Kerko: a
Resmi Osmani: Nuse e mbretit
E merkure, 10.06.2020, 05:04 PM
MBRETËRIMI I PIRROS SË EPIRIT
(Fragmente)
Roman nga Resmi Osmani
Nuset
e mbretit
Mbretëresha e
dashur Antigona po bënte muaj e ikur nga kjo botë.
Këshilltari
Kinea. I kërkoi mbretit që të bisedonin
për një çështje të rëndësishme shtetërore.Ata qëndruan në cabinet para kupave të
verës.Këshilltari, me pamje enigmatike, natyrë të përmbajtur e fjalëpakë,
priste që mbreti ta pyeste për arsyen e atij takimi.Por mesa dukej, mbreti e
kishte mëndjen gjetkë.
-Desha të
ngrija për të një mbretëri që të përfshinte gjithë Maqedoninë, Greqinë dhe
Ilirinë, pse jo edhe nisitë e Jonit, por Antigona nuk e lakmonte këtë dhe nuk
priti.Leka e ka thënë bukur:”Kur vjen fundi, nje varr del e tepron edhe për atë
që e gjithë bota nuk i dukej e mjaftueshme”
-Kur mbreti
arsyeton si filozof, atëhere filozofi dujet të gjykojë si mbret.Kinea heshti
pak, gjerbi një gllënjkë verë dhe vijoi për të dalë atje ku donte.
-Madhëri, një
mbret, qoftë edhe I moshuar, nuk duhet të mbetet vejan, pale kur është në lule
të jetës.
-Kinea, je
epikurian i pandreqshëm.Përpara se të sillje ndërmënd e të më përmendje të
tilla fjalë, të prisje sa të ftohej shtrati i të ndjerës mbretëreshë!
-Mbretërit
martohëen jo që t’u ngrohet shtrati, por për arsye shtetërore, për arsye
politike, për të bërë aleatë dhe pse jo edhe për të shtuar pasurinë e znadhuar
shtetin.Kuptohet edhe për të lindur trashëgimtarët, që do të jenë bij e nipër
mbretërish të shquar e do të vazhdojnë dinastinë.Kur nuset e reja sjellin si
pajë edhe bukurinë dhe hirin mbretëror, atëhere mbreti është vërtet me fat dhe
ka një arsye më shumë për të qënë i lumtur!
Pirrua e
ndiqte fillin e bisedës pa interes, por Kinea filloi ta zgjerojë hapësirën e
bisedës.Ai foli për Filipin II të Maqedonisë, që për aleanca para çdo lufte bënte
një martesë të re.Për mbretërit e qëmoçëm, Priamin apo Darin që i kishin
pallatet të mbushura me gra e që u kishin lindur djem fatosa. Mbretëria epirote
që sapo kishte nisur të madhohej kishte nevojë për miq dhe mbretër aleatë.Aleatë
të natyrshëm të një gjuhe e të nje gjaku, ishin mbretërit Ilirë në very, që
edhe po nuk mund ta ndihmonin, nuk do ta sulmonin.Shpina e Epirit do të jetë e
siguruar. Maqedonia dhe Greqia ishin të dobësuara dhe do të ishin teatër i
veprimeve luftarake.Aleancat me mbretërit e tjerë, përveç Ptolemeut, do të
ishin të përkohshme e do të synonin ndarjen e plaçkës.Epiri duhet të kishte miq
dhe aleatë edhe përtej detit, në brigjet italike.A nuk i kishte lakmuar ato
toka Aleksandër Molosi?!
-Mesdheu,
sado i madh të duket, është det i vogël! Mbreti im ,kjo është politika. Në
ndihmë të saj duhet të vihet diplomacia.
Epo, Kinea,
sipas diplomacisë tënde, sa gra të reja duhet të vinë në pallatin mbretëror?
-Të paktën
tri, madhëri.Të trija bija mbretërish dhe me pajë të madhe. Jepni pëlqimin dhe
Kinea do shtrëngojë rripat e sandaleve dhe si lypsar me një shkop në dorë dhe
trastë në sup, do të marrë rrugët e mbretërive për të lypur nuset për mbretin e
tij. Si shpërblim dua kur të kthehem , një palë sandale të reja.
* * *
Lanasa
Kaluan muaj
dhe Kinea e përfundoi punën e mblesit mbretëror dhe nuset filluan të vijnë.
