Kerko: a
Gani Mehmetaj: Muaji i mjaltit Shqipëri-Serbi
E premte, 22.11.2019, 10:25 PM
Muaji i mjaltit Shqipëri-Serbi
Nga
Gani Mehmetaj
Kroatët e dëbuan Serbinë nga bregdeti
Adriatik me 1992 pas luftës të përgjakshme dhe përpjekjeve njëshekullore për
çlirim. Kështu e përmirësuan gabimin fatal të vitit 1918 kur u bashkuan nën
mbretërinë serbo-kroate-sllovene sa nga presioni francezë, aq edhe nga shpresat
se do ta ruanin një pjesë të bregdetit Adriatik që ua rrezikonte Italia.
Sllovenët u shkëputën nga Serbia më herët me pak viktima.
Bosnjë-Hercegovina u shpall shtet me vete pasi ushtria serbe vrau mbi 100.000
boshnjakë. Boshnjakët nuk pranojnë asnjë bashkëpunim rajonal a bashkim me
Serbinë. Kanë shumë varre
në mes.
Mali i Zi, e dëboi Serbinë e Rusinë nga copa e bregdetit
Adriatik së voni, pa viktima e pa luftë. Fati ua deshi që ta kishin mbështetjen
e Italisë e të Perëndimit, ndryshe nuk do ta dëbonin as sot e kësaj dite. NATO
i shpëtoi mu si na shpëtoi neve.
Serbia e pushtoi Shqipërinë deri në Durrës me 1912-13,
duke bërë masakra të papara ndaj popullatës së pambrojtur, por ushtria serbe u
tërhoq kur e ndjenë kërcënimin e Austro-Hungarisë. Atëbotë serbët të vetmen
dalje në det e kishin bregdetin shqiptar, sepse bregdeti kroat ishte nën
Austro-Hungarinë.
Ushtria serbe (jugosllave) e pushtoi dhe e
kontrolloi bregdetin shqiptar (1945-1948). Ushtria serbe vuri minat në Korfuz
(1946) dhe fundosi dy destrojerë britanikë, ndërsa faji i mbeti Shqipërisë.
Sot Serbia prapë është pa dalje në det si në fillim të
shekullit XX . Është e izoluar nga Perëndimi për shkak se vrau e masakroi
shqiptarë të Dardanisë, është e armiqësuar me të gjitha shtetet në rajon, e
urrejtur nga të gjithë popujt e Gadishullit Ilirik, sepse ushtria serbe bëri
masakra e agresione territoriale ndaj tyre. S' ka shtet në rajon të cilit
Serbia nuk ia ka zhvatur një pjesë të territorit etnik, shqiptarëve u ka marr
më së shumti dhe më së shumti ka vrarë e masakruar popullatë. Por çuditërisht Shqipëria është i
vetmi shtet miqësor me Serbinë.
A ka kush që mund ta shpjegoj e zbërthej këtë sëmundje
mendore të zyrtarëve shqiptarë ndaj Serbisë? Si shpjegohet që edhe disa
analistë a militantë partiakë përpiqen ta arsyetojnë bashkimin e Shqipërisë me
Serbinë, apo lejimin që Serbia të dal në detin shqiptar, meqë kroatët e
malazezët ua mbyllen bregdetin e tyre?
"Bregdetin shqiptar për të cilin dikur derdhem gjak
po e marrim pa luftë", u tha i pari i serbëve kundërshtarëve të vet
politik në Beograd pas takimit me kryeministrin shqiptar. Dhe serbët panë të
hutuar.
Dikur serbët luftuan shumë që ta mbanin bregdetin kroat,
por e humbën luftën, pastaj bënë përpjekje ta mbanin edhe bregdetin malazezë,
por u iku nga dora, ndërsa do ta marrin pa shkrepur asnjë plumb bregdetin
shqiptar. Në dhjetor në
takimin e Durrësit, shteti shqiptar do t'ua ofrojë në pjatë detin. Varët nga
serbët si e duan: në zgarë apo në furrë.
Po shqiptarët ç'do të bëjnë? Do t'i presin me lule, do
t'i brohorasin Vuçiçit sikurse u brohorisnin Mugoshës e Miladinit në kohën e
Enverit. Shtetarët shqiptarë do t'i quajnë kokëderra kosovarë ata që e
kundërshtojnë penetrimin e Serbisë në Shqipëri, mu sikurse i quante Enveri. Sa
do të zgjas muaji i mjaltit Beograd-Tiranë?
A do ta kontrolloj prapë ushtria serbe bregdetin
shqiptar? A do ta nisin shqiptarët përtej Drinit pas disa vjetësh një luftë te
re për ta dëbuar Serbinë nga bregdeti Adriatik sikurse bënë kroatët? Jemi
gjallë e shohim.
Për Dardaninë që ia nguli thikë pas shpine qeveria
shqiptare, mu si dikur Tirana e Enver Hoxhës, nuk dua të shkruaj, është e kot.
Dardania duhet të mbrohet vet, por më parë dardanët duhet t'i heqin nga kreu i
shtetit e institucioneve veglat enveristo-marksiste të dirigjuara nga Tirana që
na e morën shpirtin njëzetë vjet.