Kerko: a
Enver Bytyçi: Thaçi-Rama - Mirëkuptim me Serbinë, konflikt me shqiptarët!
E marte, 12.05.2020, 12:04 PM
Logoja Thaçi-Rama: Mirëkuptim me Serbinë, konflikt me shqiptarët!
Nga
Enver Bytyçi
Formula
e përçarjes për të qeverisur ka qenë gjithmonë gjetja më e përshtatshme e
diktaturave. Ndërsa vitet e fundit ky model qeverisjeje na shfaqet si
përditshmëri në qeverisjen e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në Tiranë është
kryeministri ai që nuk i ndahet konfliktit me shqiptarët, sidomos me opozitën e
vendit. Por nuk i ndahet as konfliktit me homologët e tij në Kosovë. Në
Prishtinë është Hashim Thaçi skenaristi i nxitjes së sherreve dhe konflikteve
me spektrin politik të vendit të tij, sipas parimit përça e sundo!. Dhe gjithë
rrëmujën që bëjnë si Rama edhe Thaçi e quajnë “lojë politike” ose “shah
politik”, duke i dhënë legjitimitet dasive, dhunës dhe armiqësive në mesin e
faktorit politik shqiptar!
Metoda
është e njëjtë për të dy:- Marrin vendime, firmosin projekte dhe më pas i
ftojnë shqiptarët dhe opozitarët që t’i mbështesin ata. Nëse nuk vjen
mbështetja, atëherë fajësohen kundërshtarët! Edi Rama shpalli këto ditë
projektin e kanabizimit të Shqipërisë. Dhe fill pas kësaj i kërkoi opozitës dhe
presidentit të vendit të takohen për të bashkëpunuar lidhur me procesin e
integrimit. Ndërsa se duhet që opozita të konsultohet për çdo ligj e projekt të
brendshëm, ky nuk është problem i kryeministrit! Problemi i tij është suksesi
personal, protagonizmi përfitues dhe pasurimi përmes taksave të shqiptarëve!
Hashim
Thaçi ka shpallur ndërkohë që në marsin e vitit 2018 projektin e ndarjes së
Kosovës, duke e shoqëruar atë projekt me sloganin “Të bashkohemi dhe ta
firmosim ndarjen me Serbinë”! Ata që nuk i janë përgjigjur i ka shpallur armiq
të Kosovës, madje edhe armiq të Europës e të Amerikës! Ani pse kundërshtarët e
ndryshimit të kufijve janë kundër Serbisë, të cilës Thaçi për përfitime
personale dëshiron t’ia japë së paku 10 përqind të territorit të vendit, madje
pjesën më të pasur të Kosovës! I teket një ditë dhe dëshiron të shpallë
gjendjen e jashtëzakonshme! Dhe kush del kundër, ai shpallet “fashist”,
“komunist”, “nacionalist”, shkurt armik i demokracisë! Vetëm projektet e Thaçit
dhe Ramës janë konformë kornizave demokratike.
Kryeministri
i Shqipërisë i urren kryeministrat e Kosovës, kur ata nuk i binden vullnetit të
tij. Urrejtje ekstreme ka dëshmuar ai kundër Ramush Haradinajt. Tani nuk denjon
t’i përgjigjet kërkesës së kryeministrit Kurti për bashkëpunim, duke shpërfillur
rregullat elementare të protokollit shtetëror. Ai e pati denigruar vetë Isa
Mustafën dhe LDK-në kur qeverisnin në Kosovë! Atëherë shkoi në Prishtinë dhe
injoroi liderin historik, Ibrahim Rugova, ndërkohë që i bëri vizitë ceremoniale
Qexhep Qosjes!
Por
asgjë e tillë nuk ka ndodhur në marrëdhëniet e Thaçit e Ramës nga njëra anë si
dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, nga ana tjetër. Lajmet bëjnë me dije se
Hashim Thaçi nuk i ndërpreu takimet sekrete fizike me presidentin e Serbisë as
në kohë pandemie. Po ashtu Edi Rama. Të dy këta kanë komunikuar rregullisht me
Beogradin në kanale të ndryshme përfshirë dhe aktivizimin e korrierit të
spiunazhit politik, Baton Haxhiu.
Kush
e mendonte para shtatë vitesh se dy liderët kryesorë të Shqipërisë dhe Kosovës
do të bashkoheshin pa asnjë kushtëzim me liderët politikë të Serbisë dhe
ndërkohë do të luftonin si kundër Milosheviçit ndaj kundërshtarëve të tyre
politikë shqiptarë! Thuhet shpesh se ne shqiptarët nuk e duam njëri-tjetrin!
Por asgjë nuk e justifikon faktin qe Edi Rama dhe Hashim Thaçi sa më shumë
afrohen në miqësi me Beogradin aq më tepër thellojnë dhe ashpërsojnë
marrëdhëniet e tyre me kolegët shqiptarë!
Politika
e armiqësive është karakteristikë e diktaturave të majta e të djathta.
Shqipëria dhe Kosova kanë patur rastin që të mësojnë se cilat janë pasojat e
politikave të tilla të dasive dhe përçarjes! E gjitha ka për qëllim pushtetin!
Miqësia me Beogradin shihet prej dy protagonistëve të politikës shqiptare si
garanci për ta konsoliduar pushtetin e tyre. Ndërsa armiqësia e brendshme u
shërben atyre për të mobilizuar militantët politikë po për arsye të ruajtjes së
pushtetit! Përmes pushtetit të dy ata, kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti
i Kosovës, ruajnë dhe zhvillojnë gjithashtu pasurinë e tyre të grabitur me
dhunë shtetërore!
Ndaj
dhe të dy vendet tona, të dy shtetet shqiptare, lëngojnë nga korrupsioni, krimi
i organizuar dhe arroganca e pushtetit! Ndaj tek ne nuk ka balancim e pavarësi
të pushteteve, ndaj kontrollohet gjithçka, edhe jeta e qytetarëve, ndaj rritet
varfëria e bashkë me të papunësia. Ndaj mungon vizioni për zhvillim! Sepse
progresi dhe përparimi, mirëqenia dhe drejtësia shoqërohen nga bashkëpunimi e
dialogu, nga transparenca dhe mirëkuptimi, nga nevoja për të shpjeguar dhe për
të dëgjuar! Edi Rama dhe Hashim Thaçi dëgjojnë për këshillat dhe rekomandimet e
presidentit të Serbisë, por jo edhe të partnerëve politikë në Shqipëri e në
Kosovë!