Kerko: a
Salajdin Salihi: Përditshmëri e ngufatur dhe idilë e humbur
E shtune, 23.05.2020, 11:26 AM
PËRDITSHMËRI E NGUFATUR DHE IDILË E HUMBUR
Blerim
Rrecaj, Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh, Prishtinë, 2020
Nga
Salajdin SALIHI
Gjurmë
kujtimesh e ngjyra stinësh është libër mikst: me skica,poezi dhe shkrime.
Pjesa
e parë përfshin njëfarë ditari letrar, një meditim në vetmi. Pjesa e dytë
përfshin poezi intime, refleksive dhe sociale. Pjesa e tretë është përmbledhje
shkrimesh mbi dukuritë dhe shqetësimet e përditshmërisë sonë.
Blerim
Rrecaj, ky pjesëtar i brezit që ka etje e uri «për më shumë liri e dashuri»,
arrin ta shprehë ndjeshmërinë e brezit të tij. Ai shkruan me diskurs prej
letrari duke u frymëzuar nga përditshmëria. Ai shkruan me gjuhë të këndshme
figurative, të qartë dhe të kursyer, duke u fokusuar në detaje që i japin
kuptim jetës. Ai shkruan për shqetësimin dhe tjetërsimin e njeriut në një botë
çudirash teknologjike, që e kanë ndryshuar kiminë e intelektit tonë. Të joshur
prej një bote virtuale, që vazhdimisht bombardohet me informacione të shumta, e
humbim botën reale, duke ngjarë me Don Kishotin para kthjellimit.
Ai
shkruan për një botë psherëtimash, me vajza të bukura që vriten prej
telenovelave. Ai shkruan për botën e ngufatur nga rutina. Ai shkruan për botën
e reklamave dhe sensacioneve, me probleme të trashëguara, që na e ngadalësojnë
hapin gjatë rrugëtimit tonë. Ai shkruan për botën e falsitetit, makutërisë,
botën me «bollëk boshllëqesh», «n’presion e n’tension», ku punët «mbesin
përgjysmë».
Shpesh
i rikthehet botës së idilës, botës së paqme e të fisme. Mbase vjen dita kur
njeriu do të provojë të çlirohet nga makthi I teknologjisë dhe të jetë më pranë
natyrës, kësaj poezie misterioze, siç e quan Montenji.
Ky
ëndërrimtar në shërbim të artit dhe të një bote më të bukur e më të fisme, i
pakënaqur nga përditshmëria, kthehet në ishullin më mbresëlënës, atë të
fëmijërisë. Është kthim në kohë, kthim në ishullin e prehjes, qetësisë, idilës,
paqes, shpresës. «Nga jeta e tashme hidhemi në strehën e kujtimeve të
fëmijërisë, për t’iu shmangur paksa të reshurave të përditshmërisë», shkruan
Rrecaj.
Përshkrimet
e tij më shumë janë ekspresioniste sesa impresioniste. Ai shkruan me fjali të
shkurtra (një fjali një mendim), duke e ruajtur koherencën e asaj që rrëfen. Ai
e kërkon rregullin - harmoninë - kozmosin në një “panoramë kaotike”, që
tronditet nga lajmet e kronikës së zezë.
Duke
lexuar këtë libër vërejmë se autori ka kulturë solide jo vetëm të shkrimit, por
edhe të leximit. Ai shpesh u referohet mendimtarëve dhe poetëve të ndryshëm.
Artistin nuk e bën vetëm talenti, por edhe kultura e madhe. Libri «Gjurmë
kujtimesh e ngjyra stinësh» të krijon kënaqësi estetike. Besoj se këtë kënaqësi
do ta ndjejnë edhe lexuesit tjerë të këtij libri mikst.