Kerko: a
Fotaq Andrea: “Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos
E premte, 03.04.2020, 06:05 PM
“Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos - Letër nga Fotaq Andrea
Fotaq
Andrea e Moikom Zeqo, dhjetor 2017
I
dashur Moikom,
Duke më dërguar
esenë tënde « Njeriu Vitruvian » – një shkrim sa rrëmbyes e
gllabërues, aq edhe universalis e quint-essencialis – ti më kërkove shkurt,
shumë shkurt, mendim që, në këtë rast, mua do më reduktohej në çast në një
përgjigje të thjeshtë, të matur, të kursyer : « Aty-brenda, “Njeriut
Vitruvian”, je Ti, me mjeshtëri fjale artistike, je Ti i përplotë, me bukuri
estetike e eruditive, je përhershmërisht e madhërisht Ti, miku ynë Moikom,
– të qofshim falë ! »
E çuditërisht, tek
esetë e tua plot tharm meditues që më dërgon herë-herë, ku unë të shoh të
depërtueshëm e të tejhovshëm në skutat e gjitharsyes, vetëdijes e simbolikës,
jo rrallë më qëllon që, duke të lëçitur vrrullazi, të ndalem mes rreshtave, për
të marrë një hop frymë thellë, si të ristartohem në ritmin tënd të befasive
perceptive e imagjinative, duke ndjekur ëmbël gjithë sa ti parashtron e
shtjellon me shtjella dijeje plot shije të veçantë letraro-artistike e më tej,
ekstralinguistike. Faleminderit, Moikom, për kënaqësinë intelektuale që më
dhuron.
Të ngulmosh drejt
një përfundimi esencial të Jetë-Vdekjes njerëzore përballë Gjithësisë, do të
thotë ta kërkosh esencën e saj që në fillesë, në vezë, dhe veç kur e gjen
kurorëzimin e përfundimit shi aty ku zë fill pyetja mister, duke shfaqur brenda
vetë pyetjes edhe vetë përgjigjen. O Athropos! – e fillon ti esenë tënde
me një thirrje panikuese kukuvajte vajtuese –
kukuvajka këtu si shpend nokturn, i njohur si zëri interpretues i
Athroposit mitologjik, që vetë shqipja e jep vajtueshmërisht: ku-ku: për ku?
për ku? – në ç’drejtim e përfundim pra, ky Fati Im!... Ja një nga ato thirrje ekzistenciale që befas
këput fatalisht fillin e Jetës mes errësirave të Fatit Njerëzor. Dhe aty-aty,
pas kësaj apostrofe bodëleriane, vijohet me pyetjen thelbësore e gjithësore: Ç’është
Njeriu Vitruvian (?) – një pyetje pra, që përmban përsibrenda vetë thelbin
e saj: “Ç’është Njeriu?” fillimisht e përgjithësisht, ai Njeri në mikrokozmosin
e tij përballur ethshëm me “Njeriun Vitruvian” të Leonardos në makrokozmosin e
Gjithësisë. Shfaqet kësisoj në vetë pyetjen, edhe vetë përgjigja për Fatin
njerëzor si Qenie e lartë brenda Trikëndores: shfaqet “Njeriu emblematik”,
Njeriu enigmatik”, “Njeriu-Hy”, “Pani me sytë nga qielli drejt kulmit të së
Panjohurës”, drejt Firmamentit, ai Pan Hyjni i prozës poetike “Shkolla pagane”
të Bodëlerit, me të cilin ti fillon shtjellinë tënde të refleksionit të thellë
estetik. Në fakt, edhe vetë Hygoi – siç e di – “Fatin njerëzor” të konceptuar e
koncentruar në “Fatin e tij” e perceptoi aq bukur vizualisht, si grafist e ilustrator
i mirënjohur që ish, mes një shtjelle mister që e quajti fuqishëm : “Ma
Destinée” (Fati Im”).
Duke u shmangur
disi nga tema jonë, sikur të përdorja një loj fjalësh, “Njeriu Vitruvian”
klasik i Marcus Vitruvias, e rrjedhimisht “Njeriu Epiqendër” i Da
Vinçit, do të na dilte - pse jo? - “Njeriu In Vitrus”, modern, ajo “Bebe
Epruveta Louise Brown” e kohëve të sotme, duke na i sfiduar njëfarësoj krejt
“Rregullat e Lojës-Fat” të Njerëzimit. Po këtë shmangie, miku im, po e bëj
ashtu-kalimthi, sa për t’iu larguar disi filozofisë sokratike të formulës “Njeri – Njih vetveten ti vetë – Connaît-toi
toi même” siç thotë frëngu, formulë e rrëmbyer në thelbin e vet
epistemiologjik nga Hegel, Marks e më pas nga Sartri ekzistencialist. Nuk
kërkohet kësisoj këtu, as më shumë, as më pak, por vetë thelbi i çështjes: “I
dashur Njeri – dije pra, që ti, përtej gjithçkaje, nuk je tjetër veçse një
Vdekatar brenda Trikëndores leonardine, ose ndryshe: “Ti, more Zotëri, nuk je
Hyjnor, Hyjnor ish veç Pani i Bodlerit”.
