Kerko: a
Xhemaledin Salihu: Çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës...
E hene, 11.05.2020, 05:44 PM
Çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kërkesat për bashkim me Kosovën, në raport me bisedimet Kosovë-Serbi
/Me këtë punim u paraqita në Kuvendin
Mbarëkombëtar për gjuhësi, histori dhe etnokulturë, në Tiranë, më 9-12 maj 2019
dhe në Konferencën shkencore në Mitrovicë, më 2019/
Shkruan : Xhemaledin SALIHU, profesor
Hyrje
Lugina e Preshevës, Kosova Lindore, banohet me shumicë shqiptare
dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në
territorin e Dardanisë, e cila kryesisht shtrihet përgjatë lumit
Moravë dhe Vardar.
Luginën e Preshevës e përbëjnë komunat e Preshevës, Bujanocit dhe
Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale
dhe gjeografike). Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kap një hapësirë
prej 1.249 km katrorë me rreth 100.000 banorë. Prej tyre shumica absolute e
popullatës është shqiptare: 58% (në Preshevë rreth 95%, në Bujanoc rreth 65%
dhe në Medvegjë mbi 35%), ndërsa popullata tjetër është serbe dhe rome.
Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në këto zona
përmes kolonizimit pas shpërnguljeve me dhunë të Shqiptarëve nga Sanxhaku i
Nishit, për në Turqi (1912-13),
Reformave agrare më 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit
(1953-1966).
Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës,
Lugina u zbraz, sidomos u shpërngul popullata shqiptare nga Medvegja, pastaj u
shpërngul popullata e Malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, duke mos i
përballuar trysnive dhe diskriminimit të pushtetit serb. Në Medvegjë kishte
5.000 banorë shqiptarë, më vitin 1981, ndërsa tashti kanë mbetur më pak se 500
banorë shqiptarë.
Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin
rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë
dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional, për krijimin e
shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe
Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, pra Korridori
10, të cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe
kontinente, Evropën me Azinë.
Lugina e Preshevës para Luftës
së Dytë Botërore
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre
me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë
në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të
ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim e bashkim kombëtar.
Patrioti preshevar, Ibrahim
Kelmendi thotë: “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, ndërsa historiani nga
Nasalca, Dr. Shukri Rahimi thotë:”Historia e popullit shqiptar është e pa
ndarë, prandaj edhe, këto treva i konsiderojë si të tilla, të ndara
artificialisht.
Shqiptarët e Preshevës dhe
të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës
Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë
ballë asimilimit, gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive
në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por
krenare dhanë kontributin e tyre të
çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm
sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të
shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme
Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28
nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone.”
Lugina e Preshevës qysh në
Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit
Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Shqiptarët e Kosovës
dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër në rajon. Shqiptarët e Luginës morën
pjesë në të gjitha luftërat që i bëri Mbretëria e Dardanisë kundër pushtuesve
të ndryshëm.
Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën
sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e
vështirë nën sundimin turk otoman, andaj Shqiptarët e Luginës së
Preshevës gjatë viteve
1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh
Salihu, patrioti Sylejman Toli i Mëhallës së Tolëve nga Tërnoci, e shumë patriotë të Luginës ngritën zërin kundër zbatimit të
Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë
tatime të mëdha pushtetit otoman turk.
Kjo kryengritje e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nën
udhëheqjen e Dervish Carës, më vitin 1844, ishte kryengritje për Shqipëri Etnike, e cila
kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni
dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë.
Më 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit morën pjesë edhe delegatët e Kazasë së Preshevës: Sheh Maksut Efendiu,
Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi.Sheh Maksut Efendiu
u zgjodh kryetar I Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pë Kazanë e
Preshevës.
Pas Kongresit të Berlinit, më vitin 1878, Kazaja e Preshevës i
takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë
e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri më vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e
Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e
Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin
1945.
Kryengritja e Shqiptarëve
të Luginës së Preshevës kundër Perandorisë Otomane me në krye të Madhin Idriz
Seferi.Të përmendim Hasan Kadriun-Plakun e Preshevës, Kurtë Tërrnavën, Mulla
Sinan Maxheren e të tjerë.
