan D. Kurti; të historianit, ushtarakut e studiuesit Sefer
Duka, studiuesit Aqif Ymeri etj, dëshmohet se është vatra e pasuesëve të Budit,
e studiuesit të paharruar Dilaver Kurti; vatra e bilbilave popullorë e plot
jehonë për kombin, babë e bir Ymer e Behar Nelaj, Sabri Aliaj, të shquarit të
krijimtarisë e studimeve muzikologjike, Esat Ruka e deri te poeti më i ri,
Sokol Llozhi e plot të tjerëve në plot gjini krijimtarie të çmuar për kohën,
traditat e për brezat tanë.
* *
*
Krijimtaria
fabulistike e Qemal Cenajt ka filozofinë e kohës, mençurinë e matjanit, mbart
vlera e mesazhe jete, godet me art, satirë therëse, si dhe i bën lexuesit të
meditojnë, të njohin antivlera të veshur me petkun e pozitës, me petkun e
politikanit a deputetit. Në fakt realiteti është ai që shkruan z. Cenaj te
“Valle çmendurake”, valle e ekstremizmit anti njeri-tjetrit, valle për karrierë
të pamerituar, për maska, servilizëm, burrokraci të shfrenuar, valle me të
pazotë që u kundërvihen vlerave, të zotit, bilbilit. Cenaj shkruan:
Valle nisin me finesë, / pula, gjela,
shpend të pyllit
dhe hutini me përtesë / dajrexhi, nis e i
bie fyellit…
Grindjet,
sharjet, shitmendjet, trifytyrësia, servilizmi, mburrjet pa bukë, pa baza, zënë
vend në vargjet fabulistike:
S’dinë të sillen, nga t’ia nisin / e kush
ndjek më melodi
njeri-tjetrin veç çukisin, / ti je çmend,
/ i çmendur ti...
Autori Cenaj
është vëzhgues i hollë, di të godasë, të demaskojë me art atë çka ndodh sot në
politikën makbethiane të etur për pasuri, dredhi, amoralitet, favore e pabesi,
e vetdemaskuar në sy të brezave. Fabulisti Cenaj stigmatizon konformizmin, të
krekosurit, boshët e kohës, ata që siç thotë populli, bëjnë të 99-tat e hiqen
“hizra”, “shenjtorë” në postet që kanë ngjitur me stile dredhie:
U puthën dhe u lëpinë / u hëngrën dhe u
shtynë
por u lodhën, veç më kot / mesin e botës
s’e gjenin dot... (Mesi
i botës, strofa e dytë)
Fabulat e
Qemal Cenajt janë një “rrufe” shpartalluese mbi politikën, postet fallco,
formalizmin, shtetarët lubí, ekspertizat e bufanadat në udhët e jetës:
Një maune bef në derë, / thanë komshijtë:
Ka sa herë..
atë mëngjes video perfekt / pa vonesa nga
arinjtë ekspertë
konkluzioni krejt i rrallë / kish
shkarkuar vetëm fjalë. (Ekspertizë,
faqe 6)
Me plot
domethënie, filozofi e mesazhe jete janë fabulat “Klloçka”, “Besa”,
“Vendimmarrje”, “Gomari dhe pela”, “Pas një viti”, “Turtulli”, “Zarfi”, “Koha”,
“Vendi i shenjtë”, “Daci dhe ujku” etj. Kontrastet çnjerëzore, vetëfundosja e
karakterit të politikanëve, e shtetarëve me tri fytyrësi, dekorimet bujamanë e
të bëra me interes, apo të pa merituara, demaskimi ndaj falsitetit në lartësimin
e vlerave tregon se fabula e Cenajt godet në shenjë, është një sprovë e ndritur
për t’ia hequr qafe popullit padrejtësitë, antivlerat:
Dikur bëhej humor me ca kokrra,
sot jepen medalje për ca monstra... (Dikur, faqe 13)
Vargu
fabulistik i Cenajt ka mjeshtëri, figurë, përcjell mesazhe, të cilat i vlejnë
njeriut, shoqërisë. Me anonimí autori godet. Pra, siç thotë populli, “Lum kush