Ja pra, i dashur
Moikom, nga “Njeriu enigmatik” tek “Njeriu Problematik” që ti parashtron gjerë
e gjatë në esenë tënde, unë shoh të ndërthuren e të ndërlikohen dy elementët e
tij përbërës: Njeriu dhe Problemi i tij, ose ndryshe Njeriu dhe
Esenca e tij. Dhe, kur ti flet me të drejtë për “Shpirtin Problematik të
Europës”, mua nuk ka se si të mos më shkojë mendja edhe tek zviceriani Denis de
Rougemont (që ka vlerësuar si filozof modern kryeveprën “Ese për gjuhët
natyrale” të Konicës), i cili – Rougemont –, sipas Saint-John Perse mishëron
figurativisht Homo Europeanus-in e së ardhmes, duke qenë një pionier e
përkrahës i flaktë i Federalizmit Europian.
Rrjedhimisht, i
dashur Moikom, tek “Mona Liza pluri-engmaike” e Leonardos, tek “Kështu foli
Mona Liza” tënde, vepër – traktat gjithëpërmasor, mund të gjurmohet e të
kërkohet vetë Njeriu kompleks drejt së Panjohurës, ku/kur nuk do të mjaftonte
kurrësesi një parashtrim i thjeshtë i pyetjes: “Cila jeni ju Zonja Mona Liza?”,
apo “Cili jeni ju Zoti Njeri?”, kur faktikisht “Zoti Zot” moikomian është vetëm
Nji ! Dhe, për më tepër, kur Hyut Pan i
mjafton, në fund të fundit, Pafundësi e tij në Shkallën Zero të Kuptimit e të
Pakuptimit njerëzor! Dhe për akoma më tepër, kur vetë Jeta njerëzore është
shterruese, drejt një dekostruktiviteti gradual të pandalshëm, drejt një Hiçi,
një Hiçmosgjëje, si të priste durueshëm vetë Zonjën Vdekje, të ftohtë, të
ngrirë. À la Covid19! “E ç’jemi, në fund të fundit, do thoja me
gjuhën e labit, një m... që të na hajnë pulat!”...
Nuk ka si të mos
vëmë re, përfundimisht, se esseja « Njeriu Vitruvian » i Zeqos – falë
një shqetësimi, meditimi, interpretimi e qëndrimi ndaj së Vërtetës së Vërtetë,
mes lodrimit të të panjohurave ndërlidhëse të tokësores me kozmiken Da Vinçiane
–, përbën në vetvete një Kartë Mendore e krejt erudicionit moikomian, një
shtegtim rrethor fillim-mbarim, një itinerar figurativ i Njeriut Univers
leonardin përmes estetikës, letërsisë, artit e poeticitetit, në kërkim
ngulmues, hutues e të ethshëm të Thelbësores, të gurit filozofal, të arit të së
fshehtës kozmike, ironike, mitike e mistike të Mona Lizës, asaj mishëruese të
madhërishme të Qenies njerëzore, të cilën Umberto Eco e do dhe e kërkon në
Universin continuum, si një xhevahir simbolik, të aftë për të modifikuar
edhe vetë Krijimin Hyjnor.
Gjithçka pra, në
këtë esse moikomiane “Njeriu Vitruvian” të josh, të këndell, të
zbukuron shpirtërisht, tek merr vetë Fjala ngjyra ylberore poetike, tek shfaqet
gjithë zhdërvjelltësi në vlera të shumëfishta estetike e filozofale, duke
gumëzhirë përmes asociacionesh të fuqishme ideore në një mbushulli paradigmash
koherente, në kërkim të ngulmtë e të përhershëm të “Njeriut
Vitruviano-Leonardin” të Moikom Zeqos.
Të përqafoj me
mall miku im, nga një distancë urdhëruese shtetërore 1000 km larg, distanca
jonë pandemike e Covid19. F.
Strasburg, 2 prill 2020
Ma Destinée – Fati im, nga Victor Hugo