Kerko: a
Entela Binjaku: Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit
E premte, 15.11.2019, 10:28 PM
Fondi i bibliotekës personale të Thoma Binjakut, dhuratë Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit
Nga
Entela Binjaku
Libri,
ndërthurja e brezave, misioni edukues i arsimtarit dhe qëndrimi emancipues i
intelektualit, të gjitha këto u ndërthurën bashkë në këtë fillim nëntori 2019
kur një familje fierake i dhuroi një fond librash institucionit të bibliotekës
së qytetit.
Rastet kur
familjet e intelektualëve kontribuojnë për të pasuruar fondet kulturore të
qyteteve të tyre, janë mjaft të njohura në histori. Shoqëritë e përparuara na
kanë dhënë shpesh shembuj të tillë, por edhe në shoqërinë tonë modele të tilla
nuk mungojnë.
Kur kanë kaluar
14 muaj nga ndarja nga jeta e intelektualit të njohur fierak Thoma Binjaku
“Mësues i Merituar” familja e tij vendosi t’i dhurojë librat e fondit personal,
Bibliotekës “Dritëro Agolli” të Fierit. Ky
ishte një zotim që familja e kishte marrë publikisht në 6-mujorin e ndarjes së
tij nga jeta në një aktivitet përkujtimor të mbajtur në sallën e konferencave
të Hotel “Fierit”.
Paraditen e së
premtes së 15 nëntorit 2019 librat ju
dhuruan drejtoreshës së këtij institucioni kulturor znj. Klodjana Gjata.
Drejtoresha e
mirëpriti dhe shprehu falënderimet në emër të institucionit që ajo drejton. “Falënderoj
familjen për gjestin fisnik! I ftoj qytetarët të kontribuojnë për pasurimin e
Bibliotekës, në të mirën e lexuesve tanë”, u shpreh Gjata, drejtuesja e
këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Lidhur me këtë
veprim të dinjitetshëm, e bija e intelektualit të ndjerë znj. Ajrina Dimo u shpreh: “Të mirat që
na vijnë prej librave janë të shumta: librat janë dije, janë mësime për jetën,
na përmirësojnë imagjinatën. Libri na ndihmon të jetojmë përvoja të reja. Kur
në duar kemi një libër interesant, shkëputemi edhe nga bota jashtë. Vetëm
njeriu që lexon mund të jetojë një mijë jetë. Babai ynë e donte shumë jetën dhe
jetoi deri në ditët e fundit të tij mes librave. Ne dëshirojmë që biblioteka e
tij të kontribuojë sado pak edhe tek lexuesit e qytetit. Kështu përjetësojmë
tek bashkëqytetarët tanë fierakë pasionin e tij për librat dhe dashurinë e
pamatë për dijen”.
Znj. Dimo po
vijon të çojë përpara edhe një nga dashuritë e të atit: atë për edukimin e
fëmijëve dhe të të rinjve me vlerat e veçantive kulturore.
Disa muaj më
parë ajo ishte edhe shoqëruese e rreth 30 fëmijëve dhe të rinjve arumunë nga i
gjithë vendi që morën pjesë në kampin veror të Sulinës, në Tulçea të Rumanisë.
Pjesëmarrësit nga Shqipëria morën pjesë në kampet e njohura si kampet “ARC”, në
raundin e dytë e tyre. Gjatë 7 ditëve fëmijët dhe të rinjtë praktikuan gjuhën
dhe jetuan sipas mënyrës rumune. Kurset e rumanishtes dhe të historisë ndihmuan
komunikimin dhe integrimin e pjesëmarrësve nga Shqipëria me bashkëmoshatarët e
tyre që vinin nga: Moldavia, Ukraina, Franca dhe Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë
dorëzimi i librave në Bibliotekën e qytetit u krye në një kohë kur edhe ky
institucion është në rikonstruksion dhe pritet të ofrojë për lexuesit
dashamirës të librit një mjedis tërësisht bashkëkohor.
Ky veprim erdhi
disa javë më vonë pasi Thoma Binjaku u nderua me diplomë nderi nga Shoqata
Kulturore “Arumunët e Shqipërisë”.
Ky vlerësim ju
dha në Tiranë në përvjetorin e 28-të të themelimit të kësaj shoqate me
motivacionin: “Me rastin e 21 tetorit, ditës së krijimit të Shoqatës,
vlerësuar për kontributin e dhënë në gjallërimin dhe zhvillimin e traditave
kulturore, fetare, folklorike e gjuhësore tek minoriteti arumun në Shqipëri si
edhe në aktivitetet për lidhjet vëllazërore me popullin rumun”.
Nderimet pas
vdekjes për figurën e intelektualit të njohur, Thoma Binjaku një autoritet në
fushën e arsimit kombëtar, kanë qenë disa.
Në 7 mars të
këtij viti ai u nderua nga Bashkia e qytetit të Fierit me mirënjohjen për
kontributet e shquara në arsim.
Në po këtë datë
në Tv “Kombi” u shfaq dokumentari me titull: “Një jetë kushtuar pasionit” në
nderim të figurës së tij.
Në 1 shtator 2019 në një vjetorin e ndarjes nga
jeta në studion e TV “Apollon” të qytetit të Fierit, kolegë dhe bashkëpunëtorë
të Thoma Binjakut folën për punën e tij të palodhur dhe përkushtimin ndaj
arsimit. Kjo datë përkonte edhe me fillimin e muajit të vjeshtës që për shumë
breza simbolizon nisjen edhe nisjen e vitit të ri arsimor. Vetë jeta e tij
ishte deri në fund e lidhur me shkollën dhe arsimin.
Në paraditen e
dhurimit të librave në Bibliotekën e qytetit ishin të pranishme edhe pjestaret
më të reja të familjes së Thoma Binjakut, të trija mbesat e tij, dëshmitare krenare për trashëgiminë që ai ka
lënë dhe pasuese të denja të pasionit të tij.