Kerko: a
Qazim Shehu: Një libër që zgjeron horizontin njohës
E hene, 08.06.2020, 06:12 PM
NJË LIBËR QË ZGJERON HORIZONTIN NJOHËS
Për
librin “Njësia Administrative Farkë” të Skënder Farkës
Nga
Qazim Shehu
Skënder
Farka është një eksplorues i zoti i bukurive natyrore të fshatrave të
Tiranës. Këtë, ai e ka dëshmuar në mjaft libra të tij, të cilat japin në detaje terrenin gjeografik të fshatrave e
zonave, historinë, arkeologjinë, të kaluarën dhe të tashmen, tradita,
zakone, kontakte me njerëz, biografi personale dhe histori suksesi. Këto libra ai
i boton në kuadër të shoqatës “Tirana”duke dhënë një shembull se çfarë mund të
bëhet, nëse ekziston vullneti , dëshira dhe kujdesi për të realizuar
diçka. Tirana është një vend i begatë, por ajo, si qytet, nuk mund të kuptohet pa
rrethinat, pa Farkën, Ndroqin, Zall- Herrin, Shëngjergjin, Bastarin etj. Si një
kësulë e bukur gjelbërimi e herë bore, sipas stinëve i rri mbi krye Dajti;po
kështu, gjymtyrët e saj shtrihen jo vetëm në natyrën e bukur, por edhe në
zemërgjerësinë e tiransëve të vjetër autoktonë.
Edhe
në librin e ri, Skënderi e ka dëshmuar këtë. Duke lexuar tekstet e pasura të
këtij libri, autori sikur të tërheq vetiu drejt qëllimit të tij, për të lexuar
mbi bukuritë turistike të këtyre zonave, por jo vetëm kaq, edhe për të parë sesi
njerëzit punëtorë, sidomos tani në
demokraci, kanë ndërtuar objekte të bukura, vila, restorante, parqe apo shëtitore
e rrugë atraktive. Turizmi mbetet një potencial i fuqishëm i Tiranës, që
dëshmohet nga zgjimi i një ndërgjegjësimi eventual, duke e parë atë si degë të
rëndësishme të ekonomisë, por edhe si një fushë nxitëse në promovimin e vlerave
të reja. Kjo , mendoj, se përbën kuintesencën e këtij libri, ku autori, me mjaft
kujdes, dhe duke përcaktuar kritere shtjelluese na çon në ambiente të
caktuara, të cilat natyrisht që mbushen me njerëz të moshave dhe profesioneve të
ndryshme , duke dëshmuar se proza e tij sa shkencore, e ka lejuar edhe qasjen
divulgative, duke iu afruar here- herë gjuhës së përditshmërisë.
Historia
e një vendi është gjithnjë historia e njerëzve të tij. Vendi, një herë është
krijuar, dhe nuk mund ta ndryshosh, por mund të punosh në të, për ta ndryshuar e
zbukuruar, duke vrarë mendjen për këtë. Autori e koncepton këtë në udhëtimin e
takimit me njerëz të profesioneve të ndryshme, fshatarë të
thjeshtë, intelektualë, punëtorë e njerëz duarartë në zanate të llollojta, duke u
ndalur tek ata njerëz që në një farë mënyre kanë një histori sukeesi dhe duke
spikatur veçoritë e secilit.
Në
këtë libër ndeshim me mjaft të dhëna të biografive personale që përbëjnë një biografi jetësore të njeriut të punës, i
cili me përkushtim ka arritur t`ia ndryshojë pamjen vendit. Dhe , në kë spikatje,
bien në sy ndërtimet e reja, të cilat me stilin e tyre të ndërtimit në një
performancë moderne, duket e kanë rrafshuar të vjetrën duke i hapur rrugë një
zhvillimi të hovshëm me vila dhe restorante apo ndërtesa të tjera, të cilat
flasin për këtë. Këtu lind pyetja nëse moderniteti e rrafshon turizmin?Në një
farë mënyre po, po gjurmëve të së vjetrës, në mjaft ndërtime të reja, u merret
një pamje, krijohet një farë stilizimi, ndërsa shikon vila apo ndërtime që
imitojnë bedenat e kështjellave, apo duke ruajtur fragmente, mure të shtëpive të
vjetra, në mënyrë që në to të shihet një ndërthurje apo prerje kohore e caktuar, që nis para e pas viteve
nëntëdhjetë. Një shembull tipik për këtë mund të shihet fotoja e restorant
“Natyra e qetë” në Lundër, ku ndërthuren e harmonizohen element të së vjetrës
me të renë një ndërtesë madhështore e ku
vihen re format e harqet e ndryshme që të sjellin tipin e kështjellës së moçme,
por edhe hijerëndësinë e modernitetit. (fq126). Në gji të kodrave gjelbëroshe të
Farkës, mund të gjesh edhe shkolla moderne, ashtu si, pas një vile të bukur me fasada xhami, mund të ndeshish në fragmente
muresh të prishura të ndërtesave të vjetra. Ky kontrast është parë mirë nga
autori dhe është fokusuar po ashtu në dhjetëra foto ilustruese , të gjitha me
ngjyra. Pranë këtyre vilave mund të shohësh gjithashtu lëndina idilike me
dele, po kështu edhe bimë të ndryshme me një dekoracion modern, por jo rrallë
mund të shohësh vreshta rrushi dhe
njerëz duke punuar në to.