E para erdhi
Lanasa, bijë e mbretit Agathokli, italiote nga Siçilia.Për pajë ajo sillte
ujdhesën e Korkyrës me qytetin e saj. Princeshën e solli anija e të atit në
Korkyra. Pirrua, u nis ta merrte në dorzim ishullin dhe të sillte në shtëpi
nusen e re, princeshën Lanasa.
Nga pallati
veror i Gitanit në breg të detit, ujdhesa dukej mirë, por ai s’kishte qenë
ndonjëherë aty.Me dy anije e njëqind ushtarë, mbërriti në gjidetin e vogël në
pjesën lindore të ujdhesës dhe, i shoqëruar nga oficerët e rojës u drejtua për
në vilën mbretërore që ishte pranë anëdetit.
Rojat e shoqëruan
për në buduarin e princeshës.Ajo e priste tok me këshilltarin e mbretit
Agathokli, e rrethuar nga skllavet dhe shërbestaret që e kishin shoqëruar e do
të qëndronin me të.Kur hyri Pirrua, ato u perulën dhe e përshëndetën në
heshtje.Lanasa ngriti kokën dhe kundroj me kujdes pamjen e këtij mbreti, fama e
të cilit kishte mbërritur para tij e që do të ishte burri i saj. Të njëjtën bëri
edhe Pirrua.Ajo e zotronte veten.në fytyrën e Lanasës nuk lëvizi asnjë muskul
dhe ai nuk arriti të kuptonte përshtypjen që i bëri.
Shoqërueset e
saj dhe të Pirros u larguan dhe i lanë vetëm.
-Mirëseerdhe
në tokën e Epirit, Princeshë Lanasa!
-Mirësetëgjeta,
madhëri. Ende jam në tokën time, ndaj po të pres si mysafir! Me vullnetin e
Atit tim, mbretit Agathokli dhe pëlqimin tim, kam ardhur që të kurorëzohem
mbretëreshë e Epirit.-I tha ajo qetë por me vendosmëri.
-Bashkë me
mua, ju do të merrni për pajë edhe këtë ujdhesë.
-Princeshë,
jam i detyruar të të them se do të jesh njera nga gratë e mbretit. Ati juaj
duhet t’ua ketë thënë. Së shpejti do të mbërrijnë edhe dy princeshat e tjera.
Megjithëse këtë
gjë e dinte, asaj nuk i erdhi mirë për atë që dëgjoi, u pre dhe u zverdh. Mbreti
do të ndahej më tresh, por ajo e donte të tërin për vete!
U shërbyen
drekën nën hijen e pjergullës.Ishin të pranishëm pak oficerë dhe shoqërues
oborrtarë. Ajo shihte nga bregu kundruall thesprotinë dhe heshtëte.Ky vend
ishte ndryshe nga Siçilia e bukur.Pirrua u interesua për punët e atit të saj,
mbretit Agathokli dhe luftën e tij me karthagasit, por biseda nuk po ecte.Ndërkohë
Pirrua pati rastin ta kundronte me nge: ajo ishte shtatderdhur, . trup ngjeshur,zeshkane
me flokë të zez që i derdheshin mbi supe, kapur me një diademë me gur të
kuq.Hunda e drejtë, balli i lartë, mjekër energjike, sytë e zez me vështrim
krenar, goja e vogël dhe buzë të plota mishtore, si qershi, gjoksi i hedhur, këmbë
muskulore. Ngjante me një amazonë luftëtare, e bukur dhe krenare, mesa dukej,
edhe tekanjoze.
Pas buke pinë
shurup mjalti. Ajo lëpiu buzët me gjuhë si një kotele e vockël, e pa në sy dhe
i buzëqeshi si çapkëne. Ishte një ftesë për intimitet.
Shëtitën në
kopshtin ku harlisej bimësia e makjes subtropikale dhe lulevilet që vareshin
nga degët e drurëve.Dielli mbrëmësor, në të perënduar e sipër hidhte rrezet e
kuqërremta dhe deti i përflakur këndonte këngën e perjetshme të dallgëve.Princesha
Lanasa si zonjë shtëpie, i hoqi udhën dhe hynë në dhomën e gjumit, në mes të së
cilës ishte shtrati I mbuluar me kurtina të kaltra, që zbrisnin nga tavani.