Durmish Presheva i
Rahovicës ishte pjesëmarrës në Kryengritjet e viteve 1910-1912, për çlirimin e
Shqiprisë, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar dhe më 2012, në 100-vjetorin e Pavarsisë së
Shqipërisë u nderua me statusin “ Dëshmorit të Atdheut” nga Ministri shqiptar i
Mbrojtjes së Shqipërisë, Z. Arben Imami.
Në prill të vitit 1941, në
Shkup u themelua Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, me shumë
patriotë: Shaban Efendinë nga Kumanova, i lindur në Preshevë, Abdulla Saqipin,
kryetarin e Shoqatës “Besa” në Beograd, me Shaip Mustafën, i cili konsiderohet
më kontribuesi i vuarjes së Flamurit shqiptar në Urën e Gurit në Shkup, më
1941, me Abdulla Haxhi Veliun e Preshevës, i cili ishte tregtar dhe përfaqësonte
për atë kohë borgjezinë e re. Ai me kontributin e tij të madh dha shembull
humanisti dhe si duhet të ndihmohet edhe çështja shqiptare, por edhe popullata
shqiptare, sidomos ajo e Malësisë së Preshevës. Për te Ibrahim Meçaj nga
Gjakova më 1977 më tha: Edhe tregtar edhe i ndershëm,vetëm ai ishte, me Hfz
Lutfi Ahmetin nga Presheva, Shaban Bugarinën,Nijazi Kurbalinë e të tjerë.
Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar kërkoi
që Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë
Etnike.Një delegacion i Lëvizjes shkoi në Shqipëri, për ta njoftuar qeverinë
shqiptare mbi kërkesat e saja.
Lufta e Dytë Botërore
ndodhi edhe në Luginë të Preshevës, në këtë luftë antifashiste morën pjesë
Abdullah Krashnica, Selim Selimi, Xheladin Kurbalia, Selami e Shenasi Hallaçi,
Qemal Shehu, Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë.
Selami Hallaçi, sëbashku me
nëntë shokët u varr në Prizren, më 29 gusht 1944 nga Gestapoja gjermane.
Abdullah Krashnica-Presheva
u dekorua me “Urdhërin e Lirisë”, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit
nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Z.Atifete Jahjaga.
Në Luginë të Preshevës
ndodhi Rezistenca e armatosur e Shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjatë Hekurudhës
Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, nën udhëheqjen e Lidhjes së Dytë Shqiptare të
Prizrenit, me komandant Mulla Idris Gjilanin. Në Preshevë ndodhi “Kohë e
Shipnisë”, kur në Preshevë për herë të parë, kryetar u zgjodh Adem Kamberi, i
quajtur nga populli edhe Kamber Aga, të cilin më vonë e zëvëndësoi Skënder
Kadriu, patrioti Ibrahim Kelmendi, Limon Staneci, Sylejman Ashkiu, pionerë të
gazetarisë shqiptare në Luginë, Ali Syla Staneci , Ajet Rainca, Lam Breznica e
të tjerë.
Ibrahim Kelmendi u dekorua
me “Urdhrin e Lirisë”, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, nga
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Lugina e Preshevës pas Luftës së Dytë Botërore
Pas Luftës së Dytë Botërore,
pas viteve 1948 të përmendim mësuesin
dhe patriotin e NDSH-së Mark Gashin, pastaj patriotët: Ali Aliu, Shenasi
Hallaçi, e të tjerë.
Shinasi Hallaçi, mësues në
Preshevë, një desident i kohës, sidomos gjatë Inforbyrosë kritikonte ashpër PK
Jugosllave, dënonte ashpër Turqinë dhe shpërnguljen e Shqiptarëve për Turqi,
ndërsa lavdëronte Shqipërinë.Shenasi Hallaçi ishte ndër të vetmit shqiptar, i
cili në çfarëdo situate politike i ndejti besnik idealeve dhe atdhedashurisë.
Më 1948, pas shpalljes së Rezolutës së Burosë Informative u shtua
represioni. Disa
personalitete u rradhitën me Informbyronë, duke shpresuar në floskulën e
Stalinit dhe Rusisë se Krahina e Preshevës, me Kosovën do t’i bashkangjitet
Shqipërisë.
