Kerko: a
Shefqet Dibrani: Dergjja e kleptomanisë (a) i ka prekur shqiptarët?!
E merkure, 06.05.2020, 10:57 AM
Nga diskursi patologjik:
DERGJJA E KLEPTOMANISË (A) I KA PREKUR SHQIPTARËT?!
(Dhe sinonimet dhe klasifikimi - tipologjia e
dukurive negative që janë shndërruar në mani, a mund të kategorizohen si
dergjje që kanë simptome të ngjashme me të kleptomanisë?!)
Shkruan: Shefqet
DIBRANI
Termi KLEPTOMANIA, rrjedh nga greqishtja, Klepto-vjedh dhe
Mania-ves/dukuri, që d.m.th. Vesi për të vjedhur, për të
mos u ngopur kurrë, madje ata që vuajnë nga kjo sëmundje vjedhin edhe gjëra pa
vlerë, vjedhin pa pasur nevojë edhe pse janë të pasur. Pra kleptomania është
përkufizim patologjik, që ka të bëjë me personin vjedhës. Kryesisht nuk
vjedhin nga nevoja, por siç thuhet në shkencën e mjekësisë “ata i shtynë një
impuls i pakontrollueshëm”, kurse kleptomanët, para se të vjedhin
përjetojnë tensione të brendshme që i shtynë të veprojnë, dhe posa të vjedhin atyre
i shkarkohet kjo energji.
Kleptomania, si sëmundje, zyrtarisht është e njohur nga viti 2013, prandaj
nuk kemi sqarime të mjaftueshme për definicionin e saktë në gjuhën shqipe,
ndërkaq popujt dhe vendet e zhvilluara, të cilat botojnë fjalorët e tyre sqarues,
gjuhësor e shkencor të çdo vjetshëm, japin sqarime të mjaftueshme, ndërsa tek
ne, përveç në ndonjë revistë të shkencës së mjekësisë, nëpër të tjera janë
shkrime të pakta e të rralla.
Shkaqet e kleptomanisë mendohet se lidhen në psikikën e të sëmurëve, e cila
manifestohet edhe si simptomë e depresionit. Këto çrregullime mund të jenë
rezultat i përjetimeve nga e kaluara, ta zëmë nëpër diktaturat komuniste, dhuna
nëpër burgje, pasojat e luftës, vuajtjet shpirtërore por edhe nga dhuna
traumatike në kohë të fëmijërisë, siç është abuzimi etj. Pra shkaktarët e
këtyre çrregullimeve janë të shumta dhe të ndryshme. Mund të ndikojnë edhe
konfliktet në familje ose në vendin e punës, veçanërisht mund të ndikojë niveli
ulët i vetëbesimit në aftësisë prodhuese, të të menduarit, që duket të jetë
kualifikimet e pamerituara etj., llogariten si shkaqe që favorizojnë
kleptomaninë.
Mendohet se “manifestimi i kënaqësisë kur vjedh” dhe sidomos agresiviteti i
tyre i shpeshtuar si kundërpërgjigje e të gjithëve që i kundërshtojnë, janë
shenja të kleptomanisë. (Në aspektin politik e mediatik, kemi diskutimet në
parlament dhe debatet televizive).
Kleptomanët, në raport me veprimin e tyre zakonisht qëndrojnë të heshtur,
janë të mbyllur dhe mos pranues, prandaj në shumë raste, kleptomanët, mbeten të
pazbuluar dhe për këtë arsye as nuk trajtohet. Por përjashtohen dy raste
të cilave ua shtojmë edhe një supozim mbi veset e ngjashme:
Vetëm kur viktimat kapen duke vjedhur, ata i nënshtrohen
një terapie të përshtatshme për tu trajtuar kleptomania – qoftë si një kërkesë
nga zyrtarët përkatës ose vullnetarisht nga individi.
Në terapinë e sjelljes, ata duhet të mësojnë për sjelljen
e tyre patologjike, duke iu kërkuar që të heqin dorë nga cikli i vjedhjes
impulsive.
