Kerko: a
Florim Zeqa: Të ndalohet me ligj riciklimi i deputetëve në Kuvend!
E hene, 11.05.2020, 10:52 AM
Të ndalohet me ligj riciklimi i deputetëve në Kuvend!
Shkruan:
Florim Zeqa
Ka
një kohë të gjatë që flitet dhe shkruhet për nevojën e ndryshimeve kushtetuese,
por akoma asnjë iniciativë konkrete sa i përket nismave në Kuvend. Në ndërkohë,
vakumet ligjore në Kushtetutë po shfrytëzohen nga akterët e politikës për
interpretim të neneve dhe akteve nënligjore sipas orekseve të tyre ditore.
Nuk
janë vetëm nenet e kontestuara; Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit], Neni 84
[Kompetencat e Presidentit], Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë], Neni 100 [Mocioni i
Votëbesimit] apo Neni 112 [Parimet e Përgjithshme], por janë edhe shumë Nene
dhe akte tjera nënligjore të kushtetutës që përcaktojnë të drejtat dhe
kufizimet e deputetëve, të cilat duhet përmirësuar me urgjencë, për të
parandaluar abuzimin e subjekteve politike dhe deputetëve të zgjedhur me votën
e popullit nën listat zgjedhore ("ombrellën") e partive politike.
Kontrabandimi i
vullnetit të elektoratit
Në
Kosovën e pas 17 shkurtit, apo siq jemi mësuar ta quajmë në Kosovën e pas
pavarësisë, kanë ndodhur anomali të shumëta me rastin e kontrabandimit të
vullnetit të elektoratit politik nga njëri pol në tjetrin,...sikurse që jemi
mësuar të shohim riciklimin e figurave politike nga njëra parti politike tek
tjetra.
Mbase
çdo lëvizje të figurave politike jashtë Kuvendit të Republikës së Kosovës mund
ta marrim si çështje normale politike, por jo edhe riciklimin e tyre brenda të
njëjtës legjislature të Kuvendit.
Siq
e ceka edhe më sipër, liritë dhe të drejtat e deputetit, si i zgjedhur i
popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të rregullohen dhe të
mbrohen me ligj, e jo të lihen në dëshirën e dëputetëve dhe
"mëshirën" e liderëve partiakë.
Duhet
të rregullohet me ligj, që një deputet i zgjedhur për Kuvendin e Republikës së
Kosovës përmes një liste zgjedhore, të mos ketë të drejtë që gjatë së njëjtës
legjislaturë t'i bashkangjitet një grupi tjetër parlamentar.
Lëvizjet
e tilla bien ndesh me vullnetin e elektoratit dhe premtimet elektorale të
deputetit. Për më tepër se kaq, riciklimi i deputetëve nga një subjekt në
tjetrin, nga një grupim parlamentar në tjetrin lenë shije të keqe tek
qytetarët, gjegjësisht tek votuesit të cilët kanë votuar për një listë
zgjedhore, ndërsa deputeti me kalimin në grupimin tjetër parlamentar,
drejtëpërdrejtë e kontrabandon vullnetin e tyre për interesa personale apo klanore.
Në
legjislaturat e mëparshme kemi pasur raste të panumërta kur deputetët apo
deputetet kanë shkelur premtimin elektoral dhe tradhtuar subjektin politik për
interesa personale.
Kalimi
i deputetëve brenda një legjislature nga njëri grupim parlamentar në tjetrin,
përveq papërgjegjësisë politike, paraqet edhe pandershmëri njerëzore ndaj
subjektit i cili i solli në Kuvend.
Hyn deputet nga një
parti, del nga kuvendi si anëtarë i një partie tjetër
Grumbullimi
i votave përmes një liste zgjedhore, nga secili deputet duhet të shihet si një
llojë kontrate me subjektin politik dhe besnikëri ndaj votes së elektoratit.
Ndryshe,
çdo bartje e votës tek subjekti tjetër paraqet kontrabandim dhe tradhti ndaj
elektoratit partiak.
Deputetet
që kërcejnë sikurse karkalecat nga njëra parti tek tjetra, nuk janë gjë tjetër
veqse figura të ricikluara, të padobishme dhe "karta" të djegura
politike.
Nuk
se si ta quash ndryshe një deputet, pos figurë të ricikluar politike, e cila
brenda një legjislaure i ndërron dy parti politike apo brenda 3 legjislaturave
i ndërron 5 subjekte politike.
Ndodhë
pikërisht kështu për shkak se, këtyre figurave politike u mungon sinqeriteti
dhe vetëbesimi apo vuajnë nga egoja e madhe për pushtet dhe privilegje, dhe si
të tilla kërkojnë shtegun e kapërcimit të "ylberit" pa e ditur fare
se çka i pret pas kapërcimit të atij pragu!
Deputetët
e "shkathtë" që kalërojnë nëpër të gjitha partitë politike derisa ta
kalojnë "ylberin", bëjnë mirë që ta provojnë forcën reale të tyre si
deputet të pavarur, e jo të luajnë bixhoz me vullnetin e elektoratit partiak.
Sa
më parë duhet të nxjerret ligji që përcakton qartë detyrat dhe obligimet
kushtetuese të deputetit si dhe përgjegjësitë që ka ndaj votuesit dhe detyrimet
që mbanë ndaj subjektit që përaqëson.
Një
deputet i hyrë në Kuvendin e Kosovës përmes një liste zgjedhore nuk mund të
sillet si deputet i pavarur. Pra, nuk duhet t'i lejohet një deputeti të një
liste zgjedhore që t'i bashkangjitet një liste tjetër në Kuvend.
Si
deputet i Kuvendit duhet të qëndroj deri në fund të mandatit kushtetues si
pjesë e të njëjtit grupim parlamentar ose të largohet nga Kuvendi, ndryshe nuk
ka kuptim as gara zgjedhore, e aq më pak listat zgjedhore të subjekteve
politike.
Për
shkak se, kandidati i një liste zgjedhore po hyn deputet nga një parti, e po
del nga kuvendi si anëtarë i një partie tjetër politike.
E
njëjta gjë duhet të vlejë edhe për kandidatët për kryetar të komunave. Deri më
tani i kemi së paku tri raste, kur një kandidat bëhet kryetar i një komune
përmes një subjekti politik, ndërsa e përfundon mandatin e kryetarit me
librezën e një partie tjetër politike.
Sikurse
në sport që respektohen afatet kalimtare, bie fjala të kalimit të futbollistëve
nga një klub në tjetrin, ashtu edhe në jetën parlamentare duhet të përcaktohen
qartë afatet kohore kur dhe si deputeti i një partie politike mund të bëhet
pjesë e një partie tjetër, e jo ta shfrytëzojnë deputetët sallën e Kuvendit si
figurë shahu për kalërim sipas ofertave ditore të liderëve partiakë.
Riciklimet
e tilla janë antidemokratike dhe bastardojnë porceset zgjedhore në përgjithësi,
demoralizojnë qytetarët dhe demotivojnë votuesit për zgjedhjet e radhës.