Kerko: a
Tahir Bezhani: Mulla Jusuf Elezaj - fjalëmiri i odave të burrave
E diele, 29.12.2019, 11:38 AM
Portret :
MULLA
JUSUF ELEZAJ ,FJALËMIRI I ODAVE TË BURRAVE
Nga
Tahir Bezhani
Mulla
Jusuf Elezaj në odë burrash
Njeriun
me karakteristika të veçuara,e bëjnë të dalluar në mesin e shumë të tjerëve,
pikerisht shfaqja dhe perdorimi i tyre ne dobi të shoqërisë.. Si vlera unike
vlerësohen urtësia, modestia, humaniteti, sakrifica, mirësjellja, bamirësia
etj. Këto janë vlera të Mulla Jusuf Elezaj, si person fetar, i kompletuar me
edukatë e dije të gjithanshme.Gjatë
karrierës së tij,i ka kushtuar kujdes të veçantë dhe ka vlerësuar çështjen kombëtare, si element parësor. Në vetvete mban edhe shumë cilësi njerëzore pozitive, që këtë
imam, pra, Mulla Jusu Elezaj, e bëjnë të dashur, të respektuar në qytetin e
Gjakovës me rrethinë.
Mulla
Jusuf Elezaj ka lindur në Saradran të Istogut në vitin 1951. Shkollën fillore e
mbaroi në Terstenik dhe Haxhaj të Rugovës, prej nga e ka edhe prejardhjen.Që
nga rinia e hershme, ishte i paisur me ato vlera të edukatës familjare,të cilat
e bënë të pathyeshëm gjithë jetën, edhe në rrethana të vështira, kur të
përplaste fort koha.
Shkollimin
fillor e mbaroi me rezultate
shembullore. Sipas dëshirës së prindërve, por edhe të tijën,vijon
mësimet në Medresen”Alaudin” në
Prishtinë, të cilën e mbaron me sukses të shkëlqyer. Pas shkollës së Medresës,
si i zgjedhur, prirë nga talenti dhe aftësitë, ia propozojnë studimet
teologjike në Kajro. Pasi pranon të studjojë në Kajro, zgjodhi Drejtësinë
Islame në gjuhën arabe. U cilësua si një ndër kandidatët më të mirë,duke
mbaruar në afat studimet teologjike islame.
Mulla
Jusuf Eleza,në xhami, gjatë ligjërimit
nga Kurani
Tani,
Mulla Jusuf Elezaj, pasurohet me dije të reja e kulturë orientale, duke
njohur mirë arabishten, anglishten dhe
sërbishten. Pra,një hoxhë që ftet tri
gjuhë, duke mosllogaritur amtaren. Pas mbarimit të fakultetit teologjik në
Kajro, kthehet në Pejë,si imam-ligjërues i çështjeve fetare . Në vitin
1986 BI e Kosovës e transferon në
Gjakovë. Në këtë qytet qëndroi deri në vitin 1995. Pastaj prapë, transferohet
në Xhaminë e Kapeshnicës në Pejë, aty ku fillojnë perjetime më të idhta në
karrierën e tij, dhunë nga pushteti serb dhe nga fallangat e tij,në vitet e
eskalimit të luftës në Kosovë.
Janë
të tmershme rrëfimet e Mulla Jusuf Elezaj për kohën sa ka shërbyer ne Kapeshnicë si imam. Tregon dhunën e
keqtrajtimin e policisë serbe ndaj tij si fetar islam, duke kërkuar shumë
gjëra, si ç’armatosjen e qytetarëve, që ishin duke luftuar për lirinë e
atdheut. Në asnjë moment nuk ka pranuar zbatimin e atyre urdhërave monstruoze
në dëm të popullit. Kur ishte i zënë ngushtë,u thoshte atyre katilave të
Serbisë:” unë jam me Rugovën, jam për lapsin, për zgjidhjen e problemeve me
marrëveshje, jo me dhunë. Unë e dua Rugovën...”
Duke
parë qëndrimin e tij të paluhatur, e vënë në shënjestër për ta likuiduar në
momentin që i vjen radha. Një ditë e premte, kur ishte në xhami për të “falë të
xhumanë”, me disa të tjerë, papritur, gjëndet i rreshtuar dhe i mbështetur për
muri me duar lart,vet i 11-ti,për t’i pushkatuar. Por, thotë Mulla Jusufi,”fati
im dhe të tjerëve, ishte besimi në Zotin. Në atë moment kaloi një makinë e ushtrisë së rregullt
jugosllave dhe kur i panë shamikuqtë-paramilitarë, nuk i lanë të na
ekzekutojnë.”“Shpëtuam pahiri-thotë hoxha!...”
Pas
lufte, kur kthehet, gjen çdo gjë të kallur nga pasuria. Transferohet sërish në Gjakovë, ku edhe jeton e punon si
imam deri në vitin 2016.Mulla Jusuf Elezaj,tani i pensionuar që nga viti 2016,
edhe më tej shkon në oda burrash, në të pame, të cilin qytetarët e ftojnë
enkas, për faktin se prezenca e tij në oda, posaçërisht në raste mortore, është
i mirëpritur. Fjalëmbël, pa “filozofi” të tepruar, me një fjalor të rrjedhshëm
të shqipes, me modesti njerëzore,i paisur me
dije universale, bëhet i dashur për qytetarët kudo. I gatshëm për
përgjigje në çdo pytje.
E
dashti rasti dhe në një të pame këto ditë, natën e Krishtlindjeve, erdhi për
ngushëllime një qytetar i besimit
katolik, i cili pasi kreu detyrimin për kryeshëndosh, Mulla Jusufi, iu
drejtua, duke ia uruar natën e festës së Krishtlindjeve. Ishte ky një shembull
i mirë e tipik për edukatën e mosurrejtjes vllazërore mes feve tona. Sa mirë u
mirëprit nga të pranishmit në odë!
Në
bisedë e sipër, kur koha lejonte ndonjë pytje, Mulla Jusufi u shpreh se
mbulesat e femrave me mafeza të zi, ku nuk i duket fytyra e tyre, nënës
apo motrës sonë, nuk është e lejuar me fe islame. Nuk
shkruan askund të veprohet në atë mënyrë.
Mulla
Jusuf Elezaj është një personalitet fetar e njerëzor, të cilin jeta dhe përvoja
e tij familjare , personale e shoqërore, e ka kalitur në shumë e shumë prova jete, të cilat me
sakrificë e mençuri njerëzore i ka tejkaluar ,për të mbetur një figurë e
respektuar nga qyetarët për kohë të
gjatë.
Gjakovë, 25 Dhjetor 2019