Kështu, në këtë kohë, në Preshevë u shtrua kërkesa gjithëpopullore
dhe me nënshkrime, qytetarët shqiptarë shprehën kërkesën e tyre për bashkim me
Kosovën dhe Shqipërinë, në kuadër të Lëvizjes për Bashkim të Trojeve Shqiptare.
Edhe në Preshevë ndodhi
Aksioni famëkeqe i mbledhjes së armëve, kur u keqtrajtuan Shqiptarët e kësaj
krahine, gjatë viteve 1955-56.
Poashtu gjatë këtyre viteve
ndodhi edhe Aksioni i Heqjes së Ferexhesë, kur Demirali Ramadani-Hoxha, i pari
për shembull i hoqi ferexhenë vajzës së vet, Kadrije Ramadanit-Qerimi.
Pas vitit 1966, pas
Plenumit të IV, të përmendim themelimin
e Klubit të Studentëve “Haki Limani” në Preshevë, të cilin e udhëhoqën Rexhep
Ismajli, Riza Halimi, Sabedin Hetemi, Xhemaledin Salihu.
Klubi i Studentëve në
Preshevë u themelua pas vitit 1968, atëherë kur Evropën Perëndimore, po edhe
Preshevën e kaploi një Lëvizje e re, e fuqishme studentore, Lëvizja e
Studentëve të Preshevës që do të shpërndante ndikim të madh shoqëror në të
gjitha shtresat shoqërore në atë kohë.Klubi i Studenteve u themelua në sallën e
Komitetit komunal të Preshevës, në prani të studentëve preshevarë, të cilët
zgjodhën udhëheqësinë e Klubit dhe ia vuan emrin e patriotit Haki Limani, të
mbytur në Prishtinë, siç thuhet nga UDB-a. Klubi i Studentëve menjëherë filloi
të propagandoj barazi nacionale, kërkesa për të drejta të arsimimit të të
rinjve shqiptarë, sidomos të Preshevës e Bujanocit, përdorimin e lirë të
Flamurit Kombëtar, barazinë e gjuhës shqipe, kërkesa për punësimin e të Rinjve
shqiptarë sipas strukturës nacionale të popullatës, të cilën edhe e praktikoi
kryetari i atëhershëm, patrioti Mehmet Jusufi.
Në demonstratat e vitit
1968, të përmendim Shenasi Veliun,student i juridikut,që udhëtoi në ditën e 28
nëntorit 1968, me autobusin e “Jug-Turistit”, duke bartur në dritare Flamurin Kombëtar
nëpër vendbanimet e Kosovës, nëpër Bujanoc e deri në Preshevë. Disa herë
provuan policia t’ia marrin Flamurin, Shinasit, mirëpo ai nuk lejoi dhe e
mbrojti deri në Preshevë, kur edhe e burgosin. Tentimi i marrjes së Flamurit u
bë në Ferizaj dhe Bujanoc.
Demonstratat e vitit 1981
dhe kontributin e madh në to të Hamdi Ajdinit nga Rahovica.
Aspiratat kombëtare të
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur
në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te, me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të
saja dhe aty këta, me insistimin e udhëheqësve partiakë serbë dhe disa
shqiptarë u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.
Fatin e Luginës së Preshevës e vendosi
Bllagoje Neshkoviqi
Pra, ky ishte ai
“plebishiti gjithëpopullor” i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i
vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në
qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë u vendos fati i
Preshevës,që të mbetet nën Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë,
nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit.
Pra, Bllagoje Neshkoviqi,
kryetar i KQ të LK të Serbisë dhe Llazar Kolishevski, kryetar i KQ të LK të
Maqedonisë vendosën për fatin e Preshevës dhe Bujanocit të mbeten në Serbi”.
Kështu Presheva, në
mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të
ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.
Edhepse popullata serbe e
disa fshatrave të Kumanoves dhe Kriva Pallankës në Maqedoni kërkuan që t’i
bashkangjiten Republikës së Serbisë, por nuk iu plotësua dëshira dhe vullneti i
tyre, dhe mbeten banorë të Maqedonisë, deri më sot, duke i ndërruar mbiemrat
nga viq në ski.
Në qershor të vitit 1957, në fshatin Rogoçicë u formua organizata
ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”,
ku pati edhe preshevarë.
