Kerko: a
Agron Tufa: Kur këndonin gjelat e tretë
E merkure, 03.06.2020, 02:20 AM
KUR KËNDUAN GJELAT E TRETË
Nga
Agron Tufa
Bëj
kryqin. Në murin përballë më vështrojnë sytë e trishtuar engjëllorë të Shën
Mërisë. Mure të spërkatur me gjak të tharë. Mure të spërkatur me gjak të ri, të
patharë mirë. Me gjak të freskët torturash. “O Zot, përse këtu, në shtëpinë
Tënde?” Por tani mori fund. Vendimi u dha: me pushkatim!
Kur
kënduan gjelat e tretë, erdhën e na morën. Na zbritën jashtë qytetit. Në një
bokërrimë. Gjithsej 12 të dënuar. Të lidhur dy nga dy. Njerëz të mirë. Të
shkolluar. Atdhetarë të mirë. Një dorë e kualifikuar kriminale, me përvojë të
gjatë antishqiptare, duket se na ka përzgjedhë me kujdes. Kapteri ndezi
prozhektorët.
-
Ti, prifti reaksionar, At Gjergj Suli, dil nga radha!
-
tha ai. – Do të pushkatohesh i fundit. Duhet t’i bekosh të gjithë, para se të
zbresin të falur në botën tjetër.
Toga
e pushkatimit përballë. Rrapëllima shulash. Po fjala e fundit? Ndonjë porosi?
Ndonjë peng? Ndonjë amanet? Doja dhe unë të lë amanet. Se po vdes i pastër para
Zotit e popullit tim. Pa damkën e tradhëtisë, me të cilën më njollosi drejtësia
gjakatare e komunistëve. Por plumbat qenë më të shpejtë se amanetet. Radha u
kosit brinjazi. Togeri me çizme lëkure i
ktheu
në shpinë. Mjeku u përkul të verifikonte vdekjen në mbarim të agonisë. “Këto
janë pamjet e fundit që
po
marr nga kjo tokë, të cilës i shërbeva me shpirt, këngë, vargje dhe uratë”.
Togeri
më kap nga jaka e veladonit. Nën ndriçimin e prozhektorëve më vë koburen në
tëmtha e thotë:
-
S’kam asgjë personale me ty, Atë. Është thjesht çështje detyre...
Mandej,
duke mposhtur të qeshurën nën hundë, shton, pa e hequr grykën e kobures nga
tëmthat e mia:
-
Ju e kuptoni, Atë i nderuar, dhe jam i sigurt, se do të luteni për mua... në
botën tjetër! Natyrisht, nuk ishte nevoja të ma kujtonte këtë xhelati im. Do të
lutesha...
Po
pse duhet të zgërdhihet ashtu? Krisma buçitëse e kobures më
shpërqendroi.Dalëngadalë, gjithçka nisi të kthjellohej, tok me ndjesinë e
lehtësimit nga barra tokësore.
Onufri, 2019