Pasi hezitoi
pak, Pirrua me gishtat që i dridheshin, i zbërtheu karficat e arta në supat e
tunikës dhe pa sesi u zbulua trupi i saj i bukur.Ajo, si e zënë në faj, u
mbulua me duar. Pirrua hapi kurtinën, dhe ngadalë e me delikatesë, e mori nusen
para duarve dhe e uli mbi mbulesën e butë të shtratit……
Në Korkyrë qëndruan
një javë.Ishin të rinj dhe I gëzoheshin jetës.Bënin dashuri, hipur mbi kuaj i
ranë rreth e qark ujdhesës së vogël plot me ullinj e vreshta.Qëndruan në
fshatrat e peshkatarëve dhe shijuan peshkun e pjekur në prush, pine verën që
ishte me nam dhe vapuan nën hijen e dendur të ullinjve.Ai donte ta njihte mirë
këtë tokë të re që i shtohej mbretërisë
së tij.
Banorët e
ujdhesës e shihnin me pasajdi këtë shpurë mbretërore.Kishin parë e ndërruar
shumë mbretër. Ata iknin e vinin po asnjë herë nuk harronin ti ripnin e
grabisnin me taksa të rënda.
Pasi vuri
rregull në garnizonin e vogël dhe pik-rojet e ujdhesës, Pirrua dhe Lanasa u
kthyen në pallatin e Gitanës, që tashmë do të ishte selia verore e grave të
mbretit.
Zaimina
Nga mesi i
vjeshtës së tretë, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, karvani i zhurmshëm
i krushqve peonë dhe epirotë, me zurna, fyej e daulle, që sillte Zaiminën
,nusen e dytë nga Peonia e largët e Ilirisë very-lindore, mbërriti në Pasarone.
Kinea, filozof,diplomat e I mençur, dinte t’I vinte në jetë mirë porositë e
mbretit të tij: mbretëria Ilire e Peonëve, tashmë aleate e Pirros, i rrinte
Maqedonisë si shpatë e ngritur mbi krye!Aleatë të tyre ishin edhe Dardanët e
fuqishëm..Kjo krushqi, lidhte në aleancë ilirët e jugut me ata të veriut.
Zajmina, bijë
e mbretit Audoleon, ishte rritur në brigjet e Vardarit, në fushën e begatë të
Pelagonisë, të mbushur me vreshta, kopshtie me mollë dhe gjat verës me lejlekë
që ngrinin foletë në pemët e fushës dhe krokëritnin sqepat.Prej tyre kishte
marrë emrin fusha e begatë.
Në darkën e
martesës, Zajmina nuk mundi të qëndronte, ishte e lodhur dhe e dërrmuar nga
udha e gjatë që shpesh kalonte në shtigje malesh, të përpjeta e tatëpjeta.Kërkoj
leje që të largohej. Zonjat e shoqërimit dhe mëndesha që kishte sjellë me vete,
u kujdesën për të. Pirrua u takua me nusen e re të nesërmen. Hëngrën sillën në
sallën e madhe të bukës bashkë me miqtë. E mori nusen e re pranë vetes dhe nisi
ta kundrojë me ëndje: e brishtë, e hajthme, si një lule pranvere, flokëverdhë,
sykaltër, e ndrojtur dhe e turpshme. Një çupëlinë që s’i kishte kapërcyere të
gjashtëmbëdhjetat. Kur buzëqeshte në faqe i bëheshin dy gropëza që i jepnin aq
hijeshi.
Në mbrëmje
,ai e përqafoi natyrshëm si t’ a kishte motër. Ajo mbështeti kokën e saj të
bukur në gjoksin e tij të gjerë dhe u tulat si një zogth pa mbrojtje.
Për ‘të ajo
do të ishte shoqe e netëve të gjata, kur ai do të donte prehje, një fjalë të
mirë që dilte nga zemra dhe shumë dashuri. Fliste vetëm ilirisht, por kuptonte
edhe pak greqisht.
Brikena
Nusja e tretë,
Brikena, bijë e mbretit të Ilirisë, Bardhylit të Ri, erdhi nga deti, e shoqëruar
nga oborrtarët e të atit dhe zbriti në gjidetin e Berenikes. Pirrua u uroj
mirseardhjen fisnikëve të nderuar dhe i zgjati dorën brikenës që të zbriste nga
ura e anijes liburne. Ajo e mori me mend se ai ishte mbreti i saj.Me droje dhe
një barrë turp, ajo zbriti shkallët pas tij e shoqëruar nga njerëzit që e përcillnin.
Lanasa kishte
shkuar në Pasarone dhe nuk qëndroi ta priste shemrën. I kishin ardhur në majë të
hundës këto martesa dhe nuset barbare.