Në aspektin e dukurive që manifestohen në shoqërinë tonë,
jo vetëm kleptomania, vjedhja industriale e milionave, por mashtrimi, tradhtia,
pabesia, çaraveshja, intriga që janë shndërruar në dukuri negative – ves,
kërkojnë shërimi afatgjatë përmes terapisë institucionale (ligjit dhe
pastërtisë para ligjit), duke i marrë për konsideratë metodat për shërimin e
kleptomanisë, është e mundshme vetëm nëse analizohen shkaqet e thella
psikologjike dhe kur ato trajtohen në të njëjtën kohë.
A vuan shoqëria jonë nga sindromi i kleptomanisë, si dhe
tipologjia e dukurive negative:
“Pshurromani”, si sëmundje duhet të trajtohet në
repartin e urologjisë, por nuk e di nëse nga institucione përkatëse trajtohen
edhe dukuritë tjera: Vesi i politikanit për ta mashtruar e tradhtuar popullin -
elektoratin, qoftë në fushatë zgjedhore, e qoftë si zyrtar shtetëror në
institucionin përkatës. Dukuria e “ngrënia e fjalës si djathin me bukë”,
premtimet publike tepër kundërthënëse me mënyrën e veprimit, ka sjellë
krizë të madhe në shoqërinë tonë. Sot, si asnjëherë më parë, Kodi i Besës,
është nëpërkëmbur me pabesi të mëdha. Madje “BESA - Beso.”, vitin e
shkuar u përdor edhe si slogan për të mashtruar elektoratin gjatë Fushatës
Zgjedhore, ndërsa kohëve të fundit, slogani “BESO.”, është shndërruar në sinonim
i tradhtisë. Kleptomanët, (vjedhësit e votës), nuk skuqen(?!), prandaj
shtrohet nevoja për studime serioze dhe profesionale të këtyre dukurive të
shndërruara në vese, përkatësisht në mani duke u trajtuar në planin
profesional. Sjellja si dukuri, po si shëmti “çaraveshja”, si dhe
dukuritë dhe veset që kanë kaluar në deformim patologjik: Tradhtia (tradhtiomania),
e udhëheqësve politik e shtetëror, çaraveshja e profesorëve universitar nëpër
debate televizive, që duhet të klasifikohet si mani, përkatësisht të trajtohet
si “çaraveshomani” etj. Në këtë kontekst duhet të merren për
studime të gjitha veset negative që janë shndërruar në “Mani” të
shëmtuara. Këto defekte do të zbulonin edhe një varg “manish” me të cilat, sot
përballet shoqëria jonë. Po sikur të merrej në trajtim “gënjeshtrat e pa
kripa dhe të pacipa”, ka rrezik se shoqëria jonë ua kalon edhe atyre
popujve të cilët gënjeshtrën e kanë kod patriotik.
Edhe pse kleptomania, si ves a sëmundje është zbuluar vonë, në shoqëritë e
zhvilluara ajo trajtohet me kujdes dhe në mënyrë profesionale. Te ne nuk kam
informacione nëse ka institucione përkatëse, për tu trajtuar si sëmundje
patologjike. Ndërsa shoqëria jonë, kohëve të fundit po vuan nga “kleptomanët-vjedhësit
e demokracisë”, dhe kjo është shqetësuese, pasi “vjedhësit e demokracisë”
në emër të këtij slogani po shkelin rregulla, nuk po zbatojnë ligjin, thyejnë
procedurat kufitare, akuzojnë shtetin e vet se bënë akte terroriste, shkarkojnë
qeverinë e vendit të vet në kohë pandemie, duke abuzuar vendimet institucionale
në kohë pandemie po tallen me shëndetin e popullit.
Zyrtaret politik dhe shtetëror, vuajnë nga kleptomania, ata kanë harruar se
ky sindromi ua ka dëmtuar mendjen, ata i shqetësojnë vjedhjet e tepruara në
këto 20 vjet, prandaj shoqëria e re e ka të vështirë për të vënë rend e
rregulla, sepse druri i thatë kurrë nuk ndreqet?! Shoqërie e Re, duhet të
kuptoj se ka të bëjë me të prekur si me “COWID-19”, prandaj zbatimi i
detyrueshëm në karantinë është domosdoshmëri. Përvoja me sëmundje patologjike,
na mëson se ata që janë “të prekur”, nuk mund të pajtohen për t’ua hequr
tortën, pushtetin dhe paranë ku mund të vjedhin. Janë kleptomanë dhe si
të till duhet të trajtohen.
