Kerko: a
Agron Tufa: Portrete kriminelësh e kopukësh të pandëshkuar
E marte, 26.05.2020, 12:45 PM
PORTRETE KRIMINELËSH E KOPUKËSH TË PANDËSHKUAR
Nga
Agron Tufa
Sot
Lekë Imeraj është një person i respektuar. Së paku, së jashtmi. E quan veten
"shkrimtar" (aq sa ka të drejtë ta quaj veten kushdo që bërllokun e
shkronjave e hedh dhe e boton me paret e veta), por këtë alibi ia ka ushqyer
edhe e ashtuvetëquajtuna "Shoqata e shkrimtarëve" të Shkodrës, anëtar
i së cilës pretendon se është. Nuk e di në ekzistojnë (pas rënies së LSHA të
Shqipërisë) degë të një trungu të vdekur, por e zëmë se ekziston. Asgjë të keqe
nuk ka. Atëherë a ia ka idenë kjo shoqatë se kush është anëtari i saj, Lekë
Imeraj, i cili promovon librat e vet (ndër to dhe mbi "diktaturën")
me emrin e kësaj shoqate? Kuptohet që biblioteka publike e Shkodrës "Marin
Barleti" ku bëhen promovimet e librave të tij, ashtu dhe studiot televizive
që transmetojnë intervistat e çupërlinave me këtë farë personaliteti - asgjë
nuk dinë e s'kanë si të dinë për Lekë Imerin e para viteve 1991. Me një gërmë
shtesë në fund të mbiemrit ai tashmë është një "personalitet tjetër",
shkrimtari, psikologu, azilant politik në Gjermani dhe aspak jo më Oficeri i
Drejtimit i Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale në MPB (1983-1991), një bishë
e pangopur, e tejzellshme në sherbim të terrorit më egër të diktaturës. Është
protagonisti i zi i shtypjes së Revoltës së 22 majit 1984 nga të burgosurit
politikë, në krye të forcave speciale nga MPB. Është bash njai, sipas dhjetra
të mbijetuarve, që merr megafonin në dorë dhe nga lartësia e Vendrojës u jep
ultimatum të rebeluarve të dorëzohen për 5 minuta. Pastaj e flak megafonin, që
rrokulliset nëpër gurë. Fill pas kësa "bunace" 5 minutëshe fillon
sulmi i bishave të Lekë Imerit në kamp tok me togën e policisë së Edmond Cajës.
Dihen rezultatet e asaj masakre: Sandër Sokoli vdes në tortura, Konstandin
Gjerdeni merr plumb në shpatull, dhjetra të rrahur për vdekje (Ahmet e Skënder
Tufa, Haxhi Baçinozi, Bedri Blloshmi, Bajram Vuthaj, Dush Martini, etj) dhe në
fund, dy të pushkatuar me gjyq: Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli. Kjo qe vepra e
"shkrimtarit" Lekë Imeri në bashkëpunim me kriminelin Edmond Caja në
burgun e Qafë Barit me 22 maj 1984. Për ironi, kjo dyshe e zezë e MPB
Imeri-Caja sot gjenden me azil politik në Gjermani.
Në
një replikë të para dy viteve Lekë Imeri replikon "ashpër" me ish të
burgosurin e QB Lek Mirakaj, duke bërë presion në stilin e "psikologut"
dhe i kërkon atij "t'i lypë ndjesë" publike për shpifje (Zot ruana
fiqirin!).
Unë
personalisht, duke besuar se shpreh dëshirën e mijëra njerëzve për drejtësi,
propozoj, që kur në Shqipëri të kthehet sërish shteti demokratik, kur të bjerë
neodiktatura, atëherë këta kriminelë duhet, që në marrëveshje me shtetet ku
janë strukur dhe në bazë të kallëzimeve penale, të ekstradohen në Shqipëri, apo
kudo tjetër, në Hagë, nëse doni, që të japin llogari para drejtësisë, njëlloj
siç është bërë jo pak herë me eksponentë të lartë e të thjeshtë të nazizmit.
Ndërsa
për ta restauruar të plotë portretin e "shkrimtarit" Lekë Imeraj,
ndiqni se përmes cilës "kudhër" është kalitur kjo kudër:
Lekë
Imeri nga Lekbibaj Tropojë. Me Arsim 2-vjeçar pedagogjik. Oficer kufiri dhe
policie
Karriera kryesore:
1976-1979
instruktor në Repartin 305 Sarandë
1979-1982
zëvendëskomandant i Repartit 305 Sarandë
1982-1983
komandant i Repartit 315 Lezhë
1983-1991
oficer drejtimi i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale në MPB
1991-1992
drejtori Burgut të Tiranës