Për mysafirët
e nderuar, shokët e mbretit dhe aristokracinë e lartë ishte shtruar një darkë e
pasur dhe muzikantët luanin meloditë e tyre të bukura me fyej e lira.
Nusja e shoqëruar
nga zonjat e aristokracisë, demiurgëve dhe prostatit, hyri në sallë me çap të
ngadaltë. Në krye ajo kishte vendosur një diademë të artë, në veshë i vareshin
vathët e mëdhenj prej argjendi zbukuruar me xhevahirë që i zbrisnin gjer afër
mjekrës, në gushë nj gjerdan i hollë ari dhe një varg me rruaza qelibari të shndritshëm dhe të tjera
prej qelqi të kaltër. Nën supa, në të dy anët e gjokseve vareshin tufa zinxhirësh
argjendi që përfundonin me rruzuj të vegjël. Fustani vinte i ngushtë e pas trupit në mes, teksa
posht derdhej deri te këmbët si një lule zambaku. Fundi ishte i qëndisur me
gajtanë. Ishte veshja e vendit të saj që i thoshin xhubletë. Belin ja shtrëngonte
kollani bojë alle qëndisur me pafka të arta. Në qafat e duarve ndrynin byzylykët
e bukur që përfundonin me spërdredhjen e një koke zogu. Mbi supe kishte hedhur
pelerinën pa mëngë, ngjyrë purpur që ishte e kapur me karfica të bukura, e mbi
të, një shall të hollë që i mbulonte shpatullat.
Dasmorëve iu
mbetën sytë te nusja e bukur.
-Bashkë me
nusen,- tha Agatokli me shaka-mbreti Bardhyl na ka dërguar edhe një minierë ari
dhe argjendi! Nusen e vunë të ngjyente gishtin me mjaltë, të lyente pragun e
derës, pastaj i dhanë të ngjëronte pak bukë e kripë, i vunë në krah një vogëlush
i cili mbante në dorë një pëllumb të bardhë. Ajo u afrua në dritare dhe djali e
lëshoi pëllumbin në liri. Nusja e daroviti djalin me nje qese monedha floriri.
Brikena,
bashkë me zonjat e shoqërimit, siç e donte zakoni, doli në krye të vendit që të
nusëronte. Vinte shtatmesatare, e plotë, hundën me majuckë, buzën e sipërme pakëz
të shkurtër, dhënbët të rregullt, borë të bardhë, qafa e gjatë si e mjellmës e
stolisur me ar. Pamja e saj prej çapkëneje, përcillte mirësi dhe një ndjenjë të
hollë shpotie.
Pirrua nuk e
la të nusëronte më këmbë, e uli pranë vetes. Në të dy anët ishin edhe Zajmina
me Lanasën që e shihnin me kërshëri shemrën e tyre të re. U ngritën dolli e shëndete
dhe siç e donte rasti, vera u derdh lumë. Pastaj valltarët treguan talentin e
tyre dhe këngëtarët kënduan balada dhe këngë trimërishte. Dasma vijoi gjer vonë.
Të nesërmen krushqit
i përcollën duke u dhënë edhe dhurata të pasura për mbretin Bardhyl dhe gratë e
oborrit të tij.
Që ditët e
para që qëndruan bashkë , Pirrua vuri re se Brikena kishte në të folur çiltërsi,
thjeshtësi dhe gëzim, ishte pak ngacmuese, por e mençur, e hareshme dhe e
sinqertë. Dukej se e merrte jetën si t’i vinte. Pirrua e ndjeu se ajo, do të
mbante në qënien e tij zjarrin e dritës e të gëzimit, që këto kohë, pas vdekjes
së Antigonës së dashur,kaq shumë i mungonte.
Të tri
princeshat, në pamje të parë, ishin vajza të reja, të bukura, tërheqëse dhe të
veçanta. Ato do ta hijeshonin oborrin mbretëror me hirin e tyre të fisëm dhe
pot ë donin hyjtë, edhe me fëmijë të shumtë që janë gëzimi i jetës.
Por ndryshe
nga kjo përshtypje e parë, ai shpejt do t’a kuptonte se nuk do të ishte e lehtë, të bashkjetoje me tri gra që
ishin princesha e bija mbretërish.
Mbreti Pirro
mund ta quante veten me fat. Kinea, për këto zgjedhje që bëri dhe aleancat që
lidhi, u shpërblye me më shumë se sa kishte kërkuar.
Vijon