Më vonë, më 1968 e 1981, shqiptarët e Luginës me demonstrata të
përbashkëta në Kosovë i përsëritën kërkesat e tyre kombëtare: bashkim me
Kosovën, bashkësi territoriale-politike, e cila më së miri do t’i siguronte të
drejtat politike e kombëtare, zhvillimin ekonomik, të drejtat kulturore, arsimore,
gjuhësore.
Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit
demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe
Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan
politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizuar popullin
politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake e politike të
kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare.
Refrendumet e Shqiptarëve në hapsirën e ish-Jugosllavisë
Europën dhe ish-Jugosllavinë
e kapi vala e pluralizmit politik, andaj edhe Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, por edhe në Luginë të Kosovës
formuan partitë e tyre politike shqiptare. Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi,
në vitin 1991 kishin themeluar Këshillin Koordinues të Partive Politike
Shqiptare në ish_Jugosllavi, me në krye me dr.Ibahim Rugovën. Këshilli Koordinues vendosi që Shqiptarët, për
të vendosur për fatin e tyre, duhet të organizojnë referendumet e tyre . Kështu, Kosova e organizoi
referendumin e saj në pjesën e dytë të shtatorit të vitit 1991 dhe populli i
Kosovës në referendum, me shumicë absolute u deklaua për Republikën e Kosovës.
Shqiptarët në Maqedoni, në shkurt të vitit 1992
u deklaruan për Republikën e Iliridës.
Në shkurt të vitit 1992, dy
partitë shqiptare, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike
Shqiptare nënshkruan dhe aprovuan një Deklaratë Politike mbi themelimin e
Kuvendit për Shpalljen e referendumit.
Ndërsapoashtu në shkurt të
vitit 1992 u themelua Kuvendi për shpalljen e Referendumit dhe u zgjodh Kryesia
e Kuvendit
Kuvendi i Referendumit
përbëhej nga Këshilltarët e Kuvendeve lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,
si dhe nga Shoqatat joqeveritare: Forumi i Intelektualëve Shqiptarë /FISH/, Lidhja
e Arsimtarëve Shqiptarë/ LASH dhe Shoqata Nënë Tereza. Kuvendi kishte 96 delegatë, me kryetar Ibrahim Kadriun.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë
nga partitë politike në Luginë dhe Kuvendi I Referendumit, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin
Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar,
përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik
për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës dolën në mënyrë masive në votim
dhe me 99, 94% popullata shqiptare u deklarua :
PËR AUTONOMI TERRITORIALE
POLITIKE TË SHQIPTARËVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË, ME TË DREJTË
BASHKIMI ME KOSOVËN.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përkrahur dokumentet e
Konferencës së Hagës, Brukselit dhe dokumenteve të tjera aktuale, në formë më
demokratike e shprehën kërkesën dhe disponimin e tyre politik lidhur me
çështjen e Autonomisë, duke e kuptuar atë si formën kaluese më të përshtatshme
demokratike në drejtim të bashkimit me Kosovën. Duke i pasur parasysh rrethanat
e atëhershme aktuale politike në Europë, në botë si dhe në Ballkan e Serbi
ishte e kuptueshme që të kërkohet edhe forma e Autonomisë.
Autonomia politike-territoriale, për Luginën e Preshevës do
t’ishte Autonomi brenda Serbisë, e cila do të mundësonte dhe lehtësonte
pavarsimin dhe kërkesën me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Më vitin 1992, në Konferencën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në
Gjenevë, Grupi I Shqiptarëve të Luginës së Preshevës kërkoi edhe status
special, si sinonim I Autonomis politike-territoriale. Po strukturat politike
të Luginës së Preshevës nuk u pajtuan me këtë ecje, kështu edhe dështoi realizimi
i Autonomisë politike-tërritoriale, si dhe statusi special në Luginën e
Preshevës.Edhe pse, në Tribunën politike, në Preshevë, në shkurt të vitit 1993,
ku morën pjesë përfaqsues të viseve shqiptare u tha se Referendumet ishin mjet
I fuqishëm politik I Lëvizjes politike shqiptare.