e ble fjalën!” Shoqëria, shteti, të eturit për karrierë, veset e kohës së
demoshkërdhatokracisë që mbart sot njerëzia, shpërfytyrimi i të ngriturve në
pushtet, ato çka sjell emigracioni etj, janë në “shpatën” e mprehtë të zotit
Cenaj:
Jashtë stine delja polli, / pëshpërin
tufa në mëhallë
me kureshtje vesh më vesh / i gjori dash,
kurbetqarë... (Përgojim,
faqe 20)
Filozofia
matjane, përvoja krijuese, vëzhgimi i hollë, real e konkret i jetës, kohës,
politikës (pordhithikës shqiptare M. B) si dhe mjeshtëria e trajtimit të urtësisë
popullore i bëjnë fabulat e Qemal Cenaj tërheqëse, domethënëse, të çmuara e
mbresëlënëse për lexuesit. Fabulat “Proverbi”, “Reklamë”, “Filli dhe lëmshi”,
“Akuzë”, “Kush jam”, “Në provim”, “Në valikë” përcjellin ide, mesazhe, kritika
therëse, si dhe mbi të gjitha goditje ndaj ligësive të kohës.
Autori Cenaj,
mjeshtër e punëtor i pendës, siç është dhe në jetën shoqërore, e shikon jetën në
sy. Ata që ngjiten dhe zbresin, ku lënë pas pafytyrësisë zhgënjimin e përsëri
llomotisin, grinden, shajnë, turren e harbohen sikur duan popullin, sikur janë
“të zot”, pasqyrohen te fabula “Anasjelltas”:
Fat i madh të ishte kështu, / “jemi ne,
se jeni ju”
e kundërta s’kuptohet vërté, / “ikni ju,
se jemi ne”...
Kontrastet,
metaforat, simbolet, urtësitë, vargu brilant me domethënie filozofike, realizmi
dhe mjeshtëria krijuese, zënë vend në çdo fabul të këtij libri. Vetë titulli
“Valle çmendurake” nënkupton politikë e politikanë të çmendur, larg popullit,
larg halleve, të vetshpallur “demokratë”, apo “shtetarë”, prijës të rrallë, por
që në të vërtetë bëjnë petulla me ujë, siç thotë populli. Shtiren meleq e janë
dreq, “mjeránia politikë”...
Me të drejtë,
pa mëdyshje e pa fare hiperbolë, theksojmë se Cenaj i Matit e meriton të quhet
“Ezopi matjan”, Ezopi i kohës. E çfarë bëri më shumë Ezopi?! Sigurisht ai ishte
real i kohës, goditës e satirik i shquar. Këto vlera i ka dhe libri fabulistik
“Valle çmendurake”. Pra, vallja e mat valltarin. Kur del tek ajo duhet intuit,
mençuri, frymëzim e mjeshtëri në interpretim. Pra, politika e politikanët
s’duhet të çmenden, siç janë vërtetë:
Politika në plan të parë, / ushqeheshim
dikur
të dehur tash nga mrekullitë, / e para
dhe e fundit pikë
mjeránia politikë... (Ngre e ul, faqe 29)
Autori Cenaj
nëpërmjet anasjelles (inversionit) “mjeránia politikë” damkos marrëzinë e
“baballarëve të kombit”, të atyre që vlojnë vëretë si kazan, apo siç e thonë
matjanët e urtësisë, ”bëjnë si arrat në thes”.
Fabulat e
Qemal Cenajt dëshmojnë se si intelektuali, mjeshtri i punës, njeriu i vlerave,
jeton në kohën dhe godet antivlerat, ata që nuk çmojnë besimin, drejtësisë, mirësinë
njerëzore:
Matanë gardhit ham e hum, / qen kamshiu,
s’di të ndali
bëhet buça tërë inatë, / soji i tij është
qen çakalli... (Qen
çakalli, faqe 30)
Fabulat
“Ndryshim”, “Shteg”, “Kohë e re”, “Dhelpra”, “Në festival”, “Tabelë frymëzimi”,
“Tapia”, “Modë”, “Miza dhe grenza”, përcjellin mesazhe jete, vendosin në
shpatën e kritikës dukuritë negative, siç thotë fabulisti:
Për të pasurit është shumëzimi, / për të
varfërit është pjestimi...