Farka, kjo
zonë e valëzuar me kodra, me liqenin e saj të famshëm dhe me një sipërfaqe prej
26. 4 km2, që ka një drejtim bujqësi-blegtori –pemtari e turizëm e që përbëhet
nga disa fshatra(Farkë e Madhe, Farkë e Vogël, Lundër, Mjull-Bathore, Sauk, Selitë)
është një zonë atraktive dhe mjaft çlodhëse, e cila, edhe pse ndjen vërshimin
modern të ndërtimeve, ende po e ruan pamjen e saj natyrore dhe peizazhin idilik
të natyrës, por, në librin e Skënderit
bëhet një prerje horizontale e historisë së saj, e lashtësisë dhe e së
sotmes. Autori ka preferuar që ta vjelë të dhënën historike përmes bisedës edhe
pse , aty –këtu, citon ndonjë të dhënë që
merret nga literatura. Krahas fiseve autoktone para shekullit 19, erdhën në këtë
vend edhe fise nga Elbasani, Kavaja, Dibra, Mati etj , dhe u shkrinë me popullsinë
vendase , ashtu si, pas viteve 90 , në këtë vend, si në gjithë zonat e tjera të
Tiranës, erdhën njerëz nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. E gjithë historia e
Farkës është historia e njerëzve punëtorë që ditën ta shohin punën në lidhje me
dobitë që krijonte natyra, historia e njerëzve që ditën ta ruajnë tokën për
drithëra bujqësore e që sot fatkeqësisht këtë tokë të pakët ta betonizojnë pa
kriter.
Skënderi
zotëron një informacion të pasur për historinë e fiseve, për figurat e
shquara të kësaj zone, për pronat e
tyre, duke dëshmuar seriozitet në dhënien e këtij infromacioni, të detajuar dhe
të mbështetur mirë në të dhëna autentike gojore. Duke përshkruar bukuritë
natyrore të Farkës ai e vendos këtë zonë në kontekstin e një zhvillimi të
fuqishëm urban, po ku ende ajo që quhet fshat nuk është tërhequr. Pra kemi të
bëjmë në formimin e një zone mikse. Kjo duhet parë mirë, -sikur apelon autori, -duke
u studiuar mirë nga autoritetet dhe duke stimuluar prodhimin vendas e duke bërë
kujdes me ndërtimet, që ato të mos e kërcënojnë në mënyrën e tyre të
katrahurshme natyrën.
S. Farka
krijon një marrëdhënie të natyrshme me lexuesin, duke krijuar në ligjërimin e
tij sytha të pafundme episodesh dhe informacioni të freskët. Ai ka krijuar një
përvojë të gjatë në këtë konceptim të prozës së tij, sepse ky libër është botimi
i tij i pestë në nismën e vet personale për kolanën e 135 fshatrave të
Tiranës. Librat e tij, si ky i fundit, janë një derdhje e bollshme dhe e lirë e
informacionit , gërshetuar kjo me aftësinë e tij përshkruese në portretizimin e
mjaft njerëzve. Kjo lëndë e pasur jetësore e ka ndihmuar atë jo vetëm të futet
në histori njerëzore, por edhe të krijojë përmes tyre prototipin e njeriut
gjithëkohor, i cili , çfarë ka të sotme, e ndërlidh me të shkuarën. Portretizimi
i njerëzve vjen me veçorinë e secilit, dhe kjo na sjell hetueshëm, punën dhe
vëmendjen e autorit Skënder Farka krijon
një gazetari investigative dhe njëkohësisht këtë e mbështet edhe në njohuritë e
veta të gjera shkencore. Përshkrimi i detajuar i natyrës(mikrotoponimia dhe
relievi), shoqëruar edhe me harta e fotografi , i jep kësaj vepre karakter
rigoroz shkencor, por nga ana tjetër narrativa e jetës njerëzore e afron atë me
letërsinë artistike, dhe këtu kemi disa ndërthurje të llojeve të
ligjërimit. Ligjërimi artistik krijon lehtësinë
me komunikimin tekstor për një lexues të nivelit të ndryshëm, por sjell
freski dhe konceptim poetik në komunikimin midis lexuesit dhe tekstit. Libri i
Farkës është edhe një guidë turistike, por jo vetëm kaq; se, krahas guiditimit
aty mund të futemi në një botë të pastër dhe të ngrohtë të tiranasve të mirë, të
njerëzve punëtorë e liridashës, që kurrë nuk e ndrydhën zemrën, dhe këtu ngrihet
lart dhe pranohet nga të gjithë fisnikëria emblematike e tiranasit zemërgjerë e
bujar me shpirt human e qelibar. Puna pasionante e Skënder Farkës rezulton në
një korpus veprash të rëndësishme dhe siç duket nuk do të ndalet deri këtu. Ai
është një eksplorues i natyrës, fshatit, historisë, traditave , arkeologjisë dhe , mbi të gjitha, i botës njerëzore, i
njeriut dhe fshatarit e qytetarit
tiranas , i lidhur pazgjidhshmërisht me tokën e tij, duke e zbukuruar atë çdo
ditë e duke e lartësuar imazhin e jetës në kushtet moderne.