Tashti rrethanat politike ndryshuan, ndodhi Lufta e UÇPMB-së në
Luginë, u shpall Pavarësia e Kosovës. Pra, Shqiptarëve të kësaj krahine i mbeti
forma e vetme demokratike, të kërkohet ribashkimi me Kosovën, çfarë ishin
gjithmonë edhe aspiratat dhe kërkesat e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Marrëveshja e Konçulit, me nënshkrimin e palës shqiptare dhe
qeverisë jugosllave e serbe shtroi kërkesa konkrete për të dy palët. Derisa
pala shqiptare i përmbushi detyrimet, u bë demobilizimi i ushtarëve të UÇPMB-së
e tjera, pala tjetër, pos policisë multietnike asgjë tjetër nuk përmbushi nga
Marrëveshja.Ajo që nuk u realizua nga pala serbe ishte edhe mos integrimi i
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet dhe organet shtetërore,
sepse organet dhe institucionet shtetërore punësojnë serbë nga Bujanoci, Vranja
e më gjërë, e nuk punësojnë shqiptarë. Kështu psh: në Shërbimin e Pagesave të Autoudhës
në Preshevës nga 60 të punësuar, vetëm 5-6 janë shqiptarë.
Shqiptarët e Preshevës me vite e qeverisin pushtetin lokal, në
Bujanoc për herë të parë shqiptarët më 2002 e morën pushtetin lokal.
Për themelimin e Këshillit Nacional Shqiptar me seli në Bujanoc
pati debate të ashpra, për e kundër.Themelimi i Këshillit ishte kërkesë e
qeverisë serbe dhe i sanksionuar me ligje të Serbisë. Çështja e pazgjidhur e
Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk qëndron dhe nuk duhet të mbështetet në
dëshirën dhe vullnetin e politikanëve dhe qeverive serbe, por në Kushtetutë dhe
ligje të vecanta, në një status të qëndrueshëm politik, të pranuar nga palët, nga
Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Qeveria serbe dhe me garantimin e
faktorit ndërkombëtar. Pra, edhe njëherë dështuam në unifikimin e kërkesave
kombëtare dhe atyre politike, edhepse me Këshillin po tentohet të zgjidhen disa
probleme jetësore të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sidomos në gjuhë,
simbolet, kulturë, arsim dhe informim, por jo edhe statusi i Shqiptarëve.
Rrethanat politike në Luginë të Preshevës e detyruan klasën
politike që më 2006, të themelojë Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës
së Preshevës që luajti një rol pozitiv në rrethanat e përmendura aktuale
politike në Luginë, u bë njëfarë unifikimi i kërkesavë dhe i shpresave politike
të Shqiptarëve të Luginës.
Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së
Preshevës, mbajtur më 14 korrik 2018 në Bujanoc, aprovuan një Deklaratë
politike, në të cilën thuhet:
“Për realizimin e plotë të të drejtave kolektive të Shqiptarëve,
konform standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së,
Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës si dhe praktikave përkatëse (Ishujt
Olland, Tiroli Jugor dhe në Kosovë), kërkojmë: Nga të gjitha palët pjesëmarrëse,
ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dialogun e Brukselit, të përfshihet edhe
statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja të kërkohet
me aplikimin e parimit të RECIPROCITETIT, me të drejtat e Serbëve në veri të
Republikës së Kosovës.”
Mirëpo, më vonë ndryshuan rrethanat e situatës politike dhe idea e Presidentit të
Kosovës për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën e motivoi gjithë klasën
politke të Luginës së Preshevës dhe Shqiptarët e këtij rajoni, që me shumicë të
përcaktohen për këtë ide që në fillim.
Proceset dhe ngjarjet politike në Serbi, në Kosovë dhe në
Luginë të Preshevës zhvillohen shumë shpejtë, andaj edhe Shqiptarët në Luginë
të Preshevës, të ngazllyar nga idea dhe dëshira e vullneti I kahmotshëm
shekullor I tyre, e përkrahën idenë e
Bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, në mbështetje të Refrendumit të 1
e 2 marsit 1992.
