Kerko: a
Fotaq Andrea: ''Faleminderit miq shqiptarë''
E premte, 01.05.2020, 10:44 AM
«Faleminderit miq shqiptarë»
Nga
Fotaq Andrea
Është
ky titulli i një punimi vizatimor, realizuar këto ditë nga artisti i shquar
italian Fabio Vettore, të cilin ai e konkretizoi me shumë dashuri e mirënjohje
në përgjigje të vatjes së mjekëve shqiptarë në Itali (mars 2020) për të luftuar
pandeminë në rajonet veriore të Italisë
më të prekura nga kovid19.
Ky
grafist e ilustrator, që prej 40 vjetësh ka në qendër të veprave të tij në
gjini të ndryshme artistike, “botën simbolike të thneglave”, të cilën e has
kudo, në krejt apsektet e mjediseve njerëzore e natyrore, në mal, det, qytete,
monumente, e ku nuk tjetër, për të përcjellë, shpesh me humor e stil të
zhdërvjelltë krijues një mendim, një reflektim, një opinion, një përfytyrim.
Shpaloset kësisoj bota e pasur e “Le formiche di Fabio Vettore-s”, të
palodhshmet milingona të njëmimjë e një zanateve, si simbolikë e fuqishme e
ndjenjës së punës, organizimit dhe solidaritetit. Bota njerëzore nëpërmjet
botës së mizave të dheut, ja karakteristika stilistikore e Fabio Vettore-s që
shumëfishon apo më mirë i mizëron personazhet e tij në një kuadër apo skenë të
jetës njerëzore, duke përcjellë një mesazh konkret, duke shfaqur madje edhe një
ndjenjë falë stilizimit të thneglave të veta me dy pika sy të gjallë, me dy
duar e dy këmbka karthi fijekëputur, futur në allasoj “potinash” të rënda për
t’u gjendur kudo, me ato njolla të zeza në noçkë të fytyrës, në bark e trup,
tre elementët përbërës sferikë, harmonizuar e lidhur si me fije “çeliku” dhe po
të brishtë, të mizave punëtore.
Në
veprën “Faleminderit miq shqiptarë” sheh gjallërisht gjithçka: entuziazmin e
nisjes për ndihmë të “milingonave mjeke”nga qendra e njohur e kryeqytetit
shqiptar, një buzëdet Adriatiku ku shtrihet Shqipëria bashkëngjitur me rajonin
verior të gadishullit Apenin të Italisë, ku nuk mungon për së largu e për së
afërmi njëkohësisht mikëpritja e fatkeqëve italianë mbërthyer rëndë nga
pandemia, tre autombulanca si simbole të gjendjes së rëndë pandemike në shtetin
fqinj, flamuj e simbole zemrash fluturake, sa solidarizuese aq edhe miqësore,
po ku enden tepër rrezikshëm rreth-rreth vetë simbolet toptha të koronavirusit
të hopshëm e të hovshëm në gjurmim të llahtarshëm e fatal për të mbërthyer ku
të mundë viktima e therorë. Skenë e përplotë, dramatike e festive njëkohësisht,
për të shënuar një çast të veçantë historik, atë solidaritet të fuqishëm falë
ndihmës fisnike plot bujari nga ana e popullit shqiptar për popullin vëlla
italian në ditët më të këqija të tij.
Faleminderit
Z. Vettore që përjetësuar bukur e tepër simbolikisht këtë çast të rrallë e të
veçantë historik.