Shërimi i kleptomanisë, në institucionet politike e shtetërore në
Republikën e Kosovës është proces jo aq i ngatërruar sa thuhet?! U tha se
u bënë shkelje gjatë shkarkimit nëpër borde dhe ndërmarrje, por heshtja ose
pranimi i fajësisë duket se është vetëdijesim, pasi duket të jenë të prekur nga
Kleptomania, vjedhja e pamerituar e parasë publike. U pa se edhe
ç’kapja e shtetit mund të bëhet, andaj shpresoj se duke i zbatuar edhe disa
rregulla për “Kleptomanët – vjedhësit” e parasë publike, disa vese dhe mani
kollaj do të shërohen. Ndryshimi i jetës, nga çrregullimet e mëdha, në një shoqëri
normale nuk është e paarritshme, pasi edhe pandemitë globale janë të
tejkalueshme.
Këto çrregullime në shoqëri, duke marrë për bazë kategorizimin e sëmundjes
për kleptomaninë, ndahen në dy grupe me karaktere të mëdha:
Disçrrregullimi obsesiv - kompulsiv: ka të bëjë
me respektimin e rendit të detyrueshëm, d.m.th. duhet të aplikohet krijimi i
detyrueshëm i simetrisë.
Disçrrregullimi obsesiv - kompulsiv: Ka të bëjë
me pastërtinë e ndërgjegjes së detyrueshme – përkatësisht kur udhëheqja
institucionale bëhet me duar të pastërtia dhe kur do të bëhet normë e
detyrueshme që e aplikon zyrtari përkatës, efekti shërues është i madh.
Bota e qytetëruar, me kohë i identifikon kleptomanët, sidomos ata që janë
të pasur dhe nuk kanë nevojë për të vjedhur, por vjedhjen e kanë “Mani –
Ves”, i pajisin me certifikata ose libreza përkatëse të barasvlershme me
ato që i posedojnë zyrtarët përkatës në institucione shtetërore në Kosovë.
Andaj nëse në perëndim kanë konsideratë dhe nuk shkaktojnë konflikte me këtë
kategori, shoqëria jonë duhet ta shkëpus paqen që kanë ndërtuar me Kleptomanët.
Ata janë të njohur, vetëm duhet futur në karantinë, të bëhet distancimi prej
tyre, të mos iu jepet dora, tamam duhet të zbatohen të gjitha metodat që i ka
vënë në dispozicion Instituti Kombëtar i Shëndetit të Popullit. Kleptomanët,
nëse nuk i ka secili në shtëpi, ata janë në lagjet tona, në fshatin a Bashkinë
e secilit.
Nëse aplikojmë metodat tashmë të ditura për distancim dhe izolim, ne do t’i
ndihmojmë ata pa bërë zhurmë e potere. Terapia mjekësore është kurë që
aplikohet për njerëzit e prekur nga sindromi përkatës. Sipas shkencave
shoqërore nga fusha e sociologjisë, psikologjisë, ne mund të bëhemi pedagog të
mirë vetëm kur për temat e tilla flasim hapur, pastaj ne e kemi provuar se
izolimi, distanca dhe duke mos bërë pazare me ta, ndihmohen kleptomanët për të
dal nga kriza ku janë futur dhe ndihmohet shoqëria dhe shteti për tu
emancipuar. Nuk thuhet kotë se “Pasqyra e qeverisë është populli që i shkon
pas”, kurse “pasqyra” është mjetë për ta parë fytyrën e vet secili kleptoman,
demagog, tradhtar, dhe të gjithë mashtruesit dhe abuzuesit e sistemit dhe
durimit të popullit tonë. Paqja shpirtërore, është hapi i parë për shërimin, jo
vetëm të sëmundjes së kleptomanisë, por edhe për t’i evituar të gjitha dukurit
e shndërruara në mani.
Zvicër / St. Gallen, 03 maj 2020.