Mirëpo, më vonë, mospajtimet e klasës politike në Kosovë,
politikanëve kosovarë, reagimet e opozitës në Kosovë, reagimet e arsyeshme të
Akademikëve preshevarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të shumë
analistëve të jashtëm e të brendshëm, njohës të mire të çështjes së Kosovës,
negativisht u shprehën ndaj idesë së Presidentit Thaçi, deklaratat jo
konsukuente të Presidentit në Konferencat për shtyp dhe se Kosova po copëtohet
me “korigjimin e kufijve”, e hamendën popullatën shqiptare për këtë ide. Pastaj,
duke I pasur parasysh bisedimet në Bruksel, marrëveshjet e nënshkruara Kosovë-Serbi
të parealizuara, mospërfshirja e çështjes së Shqiptarëve të Luginës së Preshevës
në këto bisedime, megjithë kërkesat e klasës politike dhe popullatës shqiptare
të kësaj krahine që edhe përfaqsues të saj, të marrin pjesë apo ajo të përfaqsohet
në këto bisedime, nuk u përfillën, deri në publikimin e idesë së Presidentit të
Kosovës, sikur e shtuan dyshimin në sinqeritetin e kësaj ideje.
Shqiptarët e Luginës sëPreshevës mbeten në idenë e Referendumit të 1 e 2 marsit
1992 dhe nuk do të heqin kurrë dorë nga ideali i bashkimit të saj me Kosovën. Në
anën tjetër, të themi se hedhja e idesë së Presidentit të Kosovës, për
bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, shumë e aktualizoi dhe ndërkombëtarizoi Çështjen e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Edhepse, çështja e Luginës së Preshevës aq shumë u ndërkombëtarizua
dhe hyri në të gjitha institucionet dhe organet relevante të Europës dhe të
Kombeve të Bashkuara, aktualisht pakica shqiptare në Serbi mbeti më e
diskriminuara në Europë.Andaj çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës do
zgjidhje të ngutshme dhe të qëndrueshme, duke I nderuar kërkesat e Shqiptarëve
për barazi dhe të drejta individuale dhe kolektive. Idenë e përmendur duhet ta
mbajmë pezull, ta aktualizojmë në qarqet ndërkombëtare dhe te dy qeveritë
shqiptare, deri në realizimin e saj.
Për këtë ide, besoj duhet të mendojë dhe planifikoj
zgjidhje fatlume edhe Serbia, e cila ka marrë obligime për demokratizimin e
shoqërisë së saj, para anëtarsimit të saj në BE, në realitet ajo në të ardhmenë
e saj duhet të ballafaqohet me Shqiptarët e kësaj krahine dhe duke pasur
parasysh se disa qarqe serbe I shikojnë Shqiptarët element i huaj për Serbinë, atëherë
ata mund të rebelohen dhe të kerkojnë të drejtën e saj: Bashkim me Kosovën.
Tekefundit, bashkimi i Shqiptarëve të Luginës së Prshevës me Kosovën
do t’ishte e drejte e pamohueshme e
sanksionuar me të drejtën ndërkombëtare, por edhe lirimi i Republikës së Serbisë nga Shqiptarët
do t’ishte Çlirimi I plotë i saj
Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, nuk është
treni i fundit sipas mendimit tim, sepse ky tren ka filluar ka herë të ecë në
favor të realizimit të aspiratave shqiptare të kësaj krahine.
Me bashkimin e Luginës së Preshevës, çfarë mund të humb
Kosova nga integriteti e sovraniteti territorial i saj është brengosje dhe
shqetësim edhe i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ndërsa, çfarë mund të përfitoj
me Bashkimin e kësaj krahine me Kosovën, në këtë krahinë mbretëron ideja se
Kosova me bashkimin e Luginës përfiton:
-tokë shumë pjellore përgjatë Moravës Jugore,
-popullatë shumë vitale shqiptare, me vullnet të fortë
pune, intelektuale e shkencore,
-korridorin 10, në realitet Autodhën dhe Hekurudhën
Ndërkombëtare që sjellë shumë përfitime të mëdha.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë një porosi për klasën
politike të Kosovës që në bisedimet Prishtinë-Beograd, në Bruksel dhe në çfarëdo
marrëveshjeje të arritur ta kenë parasysh Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit
1992 dhe të nderojnë tërësinë territoriale të Luginës së Preshevës. Përndryshe, copëtimi i saj sjell dhe nxit edhe
më tej shpërnguljen e popullatës shqiptare nga vendbanimet e kësaj krahine që
eventualisht do të mbeten jashtë këtij bashkimi me Kosovën, po kjo shpërngulje
do të ndodh edhe nga vendbanimet e Luginës që bashkohen me Kosovë, sepse edhe
atyre vendbanimeve nuk i mbeten kushte për jetesë dhe ekzistencë normale.