(tabelë shumëzimi, faqe 36)
Padrejtësia
dhe falsiteti, krekosja dhe fundbataku njerëzor trajtohen me katër vargje nga
fabulisti Cenaj:
Për një emër profesioni, / shkollë pas
shkolle vite plot
shko, merr sot një kartë partie, / është
diplomë dhe pilot..
(Lartësimi, faqe 42)
Demaskimi i
dinakërisë, i mburrjes, qylxhiut, dredharakut, falsitetit në dashuri,
injorancës, servilizmit, harresës e padrejtësisë ndaj djersës së humbur
(Harresë, faqe 57), llafollogët shterpë, dështakët servilë etj:
Hajnisë veç iso i mban, / fol e qesh dhe
gjë nuk ndan
në të shumtën kacafytja, / u rri pullë
dhe në llum zhyutur...
Antiteza e
kohës, kontrasti çnjerëzor, utopia e karrierës, demaskohen artistikisht në
fabulën “Zvarranikët”, faqe 62, ku autori Cenaj jeton me kohën dhe godet në
shenjë nëpërmjet ironisë. Fabulat e tij bëjnë diagnozën e atyre që gërthasin, të
atyre që janë provuar e përsëri trumbetohen e zotohen. Autori jep me mjeshtëri
e realizëm se si duhet të shmangeni nga e kaluara, apo e sotmja që ripërtërit
neodiktaturën në mënyrë të maskuar, ndaj “s’duhet të mbetemi shpresëvrarë”,
thotë fabulisti:
Do i “pushtojmë” lartësitë, / boll kemi
ndejtur duke prit
vendimi i prerë dhe pikë, / një herë një
kohë tiqeshim zvarrë
s’mund të mbetemi shpresëvrarë... (Zvarrankët, faqe 62).
Vargjet “i tha qeni qenit” (Lemeri), / nuk hyj më
pa trokitur (Edukatë), apo “s’po ndahej
me gomar jaranin” (Gomarica) etj, godasin dinakërinë, stigmatizojnë dukuritë,
të cilat duhen fshikulluar. Të shkruara me frymëzim dhe mjeshtëri janë edhe
fabulat “Vjetulla e dhelpra”, “Bima dhe ferra”, “Gazeta”, “Bushtrat”, “Zogjtë
shtegtarë”, “Pacienti i fshatit”, “Ndodh”, “Bashkëbisedim” etj. Ortakllëku, konformizmi,
politika shterpë dhe e dalë boje, anonimia ndaj ligësive, aktualitet
allashqiptar:
Ulkonja dhe dhelpra, / xhiro në një ditë
nënat e mashtrimit, / pa presje e pikë... (Bashkëbisedim, faqe 74).
Krahas meritës
së padiskutueshme të autorit Cenaj për këtë libër të mirërealizuar, kanë meritë
redaktori Basir Bushkashi, korrektori Hamdi Hysuka, hartuesi i grafikave Artan
Kurti dhe ilustruesi Alfred B. Stafsani. Libri me fabula “Valle çmendurake” është
dëshmi e kohës, pasqyrim i problemeve, ku me art e mjeshtëri ironizohet
politika e politikanët, të cilët ia kanë bërë vendin që të demaskohen. Autori
Cenaj, me përkushtim e sinqeritet, me urti e mjeshtëri fshikullon veset,
antivlerat, dinakërinë, e cila bleron te politika e politikanët shterpë. Libri
“Valle çmendurake” është vallja e kohës, e atyre që prijnë në valle e s’dinë ta
heqin, por bëjnë si të çmendur. Është vërtetë koha epope, për dukuritë e jetës.
Urime Qemal Cenaj i Matit, i shqiptarisë!