Kerko: a
Florim Zeqa: Gardianët e mbrojtën Kushtetutën e jo Albinin e Hashimin!
E diele, 31.05.2020, 12:21 PM
Gardianët e mbrojtën Kushtetutën e jo Albinin e Hashimin!
Shkruan:
Florim Zeqa
Kapërcimin
e harkut kohor nga muaji i dredhëzave në atë të qershive, e bëri më të ngrohtë
vendimi i kushtetueses sesa rrezet e ngrohta të diellit.
Testi demokratik i
zgjedhjeve të 6 tetorit 2019
Demokracia
është ligji demokratik i cili i jep mundësinë popullit që përmes zgjedhjeve të lira të zgjedhë pushtetin dhe
qeverisjen që e dëshiron. Këtë të drejtë populli e realizon një herë në 4 vite
duke dërguar në parlament përfaqësuesit e tij të preferuar.
Deputetët
e zgjedhur në legjislaturën e re të Kuvendit janë organi më i lartë ligjvënës,
të cilët e kanë drejtën e zgjedhjes dhe të shkarkimit e të gjithë drejtuesve të
institucioneve tjera shtetërore, përfshirë presidentin, kryeministrin,
kryeparlamentarin si dhe Gjykatën Kushtetuese.
Një
fjalë e urtë italiane e thotë; "Çdo vend e ka qeverinë që e meriton"
("Ogni paese ha il governo che si merità").
Prandaj,
asnjë forcë politike dhe asnjë liderë partiak nuk e ka të drejtën që të veprojë
në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën, që në mënyrë të dhunshme t'ua imoponoj
qytetarëve vullnetin e tij politik, pra as zgjedhjet e parakohshme si mjet për
realizimin e qëllimit politik.
Qytetarët
e vendit e kaluan me sukses testin demokratik në zgjedhjet e 6 tetorit 2019,
por jo edhe politikanët.
Ishte i pritshëm
dështimi i koalicionit qeverisës LVV-LDK
Koalicioni
LVV-LDK ishte konsideruar i dështuar nga qytetarët e vendit, për shkak të
betejës së gjatë për ndarjen e "gjahut" apo tortës qeveritare, e cila
kishte çuar në humbjen e imazhit pozitiv që kishin këto dy parti politike para
zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.
Mirëpo,
imazhi i LVV-së dhe LDK-së para qytetarëve të vendit ishte dëmtuar akoma më
shumë pas përfundimit të zgjedhjeve në mosmarrëveshjen e gjatë mes tyre për
ndarjen e gjahut të pushtetit, e të mos flasim tani pas prishjes së koalicionit
qeverisës, saqë më nuk po konsiderohen forca të ndryshimit politik në vend.
Acarimi
i raporteve në mes këtyre dy subjekteve, i ka kthyer LVV-në dhe LDK-në rival të
fuqishëm politik dhe thyerëse të shpresave të qytetarëve për ndryshim të
shpejtë në Kosovën e katandisur nga antivlerat.
Siq
shihet, ka qenë e pritshme që edhe Albin Kurtin e pret fati i kryeministrave
paraprak, Thaçit, Mustafës dhe Haradinajt, duke mos e arritur përmbushjen e
mandatit të plotë 4 vjeçar si kryeministra të vendit.
Mirëpo
as pesimistët më të mëdhenjë nuk e kanë pritur një përfundim kaq të shpejtë të
'Qeverisë Kurti'!
Për
ta dëshmuar këtë që ceka më sipër po ua ilustroj me një prononcim timin disa
javë para formimit të 'Qeverisë Kurti', në një prononcim të datës 17 dhjetor
2019, po citoj; "Edhe po që se arrijnë marrëveshje në minutat e fundit për
çështjen e presidentit, do të jetë kjo një marrëveshje e zorit, e një
koalicioni jo natyral dhe jo parimor. Qeveria Kurti, jo vetëm që nuk do ta
përmbush mandatin 4 vjeçar, nuk pritet të shkojë më gjatë sesa në pranverën e
vitit 2021. Arsyet që mund ta lënë në gjysmë mandatin e qeverisë Kurti janë të
shumta. Fillimisht do të jenë pakënaqësitë e ndërsjella të dy partnerëve në
koalicion, të cilat gjatë rrugëtimit do të prodhojnë kriza të pa evitueshme, si
pasojë e rikonfigurimit të grupeve parlamentare në Kuvend”.
Zgjedhjet e shpejta nuk
sjellin ndryshim
Shkuarja
në zgjedhje të reja në afatin e shkurtër kohor do të ishte vetëm një maltretim
për qytetarët e zhgënjyer, për shkak se do ta kemi përafërsisht të njëjtin
rezultat zgjedhor, me plus-minus 5 për qind të votave të elektoratit për
subjektet aktuale e jo më shumë se kaq.
Nga
zgjedhjet që do të vijnë, ndryshimi pozitiv me votë duhet të jetë akoma më i
madh në favor të nismave dhe partive të reja politike, të pa korruptuara, ngase
në këtë mandat qeverisës, u shfrytëzua rezultati i ngushtë i partive fituese
për ta kontrabanduar votën dhe abuzuar edhe Kushtetutën.
Në
zgjedhjet e reja do të ndëshkohen pamëshirshëm partitë fituese të zgjedhjeve të
6 tetorit (LDK dhe LVV) që rrëmbyen besimin e elektoratit me premtimin për
ndryshime rrënjësore, por që dolën të jenë një mashtrim i madh për qytetarët.
Me këto parti politike të konsumuara nuk do të ndodhë asnjëherë ndryshimi në
vendin tonë.
Dështimi
i koalicionit LVV-LDK nuk erdhi si rezultat i aspekteve programore dhe as i
ndarjes së "përgjegjësive", por si pasojë e egos për pushtet,
përkatësisht për dominim ndaj njëra-tjetrës në qeverisjen e vendit, duke u
sjellur me njëra tjetrën si rival politik e jo si partner të koalicionit
qeverisës.
Tani
kur jemi në pritje të shpalljes së aktgjykimit të plotë të Gjykatës
Kushtetuese, të gjithë duhet ta kuptojmë një gjë, se vendimi i kushtetueses nuk
ka të bëjë me persona fizik, por me mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe
ligjshmërisë në vendin tonë.
Pra,
gardianët e kushtetueses e mbrojtën Kushtetutën e jo liderët politik, nuk e
mbrojtën Albinin e as Hashimin, por e mbrojtën udhëzuesin juridik të vendit
tonë, për çka edhe janë të mandatuar.
Vendimin
e Gjykatës duhet ta respektoj parashtruesi i kërkesës, në të kundërtën e demaskon veten si subjekt antikushtetues në
këtë vend.
Vakumet
ligjore që ndodhen në udhëzuesin juridik (Kushtetutë), janë çështje tjetër me
të cilën duhet të merren me urgjencë ekspertët ligjor dhe ligjëvënësit e kësaj
legjislature, për të mos na u përseritur edhe në të ardhmën të njëjtat konteste
dhe çrregullime ligjore.
Meqë
shkrimin e fillova në mënyrë metaforike, ashtu edhe po e përfundoj;
"kujdes mos i lagni qershitë, se pas rrezeve të diellit do ta keni të
vështirë t'i dalloni"!
Do
të keni përseri nevojë edhe në të ardhmën për ndihmën e gardianëve të kushtetueses!