Mesazhi im do t’ishte: së pari, ta arrijmë bashkimin kombëtar
shpirtëror, që idetë, njerëzit, mallrat e trojeve shqiptare, sidomos të Luginës
të Preshevës të lëvizin pa pengesa, ndërsa lufta për bashkim kombëtar,bashkim të
Luginës së Preshevës me Kosovën, me
mjete demokratike, të vazhdojë edhe më tutje, ashtu sikur na porosit Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, me moton: LIDHJA NA BASHKON.
LITERATURA
Abdyli , Ramiz, Presheva në
Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1941-1945, Preshevë, mars 1977
Administrativno-teritorijalne
promene u NR Srbiji od 1834-1954.godine, Beograd, Zavod za statistiku, maj
1955. godine
Banovina Vardarska, opsti
pregled, Skoplje, 1931
Cvijic, Jovan, Geografski
polozaj i veze, Govori i clanci, Sabrana dela, tom 3, Geografske osnove
makedonskog pitanja, str. 148
Fletorja zyrtare RPS, nr.
17/1947
Fletorja zyrtare RP të
Serbisë, nr.56, e datës 20.VII 1955
Fletorja zyrtare e RPS,
nr.14/1963
Fletorja zyrtare RSS, nr.
33/ 1975
Glisic, Venceslav, Dosije o
Blagoju Neskovicu, Prilozi za biografiju, Beograd, Sluzbeni glasnik, 2011
Hadzi-Vasiljevic, Jovan,
Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913
Hadzi-Vasiljevic, Jovan, Arbanska
liga, Arnautska Kongra i Srpski narod u Turskom Carstvu/1878-1882/Beograd, 1909
Islami, Akademik Hivzi,
Diskutimet për Kosovën dhe Kosovën Lindore, Prishtinë, Koha ditore, më
21.12.2011/
Jiricek, K., Istorija Srba,
I, Beograd, 1922
Kelmendi, Fehmi, Kush janë
Shqiptarët, Tetor 1990
Kelmendi, Ibrahim, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë,
Preshevë, 2006
Kncov, Vasil, Izbrani proizvedenia, tom 2, Sofia, Nauka i
iskustvo, 1970
Latifi, Skënder, Rrugëtimi
nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006
Murati-Staneci, Dr. Jahi,
Si iu shkëput Karadaku Kosovës?, Bujku, 22 prill 1996
Papazoglu, Fanula,
Srednjobalkanska plemena u predrimsko doba : Tribal, Autarijati,
Dardanci,Skordisci i Mezi, Beograd, Equilibrium, 2007
Papazoglu, Fanula, Iz
istorije antickog Balkana, Beograd, Equilibrium, 2007
Petrov,
Gj., Materiali za izucavaneto na Makedonia /Materiale për studim në Maqedoni/ ,
Sofia, 1896,
Petrovic, Tomislav,
Svetislav, Presevo, Istorija i sudbina, Jagodina, 2009
Pirraku, Muhamet, Mulla
Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945, Prishtinë,
1995
Rahimi, Shukri Vilajeti i Kosoves me 1878-1912, Prishtine, 1969
Rexha Dr.Iljaz, Lidhja e
Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978
Rizaj dr.Skender, Kaza
Presova 1896/97. godine, Vranjski glasnik, IV, Vranje, 1968
Salihu, Xhemaledin,
Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim/LKpÇK/ dhe kërkesat për
Bashkim me Shqipërinë Etnike, në librin: Lugina e Preshevës në Lëvizjen
Shqiptare gjatë historisë, Preshevë, 2013
Shaipi, Feti, Funksionimi i
Bashkësisë Ndërkomunale Regjionale e Moravës Jugore, Panorama, nr. 2, Preshevë,
1980,
Stojanovski, Aleksandar,
Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985
Trifunoski, Jovan F. ,
Presevo, Beograd, 1951
Vukanovic, Tatomir,
Presevo, Vranje, 1966